AGIM HAMITI: SHQIPTARË, O GJYNAHQARË TË VETVETES!

Bruksel, 29. 11. 2014 – Investimi më frutdhënës politik që Jugosllavia bëri në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, qe krijimi i PKSH prej Miladin Popoviçit dhe misionarëve të tjerë të Titos. Sikur Jugosllavia ta kishte pushtuar ushtarakisht Shqipërinë dhe ta bënte pjesë të federatës së saj, nuk do ta kishte shkatërruar kurrën e kurrës aq rëndë sa e shkatërroi diktatori ynë paranojak. Por, për hir të së vërtetës historike, nuk duhet t’i faturohet Titos as ideja e «shqiptarizimit të dramës shqiptare» e as përzgjedhja e njeriut të përshtatshëm për ta kryer me shumë pasion nëpër dekada shkatërrimin e popullit e të kombit të tij. Ndonëse Tito e njihte mirë politikën, ai ishte thjesht një politikan rajonal, që kishte nevojë për ndihmën e Të Mëdhenjve të politikës për të ruajtur Federatën e tij të sforcuar prej orteqeve të Luftës së Dytë Botërore. Ishin të tjerë Burra Ata që do të vendsonin për hartën politike të Europës e më gjerë pas luftës së madhe: tekefundit ajo luftë zhvillohej pikërisht për interesa të hapura e të kamufluara të Atyre. Pa pasur mbështetjen e ndonjërit prej Të Mëdhenjve, çdo «pemë politike» e mbjellë gjatë kohës së luftës do të thahej në përfundim të saj; veçanërisht në rajonin problematik të Ballkanit. Për fatin tonë të keq, projekti politik i Vendimmarrësve për Ballkanin qe projugosllav e antishqiptar. Më tej, Ata dinin vetë si ta hiqnin vallen politike, për të ndodhur vetëm ajo që kishin vendosur.
Ideja e kolonizimit sekret të një shteti ka autorësi angleze. Pas perëndimit të diellit për kolonizimin legal, anglezët nuk i hodhën armët për të gjetur forma të tjera kolonizimi, i cili jo vetëm që i kishte pasuruar së tepërmi ata, por i kishte dhënë ishullit britanik hijen e vërtetë të një perandorie. Realizimin e këtyre objektivave madhorë atyre ua mundësonte përvoja shekullore koloniale, aftësitë e mirënjohura politike e diplomatike dhe shërbimet sekretë të një niveli superior ndaj të tjerëve.
Qysh në Luftën e Parë Botërore, anglezët e aplikuan me sukses instalimin sekret të kolonizimit në shtete të botës së tretë, nëpërmjet rekrutimit prej shërbimeve të tyre sekretë të kandidatit më të mundshëm si udhëheqës i atij vendi. Qysh prej çastit që kandidati arrinte marrëveshjen përkatëse me shërbimet sekretë britanikë, qeveria angleze bënte gjithë investimet e nevojshëm në favor të karrierës së «njeriut të saj». Një manovër e tillë nuk ishte e vështirë për tu realizuar prej tyre në rrethana lufte. Ky lloj kolonizimi (që vazhdon edhe sot në vende të botës së tretë) është më i leverdisshëm se kolonizimi i dikurshëm legal, sepse kriptokolonizatori nuk mban asnjë përgjegjësi se ç’ndodh në koloninë e tij të fshehtë. Madje hiqet edhe si «Mik» i atij vendi…

Politikanët e shantazhuar nga të Mëdhenjtë…!

Në Luftën e Dytë Botërore misionet politikë anglezë, të shpërndarë sipas gjeografisë së luftës, ishin më me përvojë dhe më efikasë në rekrutimet e këtij lloji, ndërkohë që shërbimet sekretë britanikë vazhdonin të mbeteshin ndër më të mirët e kohës, krahas atyre amerikanë që po përparonin dukshëm. Veçse CIA do të themelohej më 1947. Ndërkohë kryeministri britanik gjatë luftës, W. Churchill, ishte njëri prej tre Burrave të Shtetit që do të nënshkruanin formën e re të hartës politike të botës. Për më tepër, në krah do të kishte Presidentin amerikan, F. Roosevelt, aleatin e tij strategjik.
Sesa rëndësi u ka dhënë W. Churchill zhvillimeve politike në Ballkan, gjatë viteve të luftës, kuptohet nga fakti që ai angazhoi si këshillëtar të Titos djalin e tij, Randolph Churchill, i cili zyrtarisht ishte i atashuar në SAS [Special Air Service]. Në këtë mënyrë edhe vetë karriera e Titos kontrollohej e sponsorizohej prej anglezëve, ndërsa inkursionet e tij politikë jashtë kufijve të Federatës Jugosllave ishin të pamundur pa sugjerimin ose miratimin paraprak të W. Churchill. Krijimi i PKSH prej jugosllavëve ishte ide angleze e realizuar nga Tito, në pajtim me perspektivën e parashikuar politike të pasluftës në rajonin e Ballkanit. Randolph Churchill pranë Titos dhe gjeneral Dejvis pranë Enverit qenë regjisorët e vërtetë të dramës shqiptare me aktorë ballkanikë.
Një trillë e çuditshme e fatit tim tekanjoz më mundësoi të isha dëshmitar i tërthortë i ngjarjeve të jashtëzakonshme që kam përshkruar në librin «Odiseja e një Detektivi», me personazhe realë që mbajnë emrat e Gjendjes Civile: ngjarje për të cilat disponohen prova kokëforta të disallojshme. Në shkurt 2011, ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, në një takim me kryetarët e shteteve anëtarë të BE, bëri një deklaratë të fortë lidhur me vrasjet e 21 janarit: «Ne nuk duhet ta tolerojmë përdorimin e armëve në Tiranë dhe vrasjen e katër protestuesve të çarmatosur. Aq më tepër që kjo nuk po ndodh për herë të parë në Shqipëri [aludim për vitin ’97]».
Këtë moment e gjykova si më të përshtatshmin për publikimin në Internet të librit në fjalë dhe të një «Letre të Hapur» drejtuar politikanëve të Tiranës e të Prishtinës, ambasadorit amerikan dhe gjithë shqiptarëve. Për fat të mirë të shtypësve e të vrasësve të tyre, shqiptarët u treguan indiferentë, si gjithmonë. Në këto rrethana, «Aleatët» nuk e patën të vështirë ta bindnin Brukselin që të heshtte për vrasjet e 21 janarit. Tekefundit e çfarë ishin katër viktima, kur Ata kishin arritur të mbanin në pushtet kukullat e tyre edhe pasi kishin vrarë katër mijë «shqiftarë» më 1997? Sa krime të tjerë u kryen më vonë e i mbuloi pluhuri i harresës përçmuese! Por…, sa të tjerë do të kryhen?
Është e pamundur që falimentimi financiar i pashpallur i shtetit shqiptar të kapërcehet me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe me burgosjen e fukarenjve që nuk e paguajnë dot atë, apo me vendosjen e taksave për rrugët, ndërkohë që trumbetohej se do të uleshin taksat ekzistuese. Burgu i sotëm shqiptar do t’iu duket si kamp pushimi fukarenjve, që në «jetën e lirë» nuk i kanë ngrënë dot asnjëherë të tre vaktet e ditës dhe do t’iu jenë mirënjohës faturave të papaguara. Bosi Fullani, si menaxher i multi-milionave të krerëve të të dy klaneve dominues të politikës, po nxjerr gjuhën me fukarenjtë që u rropi lëkurën dhe bën aheng në shtëpinë luksoze me lakejtë e pushtetarëve dhe të «opozitarëve», në pritje të gjoja hetuesisë në kushte të lira.
Berisha dhe Basha janë oksigjeni i Ramës e Ruçit dhe anasjelltas. Humbja e njërës palë është kryekëput humbja e të dyjave. Show aktual i reformës në drejtësi është paraparë prej të dy palëve qysh me ndryshimet e qëllimshme që i bënë Berisha e Rama Kushtetutës, duke i mundësuar Saliut (jo rastësisht) që të zgjidhte Presidentin dhe Kryeprokurorin vetëm me votat e partisë së tij. Tani qeveria Rama ka me çfarë të justifikohet për zvarritjen e reformës në drejtësi, e cila është e padëshirueshme dhe e dëmshme si për rozët edhe për blutë. Angazhimi i 1000 policëve të tjerë, të parashikuar nga kryeministri shqiptar, nuk e ndal dot kurrsesi ciklonin e krimit të organizuar, që i ka rrënjët tek bashkëfajësia kriminale qeveri-«opozitë». Ata do të shërbjenë si një forcë shtesë për shtypjen e çdo pakënaqësie popullore që mund të manifestohet në të ardhmen e zymtë ekonomike, kur uria do t’ua shkundë përgjumjen barkboshëve. Belgjika i ka gjykuar me largpamësi zhvillimet e pritshme në vendin tonë dhe e përjashtoi rishtas Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta në rajon.
Si do të shkojnë punët më tej?
Historia shqiptare (dhe botërore) ka treguar se kur kupola politike e një shteti është e zhytur në llumin e korrupsionit e të krimit, ingranazhet e regjimit mund të funksionojnë disi vetëm duke u lubrifikuar me gjak. Terrori e detyron të hesht edhe të uriturin, edhe të nëpërkëmburin, edhe të mohuarin. Për ata që i kanë pesë para mend në kokë mjafton që të përpiqen t’iu japin përgjigje bindëse dy pyetjeve të mëposhtme, për të kuptuar shkallën e lartë të rrezikshmërisë së situatës në Shqipëri:
– Pse qeveritë shqiptare, gjatë këtyre 23 vjetve të kaosit «tranzicion», nuk morën asnjëherë masat e duhura për çarmatimin e plotë e të përgjithshëm të popullsisë, sidomos pas shpërthimit të depove të shumta të municionit më 1997?
– Pse nuk janë marrë masa efektive për shuarjen e gjakmarrjes? Me çfarë justifikimi ligjor e moral, qeveritë e tranzicionit pa mbarim bëjnë sehir, prej më se dy dekadash, sesi mijëra familje, që synojnë hakmarrjen, kanë ngujuar brenda mureve të shtëpive-burgje mijëra familje të tjera fatkeqe, duke i kërcënuar ato me armët pa leje, që ua lë qëllimisht qeveria?
Shqiptarë, o gjynahqarë të vetvetes! Përpiquni t’i vini një kufi indiferentizmit tuaj, për të mos bërë një jetë me dridhma e të vriteni papandehur, si mijëra e mijëra bashkatdhetarë të pafajshëm. Dyert e blinduara, që u vendosni apartamenteve, blindojnë frikën tuaj, jo sigurinë. Kur t’ia dojë puna, mafja politike do t’ju vrasë në rrugë, ashtu siç ka vrarë gjithmonë.
Nuk vepruat në mënyrë të arsyeshme me hosananë histerike për vizitën butaforike të Ramës në Beograd. Në rrethin vicioz të korrupsionit e të krimit ku ai qeveris, kryeministri shqiptar do ta konvertojë në brutalitet mbi ju atunë e «atdhetarit të madh» që ia dhatë veresie. Mbështetjen e Ndërkombëtarëve (me zë apo me heshtje) ai e ka siguruar duke kryer veprime të diktuara prej atyre vetë dhe që nuk janë në të mirën tuaj. Të tjera krisma do të bëjnë që të harrohen përfundimisht bumjet e Gërdecit, bataretë e 21 janarit dhe plumbat mbi Artan Santon, vrasja e të cilit i parapriu skenarit tipik mafioz të zbulimit «të befasishëm» të orgjisë financiare të krerëve të të dy klaneve politikë me Fullanin. Do të dëshiroja shumë që e ardhmja të justifikonte optimizmin tuaj e jo realizmin tim.
Por e patë se ç’ndodhi së fundi në Kosovë?
Ndonëse për më tepër se pesë muaj klasa politike kosovare përbetohej se do ta linte në opozitë Hashim Thaçin, ndodhi krejt e kundërta. Ai krijoi koalicion me partinë e dytë më të madhe të Kosovës (LDK), duke i siguruar një perspektivë afatgjatë PDK-së së tij. Kjo nuk qe as rastësi dhe as aftësi e Thaçit, por «ashtu i do mushka drutë» për tu zhvilluar deri në fund dialogu enigmë proserb Beograd-Prishtinë, i hartuar e i mbështetur fuqimisht prej Brukselit dhe Washingtonit (me miratim të Kremlinit). Politika punon gjithmonë nën tokë, si urithi. Autorët e vërtetë të koalicionit Thaçi-Mustafa nxituan të bënin deklaratë publike: «Ne nuk kemi dorë në arritjen e koalicionit në Kosovë».
Kush i akuzoi Ata për këtë, pëveç ndërgjegjes së tyre?
Shantazhi është arma më efikase në politikë, që përdorin të Mëdhenjtë ndaj të vegjëlve. Ai i gjunjëzon lehtë politikanët e korruptuar, duke i detyruar të bëjnë atë që u rekomandojnë Ata dhe jo atë që duhet bërë për të mirën e popullit e të vendit të tyre. Me sa duket, Gjykata Speciale për Krimet e luftës, që do të ngrihet në Kosovë, do t’i kursejë mëkatarët e bindur ndaj Ndërkombëtarëve dhe do të goditë atë pjesë të fajtorëve të mundshëm, që kanë shfaqur shenja rebelimi ndaj Thaçit dhe kursit të tij politik antikosovar – shqiptarë. Kjo taktikë seleksionimi miratohet plotësisht prej Beogradit, të cilit i intereson shumë nënshkrimi i marrëveshjeve të ardhshme proserbe me Prishtinën prej politikanësh fajtorë, që janë të gatshëm të sakrifikojnë interesat e Kosovës për të shpëtuar njëherësh lëkurën dhe karrierën e tyre politike. Të njëjtën taktikë ndjekin të Mëdhenjtë edhe në Shqipëri, ku kanë ndihmuar hapur të mbeten në pushtet dy klanet kriminalë rozë e blu, krerët e të cilëve janë autorët e vrasjeve të disa mijëra shqiptarëve dhe të rrënimit ekonomik të vendit. Kjo shpjegohet thjesht: Ata përdorin të njëjtën taktikë antishqiptare si në Shqipëri edhe në Kosovë, sepse objektivat që duan të arrijnë janë po të njëjtët dhe përfshihen në të njëjtën dosje politike të titulluar: «Çështja Shqiptare».
Është hipokrizi t’ju uroj festën e pavarësisë, sepse pavarësia shqiptare nuk ekziston: ajo është flijuar prej kohësh nga politikanët.

(Agim Hamiti: [email protected])

………………………………………………………………………………

(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura