AGIM JAKUPI: DITA ‘D’

Shkup, 09. 05. 2016: Më kujtohet Dita… kur ecnim me mundime dhe kërkonim që parimet e Demokracisë të jenë funksionale edhe tek ne në Maqedoni. Atë Ditë, si student, në Tetovë protestuam dhe i dhamë legjitimitet luftës Dinjitoze të UÇK-së. Nga qendra e Tetovës të gjithë njëzëri kërkuam nga shteti që zëri jonë, zëri i çdo shqiptari të dëgjohet dhe të respektohet. Kur zëri jonë nuk dëgjohej, atëherë nga Malësia dëgjoheshin krismat e ushtarëve të UÇK. Dhe kjo na le të kuptojmë se ishte e kotë ti përgjigjesh asaj politike vetëm me zë, ajo e meriton edhe krismën e pushkës. Po ajo ishte dita kur mbylla librin studentor… asgjë nuk funksiononte, në këtë rast nuk shkonte edhe leximi. Qielli ishte i mbuluar me re të zeza. Sikur të gjithë po dëgjonim melodinë e tallkinit. Po edhe në këtë kohë frymëmarja të lehtësohet kur jeton me shpres… Çdo Ditë u forconte bindja se do vije Dita e fitores së pritur.
●●●
Gjithashtu më kujtohet edhe Dita kur në Shkup u vra në rrethana të paqarta njëri nga komandantët më të suksesshëm, Teli… dhe më pas u nënshkrua Marrëveshja e Ohërit. Kjo marrëveshje me afat për realizim do të bëhet pjesë e platformës politike të subjektit që veten e quan si trashëgimtare të UÇK-s. Kaluan 15 vite nga nënshkrimi i atij dokumenti, mirëpo ka dështuar implementimi i të njejtit. Një politikan dhe ish kryeministër një Ditë ka thënë se kjo do të implementohet atëherë kur do jetë e nevojshme për maqedonët, pra kur ata do jenë pakicë në shtet. Thënia e tij ka një të vërtetë, dhe e vërteta qëndron në atë se politikanët shqiptar, sa kanë nevojë për këtë marrëveshje, nuk janë të aftë të implementojne ate. Ne këtë gjë po e shohim. Statusi i shqiptarëve është po ai i para konfliktit: vrasje pa u bë gjyq, burgosje, rrahje, maltretime nga më të ndryshmet, raste të montuara, arsim me tekste të imponuara.

●●●
Që nga Dita, kur në Kala të Shkupit u nis ndërtimi i Kishës orthodokse, politikanët shqiptar si duket të bekuar me ujë të shenjtë nga prifterinjtë harruan platformën kombëtare dhe nisën vallen me muzikë të preferuar nga kryeministri. Me siguri ju kujtohet edhe juve Dita ku në qendër të Shkupit “politikani” shqipfolës bëri “selfie”. Patriotizmi qëndron në faktin se në facebook bëjnë “politikë kombëtare”, patriotit maqedon ia ndryshon emrin, e bënë shqiptar. Me siguri kjo është bë nga mosdija. Duke zbritur nga Kalaja, për të shkuar në qendër, kalohet nga një botë në një tjetër. Kemi një qytet të ndarë në dy pjesë, atë të punës dhe pastërtisë dhe ate të “bekimit” për fëlliqësirë. Përveç ezanit në xhami që paraqet zërin e vetëm të bukur, zërat tjerë dëshmojnë për zhurmën e madhe që kanë të bëjnë me fukarallëkun në pjesën e Shkupit tonë.
●●●
Dikush do që të heshtim për të gjitha Ditët ku gjaku u derdh gjithë andej dhe turpi na mbuloi. E si mund të harrohet Dita kur të pabesët e goditën Kushtrimin tonë, idealistin e luftës së UÇK-s, si është e mundur të harrojmë Ditën kur lokja “bëhet terroriste” dhe motra jonë prangoset pa të drejtë, si ti harrojmë Ditët kur terri dhe tmerri u bë pjesë e jetës sonë, si të harrojmë Ditën kur funksionarët e partisë në pushtet mundohen të bëjnë politikë me çekiç në dorë, si të harrojmë Ditën kur të “përzgjedhurit” tonë godasin njëri tjetrin, si të harrojmë Ditën kur përgjaken fëmijët tanë, si ti harrojmë Ditët e manovrave të keqbërësve që janë veshur me dimi të grave, si ti harrojmë të gjithë ata zëra të klasës politike që synim e kanë plaçkitjen e popullit, si, si???
Andaj erdhi Dita që edhe unë të lëshojë zërin tim të Demokracisë, që të fitoj të Drejtën time, që me Dinjitet të jetojë…
Unë me 9 maj… këtë Ditë do të protestoj!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura