AGIM SYLEJMANI: PROTESTË PËR LIRIMIN E PROFESOR SADRI RAMABAJËS!

Luzern, 22 tetor 2017: Me rastin e ditës së parë të minipanairit të parë të librit shqip në Luzern, pasdite u organizua nga pjesëmarrësit dhe vizitorët e rastit një orë solidariteti dhe proteste me rastin e arrestimit të prof. dr. Sadri Ramabaja. Nga kjo orë solidariteti e krijuesve shqiptarë në Zvicër dhe pjesëmarrësve të rastit u dërgua një shkresë protestë drejtuar qeverisë së Republikës së Kosovës, Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë dhe Amnesti International.
Pasi u lexua shkresa protesta, fjalën e morën shumë pesëmarrës, në mesin e të cilëve: Ilmi Cakolli, shok i rinisë dhe organizimit të hershëm me Sadri Ramabajën, Shefqet Cakiqi-Llapashtica, bashkëvuajtës në burgjet serbo-sllave me Sadriun. Pastaj fjalën e mori edhe një mik i afërt zviceran i Sadriut, Andrea Müller, ish gazetar në TV zviceran.
Fjalën e morën edhe veprimtarët e çështjes kombëtare: Fatmir Brajshori-Tushi, Ibish Neziri, Fehmi Berisha, Metush Zenuni Dura, Syl Arifi, pastaj edhe krijuesi Bardhec Berisha. Naim Ramabaja, një nip i Sadriut përshëndeti këtë manifestim në emër të familjes së Sadri Ramabajës.
Pos si fotografi, shkresën protestë po ia bashkangjes këtij shkrimi, duke apeluar tek bashkatdhetarët që protesta të ngjashme të shkruhen edhe nga vende dhe tubime të tjera duke kërkuar liri për prof. dr. Sadri Ramabaja.
___________
Drejtuar:
Qeverisë së Republikës së Kosovës
Kombeve të Bashkuar për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë
Amnestisë Insternacionale
SOLIDARIZIM – PROTESTË!
LIRI PËR PROF. DR. SADRI RAMABAJA!
Praktika e demokracisë është praktika e mendimit të lirë! Frika që ligji i pushtetit për kontroll të mendjes së lirë, për t’kontrolluar shtypin e lirë, mendimtarët parimor, që pastaj të shpie në burgosjen e intelektualëve të popullit karshi atyre të pushtetit, u bë dhe po bëhet realitet! Burgosja e intelektualëve të popullit, asgjësimi fizik i simboleve rinore, rrahja e gazetarëve, është treguesi më i mirë, që në Kosovë, të jesh vetja jote, të jesh ai që je, është një gjë që të kushton: me kërcënime, burgosje e madje – madje me jetë! Profesorit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Sadri Ramabajës, teoritë e tija për shtetin dhe mbishtetin, i kushtuan hë për hë me burgosje dhe përvojat dëshmojnë, që t’burgosurit politikë, në burgjet e Kosovës humbin edhe jetën!
Ne krijuesit e mërgatës shqiptare në botë dhe në veçanti krijuesit e arteve të ndryshme në Zvicër (shkrimtarë, poetë, dramaturgë, skulptorë, piktorë, mësues e profesorë dhe studentë) kërkojmë nga “drejtësia në Kosovë”, nga prokuroria, gjyqësia dhe shteti që:
– Prof. Sadri Ramabaja të lirohet menjëherë nga burgu!
– Që të ndërpritet çfarëdo lloj hetimi që ka të bëjë me një rast inekzistent si përfshirje direkte e profesorit Universitar!
– Të ndërpritet mediokriteti i pushtetarëve dhe veglave të tyre duke i sjell vendit dëme të jashtëzakonshme!
– Kërkojmë një ndryshim konceptual të pushtetit karshi Intelektualëve që nuk janë pjesë e oborreve të pushteteve heretike!
– Opinioni publik është barometri më i mirë për t’kuptuar se çfarë do thotë burgosja e Intelektualëve nga një pushtet; Ai opinion e do një intelektual të ngjashëm me Garsia Lorken dhe jo një pushtet të njejtë me Frankon!
– Me burgosjen e Sadri Ramabajës, ju atë e shndërruat në Garsia Lorkë teksa veten tuaj e shndërruat në pushtet si të Frankos!
– Të gjitha shtetet zanafillën e idesë së formimit të shtetit e kishin tek intelektualët! Të gjitha pushtetet theqafjen e tyre e kanë përjetuar në momentin që u kanë hapur luftë Intelektualëve!
– Prandaj, ne krijuesit, të mbledhur sot në Minipanairin e Librit Shqip në Luzern, kërkojmë, jo theqafjen e pushtetit por lirinë e Intelektualit, profesorit universitar dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, z. Sadri Ramabaja!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura