SHERADIN BERISHA: KAH PO SHKON KOSOVA ME KËTË ‘ELITË POLITIKE’?!

(Pashtriku.org, 01. 12. 2012) – Nga të gjitha zhvillimet politike të pasluftës në Kosovë kam arritur të kuptoj se “elita politike” shqiptare s’ka asgjë të përbashkët me kodin e ndërgjegjes dhe të moralit njerëzor. Madje jam bindur, se pushtetarët tanë nuk i përmbahen fare këtij kodi moral e njerëzor, sepse po të jetë e kundërta (të përgjegjshëm dhe njerëzor), pozita e tyre udhëheqëse nuk do të ishte e qëndrueshme as afatgjate. Gjithashtu, kam mësuar, se, ai që duhet të udhëheq politikën në këtë vend, duhet të dijë të mashtroj, të gënjej, të manipuloj, të jetë intrigantë, skajshmërisht i pamoralshëm dhe i pandërgjegjshëm dhe njëkohësisht të shtiret se po punon për të mirën e popullit. Bisedat e publikuara telefonike të lidershipit partiak e institucional (PDK-Qeveri) e dëshmojnë këtë gjë më së miri. Dhe, njerëzit e thjeshtë (ata që mashtrohen vazhdimisht) fjalët e tyre me tone zotimi, premtimi e entuziazmi i marrin gjithmonë si vepra, dhe punë të kryera. Si rrjedhim, masa e njerëzve që nuk gjykojnë shumë me kokën e tyre, vazhdimisht janë kënaqur me sipërfaqësoren (me fjalët e bukura të udhëheqësit), dhe rrallë kush prej tyre e vret mendjen se ai (udhëheqësi) po i mashtron, gënjen, manipulon, e i intrigon ata. Dhe si përfundim, mund të them se, ndershmëria, përgjegjshmëria dhe sinqeriteti, si vlera substanciale të njeriut, s’kanë asgjë të përbashkët më këtë soj politikanësh.

*   *   *
Sa për ilustrim: Më 21 Nëntor 2010 (3 javë para mbajtjes së zgjedhjeve të 12 dhjetorit) kam shkruar një artikull me titull: “ZGJEDHJET E 12 DHJETORIT JANË MANIPULIM I RADHËS!”

(Lexoni – klikoni këtu: http://pashtriku.beepworld.de/files/kosova_2010/nentor_10/15-21.10/sheradin_berisha_zgjedhjet_e_12_dhjetorit_manipulim_i_radhes_21.11.10.htm )
dhe për fat të keq kështu doli, ato zgjedhje u vodhën e u manipuluan tmerrësisht, nga manipulantët, mashtruesit dhe intriguesit e kësaj “elite politike” që fola më lartë. 

Sa për ilustrim lexoni shkrimin: “HAJNAT E PDK’së IA VJEDHIN VOTAT PDK’së!!!”
http://pashtriku.beepworld.de/files/kosova_2010/dhjetor_10/pashtriku_pdk_vodhi_pdk_15.12.htm 

*   *   *

Për më tepër, më 5 dhjetor 2010 (vetëm 7 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 12 dhjetorit) në cilësinë e moderatorit të pashtriku.org, bëra një apel sa për këndellje dhe reflektim të elektoratit që do të merrnin pjesë në votim, dhe atë e titullova: “MOS U GËZONI AS MOS U HIDHËRONI PËR FITOREN APO HUMBJEN E TYRE!”

LEXONI ME KUJDES APELIN:

KUJDES! KAH PO SHKON KOSOVA ME KËTË ‘ELITË POLITIKE’?!
Dihet mirëfilli se në ekonomi çdo ecuri zhvillimore planifikohet, prandaj edhe në politik ngjarjet e mëdha që bëjnë kthesa në zhvillimet e një procesi politik planifikohen. Në filozofinë politike kushtuar krizave politike sipërfaqësohen parimet: „rregull nga shkaktimi i krizave“, dhe „fitore përmes konfliktit“, të cilat vijëzohen plotësisht në doktrinën dialektike: „Teza, antiteza dhe sinteza“ të filozofit gjerman Georg Fridrih Vilhelm Hegel (1770 – 1831) apo thënë më qartë mbi bazën: “problemi – reagimi – zgjidhja”.
Pra, sipas këtyre parimeve për të ndryshuar një gjendje politike kërkohet shkaktimi i një krize dhe kjo krizë pastaj eskalon dhe zhvillohet nën menaxhimin dhe kontrollin e faktorëve të ndryshëm politik, plotësisht sipas doktrinës hegeliane (teza – antiteza – sinteza) – (problemi – reagimi – zgjidhja). Duket se Hegeli ka identifikuar procesin universal me anë të të cilit të kundërtat, të cilat ai i quante “tezë – problemi” dhe “antitezë-reagimi”, bashkohen gjithnjë në një kompromis të nivelit më të lartë, që quhet „sintezë-zgjidhja“! Kjo dialektikë hegeliane, për fat të keq është provuar të jetë e përdorur gjatë shek.XX nga politikbërësit e pamëshirshëm për manipulimin e ngjarjeve në dobi të agjendës së tyre! Në këtë kuadër, duket qartazi se të gjitha krizat e pasluftës në Kosovë dhe me theks të veçantë kriza e krijuar në veri të Kosovës po zhvillohet mbi bazën e agjendave të përcaktuara nga faktorë të jashtëm që i përkasin prapaskenës politikbërëse të lidershipit politik e institucional të Kosovës!

* * *
Duke u nisur nga apeli im i mësipërm “MOS U GËZONI AS MOS U HIDHËRONI PËR FITOREN APO HUMBJEN E TYRE!”, tani mund të reflektojmë mbi të gjitha skenaret e ngjarjeve që kanë ndodhur para dhe pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010, e të cilat u zhvilluan sipas parimit “rregull nga shkaktimi i krizave”, bazuar në trininë hegeliane “teza – antiteza – sinteza” apo thënë më qartë: “problemi – reagimi – zgjidhja”.
Konkretisht skenaret e ngjarjeve që u zhvilluan në Kosovë, sipas trinomit “problemi – reagimi – zgjidhja” ishin të shumta, me këtë rast po i veçojmë disa prej tyre:

1. Kriza PDK-AAK
Problemi: Acarimi i raporteve midis PDK – AAK-së (në verën e vitit 2010) përmes akuzave e kundërakuzave pës vjedhje, abuzim, reketim, pasurim etj., midis Adem Grabovcit, Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt,
Reagimi: Shkuarja e Ramush Haradinajt (më 21 korrik 2010) në Hagë, për rigjykim, dhe
Zgjidhja: mbajtja e rigjykimit ndaj Ramush Haradinajt dhe dalja e tij nga burgu si “triumfues” më 29 Nëntor 2012.
2. Kriza qeveritare PDK-LDK
Problemi: acarimi i raporteve midis koalcinit qeverisës PDK-LDK dhe vendimi i gjykatës kushtetuese për paligjshmërin e mbajtjes së dy posteve nga presidenti Fatmir Sejdiu,
Reagimi: Dalja e LDK-së (ministrave të saj) nga koalicioni qeverisë me PDK-në dhe dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga pozita e Presidentit,
Zgjidhja: Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të 12 dhjetorit 2010!
3. Kriza në LDK
Problemi: Acarimi i raporteve brenda kreut të LDK-së pas daljes së partisë nga koalicioni dhe dorëheqja e F.Sejdiut,
Reagimi: Akuzat dhe kundër akuzat midis kryetarit të LDK-së Fatmir Sejdiut dhe Bujar Bukoshit dhe përpjekjet e këtij të fundit për t’u bërë kryetar i LDK-së,
Zgjidhja: Mbajtja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së (më 07 Nëntor 2010) dhe zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të partisë.
4. Kriza në veri të Kosovës 2011…
Problemi: Intervenimi i njësisë speciale të Kosovës (ROSU) në Veri (në mbrëmjen e 25 korrikut 2011) për të marrë gjoja nën kontroll pikat doganore 1 dhe 31, tërheqja e kësaj njësie në orët e mëngjesit të 26 korrikut dhe vrasja e policit Enver Zyberi,
Reagimi: Intervenimi i Beogradit përmes strukturave të saja në veri të Kosovës, fillimisht me bllokimin e dy rrugëve kryesore që të çojnë në pikat kufitare 1 – 31 dhe barkadimi i të gjitha rrugëve tjera gjatë muajve në vijim…
Zgjidhja: Ndërmjetësimi i gjeneralit gjerman të KFOR’it Erhard Buhler dhe faktorëve tjerë në Bruksel, SHBA etj., takimet e tij me Hashim Thaçin dhe Borko Stefanoviqin dhe arritja e një marrëveshje kalimtare prej 10 pikash me qëllim të uljes së “tensioneve dhe normalizimit të gjendjes”, në mënyrë që Prishtina dhe Beogradi pas një kohe përmes dialogut të arrijnë marrëveshje afatgjate politike – e jo teknike! Vazhdimi i dialogut të ashtuquajtur “teknik” gjatë vitit 2011, midis Prishtinës (Edita Tahirit) dhe Beogradit (Borko Stefanoviqit), për arritjen e disa “marrëveshjeve teknike”… Ngritja e bisedimeve në nivel politik, pas miratimit të rezolutës së PDK-së në Kuvendin e Kosovës (më 18 tetor 2012) me moton manipuluese “për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” – (me këtë Serbi që nuk e njeh Kosovën si shtet dhe për më tepër atë e konsideron si pjesë të saj edhe me Kushtetutë). Vazhdimi i bisedimeve -negociatave politike “për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” midis Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit në Bruksel-me ndëmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baroneshës Catherine Ashton.
Emrimi i nënkryetarit të AAK-së Blerim Shala (më 22 nëntor 2012) nga presidentja Atifete Jahjaga si koordinator politik për dialogun Kosovë-Serbi!
Dalja e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj nga burgu (më 29 nëntor 2012), relaksimi i skenës politike dhe paralajmërimi i Ramush Haradinajt për t’ju bashkuar koalicionit qeveritar në krye me Hashim Thaçin, për t’u bërë pjesë e negociatave politike Prishtinë – Beograd, të cilat duket se do të rezultojnë me një marrëveshje politike, e cila do ta finalizojë përfundimisht gjashtë pikëshin e Ban Ki Munit – me një statusi të veçantë – autonom, për Veriun e Kosovës!
(SHIKONI FOTOALBUMIN NË FUND TË SHKRIMIT)

STOP MANIPULANTËVE DHE INTRIGANTËVE POLITIKË!

Shpeshherë citohet thënia e famshme e filozofit francez Joseph De Maistre (1753 – 1821) se: “çdo popull e ka atë qeveri që e meriton”, mirëpo është edhe një thënie tjetër e një filozofi gjithashtu francez Jean-Jacques Rousseau (1712 – 1778), i cili në një vepër të tij ka shkruar, se: “çdo qeveri e ka atë popull që e krijon”.
Joseph De Maistre, kur thotë që “çdo popull e ka qeverinë që e meriton”, duket se e bënte përgjegjës popullin për atë qeverisje që e ka, ndërkaq Jean-Jacques Rousseau, kur thotë që “çdo qeveri e ka popullin që e krijon”, duket se e bënte qeverinë përgjegjës.
Tani shtrohet pyetja: Ne, a e kemi qeverinë që e meritojmë apo qeveria (përmes mediave të kontrolluara) me anë të mashtrimeve, gënjeshtrave, manipulimeve, e intrigimeve, duke u shtirë se po punon për të mirën e popullit, ka krijuar një popull të tillë që është në shërbim të saj?!
Përgjigja ime është: Ne kemi një qeverisje që nuk e meritojmë, e cila me anë të propagandës e manipulimeve të ndryshme ka krijuar një “popull” të tillë. E për ta ndryshuar këtë qeverisje, duhet të ndryshon një orë e më parë mentaliteti i robit (nga populli), ndaj lidershipit politik e institucional – të sojit mashtrues, manipulantë e intrigues! Nëse nuk ndryshon ky mentalitet, kam frikë se po shkojmë drejt një çorrsokaku me shumë rreziqe për të ardhmen tonë si komb!

==============================

FOTOALBUMI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura