ENIS VELIU: FUSHATA PËR VOTA ME PARATË TONA!

Prishtinë, 04. 06. 2014 – Fushata parazgjedhore për zgjedhjet nacionale në vend, që do të mbahen më 8 qershor të këtij viti, ka nxjerrë edhe njëherë në pah politikanët mashtrues, të cilët ditët e fundit kanë dalë në “gjah” pas votave. Deri para pak ditësh politikanët ke mundur t’i takosh në hallën e Kuvendit të Kosovës, në objekte të Qeverisë, apo në ndonjërin nga restorantet më luksoze të kryeqytetit. Ndërkaq, me fillimin e fushatës parazgjedhore ata mund t’i gjesh kudo dhe kah do. Aktivë në rrjete sociale e aktivë në jetë të përditshme.
Nuk kanë kaluar shumë ditë kur ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, u zhyt deri në fyt në liqenin e Badocit së bashku me një ekip të zhytëseve për ta pastrua liqenin.
E hiç më larg se të hënën kryeministri në largim, Hashim Thaçi, u pa në njërën nga piceritë në vend , duke gatuar picë për klientët e lokalit.
E të tjerët (politikanët) po e bëjnë të pamundurën për të bindur elektoratin që edhe për një mandat atyre të ua japin votat, duke premtuar jetë dhe kushte më të mira.
Mirëpo, shikuar në aspektin ekonomik pjesa dërmuese e fushatës thuajse është e pambuluar praktikisht.
Ka shumë premtime, por ka pak mundësi për t’i realizuar ato në praktikë për shkak të buxhetit të kufizuar që ka Kosova.

Hashimi dhe Ramushi kampionë të premtimeve!

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, edhe më tutje vazhdon të jetë kampion i premtimeve. Mirëpo, as liderët e tjerë atij nuk ia lëshojnë rrugën.
Thaçi ka premtuar se do ta krijojë Fondin e Punësimit, i cili kap vlerën prej 1,5 miliardë euro. Mirëpo, edhe më tutje ka mbetur shumë e paqartë se nga do të merren parat për ta bërë një gjë të tillë.
Me ligjet aktuale kryeministri në lagim nuk ka të drejtë ligjore të fut në funksion rreth 1 miliardë euro para të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, por as rreth 500 milionë euro sa janë mbledhur nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në vend .
Për parat e para ,vizën duhet ta japin më shumë se 400 mijë kontribuues. E për të dytën e jep bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Mirëpo, edhe këtyre të fundit infrastruktura aktuale ligjore ua pamundëson një gjë të tillë.
Parat nga privatizimi përfundojnë në buxhetin e Kosovës vetëm atëherë kur të përfundojë procesi i likuidimit e aktualisht ky proces është shumë larg përfundimit.
***
Premtime goxha ambicioze, por të pambuluara aspak po jep edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka premtuar pagë mesatare prej 1000 euro, kushte më të mira për punëtorë. Mirëpo, edhe ky njëjtë sikurse kryeministër në largim nuk ka dhënë argumente bindëse se si do ta realizojë planin e tij në praktikë.
Sipas Thaçit dhe Haradinajt me luftimin e korrupsionit dhe uljen e evazionit fiskal do të mbulohen pjesa dërmuese e premtimeve që ata kanë dhënë.
Mirëpo, një premtim i tillë nuk është aspekt i besueshëm. Është vetëm elektoral, sepse Thaçi që shtatë vjet e ka drejtuar Qeverinë e Kosovës dhe ai nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë, përkundrazi në bazë të raporteve ndërkombëtare krimi dhe korrupsioni kanë lulëzuar. E tash mundësia për ta bërë një gjë të tillë edhe më tutje mbetet e vogël, apo nuk ekziston fare . Deri sa të zgjasë fushata qytetarët do të “ushqehen” me fjalë të mëdha e pas përfundimit të saj, ata edhe më tutje do ta vazhdojnë luftën për ekzistencë.

 =========================

(Ilustrimin e përgatiti pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura