AKADEMIKJA GREKE: NË VITIN 1831 ATHINA KISHTE 8000 SHTËPI, SHUMICA SHQIPTARE (VIDEO)
Pashtriku, 28 shtator 2021
Një video e akademikes greke, Helene Glykatzi-Ahrweiler është bërë virale në rrjetet sociale.
Videoja është përhapur gjerësisht, për shkak se Glykatzi-Ahrweiler shprehet se në vitin 1831 në Athinë ekzistonin vetëm 8000 shtëpi, shumica prej tyre ishin shqiptare.
Kjo deklaratë e saj hapi jo pak debate në rrjete sociale, duke zgjuar kështu edhe reagime të shumta nga qytetarët grek në faqet e ndryshme në internet ku kjo video është publikuar.
“Greqia nuk ekzistonte, kështu që për të ngushëlluar veten, çfarë bënë ata? Pikërisht 8000 shtëpi në Athinë në vitin 1831, gjysma e tyre pa çati, shumica prej tyre u përkisnin shqiptarëve. Fjalori i parë shqip – greqisht u krijua nga Botsaris (Gjeneral dhe hero i Luftës së Pavarësisë Greke). Botsaris krijoi fjalorin e parë shqip – greqisht sepse të gjithë ushtarët e tij ishin shqiptarë”, është shprehur akademikja, raporton 27.al.
Helene Glykatzi-Ahrweiler është sot 94 vjeçe. Akademikja greke që ia ka kushtuar një pjesë të jetës studimeve mbi Bizantin ka qenë gruaja e parë që ka drejtuar Universitetin e Sorbonës.
Gjithashtu, ajo ka qenë edhe drejtuese në Universitetin e Europës dhe presidene e Bordit në Qendrën Kulturore Europiane në Delfi.
***
8000 shtëpi kishte Athina në 1931, shumica shqiptare