DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (III)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (III)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

-2-

Konfidenciale

GR 561

Fm Beograd 031151Z, prill ‘81                                           

Direkt për FCO                          Kopje origjinale

Nr. tel. 041, datë 03 prill ‘81

Informacion për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im, nr. 039

Demonstratat në Kosovë

1.         Demonstratat e 1 prillit ishin qartazi më serioze se ato të 11 dhe 26 marsit dhe, cilado qofshin shkaqet fillestare, ato kishin karakter të pastër politik.

2.         Kur takova Rotar këtë mëngjes, sekretar për Tregtinë dhe e pyeta për situatën aty, ai më tha se nuk duhet të lejojmë që çështja të ekzagjerohet. Numri i njerëzve të përfshirë është, tha ai, mbase më i vogël se 20% e popullsisë së përgjithshme. Nuk ishte e qartë nëse ai nënkuptonte popullsinë e Prishtinës apo të Kosovës në tërësi, por në secilin rast numrat janë shumë më të lartë sesa na bëjnë të besojmë deklaratat zyrtare të deritanishme. Sipas gazetarëve perëndimorë të bazuar në burimet lokale, numri i demonstruesve më 1 prill ishte i madh dhe përfshinte si studentët dhe punëtorët që marshonin pas fëmijëve të shkollave. Referenca në deklaratën e Nimanit mbi përdorimin e armëve e rrit seriozitetin e situatës.

3.         Autoritetet kanë vënë me të madhe theksin në përfshirjen e elementëve armiqësorë si brenda Kosovës dhe jashtë vendit. Rotar, tha se ishte e sigurt që kishte pasur provokime nga jashtë Jugosllavisë. Nuk ishte koincidencë që shqiptarët në Nju Jork kishin zhvilluar një demonstratë po atë ditë. Kolegu im nga Belgjika më tregoi se një sulm i fundit ndaj zyrave të jashtëm në Bruksel, besohej se ishte bërë prej punëtorëve shqiptarë nga Kosova të cilët kërkonin pavarësinë. Kreu i Departamentit për Lindjen e Mesme, SFPJ, i tha Këshilltarit tim se njerëz nga jashtë kishin dërguar ndihmë për elementët armiqësorë në Kosovë.

4.         Autoritetet nuk kanë bërë të qartë se çfarë masash janë duke marrë për të ripohuar kontrollin e tyre por është e qartë, dhe Rotar e konfirmoi këtë, se qeveria është e vendosur për të vepruar me vendosmëri për ruajtjen e rendit dhe stabilitetit dhe për të penguar çdo prishje të mëtejshme të jetës normale në Kosovë. Burimet zyrtare kanë thënë se masat për kufizimin e tubimeve publike janë ngritur në nivelin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe sapo është shpallur ndalimqarkullimi për periudhën nga 8 pm deri në 5 am, për disa bashki. Dëshmitarët kanë raportuar se Prishtina është rrethuar nga trupat, dhe policia speciale është nëpër rrugë. Gazetarët janë urdhëruar që të mos lejohen të hyjnë në Prishtinë.

5.         Rotar shtoi, se qeveria e dinte se ishte e nevojshme që problemi të zgjidhej në terma politike. Ai tërhoqi vëmendjen në normën e shpejtë të progresit të arritur në Kosovë dhe ishte i bindur se shumica e popullsisë e vlerësonte këtë dhe e pranonte pjesëmarrjen e plotë të Kosovës në çdo aspekt të procesit vendimmarrës në Jugosllavi. Ai parashikonte se situata do të qetësohej sepse populli do ta pranonte që zhvillimi i tij i plotë mund të arrihej vetëm brenda Jugosllavisë dhe nën sistemin e saj. Mesazhe mbështetjeje po vërshojnë në Kosovë dhe parashikoi se autoritetet do të bëjnë të pamundurën për normalizimin me shpejtësi të situatës.

6.         Atasheu im i mbrojtjes do të përpiqet që të bëjë një vizitë në këtë zonë fundjavën e ardhshme dhe kreu im i zyrës së Kancelarit ka planifikuar që të jetë me pushime në Kosovë javën e ardhshme.

Bolland                [Përsëritet sipas kërkesës]

Ky telegram nuk është përcjellë.

-3-

Konfidenciale

GR 500

Fm Beograd 061115Z, prill                                                              

Direkt për FCO             Kopje origjinale

Nr. tel. 043, datë 6 prill ‘81

Informacion me prioritet për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im, nr. 42

Kosova

1.         Kur takova Gërliçkov, aktualisht anëtar i Kryesisë së Lidhjes Komuniste, ai më dha informacionet e mëposhtme në përgjigje të pyetjeve të mia.

2.         Gërliçkov, tha se demonstratat lindën së pari nga kushtet sociale dhe ekonomike të cilat u shfaqën në një formë shumë më të mprehtë në Kosovë se tjetërkund. Megjithatë, situata kishte në vetvete një element të madh frymëzimi të jashtëm i cili ishte kryesisht irredentist. Demonstruesit kishin kërkuar Republikën e cila duhej të përfshinte pjesë të tjera fqinje të Jugosllavisë me pakicat shqiptare. Kjo ishte vetëm një fazë kalimtare. Faza tjetër, ndoshta mund të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

3.         Ata ende nuk e dinë me saktësi se kush i ka nxitur këto zhvillime nga jashtë vendit. Natyrisht që do ta zbulojnë këtë. Aktualisht nuk ka pasur fakte që të bëjnë fjalë për frymëzim nga ana e sovjetikëve. Gjuha e përdorur në fletushka në Prishtinë ishte në frymën e konform-byroistit. Ata e dinin se udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha ishte në gjendje të dobët shëndetësore dhe se vuante nga vështirësi të brendshme dhe do të mirëpriste shumë një diversion të huaj.

4.         Autoritet mendonin se iniciativa kishte kaluar tashmë në anën e tyre dhe po përpiqeshin të izolonin forcat irredentiste dhe të kthenin shumicën e popullsisë kundër këtyre forcave. Autoritetet kishin pikërisht avantazhin se vetëm nacionalizmi në Shqipërinë staliniste ishte tërheqës për punëtorët, fshatarët ose inteligjencën e Kosovës. Sidoqoftë, nacionalizmi ishte i verbër dhe ata prisnin që të kishte më shumë trazira para se situata të ndryshonte plotësisht. Sidoqoftë, ngjarje të tilla do të ishin shumë të vogla dhe nuk do të kishin mundësi suksesi.

5.         Ata e kishin përdorur kaq shumë forcën, përfshirë ushtrinë dhe milicinë, me qëllim që t’i tregonin inspiruesve të huaj se çfarë ishte në gjendje të bënte Jugosllavia për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e saj. Brenda në Prishtinë ishin përdorur trupa me qëllim që të mbroheshin objektet më të rëndësishme. Të gjitha forcat e rendit kishin udhëzime të rrepta që të përdornin armë vetëm për vetëmbrojtje.

6.         Deri tani, tre anëtarë rezultonin të vrarë nga milicia, dhe shtatë të tillë nga demonstruesit. Dy nga këta të fundit nuk ishin vrarë nga forcat e rendit por, ata besonin, nga forcat armiqësore që donin gjakderdhje.

7.         Autoritetet do të publikonin të gjitha informacionet kur të ishte e vlefshme. Gërliçkov tha se mund të më siguronte që këto ngjarje nuk do të vijonin me shtrëngimin e kontrollit qendror dhe nuk do të lejoheshin që të pengonin procesin gradual të demokratizimit.

Bolland                                               Ky telegram nuk është përcjellë.

                                                              [Përcillet sipas kërkesës]

 -4-

GR 800

Fm Beograd 060821Z, prill ‘81                                                                   

Prioritet për FCO          Kopje origjinale

Nr. tel. 042, datë 6 prill ‘81

Informacion për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im, nr. 41

Demonstratat në Kosovë

1.         Kryesia Federale dhe Kryesia e Partisë, u mblodhën në një sesion të përbashkët në mbrëmjen e 2 prillit për të diskutuar situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Në një deklaratë të publikuar vetëm 24 orë më vonë, ata deklaruan marrëveshjen e tyre me vlerësimet e bëra tashmë nga autoritetet e tjera që ishin mbledhur më parë atë ditë.

2.         Sidoqoftë, deklarata kishte disa dallime për sa i përket pikave kryesore. Ajo theksonte se aktivitetet përçarëse të cilat kërcënonin paqen dhe rendin dhe prosperitetin publik ishin organizuar nga elementët irredentistë të cilët kohët e fundit ishin bërë pjesë integrale e rritjes së aksionit të organizuar nga armiku i brendshëm dhe i jashtëm për të shkaktuar destabilizim dhe për të rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë. Këto aktivitete bazoheshin në konfrontimin e popullit shqiptar me popujt dhe kombet e tjera në Kosovë dhe në Jugosllavi. Aktivitetet kanë filluar me parulla sociale dhe demagogjike, të cilat kanë mashtruar një numër të caktuar të rinjsh, dhe përfunduan në parulla haptazi armiqësore për irredentizmin shqiptar, duke kërkuar shpërbërjen e Federatës. Autoritetet përgjegjëse patën sukses që të lokalizonin dhe kufizonin trazirat me gjithë grupet e vogla të provokatorëve në radhët e elementëve turbullues të cilët u përpoqën të krijonin incidente dhe përplasje me agresivitetin e tyre dhe veprimet brutale. Dy kryesitë miratuan masat e marra si të nevojshme dhe të justifikuara për t’i kthyer Kosovës normalitetin.

3.         Fadil Hoxha, anëtar shqiptar i Kryesisë Federale dhe Kryesisë së Partisë, shkoi në Prishtinë më 3 prill dhe dha një fjalim para aktivistëve të Partisë, i cili u transmetua në televizion. Ai konfirmoi se ngjarjet e kohëve të fundit kishin ndodhur jo vetëm në Prishtinë, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Ai i përshkroi ato si kundërrevolucionare. Demonstratat studentore ishin vetëm një pretekst për sulm nga armiqtë e Jugosllavisë. Ai e vuri këtë situatë në një kontekst më të gjerë, duke thënë se në një kohë kur situata ndërkombëtare po përkeqësohej dhe ndërhyrja në vendet e tjera po rritej “ishte e qartë se nuk ishte në interesin e disave që Jugosllavia të jetë e qëndrueshme. Përmes trazirave dhe aktiviteteve nacionaliste, ata përpiqen ta bëjnë Kosovën një lidhje të dobët në Jugosllavi dhe të krijojnë kështu një krizë dhe pakënaqësi jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Jugosllavinë, duke pasur si objektiv shkatërrimin e sistemit politik. Për rrjedhojë, në situatën gjithnjë e më të rrezikshme ndërkombëtare shohim që gishtërinjtë e kundërrevolucionit manipulojnë përsëri në Jugosllavi, Kosovë dhe me gjerë, me qëllim që të krijojnë sërish pasiguri dhe një zonë të re konflikti për interesa të huaja”. Ai shtoi: “ne e dimë se duart e kujt po ndërhyjnë”. Më vonë, ai aludoi se kush ishin këta, duke thënë: “Është interesante se nacionalizmi dhe shovinizmi shfaqen në Kosovë aktualisht në frymën e disa koncepteve majtiste dogmatike të cilat nuk ndryshojnë aspak nga parullat armiqësore të periudhës së euforisë informbyroiste. Pavarësisht se çfarë fshihet pas parullave të ndryshme pothuajse marksiste, këto janë veprime të shërbëtorëve dhe agjentëve më të urryer të qendrave dhe agjencive të ndryshme të spiunazhit”. Ai bëri të qartë se do të dënoheshin rëndë të gjithë ata që janë përgjegjës për trazirat aktuale dhe çdo përpjekje të mëtejshme.

4.         Hoxha vazhdoi të mbronte gjerësisht progresin e arritur nga Kosova në kuadrin e Federatës dhe zhvillimin e saj nga feudalizmi dhe prapambetja në barazi me popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe të përshkruante perspektivën dhe trajtimin e saj të veçantë në Planin e ri 5-vjeçar. Ai përfundoi me një thirrje për vëllazëri dhe bashkim dhe për të gjithë të rinjtë, studentët dhe nxënësit të cilët për çfarëdo arsyeje ishin përfshirë në këtë ngjarje, t’i ktheheshin studimeve dhe punës së tyre. Deklaratat e mëvonshme kanë pranuar se ekzistonte një problem real në ofrimin e punës për studentë që braktisnin shkollat dhe të diplomuarit, problem i cili duhej trajtuar me urgjencë.

5.         Që atëherë, media ka nisur një fushatë për të treguar se jeta po i kthehet normalitetit në Prishtinë, megjithëse po e bën këtë duke pranuar se është ende e nevojshme që të studiohen pasojat e këtyre trazirave. Vazhdojnë të vërshojnë mesazhe mbështetjeje nga organizatat socio-politike në të gjithë vendin dhe tashmë nga punëtorët jashtë vendit. Megjithatë, diplomatët dhe gazetarët e huaj nuk janë lejuar që të vizitojnë Krahinën. Dolanc do të japë sot në mesditë një konferencë për shtyp ku do të shpjegojë situatën për gazetarë të huaj.

Bolland                           [Ky telegram nuk është përcjellë]

                                         [Përcillet sipas kërkesës]

__________

(VIJON)

© Pashtriku.org

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (IV)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba


Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura