AKTVENDIMI I GJUQTARES DANICA MARINKOVIÇ MBI ZHVILLIMIN E HETIMEVE KUNDËR ADEM JASHARIT …
Më datën 4 tetor 1996 Gjykata e instaluar serbe në Prishtinë, në vazhdën e fushatës antishqiptare, ka lëshuar aktvendimin mbi zhvillimin e hetimeve kundër 15 shqiptarëve të Republikës së Kosovës.
“GJYQTARI HETUES I GJYKATËS SË QARKUT NË PRISHTINË, Danica Marinkoviqi, në lëndën penale të të pandehurit Besim Rama etj., për shkak të veprës penale terrorizmi, nga neni 125 i LPJ, lidhur me nenin 19 të LPJ, duke vendosur sipas kërkesës për zbatimin e hetimeve të PPQ në Prishtinë PP. nr. 139/96 nga data 4.X.1996 me datën 6.X. 1996 merrë këtë:
AKTVENDIM MBI ZBATIMIN E HETIMEVE KUNDËR
1. Besim Ramës, i biri i Sokolit dhe i nënës Hanife, e lindur Abdullahu, i lindur më 13.VII.1965 në fshatin Prekaz i Epërm, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, i martuar, baba i një fëmije, ka të kryer shkollën fillore, përkohësisht i liruar nga shërbimi ushtarak, mbahet i evidentuar në EU-KK Sërbicë, më parë i gjykuar, në paraburgim gjendet nga data 29. IX.1996,
2. Avni Nura, i biri i Ismajlit dhe nënës Halime, e lindur Istogu, i lindur më 20.l.l974 në fshatin Prellovc, komuna e Sërbicës, ku edhe jeton, shqiptar, shtetas i RFJ, i pamartuar, me profesion bujk, ka të kryer 2 vjet të shkollës së mesme, shërbimin ushtarak të parregulluar, më parë kinse i pagjykuar, në paraburgim gjendet nga data 29. IX.1996.
3. Adem Jashari, i biri i Shabanit, i lindur më 28.XI.1955 në Prekazin e Ulët, komuna e Sërbicës, shqiptar, i martuar, bujk, gjendet në arrati.
4. Jakup Nura, i biri i Ismajlit dhe nënës Halime, e lindur Istogu, i lindur më 13. II.1966, në fshatin Prellovc, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, i martuar, bujk, gjendet në arrati.
5. Fadil Kadriu [Kodra], i biri i Shaqirit, i lindur më 19.XI.1965, në Prekazin e Ulët, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, i pamartuar, gjendet në arrati.
6. Nuredin Lushtaku, i biri i Jetullahut, i lindur më 27. II.1967 në fshatin Prekaz i Ulët, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, gjendet në arrati.
7. Sahit Jashari, i biri i Hamitit, i lindur më 9. II.1963, në Prekazin e Ulët, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, i martuar, bujk, gjendet në arrati.
8. Rafet Rama, i biri i Osmanit, i lindur më 5.XII.1971, në Prekazin e Epërm, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, gjendet në arrati.
9. Sami Lushtaku, i biri i Milaimit, i lindur më 20. II.1961, në Prekazin e Ulët, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, bujk, gjendet në arrati.
10. Iljaz Kadriu [Kodra], i biri i Ismajlit, i lindur më 3.V.1966 në Prekazin e Ulët, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, i pamartuar, gjendet në arrati.
11. Rexhep Selimi, i biri i Destanit, i lindur më 15. III.1971 në Ovçarevë, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, student, gjendet në arrati.
12. Hashim Thaçi, i biri i Haxhiut, i lindur më 24. IV.1968 në fshatin Broçna, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, gjendet në arrati.
13. Zenun Kadriu [Kodra], i biri i Feratit, i lindur më 10. IX.1963 në Prekazin e Ulët, komuna e Sërbicës, shqiptar, shtetas i RFJ, gjendet në arrati.
14. Ali Jonuzi, i biri i Sabitit, i lindur më 28. II.1956 në fshatin Pasush, komuna e Vuçitërnës, jeton në Vuçitërnë, rruga VJ. nr. 13, shqiptar, shtetas i RFJ, gjendet në arrati.
15. Idriz Asllani, i biri i Halitit, i lindur më 2. I.1954 në fshatin Tërstenë, komuna e Mitrovicës, jeton në Vuçitërnë, rruga Sutjeska nr. 15, shqiptar, shtetas i RFJ, gjendet në arrati (Sipas mjeteve të informimit ndërkohë Idriz Asllani është arrestuar (vërejtje e Red së ZiK).
SEPSE
Ekziston dyshimi i bazuar se në gjysmën e dytë të vitit 1992, pas qëndrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, ku së bashku ushtarakisht janë stërvitur me pjesëtarët e armatës shqiptare nën komandën e eprorëve të tyre, në territorin e komunës së Sërbicës kanë formuar grupin terrorist armiqësor dhe së bashku me shumë persona ende të paidentifikuar janë bërë anëtarë të të njëjtit grup, kanë filluar armatosjen e grupit dhe për këtë qëllim kanë siguruar sasi të madhe të armëve, municionit dhe të mjeteve eksplozive, pushkë, automatikë, pushkë me snajper, revolverë, bomba dore, mina të trombllonës dhe pajisje të ndryshme ushtarake, prej tyre një pjesë e kanë sjellë nga Republika e Shqipërisë, pastaj rregullisht, nga gjysma e dytë e vitit 1992 e deri në fund të shtatorit të vitit 1976 (1996), në mal, në afërsi të fshatit Prekaz i Ulët, kanë stërvitur shkathtësitë ushtarake, përdorimin e armëve të zjarrit, rregullisht kanë stërvitur në gjuajtjen e tyre në shenjë, kanë mbajtur mbledhje ilegale, më së shpeshti në Prekazin e Ulët, në të cilat mbledhje janë marrë vesh dhe kanë planifikuar kryerjen e aksioneve terroriste në territorin e komunës së Gllogovcit, Pejës, Vuçitërnës dhe Mitrovicës dhe pas këtyre pregatitjeve të bëra me qëllim të rrezikimit të rregullimit kushtetues dhe sigurimit të RFJ kanë ndërmarrë aktet e dhunës në territoret e këtyre komunave, sipas marrëveshjes paraprake, në të njëjtën kohë dhe në bashkëveprim me grupet e tjera terroriste, të cilat këto akte në mënyrë kontinuive i kanë kryer në territorin e Kosovës, me ç’rast me dashje kanë privuar nga jeta 4 persona dhe kanë tentuar që t’i privojnë edhe 16-të persona të tjerë, me çka te qytetarët kanë krijuar ndjenjën e pasigurisë, ashtu që:
1. BESIM RAMA, JAKUP NURA, HASHIM THAÇI DHE AVNI NURA
Sipas marrëveshjes paraprake, natën në mes të datës 13 dhe 14.5.1993 të pandehurit Besim Rama, Jakup Nura dhe Avni Nura janë takuar në shtëpinë e të pandehurve Jakup dhe Avni Nurës në fshatin Prellovc dhe pas marrëveshjes së shkurtër, me automjetin e Jakup Nurës, Opel-Monta, kanë shkuar deri në Gllogovc, e pastaj i pandehuri Avni Nura automjetin e përmendur e ka kthyer në fshatin Prellovc, që sipas marrëveshjes, pas aksionit në shtëpinë e vet të sigurojë pranimin, fshehjen dhe vendosjen, ndërsa të pandehurit Besim Rama dhe Jakup Nura, po ashtu sipas marrëveshjes paraprake me të pandehurin Hashim Thaçi, janë takuar në afërsi të kalimit hekurudhor në afërsi të Gllogovcit dhe të armatosur, të pandehurit Hashim Thaçi dhe Besim Rama me pushkë automatike, ndërsa i pandehuri Jakup Nura me pushkë automatike, revolver dhe bomba dore, kanë vënë pritën në afërsi të rrugës në kalimin hekurudhor, me qëllim që në momentin e kalimit të automjeteve të MPB-së të hapin zjarr nga pushkët automatike dhe t’i privojnë nga jeta personat në automjet, mirëpo deri te kjo nuk është ardhur për shkak se në periudhën prej afër një ore derisa kanë qenë në pritje nuk ka kaluar asnjë automjet i policisë, pastaj janë tërhequr, i pandehuri Hashimi ka shkuar në drejtim të shtëpisë së vet, ndërsa të pandehurit Besimi dhe Jakupi në Prellovc, në shtëpinë e të pandehurve Jakup dhe Avni Nura, të cilët kanë bërë roje para shtëpisë së tyre derisa kanë pushuar Besim Rama dhe Jakup Nura, me këtë në bashkëveprim kishin për të kryer veprën penale të terrorizmit me tentativë nga neni 125 të LPJ, lidhur me nenin 19 të LPJ.
2. BESIM RAMA, JAKUP NURA, RAFET RAMA, SAMI LUSHTAKU,
Më datën 22.V.1993 i pandehuri Besim Rama, pas marrëveshjes për kryerjen e aksionit terrorist i ka dhënë pushkën automatike nr. 70- AB me numër 590106, kal. 7,62 mm. X39 dhe 30 plumba, të pandehurit Rafet Rama, i cili së bashku me të pandehurit Jakup Nurën, Sami Lushtakun, Iljaz Kadriun dhe Fadil Kadriun, të cilët po ashtu kanë qenë të armatosur me pushkë automatike, ka caktuar pritë në afërsi të rrugës në kalimin hekurudhor në hyrje të Gllogovcit, nga ku rreth orës 22.40 minuta kanë hapur zjarr me rafal në milicionerët e ndërrimit të tretë të MPB-së të Gllogovcit, të cilët kanë qenë në automjetin motorik zyrtar të markës “Ivekokombi“ me regjistrim M-615-155, me ç’rast nga lëndimet e marra nga plumbat e shkrepur është shkaktuar vdekja e policëve Zvonko Jevtiq dhe Nebojsha Gjorgjeviq, kurse lëndime të rënda trupore kanë marrë policët Zoran Iliq dhe Sinisha Milosavleviq, kurse lëndime të lehta trupore kanë marrë policët Bojan Mladenoviq, Miroljub Milenkoviq dhe Predrag Perishiq, ndërsa policët Safet Gashi dhe Sinan Stefanoviq nuk kanë pësuar lëndime. Të akuzuarit pastaj janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe kanë shkuar në shtëpitë e tyre, ndërsa të pandehurit Rafet Rama dhe Jakup Nura kanë shkuar në shtëpinë e të pandehurve Jakup dhe Avni Nura në fshatin Prellovc, ku i pandehuri Avniu i armatosur me revolver ka bërë roje para shtëpisë, derisa kanë pushuar të pandehurit Rafet Rama dhe Jakup Nura, me këtë në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të terrorizmit nga neni 125 të LPJ, të ndëshkuar sipas nenit 139, al. 2 lidhur me al. 1 të LPJ….
3. BESIM RAMA, SAHIT JASHARI, ALI JONUZI DHE IDRIZ ASLLANI
Më datën 11.II.1996 – sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Besimi, i armatosur me pushkë automatike të përshkruar më lart dhe me thikë, si dhe i pandehur Sahit Jashari i armatosur me pushkë automatike, revolver dhe bomba dore, janë takuar në hyrje të Vuçitërnës me të pandehurit Ali Jonuzi dhe Idriz Asllani, të cilët në marrëveshje të shkurtër janë njohur me vendin dhe kohën e kryerjes së aksionit dhe i kanë dërguar ata deri te QSHM në Vuçitërnë, ku i pandehuri Sahiti, rreth orës 21.15 min. në dhomën e fjetjes numër 4, në të cilën ka qenë Seka Kriçkoviq, Nikolla Kovërlia, Voja Kovërlia, Jovanka Kovërlia dhe Stojan Kovërlia, refugjatë nga RSK, kanë aktivizuar dhe kanë hedhur përmes dritares 2 bomba dore të prodhimit kinez ngjyrë të gjelbër, të cilat nuk kanë eksploduar, sulm ky i cili është kryer në mënyrë kohore i koordinuar me sulmet e grupeve të tjera terroriste në të njëjtën ditë në Suharekë, Podujevë, Prishtinë, Mitrovicë dhe Pejë, në objektet në të cilat kanë qenë të vendosur 284 refugjatë nga RSK, me këtë në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të terrorizmit nga neni 125 të LPJ.
4. BESIM RAMA, ADEM JASHARI, SAHIT JASHARI, NUREDIN LUSHTAKU, FADIL KADRIU [Kodra] DHE ZENUN KADRIU [Kodra]
Me datën 22. IV.1996, në Mitrovicë, në vijën magistrale Prishtinë Rozhajë, i pandehuri Besim i armatosur me pushkë automatike dhe revolver, i pandehuri Ademi me pushkë automatike, revolver dhe bomba, i pandehuri Sahiti me pushkë automatike dhe revolver, i pandehuri Nuredini me pushkë automatike dhe revolver, i pandehuri Fadili me pushkë automatike dhe revolver dhe i pandehuri Zenuni, me pushkë automatike, kanë vendosur pritën afër rrugës dhe rreth orës 21.20 min. i pandehuri Nuredini, me pushkë automatike, i pandehuri Zenuni me revolver të cilin më parë ia ka dhënë i pandehuri Adem, kanë hapur zjarr në automjetin zyrtar të MPB-së të markës “Jugo-skala 55“, me regjistrim M-617-917, i cili në atë kohë ka kaluar aty pari dhe në të cilin kanë qenë 4 persona, me ç’rast nga lëndimet e marra nga plumbat e shkrepur është shkaktuar vdekja e Dragana Neshiqit, kurse lëndime të lehta trupore ka marrë polici Sllobodan Dudiq, ndërsa Dragan Borisavleviq dhe Dragana Lugoniq, persona duke u dërguar në vuajtje të dënimit, nuk kanë pësuar asnjë lëndim. Të pandehurit e tjerë për shkak të kalimit të shpejtë të automjetit nuk kanë pasur sukses që të shtijnë në të njëjtin automjet. Edhe ky sulm është kryer në kohë të koordinuar me sulmet e grupeve të tjera
terroriste në të njëjtën ditë ndaj pjesëtarëve të MPB-së dhe qytetarëve serbë në Deçan, Pejë dhe Shtime, me ç’rast kanë humbur jetën 4 persona, ndërsa 3 janë plagosur.
– me këtë në bashkëpunim kanë kryer veprën penale të terrorizmit nga neni 125 i LPJ të ndëshkuarsipas nenit 139 al. 2 lidhur me al. 1 të LPJ.
5. BESIM RAMA, ADEM JASHARI, FADIL KADRIU [Kodra], NUREDIN LUSHTAKU DHE REXHEP SEJDIU
Me datën 17.Vl.1996, në rrugën magjistrale Mitrovicë Pejë, në afërsi të JKJ “Vodovod“ në lagjen Shipol të Mitrovicës, të pandehurit Besimi, Fadili, Nuredini dhe Rexhepi, të armatosur me pushkë automatike, ndërsa i pandehuri Ademi me snajper, kanë vënë pritën afër rrugës, së pari të gjithë së bashku, e pastaj janë ndarë në dy grupe, ashtu që të pandehurit Besimi dhe Ademi janë larguar nga 3 të tjerët dhe kanë caktuar grupin e pritës, ndërkaq i pandehuri Besimi, me pushkë automatike të përshkruar më lart, dhe i pandehuri Ademi, me snajper të kal. 7,9 mm kanë hapur zjarr në automjetin zyrtar të MPB-së, të markës “Zastava 101“ me regjistrim M-618-422, në të cilin automjet kanë qenë dy policë, me ç’rast nga lëndimet e marra prej plumbave të shkrepur është shkaktuar vdekja e policit Predrag Gjorgjeviq, ndërkaq polici Vukojiçiq ka marrë lëndime të rënda trupore. Pastaj, të pesë të pandehurit e tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes, sulm ky i cili është kryer në kohë të koordinuar me sulme të tjera të grupeve në të njëjtën ditë ndaj pjesëtarëve dhe objekteve të MPB në Lluzhan dhe një natë më parë në Podujevë, në të cilat sulme një person është lënduar, me këtë në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të terrorizmit nga neni 125 i LPJ, të ndëshkuar sipas nenit 139 al.2 lidhur me al.1 të LPJ,
ARSYETIM
MPB-ja, Sekretariati në Prishtinë, ka ushtruar fletëdenoncim penal numër 2194/96, datë 2.X.1996 kundër Besim Ramës nga Prekazi i Epërm dhe Avni Nurës nga Prellovci, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer shumë vepra janë sjell me fletëdënoncim te gjyqtari hetues. Gjyqtari hetues personat e dyshimtë i dëgjoi në rrethanat e fletëdënoncimit penal e pastaj procesverbalet e marrjes në pyetje të tyre dhe shkresat e tjera të përmendura ia ka dërguar Prokurorisë Publike të Qarkut për shqyrtim të mëtutjeshëm të tyre në bazë të nenit 193 al.4 të LPJ. Prokuroria është njoftuar se kundër personave të përmendur është caktuar paraburgimi. Prokuroria Publike e Qarkut me datën 4. X. 1996 ka ushtruar kërkesë për zbatimin e hetimeve numër 139/96, kundër Besim Ramës e të tjerëve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer shumë vepra penale të terrorizmit nga neni 125 i LPJ. Gjyqtari hetues, përveç dëgjimit të Besim Ramës dhe Avni Nurës, tash për tash nuk mund t’i marrë në pyetje edhe të pandehurit Adem Jasharin, Jakup Nurën, Fadil Kadriun [Kodra], Nuredin Lushtakun, Sabit Jasharin, Rafet Ramën, Sami Lushtakun, Iljaz Kadriun [Kodra], Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Zenun Kadriun [Kodra], Ali Jonuzin dhe Idriz Asllanin, sepse gjenden në arrati.
Nga përmbajtja e fletëdenoncimit penal, shkresa të tjera të bashkangjitura me fletëdënoncim dhe nga mbrojtja e të pandehurit të parë dhe të dytë, lind dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale të cilat u vihen në barrë. Prandaj gjyqtari hetues gjeti se kërkesa e PPQ për zbatimin e hetimeve është e bazuar, për grumbullimin e provave me qëllim të dëgjimit të kësaj çështjeje konkrete juridiko penale në bazë të neneve 157 dhe 159 al. 1 dhe 2. të LPJ, sepse ekziston rreziku nga shtyrja e lëndës. penale të terrorizmit nga neni 125 LPJ.Bashkë me personat e dyshimtë,
GJYKATA E QARKUT NË PRISHTINË,
DATË 4.X.1996
GJYQTARI HETUES, DANICA MARINKOVIQ
—
KËSHILLË JURIDIKE:
Kundër këtij aktvendimi lejohet e drejta e ankesës në afat prej 3 ditësh nga dita e pranimit të tij, kolegjit penal të kësaj gjykate“.
___________________
© Pashtriku.org, dhjetor 2024