ALBIN KURTI: NË VERI VAZHDON KOLONIZIMI ME SERBË TË RINJ!

(Prishtinë, 07. 06. 2012) – Në veri të Kosovës, e posaçërisht në veri të qytetit të Mitrovicës, vazhdon kolonizimi. Ndërtesat shumëkatëshe që i ngreh Serbia atje mbushen me serbë shtesë që nisin të banojnë në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Në veri të Kosovës nuk ka familje serbe që jetojnë në tenda e të cilave Serbia po ua siguron vendstrehimin me këto banesa të reja.
Të gjithë serbët në veri të Kosovës jetojnë e banojnë nëpër shtëpi një a dykatëshe ose nëpër banesa të ngrehinave shumëkatëshe. Ndërtesat e reja e të larta mbushen me serbë të tjerë që erdhën të banojnë rishtazi aty. Në shumicën e herave shumëkatëshet ndërtohen në prona të shqiptarëve të cilat janë blerë prej Qeverisë së Serbisë përmes ndonjë ndërmjetësuesi. Fizikisht këto ndërtesa ndërtohen prej poshtë lart, porse politikisht ato po instalohen prej lart poshtë.
Këta serbë janë kolonët më të rinj në Kosovë. Mitrovica nuk është vendlindja e tyre. Mitrovica po bëhet vendbanimi i tyre. 13 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë ende nuk është ndalur kolonizimi i Kosovës. Ndryshe prej shekullit XX kur kolonizimi zhvillohej gjithandej nëpër Kosovë, kësaj radhe ai është i kufizuar territorialisht.

________________________________

Mbase kjo lidhet me planin e Milosheviqit i cili pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999, preferonte që serbët ta kishin gjithë pushtetin në një pjesë të territorit më parë se një pjesë të pushtetit në gjithë territorin. Pasuan strukturat ilegale të Serbisë dhe koncentrimi i serbëve të Kosovës në zona pranë kufirit me Serbinë (kryesisht në veri të Kosovës por edhe në Anamoravë).
Sigurisht që Serbia e do territorin më shumë se serbët dhe se ajo i përdor serbët për hir të territorit. Serbia nuk iu beson serbëve. Ajo nuk ua jep falas atyre banesat por ua jep vetëm të drejtën e shfrytëzimit sepse frikësohet që ata do t’ia shesin banesën ndonjë shqiptari. Ua përmirëson atyre jetën duke iu gjetur vende pune, duke iu garantuar shkollim e shëndetësi, pra, duke ua siguruar mirëqenien sociale.
Në mënyrë që t’i ketë këta serbë në territorin që e synon ajo, nga buxheti i shtetit të Serbisë ndahen mjete të mëdha për jetesën sa më të mirë të këtyre serbëve. Për Serbinë qëllimi është territori dhe burimet natyrore të tij, ndërkaq serbët janë mjeti për realizimin e këtij qëllimi. Dhe, ky qëllim mëtohet të realizohet duke e forcuar mjetin e përcaktuar për të.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, ata 4.000 shqiptarë që jetojnë në veri të lumit Ibër nuk i trajton as si mjet e as si qëllim. Thjesht, ajo i ka harruar fare ata. Papunësia dhe varfëria në mesin e shqiptarëve që jetojnë atje është veçse më e madhe sesa e shqiptarëve në pjesën tjetër të Kosovës.
Përveç mungesës së sigurisë dhe mbrojtjes fizike, shqiptarët në qytetin e Mitrovicës dhe fshatrat përreth, si dhe ata që jetojnë në fshatrat në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, përballen me mjerimin social ku egërsia e mbijetesës shprehet edhe te skamja për bukën e gojës.
Për shtetin e Kosovës nuk paraqet ndonjë sfidë të madhe aspirata që papunësinë në veri të Kosovës ta sjellë në zero. Serbët që jetojnë në veri të Kosovës e kanë shumë të ultë papunësinë. Strandardi i jetesës së tyre është rreth trefish më i lartë sesa ai i shqiptarëve. Janë shqiptarët ata që janë të papunë.
Këta qeveritarë që s’lanë militant partiak e kushëri të tyre pa punësuar, pa dyshim që i kanë mundësitë që të angazhohen në përmbushjen e një misioni krejtësisht tjetër: t’i punësojnë ata dy mijë njerëz në veri, me shumicë dërrmuese shqiptarë, të cilët janë të aftë për punë. Rivitalizimi i Trepçës do të kontribuonte aq shumë në zgjidhjen e këtij problemi në mos edhe do ta zgjidhte atë plotësisht. Sepse, siç thonë minatorët, një vend pune në nëntokën e minierave i hap edhe katër vende të tjera pune mbi tokë.
Asisoj, shqiptarët do të qëndronin nëpër shtëpitë e tyre dhe nuk do t’i shisnin pronat e shtëpitë e tyre pasi që nuk do të ishin më pa të ardhura të cilat i lanë me ushqim, ngrohje, e veshmbathje të paktë dhe pa shkollim të duhur e kujdes shëndetësor. E, nëse ndonjë shqiptar megjithatë vendos që ta shesë shtëpinë e tokën e tij, atëherë sërish është Qeveria e Kosovës ajo që do të mund ta blinte atë pronë dhe kurrsesi të mos lejojë që Serbia ta bëjë këtë në kuadër të planit të saj për spastrimin etnik të shqiptarëve dhe popullimin me kolonë serbë të veriut të Kosovës.
Natyrisht që e gjithë kjo nuk do të mjaftonte pasi që shqiptarët gjithnjë do të ishin nën kërcënimin e strukturave armiqësore dhe kriminale të Serbisë. Mirëpo, edhe kjo nuk është aspak e vështirë që të zgjidhet. Përveçqë duhen arrestuar ata dy a treqind pjesëtarë të MUP-it në veri, shqiptarëve atje që sot paraqesin njerëzit më të rrezikuar në Evropë, duhet krijuar mundësia që të punësohen në Policinë e Kosovës dhe në Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Aktualisht, numri i shqiptarëve në veri që janë të punësuar në PK ose FSK mund të numërohen gjithsej në gishta të dorës. Nuk ka familje shqiptare në veri, së paku një anëtar i së cilës, nuk do të pranonte të punësohej në PK ose FSK. Madje janë me qindra shqiptarë që në këto vitet e pasluftës kanë aplikuar por janë refuzuar që të punësohen në PK ose FSK. Po ashtu, janë me dhjetëra familje shqiptare atje që vullnetarisht do ta lironin shtëpinë e tyre për ta shndërruar atë në nënstacion të PK-së ose FSK-së.
Shqiptarët në veri të Kosovës qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre edhe pse luftohen në forma të ndryshme nga Qeveria e Serbisë dhe nuk përkrahen në asnjë formë nga Qeveria e Kosovës. Ata nuk janë vetëm heronj. Ata janë më shumë se kaq – ata janë të guximshëm. Siç thotë Alain Badiou, heroi përballet njëherë me pamundësinë, kurse guximtari përballet vazhdimisht me pamundësinë – ai bashkëjeton me të.
Ky guxim i shqiptarëve në veri të Ibrit pasqyrohet fare pak në televizionin tonë publik. Ata bëhen temë vetëm atëherë kur i sulmon Serbia dhe teksa njoftohet se Qeveria e Kosovës i dha ca para familjes shqiptare pasi që asaj ia vranë ndonjë anëtar dhe e dëbuan nga veriu. Sepse, kjo Qeveri të ndihmon e të jep para vetëm për funeral, jo për të jetuar, apo jo?

____________________________

 SHTOJCË E PASHRIKU.ORG
KOLONËT SERBË NË PRONAT E SHQIPTARËVE!

________________________________

ALARMI I ALBIN KURTIT!

____________________________

SHQIPTARËT SHPËRNGULEN NGA VERIU I MITROVICËS!

_______________________________

SHQIPTARËT NË VERI TË GATSHËM PËR VETËMBROJTJE!

____________________________

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura