ALBIN KURTI: SHPËRNDARJA E FAJIT

(Prishtinë, 01. 02. 2012) – Më 24 korrik të vitit 2006 patën filluar negociatat me Serbinë për statusin e Kosovës. Që prej shkurtit të atij viti po zhvilloheshin negociatat për çështjet teknike jostatusore dhe rreth pesë muaj më vonë ato negociata u shndërruan në negociata politike për statusin e Kosovës. Pra, negociatat për çështje teknike po shërbenin vetëm sa për ta relaksuar situatën dhe për ta përgatitur terrenin për negociatat drejt përcaktimit të statusit politik të Kosovës. Me ato negociata u ulën palët në tavolinë pa kushte për Serbinë dhe lansuan negociatat për çështjet e brendshme të Kosovës, ani pse thuhej se ato ishin vetëm çështje teknike.
Të ashtuquajturat negociata për çështje teknike ishin tërësisht të instrumentalizuara në funksion të asaj që do të pasonte – negociatat politike. Më 24 korrik 2006, i gjithë Ekipi i Unitetit për negociata me Serbinë pat udhëtuar për Vjenë duke i nisur kështu negociatat për statusin politik të Kosovës. Po të fillonin menjëherë negociatat politike ato s’do të mund të fillonin sepse kundërshtimet do të ishin të ashpra. Prandaj njëherë u preferuan negociatat për çështje teknike në mënyrë që negociatat si të tilla të instalohen e mandej të ‘avancohet’ karakteri i tyre në politike.
Nuk është ndryshe as kësaj radhe. Disa gjëra nuk kuptohen ose kuptohen me vonesë për shkak se janë gjëra të njohura, të vjetra por të harruara. Përsëritja është maskuese e vetvetes. Bisedimet e deritanishme në Bruksel midis Kosovës e Serbisë po synojnë të hyjnë në një fazë të re e cila i rikuptimëson ato.
Edhe njëherë po përgatitet terreni që të kalohet prej bisedimeve teknike te ato politike me Serbinë. Në vitin 2006 negociohej për statusin e Kosovës, ndërsa në vitin 2012 mëtohet të negociohet për statusin e veriut të Kosovës. Meqë tash nuk ka Ekip të Unitetit, kjo mungesë po kompensohet me rezoluta të ndryshme në Kuvendin e Kosovës ku përfshihet edhe një pjesë e opozitës.
Kësisoj, Qeveria e Kosovës nuk e shfrytëzon Kuvendin e Kosovës vetëm për legjitimime posteriori të vendimeve e qëndrimeve të saj, por edhe për legjitimitet a priori të orientimeve që planifikon t’i ndërmarrë. Me rezolutën e fundit që kinse i jep fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës po sajohet një konsensus shumëpartiak për fillimin e negociatave politike me Serbinë për veriun e Kosovës.
Në tavolinë do të jetë interpretimi maksimalisht gjeneroz për Serbinë i Planit të Ahtisaarit, por edhe gjashtëpikëshi i Ban Ki-moon-it e katërpikëshi i Boris Tadiqit. Shqetësimi kryesor i Qeverisë së Kosovës nuk do të jetë niveli i autonomisë për veriun dhe as lloji i statusit special atje, por gjetja e mënyrave më të sofistikuara për shitjen te populli i Kosovës i atyre solucioneve makabër. Niveli i autonomisë e tipi i statusit special do të avancohen varësisht se çka do t’ua marrë mendja qeveritarëve kosovarë se do të mund të shitet te populli i Kosovës.
Konsensusi shumëpartiak sikurse ai i së martës në Kuvendin e Kosovës do të etablohet si metodë për izolimin e kritikuesve dhe kundërshtarëve të negociatave më të reja me Serbinë e të cilat atakojnë drejtpërsëdrejti territorin e Kosovës dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.
Rezoluta e 31 janarit ishte një mashtrim i madh.
Këtë rezolutë të Kuvendit të Republikës së Kosovës Qeveria do ta përdorë e shfrytëzojë pikërisht për ta anashkaluar Kuvendin në pazaret e saj me Serbinë që na e zbehin Republikën e shtetit tonë dhe ia rrudhin territorin asaj. Por, jo vetëm kaq. Në emër të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë po hiqet e vetmja instancë ndërkombëtare në shtetin e Kosovës që e njeh pavarësinë e Kosovës – Zyra Civile Ndërkombëtare.
Ndërkohë, KFOR-i, EULEX-i e madje edhe UNMIK-u do të vazhdojnë të mbesin në Kosovë me po të njëjtin mandat të tyre që nuk njeh as kufizime në kohë dhe as në lloj. Natyrisht që Kosova duhet të ketë pavarësi të plotë dhe të pakushtëzuar. Natyrisht që mbikëqyrja e pavarësisë duhet të përfundojë.
Mirëpo, është hipokrizi të thuhet që po përfundon mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës teksa po hiqet veçse ndërkombëtari i fundit nga sistemi në Kosovë i cili e pranonte pavarësinë e Kosovës. Të hiqet ZCN-ja gjersa mbesin EULEX-i e UNMIK-u nuk kemi kurrfarë eliminimi të mbikëqyrjes së pavarësisë por vetëm eliminim të mbikëqyrësve që e njihnin pavarësinë të cilën e mbikëqyrnin. Te pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, Qeveria aktuale po e heq më parë se mbikëqyrjen e pavarësisë vetë pavarësinë e mbikëqyrur.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura