ALBULENA HALILI: GJAKIM PËR MBROTHËSINË E BREZAVE QË VIJNË

Tetovë, 26 tetor 2017: Në ditën kur duhej të uronim që ky vit të vejë mbroth për shkollarët e mësuesit e tyre, na lidhen nyje në fyt që i zënë rrugë dhe frymës që lirisht të dalë e të hyjë në trupat tanë fizikë. Trupa të privuar nga të gjitha ndjesitë shpirtërore dhe aftësitë e përsiatjes e vetëgjykimit individual e kolektiv. E vetmja gjë që na lejohet është të mbijetojmë dhe të bëjmë kinse. Madje kjo e dyta na cytet me çdo kusht e në çdo mënyrë.
Në ditën kur sytë duhet t’i kemi te shkollat e brezat e rij, jemi bërë sy e veshë që të gjithë, me trup gjithandej, por me mendje na çuan pa qenë askurrë nevoja të merremi me ndërgjegjen tonë kombëtare, me indin tonë të moçëm, të pakontestueshëm.
Sërish populli, ai i pagdhenduri, ajo masë e manipulueshme, e shfrytëzuar e e përthithur deri në pikën e fundit të gjakut, mbetet më i vetëdijshmi për plagomat tona të vërteta. Ai s’do të dëgjojë për përçarje fetare, programe e doktrina politike, kombëtare e ndërkombëtare, projekte të imponuara për gjëra të paqena e jetëshkurtra. Populli nuk harron. Ai do që Atdheu i tij të jetë i papjesëtueshëm. Ai do që te vëllai i tij, te fqinji, në shkollë, e në dasëm të shkojë pa pasaportë. Ai lutet që të vjelat nga puna e tij mos ia vjedhë e plaçkitë asnjëri. Vetëm këtë do populli dhe ai gjithnjë e di dhe e ka më së miri. Populli s’ka hile.
Në ditën kur si e tërë bota e qytetëruar duhet të përcjellim fëmijët në shkollë, ne përballemi me pabarazinë, atë të parën, thelbësoren, bibliken. Përkundër jehonave mediatike me shumë bujë se ne në Tetovë, Shkup, Gostivar, Kumanovë, Dibër, Strugë, Manastir e Ohër, ndajmë të njëjtat probleme e sfida me bashkëqytetarët e bashkështetasit tanë të imponuar, kjo është vetëm një rrenë klluçe e asgjë më shumë. Filloni nga dita e parë e shkollës, nga zanafilla. Aty fillon çdo kategorizim: në mjek e bujk, profesor e bari, pronar shteti e qiraxhi (sic!).

Shkollat në të cilat mësojnë fëmijët e mjekëve e profesorëve janë ndërtuar nga shteti, nga paratë publike, tonat, sepse ata “e dinë” çdo të thotë shtet ligjor, të drejta të njeriut, të drejta të fëmijëve të garantuara me konventa ndërkombëtare, lojalitet ndaj shtetit, interes kombëtar. Neve s’na lanë kurrë të mbrojmë një të tillë. Ata janë të civilizuar. Ne kemi bishta. Shkollat tona janë ndërtuar nga puna e bujqve e barijve, nga djersa jonë, nga ata që ikën e që lektisin një jetë për Atdheun e tyre. Po qe nevoja për ndonjë sallë sporti sa për të thënë, po, do “të na e ndërtojnë” por ama haraçi është një marrëzi postmoderne: duhet që nga jashtë të lyhet me ngjyrë të verdhë dhe emri i paqenë i këtij shteti të shkruhet me shkronja të mëdha e të kuqe. Për më tepër shkollat publike janë të vogla për ta zënë këtë racë pjellore që s’po e tkurr e zhbën asgjë që kur është ngjizur bota. Të tjera shkolla s’ndërtojnë dot. Paratë tona iu duhen për të na shtypur.
Paskëtaj akuzohemi përpara botës se shkollat tona s’janë të denja. Por vallë institucionet edukative-arsimore a mund të jenë prona private të lëna në mëshirën e vullnetin e mirë të individëve të caktuar, popullit apo grupeve të interesit?! Për të pasur një shkollim të denjë, ne akoma sakrifikojmë gjithçka tonën. Ka të tillë që çojnë fëmijët të shkollohen te pushtuesit tanë të dikurshëm, neo-pushtuesit e sotëm të cilët ndërtojnë shkolla të denja për indoktrinimin e brezave tanë. Po ata që dje na e ndalonin të hapim shkollat në gjuhën tonë. Aty përditë nga pak rishkruhet historia jonë. Ribëhet mbamendja kolektive përmes kokave të njoma. Aty përditë vriten heronjtë. Aty vritet përditë nga një copë Shqipëri…
Në ditën kur duhet të zgjohemi, ne vazhdojmë të flemë e të bëjmë kinse dhe u urojmë mbrothësi atyre që po ua lëmë trashëgim mallkimin tonë – brezave që vijnë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura