ANDI BUSHATI: SALI BERISHA PASKA DASHUR TË HELMOJË IBRAHIM RUGOVËN! ҪMENDURIA KA KALUAR ҪDO CAK!

Tiranë, 08. 05. 2015 – U bënë disa muaj që një tufë gazetash të majta ua kanë hapur faqet e tyre disa badigardëve dhe aspirantëve të dëshpëruar për të arritur këtë status, të cilët pas rrëzimit të Berishës nga pushteti po tentojnë të hedhin mbi të akuza nga më absurdet. Sot kemi dëgjuar të fundit. Atë se Azem Hajdari qenkësh vrarë pasi ai, së bashku me ish-presidentin kosovar Rugova kishin në duar dosjen që vërtetonte se Berisha ishte agjent i UDB-së. Madje se pastaj, përpos atentatit ndaj Hajdarit, ish-presidenti paska dashur të helmojë edhe Ibrahim Rugovën. Çmenduria ka kaluar çdo cak. Por këto pohime nuk janë të vetmet. Prej javësh po dëgjojmë nga të njëjtat media zëdhënëse badigardësh false, se Berisha ka qenë ai që ka urdhëruar të vidhet thesari i Krrabës, se paska dashur të bombardojë Ambasadën amerikane, se merrte para nga Serbia e cila e sponsorizoi ngjitjen e tij në pushtet. Dhe fantazia vazhdon: dikush e përmend si makro që gjente mall për orgjitë e Rugovës, maniak seksual, dikush flet për vrasjen pas shpine të Arben Brocit, dikush vjen deri tek Sokol Olldashi, duke folur për kaseta të fshehta dhe prova të pazbuluara.
Dhe për të gjitha këto asnjë fakt, asnjë provë, thjesht dëshmi të papërgjegjshme që nuk do të merrte guximin t’i botonte asnjë gazetar që ka kryer qoftë edhe disa kurse të vetme gazetarie.
Po atëherë pse ato po mbushin faqen e një pjese të madhe të medieve tona të majta?
Dy janë arsyet kryesore, të cilat qëndrojnë larg qëllimit final të kërkimit të së vërtetës.
E para është çështja financiare për të arritur tek ai lexues fanatik, të cilit më shumë se faktet i intereson ushqimi i paranojës së vet.

Ndërsa e dyta është përpjekja krejtësisht e pafrytshme për të dëmtuar me çdo mjet kundërshtarin politik.
Është e kotë të analizosh mungesën e efikasitetit të kësaj strategjie. Është e kotë gjithashtu të merresh me moralin e këtyre gazetave që as nuk u plas për të vërtetën.
Por ndërkohë është interesante të merresh me efektin që ato prodhojnë.
Unë e di se shumëkush që e lexon këtë shkrim do të ketë një reagim fillestar të imagjinueshëm: “Emo, mirë ja bëjnë Berishës, ai s’ka lënë njeri pa marrë nëpër gojë dhe pa e bërë objekt shpifjesh”. Por ky është vetëm një shfrim emocional. Duke qenë mes atyre që mendojnë se Sali Berisha ka më shumë mëkate sesa anë pozitive në historinë e këtij vendi, përsëri jam i mendimit se kjo “luftë” mediatike ndaj tij është e shëmtuar, e ulët dhe për më tepër joefikase.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri, njeriu që ka dominuar për një çerek shekulli skenën politike në Shqipëri, ka plot anë të errëta, ngjarje të pazbardhura dhe mëkate të pathëna që duhen analizuar si nga shtypi ditor, ashtu si edhe nga historia. Por ta akuzosh atë përmes sharlatanësh, njerëzish të pabesueshëm dhe në mungesë të fakteve, është t’i bësh më shumë nder seç i takon. Sepse kjo fushatë relativizon krejtësisht edhe akuzat reale për të. Sepse kjo strategji barabit të vërtetat me të pavërtetat, krimet me fantazitë, mëkatet me paranojën.
Ajo shndërron gjithçka në flu, lidhur me të shkuarën problematike të Sali Berishës. Ai ka plot gjëra për të cilat mund të diskutohet sot. Ai mund të përgjigjet për burgosjen e kreut të opozitës, për vjedhjen e zgjedhjeve të 26 majit 1996, për përdorimin e ushtrisë gjatë trazirave të një viti më pas, për Gërdecin dhe 21 janarin. Por t’i kërkosh atij llogari si terrorist që ka dashur të hedhë bomba në ambasada apo si doktor që ka dashur të helmojë Rugovën, kjo është ta shndërrosh historinë e tij në qesharake. Dhe këtë mund ta bëjnë vetëm mediat qesharake.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura