ANILA KONOMI*): ‘KËSULËKUQJA FLUTURUESE DHE PEDAGOGU I KOPERNIKUT’ E MOIKOM ZEQOS – GRISHJA E IMAGJINATËS QË NUK VDES

Tiranë, 18. 02. 2014 – “Ky libër është përmbledhja e dytë e krijimtarisë sime të prozës për fëmijë dhe përbëjnë atë që quhet korpusi ose institucionalizimi i kësaj letërsie në tërë eposin tim krijues. Gati në mënyrë të vagullt, por jo të padukshme unë kam kuptuar më në fund se te subjektet e motivuara, apo motivet e subjektuara të këtyre librave të hershëm janë zanafillat dhe optika e tërë librave të mi që kam shkruar dhe botuar deri më sot dhe që për një këndellje të sinqertë, naive ose të një serioziteti konvencional unë i kam quajtur si prozë për të rritur, duke zhdukur të gjitha dyshimet apo pandehmat se pikërisht edhe prozat e hershme janë gjithashtu për të rritur, sepse çdo kohë e kaluar është edhe kohë e ardhme.” – kështu ka thënë Moikom Zeqo në intervistën që ka bërë me te – redaktorja e shtëpisë botuese ERIK në Tiranë.
A.KONOMI: I nderuar Moikom, Shtëpia Botuese “Erik”, sapo ka botuar librin tuaj “Kësulëkuqja Fluturuese dhe pedagogu i Kopernikut”. Me këtë plotësohet krijimtaria juaj e letërsisë për fëmijë, sepse në të vërtetë ky është bleu i dytë që lidhet me librin e mëparshëm “Enigma EY dhe kalorësit dardanë”.
A është ky botim diçka shteruese për ju?
A keni ndërmend t’i riktheheni sërish këtij zhanri kaq të parapëlqyer dhe të rëndësishëm për imagjinatën e fëmijëve?
M.ZEQO:
Është e vërtetë që libri “Kësulëkuqja Fluturuese dhe pedagogu i Kopernikut” është një plotësim. Për të gjithë lexuesit dua të saktësoj se këto tregime që përfshijnë të dy këta libra binjakë kanë një kronologji.

Ato janë shkruar nga unë në vitet 1974-1979. Ka qenë një moment i veçantë në jetën time, në një moshë relativisht të re, kur pasioni im dhe përvoja për arkeologjinë më stimuloi mundësinë për të krijuar dhe sendëzuar subjekte të lashta dhe kryesore të Antikitetit ilir dhe më tej subjekte të Mesjetës arbërore.
Në të dy librat e mi ka tregime që lidhen me Ilirinë e moçme, me mbretërit e saj të famshëm, në mënyrë të veçantë me mbretëreshën Teuta dhe mbretin Gent, për të treguar lavdinë e dikurshme që për fat të keq nuk është paraqitur me dimensionin e duhur edhe nga historianët tanë.
Ndoshta në një kohë më të mëvonshme mund të bëj një përmbledhje të zgjedhur nga të dy librat vetëm me subjektet ilire, për ta botuar ndoshta edhe në gjuhë të huaj me titullin grishës “Përralla nga Iliria e moçme”. Është një projekt që më tundon.
Ju më pyesni nëse do i rikthehem më këtij zhanri. Nuk e di. Por me siguri ju them, se tregimet e mia për fëmijë, të shkruara kur isha 24-29 vjeç janë nga më të dashurat për mua dhe kanë një freski dhe naivitet që ndoshta e kam humbur më vonë.
Por tregimet janë dhe do të jenë. Autenciteti i tyre është pikërisht tek kjo freski dhe naivitet.
Ato janë dëshmi përfytyruese të motiveve që më kanë ngacmuar në shpirt.
A.KONOMI: Ju jeni autor i njohur i shumë librave të botuara në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj. Përdoret një terminologji që ju e sfidoni, domethënë, libra për të rritur. Kjo ndoshta sepse shkrimtari është dhe duhet të jetë unik. A mund të ma sqaroni pak më gjerë këtë ide?
M.ZEQO:
Nuk ka absolutisht një kufi ndarës, një kufi zbrazëtire midis librave të letërsisë për fëmijë dhe librave të letërsisë për të rritur. Këto emërtime janë konvencionale, por deri diku edhe ekzotike dhe rutinore.
Në një nga kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore te “Liza në Botën e Çudirave” të Levis Caroll, është edhe një dialog në një gosti të çmendurish midis Lizës dhe Kapelabërësit të Marrë. Ky i fundit thotë një gjëegjëzë: Pse korbi është si një makinë shkrimi? Pastaj Liza psherëtin dhe thotë:
– Unë mendoj se ju mund ta përdorni Kohën, më mirë në vend që ta humbnit kështu duke treguar gjëegjëza që nuk kanë përgjigje.
– Në qoftë se do ta njihje Kohën kështu si unë, s’do të flisje në këtë mënyrë për humbjen e saj – shpjegoi Kapelabërësi i Marrë.
– Nuk të kuptoj çfarë do të thuash, – tha Liza.
– Sigurisht që s’mund të kuptosh, – qeshi Kapelabërësi i Marrë. Madje mund të them se ti nuk ke folur ndonjëherë me Kohën!
– Ndoshta jo!, – u përgjigj Liza pa dikur ç’të thotë.
– Vetëm mund të them se kur të mësoj muzikë, do ta rrah Kohën.
– Ahaaaaa! – tashti shpjegohet puna”, – tha Kapelabërësi i Marrë. “Por Koha nuk duron të rrahur”. Nga ana tjetër po të shkoje mirë me Kohën, mund të bëje ç’të doje me Orën. P.sh., sikur ora të ishte tetë në mëngjes, – tamam koha në të cilën fillojmë mësimet, s’do të kishe nevojë për asgjë, veçse t’i bëjë shenjë Kohës dhe sahati do të shkonte menjëherë përpara duke shënuar një e gjysmë, çasti për të ngrënë drekën.
– Ah, sikur të ishte tani koha e drekës, – tha Kapelabërësi i Marrë, duke psherëtitur thellë.
– Sigurisht, kjo do të ishte një gjë e shkëlqyeshme, – u kënaq Liza me gjithë mend.
– Mirëpo atëherë unë nuk do të kisha uri për bukë.
– Në fillim ndoshta jo, – tha Kapelabërësi i Marrë.
– Por mund ta mbaje orën një e gjysmë për sa kohë të doje.
– Pse kështu bën ti? – pyeti Liza.
Kapelabërësi i Marrë tundi kokën me hidhërim.
– Jo unë, – u përgjigj.
I tërë ky dialog mund të ftillëzojë letërsi të pambaruar të pa limit. Raporti më substancial i letërsisë është raporti i saj me Kohën.
Shkrimtari mund të lëvizë në epoka dhe në shekuj të ndryshëm lirisht, të jetë i pranishëm në një ceremoni të mbretëreshës ilire Teuta, pastaj të udhëtojë me anije në brigjet e Italisë me Gjergj Kastriot Skënderbeun, ose të udhëtojë në të ardhmen në shekujt që ende nuk dihen, në kohëra, popuj dhe në qytetërime të ndryshme dhe të panjohura.
Ky sekret është njëkohësisht edhe thelbi i këtij libri që po paraqes përpara lexuesve. Tregimet e këtij libri janë shkruar siç e përmenda në vitet 1974-1979 duke pasur në vetëdije aventurën më të madhe të imagjinatës që është lëvizja në kohë dhe në hapësirë.
Duke i riparë pas kaq shumë vitesh tregimet e mia ndjejnë ngacmimin e shumë botërave dhe motiveve që dikur më kanë mahnitur, por që ende më tërheqin edhe sot.
Ky libër është përmbledhja e dytë e krijimtarisë sime të prozës për fëmijë dhe përbëjnë atë që quhet korpusi ose institucionalizimi i kësaj letërsie në tërë eposin tim krijues.
Gati në mënyrë të vagullt, por jo të padukshme unë kam kuptuar më në fund se te subjektet e motivuara, apo motivet e subjektuara të këtyre librave të hershëm janë zanafillat dhe optika e tërë librave të mi që kam shkruar dhe botuar deri më sot dhe që për një këndellje të sinqertë, naive ose të një serioziteti konvencional unë i kam quajtur si prozë për të rritur, duke zhdukur të gjitha dyshimet apo pandehmat se pikërisht edhe prozat e hershme janë gjithashtu për të rritur, sepse çdo kohë e kaluar është edhe kohë e ardhme.
Kështu dialogu i Lizës naive, por edhe të paparë ndonjëherë në krejt njerëzimin me Kapelabërësin e Marrë ka ndikuar në indet, konceptet dhe përfytyrimet e mia jo thjesht për të shpikur subjekte, parabola apo rrëfime përrallore për të krijuar që në rini atë që ndoshta duhet ta kishte konceptuar dhe shkruar në një moshë më të madhe.
Prandaj e quaj të rëndësishëm botimin e librave të dikurshëm, jo si një edicion të dytë, por gati si një rishkrim që parakupton një botim të parë, nistor, parak, krejt të papërsëritshëm.
Miku im, një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave të Shqipërisë, skulptori Odise Paskali më ka shkruar dy letra, njërën në maj të vitit 1979 për librin “Kalorësi Dardaw” dhe tjetërn në 27 korrik 1982 ku shënon: “I dashur Moikom. Librat e tu stimulojnë imagjinatën, që është edhe nervi i historisë. Të uroj të bëhesh një Zhyl Vern shqiptar i letërsisë për gjeneratën e re të lexuesve. Nga një letër e Odise Paskalit, e datës 27 korrik 1982.”
Ah, sikur të ngjallej miku im i paharruar Odise Paskali, të merrte në duart e tij dhe ta lexonte tashmë këtë libër! Fizikisht kjo duket diçka e pamundur, por në një kuptim shpirtëror që ndoshta është e realizueshme qoftë edhe poetikisht në të gjitha kuptimet.
Uroj që ky libër të lexohet nga të gjitha moshat, për të kuptuar se çdo shkrimtar i vërtetë përtej kronologjisë së jetës së tij fizike është një mozaik i hapur dhe i pambyllur kurrë i moshave, pra nuk është gjë tjetër veçse një rikthim te dialogu i famshëm në librin “Liza në Botën e Çudirave”.
Sepse planeti ynë është Bota e Çudirave! Amen!
A.KONOMI: Tek libri juaj mësohet se pedagog i Nikolla Kopernikut ka qenë një dijetar me origjinë shqiptare nga Durrësi, Leonik Tomeo. Tepër interesante padyshim.
Ju thoni se Tomeo bëri hartën e botës dhe shënoi edhe një meridian që e quajti “Meridiani i Durrësit”. Shumë dijetarë shqiptarë të mesjetës lëvizin si personazhe: Marin Beçikemi, Mihal Artioti, Mark Bazaiti, artitekti shkodran Donati që takohet me Leonardo Da Vinçin, Gjon Buzuku që përdor në alfabetin e librit të parë shqip si shenja tipografike edhe dy simbole të Zodiakut, astronomi i madh Gjon Gazullin, poetesha italiane Margarita Sarroki, mike e Galileu Galileut që ka shkruar një libër të madh poetik për heroizmin e shqiptarëve dhe të Gjergj Kastriot Skënderbeut, përshkruhet tipografi shqiptar Polidor Kordiumi në Durrës në shekullin e XV, apo strategu i madh shqiptar Gjergj Basta, skulptori rilindas që ka
punuar në Dalmaci Andrea Aleks Durrwsaku, ikonografi i madh David Selenicasi etj. etj.
M.ZEQO: Po, ka subsatancë arbërore të ngjeshur. Në kopertinën e librit kam vënë edhe afreskun e portretit të Leonik Tomeos që e kam fotografuar në Universitetin e Padovës para shumë viteve.
A.KONOMI: Ndoshta e kam gabim, por kam vënë re që letërsia shqipe për fëmijë, këto njëzet vitet e fundit nuk ka një zhvillim cilësor. Ka shumë libra të autorëve të huaj për fëmijë që janë botuar. Pjesa më e madhe e këtyre veprave janë ekranizuar në mënyrë të magjishme, janë kthyer edhe në filma vizatimorë, si dhe në libra tipografikë me figura. Bota i jep shumë rëndësi botimit të librave të tillë. Në Shqipëri ka një ngërç dhe një ngecje në këtë drejtim. Në libraritë e Shqipërisë shiten këto libra të autorëve të huaj, por nuk ka më autorë shqiptarë seriozë për këtë lloj letërsie.
Edhe për librat tuaj i nderuar Moikom duhet thënë që janë shkruar shumë vite më parë, pra nuk keni shkruar libra të ngjashëm për fëmijë më pas.
Pse ndodh një gjë e tillë?
M.ZEQO
: Korifenjtë e letërsisë shqipe Naim Frashëri dhe Çajupi i janë përkushtuar letërsisë fabulore për fëmijë, për ta themeluar si institucion. Kjo trashëgimi rilindëse është e vijueshme dhe frymëzuese edhe sot.
Nuk duhet harruar as Mitrush Kuteli me librin “Tregime të moçme shqiptare“ me motive të Eposit të Veriut.
Megjithatë letërsia shqipe nuk ka krijuar kryevepra të nivelit botëror në këtë hulli. Mbetet që kjo të bëhet ndoshta në të ardhmen.
Nuk mund të rri pa saktësuar dhe sqaruar diçka.
Konvencionaliteti i letërsisë për fëmijë është i pabesueshëm. Kam parasysh këtu përrallat e Oscar Uajlld, të famshmin “Princin e Lumtur” të tij, si dhe kryeveprën e paimagjinueshme dhe të patjetërsueshme të Antoine Send Exyperi, “Princi i Vogël”.
Këto vepra kanë ndikuar në letërsinë botërore me një fuqi magnetike të pa parë.
Të tëra dorëshkrimet e këtij libri që merr në duar lexuesi tani janë përfunduar para qershorit 1979. Pjesa më e madhe e tregimeve u përfshinë në librin “Pedagogu i Kopernikut”, dorëzuar për botim më 1979 në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe dalë në dritë më 1980.
Por, për shkak të konceptit të kufizuar të redaktorëve të kohës gati më shumë se gjysma ngeli pa u botuar.
Për shkak të një optike rigoroze dhe të paepur unë shoh se pikërisht të pabotuarat që përbëjnë më saktë substancën e këtij libri të ri – libri është vërtet i ri në të gjitha pikëpamjet dhe konceptimet, mendoj se risia e vërtetë e këtij botimi, – mundësuar dhe realizuar nga shtëpia botuese “Erik” ka qenë një fat dhe kënaqësi e pafundme për mua.
Prandaj jam mirënjohës dhe i vetëdijshëm për këtë këndellje të sigurtë.
*) Anila Konomi ka një master për gjuhësi dhe filologji, ka punuar si gazetare, aktualisht është redaktore në shtëpinë botuese ERIK në Tiranë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura