Pashtriku.org, 9 shkurt 2018: Një nga ata që me plotë gojën mund të quhet “mik i shqiptarëve” ka qenë padyshim Robert Elsie, albanologu, shkrimtari dhe përkthyesi që i dha jetë kulturës shqiptare nëpër botë.
Përgatitja e tij profesionale ka qenë për t’u admiruar dhe duhet thënë se një shumësi studimesh që kemi ne sot rreth historisë sonë të shkuar, është pikërisht meritë e studiuesit e folkloristit Robert Elsie.
Roberti ka lindur në 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver), Kanada. Ka ndjekur Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe të gjuhësisë më 1972.
Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (École Pratique des Hautes Études) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978.
Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e ‘takimeve shkencore’ midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Bejtullah Destani dhe Robert Elsie.
Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon dhe nga 2002 deri 2013 për Tribunalin e Hagës.
Me gjithë sa përmendëm, ajo që ai i kushtoi rëndësi të veçantë dhe punoi vërtetë gjithë jetën, ishte çështja shqiptare.
Ato ‘takimet shkencore’ që realizoi në 1978 e bënë që të dashurohej me Shqipërinë dhe historinë që kishte, ndaj edhe i kushtoi një pjesë të mirë të jetës së tij, duke parë edhe mungesën që kishte vendi në këtë fushë.
Ditën e djeshme ai ka ndërruar jetë duke lënë kështu një hije të rëndë pas, jo vetëm për njerëzit që e njihnin, po edhe për Shqipërinë. Një nga miqtë e tij të ngushtë është Bejtullah Destani, zyrtar i lartë për trajnime dhe zhvillim tek Akademia Diplomatike në Kosovë, i cili në një intervistë ekskluzive për Konica.al ka dhënë disa detaje rreth jetës së Elsie-t.
Vlerësimi që Bejtullaju kishte për Elsie ka qenë shumë i madh dhe hidhërimi për ikjen e tij ishte po aq i dhimbshëm.
BEJTULLAH DESTANI FLET PËR ROBERT ELSIE’n
– Nga cila sëmundje vuante Roberti dhe sa kohë kishte?
– Roberti vuante nga një formë e rrallë e sëmundjes së Neuronit Motor, një lloj sëmundje që prek lëvizshmërinë, por jo ndjeshmërinë. Në anglisht sëmundja quhet Motor Neuron Disease (MND).
– Dini diçka se çfarë ka lënë përgjysmë nga punimet e tij?
– Po, një nga veprat më të fundit të Robertit është libri “Kosovo a Documentary History 1912- 1945, from the Balkan Wars to Worlds War II”, libër të cilin e kemi përgatitur të dy në bashkëpunim dhe që pritet të botohet në Londër në Nëntor. Një tjetër projekt i pa botuar është një studim mbi bektashinjtë. Sigurisht që ka edhe shumë shënime të tjera në formën e projekteve, por që me sa di unë nuk e kanë marrë akoma formën e një libri.
– A të ka thënë amanetin për varrosjen e tij në Kosovë ose në Shqipëri?
– Duket se Roberti ka kërkuar të varroset ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por kjo është pak e paqartë. Ndërkohë, asgjë nuk është bërë publike. Unë preferoj që në këtë pikë të presim një prononcim zyrtar nga njerëzit e afërt të Robertit, atyre të cilëve ua ka shprehur këtë dëshirë.
– Ju si shoqëri çfarë jeni duke bërë për të plotësuar këtë amanet?
– Natyrisht që ne të gjithë miqtë e tij, por besoj edhe instancat shtetërore, do të bëjmë gjithçka mundemi të plotësojmë amanetin e mikut dhe albanologut shqiptar Robert Elsie, që eshtrat e tij të prehen në dheun shqiptar. I përket autoriteteve shtetërore të caktojnë se në cilin nga të dy shtetet do të varroset. Ndërkohë, shpresoj se do të mund t’i kalojmë procedurat ndërkombëtare të nevojshme në këtë rast.
A ka diçka të veçantë që nuk është thënë rreth jetës së Robertit, diçka që është mbajtur e fshehtë për të?
Roberti ka qenë njeri transparent. Unë nuk di që publikut t’i jetë mbajtur diçka e fshehtë nga jeta e tij.
Përmbledhje për Veprat e tij Shkencore
Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime. Kjo vepër e fundit doli në shqip me titullin Histori e letërsisë shqiptare, Pejë 1997, dhe polonisht me titullin Zarys historii literatury albanskiej (Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare), Torunj 2004.
Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991, dhe në gjermanisht në vëllimin Freie Verse (Vargjet e lira), Idshtajn (Idstein) 1987; një antologji gjermanisht e poezisë shqiptare në Einem Adler gleich: Anthologie albanischer Lyrik vom 16.
Jahrhundert bis zur Gegenwart (Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri me sot), Hildës’hajm (Hildesheim) 1988; dhe veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja (l. 1942) në Who Will Slay the Wolf: Selected Poetry (Kush do të vrasë ujkun: poezi të zgjedhur), Nju Jork 2000; Flora Brovina (l. 1949) në vëllimin Call Me by My Name: Poetry from Kosova (Verma emrin tim: poezi nga Kosova), Nju Jork 2001; dhe Eqrem Basha (l. 1948)në vëllimin Neither a Wound nor a Song: Poetry from Kosova (S’është plagë s’është as këngë: poezi nga Kosova), Nju Jork 2003. Këto përkthime janë bërë në bashkëpunim me shkrimtaren kanadeze, Janice Mathie-Heck (Kalgari).
Kritika e tij e letërsisë shqiptare u mblodh dhe u botua në vëllimin Studies in Modern Albanian Literature and Culture (Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare), Boulder, Colorado 1996, i cili doli në shqip me titullin Një fund dhe një fillim, Tiranë & Prishtinë 1995.
Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Powder Keg (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997.
Pas kësaj botoi edhe një përmbledhje tekstesh historike për Kosovën me titullin Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovoand Macedonia, Early Twentieth-Century Documents (Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë), Pejë 2002.Në vitet e mëpasshme, Robert Elsie u përqendrua më shumë në fushat e tjera të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia.
Një ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte libri i tij Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fejës, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare), Londër 2001, i cili doli në gjermanisht në vëllimin Handbuch zur albanischen Volkskultur (Doracak i kulturës popullore shqiptare), Visbadën (Wiesbaden) 2002, dhe në shqip në vëllimin Leksiku i kulturës popullore shqiptare, Tiranë 2005.
Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Der Kanun: das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001; dhe në bashkëpunim me Antonia Young (Bradford) dhe Ann Christine Eek (Oslo) botoi studimin antropologjik të fshatit kosovar nga antropologia norvegjeze Berit Backer (1947-1993), Behind Stone Walls: Changing Household Organization among the Albanians of Kosova (Prapa mureve të gurta: ndryshime në organizimin familjar ndër shqiptarët e Kosovës), Pejë 2003. Pas kësaj ai botoi dorëshkrimin e hershëm në gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz Doda (rreth 1888-1933), Albanisches Bauernleben im oberen Rekatal bei Dibra, Makedonien (Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë), Vjenë 2007.
Në fushën e historisë, me të cilën është marrë më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, Elsie ka botuar – në bashkëpunim me Robert Dankoff (Universiteti i Çikagos) – dhe ka përkthyer nga osmanishtja pjesët e veprës Sejahatname të udhëtarit osman Evlija Çelebi (1611-1683) që flasin për trevat shqiptare: Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje), Lajdën (Leiden) 2000, libër që doli edhe në shqip në vëllimin Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje, Tiranë 2008.
Përveç kësaj, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë), Pejë 2001, që doli në shqip në vëllimin Historia – më e vjetër – e Shqipërisë, Tiranë 2004. Elsie zbuloi dhe botoi gjithashtu dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) në Reisen in den Balkan (Udhëtime në Ballkan), Pejë 2001, që doli shqip në vëllimin Udhëtime nëpër Ballkan, Tiranë 2007.
Në bashkëpunim me Bejtullah Destanin (Londër), ai botoi ditarin e poetit dhe piktorit të njohur anglez, Edward Lear (1812-1888), në vëllimin Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans (Edward Lear në Shqipëri, ditari i një piktori pejsazhesh), Londër 2008, që doli shqip në vëllimin Edward Lear në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849, Tiranë 2008. Gjithashtu u botua një përmbledhje tekstesh të hershme historike për Shqipërinë, përkthyer nga gjuhë të ndryshme, Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries (Shqipëria e hershme: antologji e teksteve historike, shek. 11-17), Visbadën (Wiesbaden) 2003.
Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova vazhdonin të ishin relativisht të panjohura nga masat e lexuesve perëndimorë, Elsie botoi dy manualë informativ për këto vende: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2004; dhe Historical Dictionary of Kosova (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland, 2004, të cilët, me gjithë titullin ‘historik’, janë vepra informative të përgjithshme. Përsëri në fushën e letërsisë, Elsie botoi një vëllim të ri të historisë së letërsisë, më të përmbledhur dhe më të shkurtër, në vëllimin Albanian Literature: A Short History, Londër 2005, që doli në shqip në vëllimin Letërsia shqipe: një histori e shkurtër, Tiranë 2006.
Ai ka bërë edhe përkthime të tjera letrare, prapë me Janice Mathie-Heck: vepra të zgjedhura të këngës epike të veriut në vëllimin Songs of the Frontier Warriors: Këngë Kreshnikësh, Albanian Epic Verse (Këngë kreshnikësh, poezia epike shqiptare), Uaukonda (Wauconda), Illinois 2004; tregime të shkrimtarëve të veriut, Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Migjeni, në vëllimin Tales from Old Shkodra: Early Albanian Short Stories (Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare), Pejë 2004; vepra të përmbledhura poetike të Visar Zhitit (l. 1952) në The Condemned Apple (Molla e dënimit), Los Anxheles 2005; antologjinë e parë në anglisht të prozës bashkëkohore shqiptare në vëllimin Balkan Beauty, Balkan Blood: Modern Albanian Short Stories (Bukuria e Ballkanit, gjaku i Ballkanit: tregime bashkëkohore shqiptare), Evanston, Illinois 2006; romanin e Fatos Kongolit (l. 1944) The Loser (I Humburi), Brixhend (Bridgend), Uells 2007; veprat poetike të Azem Shkrelit (1938-1997) në vëllimin Blood of the Quill: Selected Poetry from Kosovo (Gjaku i penës: poezi të zgjedhur nga Kosova), Los Anxheles 2008; një antologji të plotë historike të poezisë shqipe Lightning from the Depths: An Anthology of Albanian Poetry (Se fund’i ujit vetëti: antologji e poezisë shqipe), Evanston, Illinois 2008; romanin e Ornela Vorpsit (l. 1968) The Country Where No One Ever Dies (Vendi ku nuk vdes askush), Shampejn (Champaign), Illinois 2009; dhe përkthime të mëtejshme të poezisë gojore në librin e Anna Di Lellio-s The Battle of Kosovo, 1389, An Albanian Epic, (Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar), Londër 2009.Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsie-t është sigurisht përkthimi në anglisht (në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck) nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atit Gjergj Fishta (1871-1940), The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, një vepër me 30 këngë dhe 15,613 rreshta.
Rishfaqja në dritë e këtij eposi, të ndaluar për vite me radhë nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit. Robert Elsie e ka mrekulluar edhe bota e fotografisë së hershme shqiptare.
Në këtë fushë ai ka botuar dy albume të mëdha: Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani, Prishtinë 2007, i cili përfshin fotografitë e para të bëra në Shqipëri (pesëdhjetë fotografi të fotografit vjenez Jozef Sékeli (Josef Székely) nga viti 1863), dhe koleksionet e baronit Franc Nopça, të Bajazid Elmaz Dodës, të albanologut austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963), dhe të ushtarakëve të misionit ushtarak holandez të viteve 1913-1914. Ai ka botuar gjithashtu në një vëllim trigjuhësor – anglisht, frëngjisht, shqip, të fotografive të para me ngjyra në Shqipëri dhe në Kosovë, që janë autokromat e koleksionit Albert Kan (Albert Kahn) në Paris, me titullin Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913, Tiranë 2010.
Së fundi janë botuar për herën e dytë, të përditësuar dhe dukshëm të zmadhuar: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2010, me 660 faqe; dhe Historical Dictionary of Kosovo (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland 2010, me 451 faqe. Këta dy libra janë përkthyer edhe shqip.
Me gjithë se puna studimore dhe, si pasojë, botimet e Robert Elsie-t janë përqendruar kryesisht në albanologji, ai ka botuar edhe vepra të tjera: Dialect Relationships in Goidelic: A Study in Celtic Dialectology (Marrëdhëniet dialektore në goidelishten: një hulumtim në dialektologjinë keltike), Hamburg 1986; dhe antologjitë poetike The Pied Poets: Contemporary Verse of the Transylvanian and Danube Germans of Romania (Poetë të shumëngjyrshëm: poezia bashkëkohore të gjermanëve të Transilvanisë dhe të Danubit në Rumani), Londër 1990; dhe An Anthology of Sorbian Poetry from the 16th-20th Centuries (Antologjia e poezisë sorbe nga shek. 16-20), Londër 1990, si dhe një përkthim në gjermanisht të poetit të njohur grek Konstantin Kavafis (1863-1933) në vëllimin Konstantinos Kavafis: Das Gesamtwerk, griechisch und deutsch (Konstantin Kavafis: Veprat e plota, greqisht dhe gjermanisht), Zyrih 1997.
Vendi që zë Robert Elsie ndër radhët e albanologëve është rritur edhe më shumë pas viteve 1990-të me faqet e tij të njohura të internetit, të cilat i japin botës të dhëna të hollësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
(Fillimisht u botua te konica/al, më 3 Tetor, 2017)