Vjenë, 26. 07. 2015 – Edhe këtë vit pritjet dhe kolonat në vendkalimet kufitare do të jenë të gjata, do të ketë reduktime të rrymës dhe ndalje të ujit, tollovitë në komunikacion do të jenë të shpeshta e mbrëmjet pa zhurmë, qitje në ‘hava’ e muzikë shurdhuese të rralla. E prapë se prapë mërgimtarët përsëri do të vijnë për të shkuar e do të shkojnë për të ardhur. Ndoshta gjatë kësaj kohe do të ketë edhe takime mes të rinjve që tashmë janë aranzhuar përmes ‘Facebook’-ut. Mbase ndonjë lidhje do të përfundojë edhe me fejesë apo martesë. Ndonjë nga simpatia e ndërsjelltë e ca nga dashuria ‘për letra’.
I
Kosovarët tashmë janë kapluar nga ‘ethet’ e verës. Pas një viti edhe shumë mërgimtarë po udhëtojnë drejt vendlindjes. Ata shpresojnë që kësaj radhe të shohin më pak fytyra të zymta e të mërzitura se herën e kaluar. Së paku përgjatë atyre pak javëve që ata do të ‘ngarkojnë’ (e shpresoj dhe gëzojnë) me prezencën e tyre familjarët e afërt dhe miqët.
E në verën e fundit, pas përfundimit të ‘ekstazës’ para e pas-zgjedhore shumë nga ata ishin dëshmitarë të fenomenit se si dy turma të ndryshme militantësh e rrahagjoksish festonin fitoren. Fituesit dhe humbësit. Njëkohësisht. Nuk kaloi shumë kohë dhe maskave ngadalë u ra lëkura. Deri në fund. Ato ditë ‘ngërçi’ në Kosovë dukej sikur jeta refuzonte të merrte frymë dhe e nesërmja kishte braktisur të sotmen. Po ashtu binte në sy edhe fakti se disa të rinjë kërkonin shpëtimin tek feja. Dhe luftërat. Larg. Thellë. Dhe lart. E predikuesit tanë vazhdonin të luten faltoreve të huaja duke tentuar që tu hapin sytë vrimave të mjegullës. Mos u harroftë ajo verë.
Për fat të keq, nga ato që lexohen dhe dëgjohen këto ditë me vapë fitohet përshtypja se në rrugët e Kosovës mbretëron vetëm paknaqësia, dëshpërimi, depresioni dhe VV. Ata që tashmë mbaruan pushimet dhe u kthyen në perëndim tregojnë për Prishtinën si qytetin ku flitet gjithçka e bëhet pothuajse asgjë, për Prizrenin në sheshin e të cilit kalimtarët shëtisin mendueshëm dhe ngrohin duart në xhepat e zbrazur, për Gjakovën kalldërmave të së cilës përtypet mjerimi, për Pejën e rrugëve të zbrazura, për Ferizajin ku shumçka dridhet e pakgjë lëviz, për Gjilanin ku të burgosurit lexojnë gazetat ditore dhe pyeten se ‘a janë normal ata jashtë’ si dhe për Mitrovicën që nuk po e qan më as vetja e saj.
Kjo dëshmon se zë i të pazëve po klith. Ata përçojnë mesazhin se uzurpuesit e lirisë po i bëjnë që prapë të përlyejnë duart. Kësaj radhe me ‘qentë’ e shtëpisë që janë shndërruar në të pangjashëm me asgjë. Syuritur. Këmishëzinjë. Plisgri.
II
Edhe këtë herë në Kosovë do të thuhet se erdhën ‘Schatz’-at. Nëse ajo bëhet në kontekstin pozitiv atëherë askujt nuk do duhej t’i pengonte ky term. Besoj se me njëri-tjetrin kemi të drejtë edhe të mahitemi edhe të bëjmë krahasime. Nëse ky nocion përdoret në një konotacion tjetër atëherë ndjenja e nënvlerësimit tek mërgimtarët është e kuptueshme. Sidoqoftë, duhet thënë se kësaj i kontribojnë edhe mendjemadhësia, cinizmi dhe sjelljet asociale, shpesh dhe përçmuese, të një pakice të vogël të vet atyre nga diaspora. Kjo ndihmon që në mënyrë artificiale të krijohen dallimet mes ‘t’jashtit‘ (mërgimtarëve) dhe ‘t’ktuhit‘ (vendorëve).
Është e vërtetë e pamohueshme se për një pjesë të mërgatës sonë duket se kalendari dhe memoria janë ndalur në periudhën kur ata kanë ‘shkelur’ perëndimin. Për një numër syresh xhepi vazhdon të jetë më i mençur se koka. Ky tip personash fjalët pas tre pikave nuk i merr seriozisht dhe nuk përton të shtyhet me tërë botën nësë zebra është e zezë me vija të bardha apo e bardhë me vija të zeza.
Këtu në shtetin alpik fëmijët tanë i pyesin se si është e mundur që ata të flasin gjuhën gjermane aq mirë. Në Kosovë u thonë se e flasin shqipen në mënyrë ‘deficitare’ e jo rrallë edhe i përqeshin për këtë. E ata fillimisht ishin idhtarë të idesë se i përkasin pak këtij e pak atij vendi-atdheut të prindërve. Por, për fat të keq, çdo ditë e më shumë po bindin vetveten se këtu (në perëndim) nuk janë aq të dëshiruar e atje (në Kosovë) nuk janë mjaft të pranuar. Një pjesë e tyre vazhdon betejën kundër kësaj anomalie. Shumica kanë hequr dorë dhe kanë filluar të pajtohen me këtë fakt dhe të lidhin paqe me të. Për më tepër, ata pothuajse gjithmonë janë në pozitë mbrojtëse dhe në përballje me ata bashkëkombës që gjatë pushimeve i shkojnë me ftohtësi e xhelozi dhe me të tjerët, nga radhët e tyre, që sillen me injorancë sa herë që shkojnë në vendlindje.
Athua, si u bë që largësia hyri mes nesh? Si është e mundur që të ligen e gjejmë lehtë. Një hudhje guri. E deshëm apo nuk deshëm me njëri-tjetrin jemi larg sa një mbyllje syri. Afër sa ajri.
III
Edhe këtë vit pritjet dhe kolonat në vendkalimet kufitare do të jenë të gjata, do të ketë reduktime të rrymës dhe ndalje të ujit, tollovitë në komunikacion do të jenë të shpeshta e mbrëmjet pa zhurmë, qitje në ‘hava’ e muzikë shurdhuese të rralla. E prapë se prapë mërgimtarët përsëri do të vijnë për të shkuar e do të shkojnë për të ardhur. Ndoshta gjatë kësaj kohe do të ketë edhe takime mes të rinjve që tashmë janë aranzhuar përmes ‘Facebook’-ut. Mbase ndonjë lidhje do të përfundojë edhe me fejesë apo martesë. Ndonjë nga simpatia e ndërsjelltë e ca nga dashuria ‘për letra’.
IV
Për sa i përket të ardhmes dhe shtimit të ‘‘ditëve historike’’, në parametra afatshkurtëra ne mërgimtarët jemi dhe vazhdojmë të mbesim pesimistë. Në aspektin afatgjatë optimistë të matur. Sidoqoftë, ne jetojmë me përshtypjen e frikës se Kosovës po i harxhohet liria. Ajo ka kohë që po zgjohet e mbarsur me ëndërra për ditën që asesi të vij. Mbase as sivjet.
Për të dikur në të gjitha udhëkryqet kishte gjithmonë një shteg të hapur. Tash në çdo shteg një udhëkryq.