SALIH MEHMETI: EULEX-i DHE SERBIA, NJË DASHURI E PARRËFYER

Prishtinë, 20. 01. 2014 – EULEX-it mund t’i jenë cingëritur nervat kur e përditshmja serbe ‘Kurir’ sipërfaqi dëshmi tronditëse sesi shteti serb kishte gisht në vrasjen e 6 të rinjve serbë me 14 dhjetor të vitit 1998. Prokurorët e këtij misioni që ngjajnë sikur të kenë dalë nga faqet e romaneve të Kafkës, sigurisht se ishin duke shestuar planin për ngritjen e ndonjë aktakuze keqdashëse që shqiptarët të dënoheshin për këtë vrasje të gjashtëfishtë. Të dhënat e qëmtuara nga gazetarët e së përditshmes ‘Kurir’ kanë nisur të zhdavaritin mjegullën që rrethonte këtë vrasje të paramenduar në një ditë dhjetori të vitit 1998. Vrasja e 6 të rinjve serbë në një kafiteri të Pejës nuk ishte gjë tjetër veçse një ‘kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar’ nëse do të na lejohej të huazonim titullin e një novele të Gabriel Garcia Marquez. Kjo vrasje, gjithnjë sipas zhbirimeve të kësaj gazete, ishte urdhëruar nga vetë ish-ministri i Brendshëm i Serbisë, Radomir Markoviq. Më pas ky krim perfid do të kryhej nga Millorad Ulemak, i njohur ndryshe me llagapin ‘Legija’. Sipas gazetarëve serbë, Beogradi synonte që përmes kësaj vrasjeje të ndragte imazhin e UÇK-së dhe shqiptarëve. Gjithçka sikur pëlqehej me mëtimin e saj të gënjeshtërt se gjoja serbët lokal të Kosovës po trazoheshin vijimisht nga shqiptarët.
Qindra shkrime të botuara në shtypin serb e më pas të përkthyera në anglisht, mallkojnë edhe sot shqiptarët sesi paskan vrarë 6 të rinj të pafajshëm serbë. Kjo vrasje e mirëmenduar nga instancat më të larta të pushtetit xhingoist të Millosheviqit, mund të jetë vetëm maja e një akullnaje të frikshme të një serie të gjatë vrasjesh, pas të cilave qëndron Beogradi. Nuk ka fije dyshimi se Qeveria e Thaçit gjithnjë ka rrezikuar luftën e UÇK-së, sepse atë e ka kthyer në një lloj rrufe-pritësi për t’i asnjëanësuar mizdrakat e kritikave qoftë të jashtme, qoftë të brendshme. Në historinë bashkohore të Evropës vështirësisht gjen një shembull të vetëm që lufta anti-kolonizatore e një populli të jetë demonizuar aq shumë siç po bëhet me procesin çlirimtar të shqiptarëve. Mbase studiuesja italiane, Anna Di Lellio qëllon në shenjë kur pikas faktin sesi e majta evropiane ka rënë pre e propagandës malicioze serbe, sipas të cilës Serbia e virgjër u dhunua nga imperializmi amerikan, i cili për këtë qëllim cyti banda të armatosura shqiptarësh.

Ish’ministri i Brendshëm i Serbisë, Radomir Markoviq dhe Millorad Ulemak – ‘Legija’, vrasësit e 6 të rinjve serbë në një kafiteri të Pejës!

E majta evropiane ka përbrendësuar një insinuatë të tillë, meqë ajo gjatë tërë kohës është e predispozuar me një qëndrim të thekur anti-amerikan. Në mosbesimin në rritje ndaj Qeverive evropiane, qarqe të shumta të së majtës afishojnë me qindra shkrime ku shfytyrohet lufta çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës. Gjithçka mbetet në këtë hallakamë propagande është pak a shumë kjo përshtypje: UÇK nuk ishte një guerilë çlirimtare, por një shumësi grupesh të çakërdisura fshatare pa ndonjë qëllim largvajtës politik. Përtej këtyre orvatjeve në dukje naive të qarqeve të së majtës evropiane, qëndron një propagandë e sajuar me kujdes gjer në imtësitë e fundit. Nën kushtrimin e politikës serbe, Prokuroria e Beogradit ka ngritur qindra aktakuza për ‘krime lufte’, të cilat u veshen apriori shqiptarëve.
Në një kontekst më të zgjeruar, qëllimi përfundimtar i Beogradit është individualizimi i krimeve kolektive të Serbisë dhe kolektivizimi i krimeve individuale e të izoluara të shqiptarëve. Qeveria e Kosovës në të gjitha mandatet e saj është tërhequr në mbrojtje pa kërkuar asnjëherë përgjegjësi për krimet serbe në Kosovë. Jo vetëm që kjo kërkesë nuk u parashtrua nga epitoma e negociuesit, Hashim Thaçi, por as institucionet përkatëse të Kosovës nuk kanë përgatitur një dosje të mirëqenë për të akuzuar Serbinë por edhe për t’i sipërfaqësuar fijet e krimeve serbe që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Kjo qyqari vajtuese mund të vërehet qoftë edhe me një kërkim të thjeshtë në internet mbi krimet serbe në Kosovë dhe rezultatet që përftohen janë befasisht të pakta. Mund të numërohen me gishta shkrimet e mirëdokumentuara të shqiptarëve që evidentojnë në anglisht krimet serbe, përderisa rrethet serbe në internet përgatisin tirada të tëra akuzash për gjoja ‘krimet’ që paskan kryer shqiptarët, madje duke filluar qysh nga Lufta e Dytë Botërore.
Qyqaria e Qeverisë së Thaçit sikur i bën të largëta e thuajse të pamundura rezultatet e shkëlqyera të inteligjencës izraelite ‘Mosad’, e cila arriti që brenda një kohe fort të shkurtë t’i gjykojë e madje edhe t’i asgjësojë kriminelët gjermanë të luftës. Në mungesë të një shteti të qëndërzuar, periudha e pas-luftës në Kosovë është shoqëruar me mugullimin e gjithfarë shërbimesh inteligjente që në të njëjtën kohë sikur shemëronin njëra me tjetrën për qëllime të errëta. Krijimi i AKI-së ka rezultuar të jetë shtim i institucioneve të pavlera në vendin tonë. Dështimi më eklatant i saj mund të jetë vërejtur mbase me publikimin e raportit të senatorit zviceran, Dick Marti. Sigurisht që ky raport ishte vetëm zyrtarizim i një pune të vazhdueshme në terren të inteligjencave të huaja që kanë sajuar nga hiçi ‘prova të prekshme’ për gjoja trafikim organesh në Kosovë. Në zemër të raportit të Dick Martit qëndron përpjekja keqdashëse për t’i dehumanizuar shqiptarët, e sidomos luftëtarët tanë anti-kolonizatorë, duke i ngarkuar ata me gjoja transplantime organesh njerëzore dhe shitjen e tyre nëpër tregje të zeza. Ky raport në kohën e shpërfaqjes së tij u prit veçse me do reagime që bëheshin për hir të reagimeve e të cilat me kalimin e kohës u shymën në totalitetin e gjithëpushtetshëm të heshtjes.
Në këtë dritë do të ishte me vend sikur të përmendej rasti i filmit kundërthënës ‘Turistas’ (2006) i regjisorit John Stockwell. Në qendër të këtij filmi horror shpërfaqet udhëtimi tragjik i një grupi turistësh amerikanë teksa vizitojnë plazhet ëndërrore e ekzotike të Brazilit. Të dhënë pas shfrenimeve rinore, ata bëhen pre e lehtë e një lëvizje të armatosur që vepron në xhunglat e pashkelura të Amazonës. Këta të rinj të zënë rob transportohen në një shtëpi ku njohin llahtarinë e heqjes së organeve të tyre për t’u shitur më pas. Llahtaria që ngall trafikimi i organeve njerëzore nuk është qëllimi i filmit në fjalë. Nënteksti i tij duket i qartë: përmes tij kriminalizohen lëvizjet nacionaliste të majta që vijojnë prej dekadash luftën e tyre për barazi dhe çlirim shoqëror në Amerikën Jugore. Ky film qysh në premierën e tij nguci sedrën e qytetarëve brazialianë, të cilët protestuan para konsullatës amerikane në Sao Paolo. Sipas tyre, filmi i veshte një imazh të gënjeshtërt Brazilit dhe popullit tij.
Megjithatë, raporti i Dick Martit tejkalon këtë film për nga përmasa e akuzave. Këtij raporti i kishte paraprirë një punë e vazhdueshme e hetuesve evropianë të cilët në krye me Dick Martin gjakonin të sajonin ‘prova të prekshme’ për të vërtetuar akuzat se shtëpia e familjes Katuçi, në fshatin Gurrë të Matit, gjatë kohës së luftës në Kosovë, shërbente si një vend ku kryheshin transplantime organesh të serbëve të zënë rob. Ky raport i përshkuar tejpërtej nga mungesa kronike e ndonjë indikacioni qoftë edhe të largët për trafikim organesh njerëzore, është dematuar fillimisht nga vetë Abdulla Katuçi, pronari i shtëpisë së apostrofuar në raportin e senatorit zviceran. Sipas dëshmisë së tij, në vitin 2008 Dick Marti së bashku me ekipin e tij ishin përpjekur të hidhnin eshtra gjatë vizitës që i kishin bërë shtëpisë së tij. Sekretet mund të jenë të mira vetëm kur nuk zbulohen – është porosia e një thënie. Por, prapaskenat e Dick Martit do të fluskonin në sipërfaqe në qershor të vitit 2009 me rastin e zënies në flagrancë të tre pjesëtarëve të shërbimit informativ serb – BIA, të cilët përmes shumave të konsiderueshme të parave përpiqeshin të manipulonin dëshmi të rrejshme kundër luftës së UÇK-së. Në bazë të incizimeve e dëshmive të tjera të forta, serbët Predrag Zheljkoviq, Millutin Radanoviq si dhe Igor Josinac ofronin shuma të konsiderueshme parash për të inskenuar dëshmi të rreme që do të konfirmonin akuzat për trafikim organesh njerëzore. Tre pjesëtarët e arrestuar të BIA-s nxitnin familjarë të serbëve të zhdukur për të trilluar tregimin për gjoja marrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë.
Arrestimi i tre pjesëtarëve të BIA-s nuk do ta ndalonte aktivitetin e këtij shërbimi në këtë drejtim, përveçse do ta bënte më të stërholluar. Krejt rastësisht, në verën e vitit 2013 hetuesia e Policisë së Kosovës në kuadër të zhbirimit të trafikantëve të emigrantëve në Hungari, kishte nuhatur një grup qytetarësh nga Rahoveci të cilët ishin kontaktuar nga shërbimi serb për të gjetur dëshmi të cilat do të provonin se gjatë luftës së fundit në Kosovë ka pasur trafikime të organeve të civilëve serbë. Në bazë të planit të shestuar nga inteligjenca serbe, mbetje mortore serbësh planifikoheshin të varroseshin në zonat kufitare me Serbisë. Të tilla mbetje do të vendoseshin pikërisht në zonat ku hetuesit e Tribunalit të Hagës do të nisnin hetime rreth trafikimit të organeve njerëzore. Shërbimi informativ serb do t’i paguante 20 mijë euro personave të cilët do të transportonin ilegalisht mbetjet mortore. Bartja e tyre, sipas raportit të hetuesisë, ishte planifikuar të bëhej me veturat e ndihmës së shpejtë të Spitalit Rajonal të Mitrovicës veriore, në mënyrë që të shmangeshin dyshimet e mundshme gjatë kontrollit në pikëkalimet kufitare. Kapja e këtyre trafikantëve shqiptarë të cilët instruktoheshin nga shëbimi informativ serb, sigurisht se është një meritë e hetuesve të vyeshëm brenda Policisë së Kosovës. Por më shumë sesa sukses, ky rast reflekton mjerim: institucionet vendore të sigurisë për vite me radhë kanë dështuar të zbardhin të tilla afera që përgatiten nga struktura të shtetit armik. Ky dështim duhet parë më tepër si pasojë e natyrshme e Qeverive të njëpasnjëshme në Kosovë, të cilat nuk kanë sëndërtuar asnjëherë një strategji të njëmendët për të luftuar e parandaluar inkursionet e shërbimit informativ serb në Kosovë. Sikur Qeveritë e pasluftës të merreshin më pak me pushtetin e më shumë me shtetin, shumë prej planeve perfide të Beogradit do të dekonspiroheshin e për rrjedhojë edhe do të parandaloheshin. Në anën tjetër, EULEX-i, i cili thirret në sundimin e ligjit, asnjëherë nuk i ka vënë në pikëpyetje dëshmitë që i ofroheshin për gjoja krime lufte apo trafikime organesh. Poende, prokurorët e hetuesit e këtij misioni cytnin dëshmitarë të tillë të përpunuar. Për të qenë ironia edhe më e madhe, i njëjti mision kërkon që t’i vazhdohet mandati e të ketë kompetenca në rastet e krimeve të luftës. Ky mision i zhveshur nga çdo lloj llogaridhënie ndaj qytetarëve të Kosovës, do të vazhdojë edhe më tutje të merret me inskenime të tilla të ulta në emër të zbardhjes së ‘krimeve të luftës’. Në dosjet e EULEX-it mungojnë krejtësisht emrat e pjesëtarëve të shërbimit serb të cilët ndjehen të lirë në aktivitetin e tyre për të destabilizuar Kosovën.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura