ANTON MARKU: MBROJTËSIT E REPUBLIKËS!

Vjenë, 14. 12. 2015: Mund të mos pajtohemi, por le të jemi pozitiv, konstruktiv dhe produktiv edhe në mospajtime eventuale. Progresi vjen nga mendimet ndryshe. Ato duhet të pranohen po u dëshmuan si dobidhënëse në avancimin e pozitës sonë. Në të kundërtën nuk duhet insistuar deri në pafundshmëri në mbrojtje të tyre. Një fitore e tillë e arsyes do të tregonte se sa është e përgatitur shoqëria kosovare për ndryshime. Dhe me kë.
Revolucioni i parakohshëm demo-kritik
Askush nuk duhet mohuar këtë dhe Vetvendosje (VV) do duhej të ndjehet e lirë të përdorë por jo dhe të keqpërdorë demokracinë si mburojë për dhunë apo arsyetim për veprimet jopaqësore me qëllim të realizimit të synimeve politike. Më shumë se sa parti demokratike VV është duke u profilizuar në një grupim demo-kritik, i cili më komod ndjehet në rrugë se sa brenda institucioneve.
Si rrjedhojë e bunkerizimit të jetës politike në Kosovë është për tu pritur që ‘‘beteja’’ të vazhdojë. Vendi ideal për këtë do të ishte Parlamenti. Mjetet e përsosura: prezantimi dhe bërja publike e ideve, koncepteve dhe vizioneve alternative për avancimin e shtetit tonë të përbashkët. Në tërë këtë vorbull të turbullt, nga ajo që kemi parë deri më tani, njëra nga të dy anët, pozita ose opozita, apo dhe që të dyja bashkë, mund ta kenë gabim. Por definitivisht ai nuk është populli në emër të së cilit po thirren secila prej tyre.

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Për VV momentalisht gazi, vezët dhe ngjyra e kuqe me të cilat ‘‘qeras’’ me zemërgjerësi oponentët politikë mund të jetë në trend. Megjithate ngjyrat tjera do vazhdojnë të mbesin atraktive për njerëzit.
Në këto momente serioze, skenës politike kosovare, më shumë se asnjëherë më parë, po i nevoijtet një parti më pak serioze, diçka si ‘‘partia e fortë’’ dikur, e cila do të ishte në gjendje që të kontribojë në shtensionimin dhe relativizimin e debatit aktual, të vë në thumb kritiko-kracine pseudoliberale dhe ironizojë, kohë pas kohe, me parashikuesit e së ardhmes, herë të bardhë e herë të zezë, e që ju përkasin të gjitha ‘‘taborreve’’.
Për dallim nga dhjetori i kaluar këtë herë bredhi i Krishtlindjeve në Prishtinë tashmë është stolisur. Të shohim një herë sa do të zgjasë ky dimër. Pastaj flasim e bëjmë!
Kush po e mbron Republikën?
Për fat të keq, Kosova vazhdon të mbetet shtet jofunksional dhe me legalitet të kontestuar jo vetëm nga jashtë por dhe nga brenda. Pjesa dërmuese e shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve, turqëve dhe pjestarëve të komuniteteve tjera janë lindur dhe rritur në Kosovë. Shumë prej tyre nuk kanë të afërm e disa as kanë qenë ndonjëherë në vendet fqinje. Por prapë se prapë vazhdojnë t’i konsiderojnë ato si shtete ‘‘amë’’, pra si atdhe të tyre.
Në anën tjetër, një kundër-argument që parashtrohet në diskurset akademike bën me dije se fakti që shqiptarët e Kosovës (dhe ‘‘kosovarët’’ tjerë, Sic!) nuk e parapëlqejnë ‘‘hapur’’ përdorimin e flamurit shtetëror nëpër gazmende familjare nuk do të duhej të nënkuptojë automatikisht se ata e urrejnë atë. Për më shumë, janë po ata të cilët me krenari përcollën valvitjen e tij në ndeshjet e reprezentacionit të Kosovës në futboll dhe ngritjen e tij në sukseset e karatisteve si Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, në pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Evropës, në spotet muzikore të Rita Orës dhe të ngjajshme.
Në këtë aspekt, mund të jetë (dhe e dimë se është) se dizajni i tyre u ‘‘imponua nga jashtë’’, por përderisa ishin deputetët e Parlamentit të Kosovës ata që votuan planin e Ahtisaarit, shpallën Deklaratën e Pavarësisë dhe dhanë pëlqimin për dukjen e flamurit, stemës dhe himnit të shtetit të ri ato do duhej të respektohen me dinjitet edhe nga qytetarët e Kosovës, të gjitha etnive, pa dallim. Për ta mbrojur Republikën së pari duhet pranuar atë. Ashtu siç është. Me të mirat dhe të metat e saj. Fitohet përshtypja se VV ende nuk e ka bërë këtë. Së paku jo sinqerisht e as plotësisht. Për të dalë në anën e mbrojtësve të Republikës së pari duhet të ndodhë kjo. Me çdo kusht. Dhe pa kushte.
Ne dhe ata
Në narracionin politik kemi interesa lokale, nacionale, rajonale dhe ndërkombëtare. Kosova është e vendosur në një territor, i cili pothuajse gjithmonë ka prodhur më shumë konflikte se sa periudha mirëbesimi mes banorëve të tij. Prandaj, e kaluara dhe e tashmja jonë nuk mund të trajtohet veçmas dhe e shkëputur nga të tjerët që na rrethojnë, qofshin të afërt apo të largët në distancë apo miqësi. Në këtë kontekst duhet tentuar që, një herë e përgjithmonë, për aq sa kjo të jetë e mundur, të bëjmë bashkë vullnetin e qytetarëve dhe popullit shtetformues, nevojën dhe domosdoshmërinë për bashkëpunim me fqinjët tanë natyror dhe gjeopolitikat dhe strategjitë afatgjate të bashkësisë ndërkombëtare. E kjo arrihet duke tejkaluar ndasitë partiake, së paku për tema të mëdha të karakterit kombëtar dhe shtetëror, në bashkërenditje më efikase të përpjekjeve tona me faktorin e jashtëm dhe me një diskutim përmbajtësor dhe transparent me të gjitha shtresat e shoqërisë lidhur me proceset që na presin nesër apo lëshimet eventuale dje. Pra, çelësi gjendet tek ‘‘depolitizimi i politikës’’.
Këta do të mund të duken hapa të vegjël po u zbatuan veç e veç. Do bëheshin të mëdhenj po u bënë bashkë.
Ndërkombëtarët ka kohë që na flasin në gjuhë të huaj. Por ata nuk e bëjnë këtë në gjuhën e të huajve, por të miqëve. Për më tepër, shpeshherë është më mirë dhe më me rëndësi të kuptohet se çka nuk u tha (ende) se sa çka u tha. Kjo e mirë i ka dy të këqija. E para e keqe e kësaj të mire është se ata edhe kur heshtin dërgojnë mesazhe të caktuara. E dyta është se kodet e tyre mund të dëshifrohen vetëm nga një numër i vogël i njerëzve. Të përzgjedhur. Aty përreth.
Është fakt i pamohueshëm se nganjëherë ata kanë ditur që edhe të jenë të padrejtë me neve. E kjo nganjëherë nuk është tash.
E dhimbshmja e pjesës sonë të tregimit është se politikanët tanë aktualë zakonisht mendojnë ndryshe për shtetin, ndryshe për popullin e gjithësesi ndryshe për vete. Orientimi i tyre janë pushteti, votuesit (një herë në katër vite) dhe përfitimi personal. Duket se proceset dobisjellëse dhe interesat e palëve të ndërlidhura dhe ndërvarura me njëra-tjetrën, të përshkruara më lartë, bëjnë pjesë në fjalët e panjohura për ta. Për një pjesë të madhe të tyre ngjitja në majat e politikës ishte rastësi. Për disa fat. Pak prej tyre kanë arritur aty ku janë sot në baza të afinitetit parimor apo meritokracisë pragmatike.
Nuk e dijmë se çfarë do të na sjellë e nesërmja. Por e sotmja nuk është dhe aq premtuese. E duhet të ishte e kundërta. Megjithatë, Republika do të (mbi)jetojë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura