ANTON MARKU: SOT NUK ËSHTË DJE

Vjenë, 21. 06. 2015 – (T’i përkasësh një kombi me disa fe nuk është mallkim. Ështe bekim. Edhe ylberi ka shumë ngjyra por është i bukur) – Ka disa shekuj që pjesa perëndimore e botës përmes ‘‘iluminizmit’’ (‘‘ndriçimit’’) ka bërë ndarjen e shtetit nga kisha dhe me këtë akt është zvogëluar ndikimi i kësaj së dytës në proceset shoqërore. Por, bota ka dhe pjesën lindore të saj, e cila, fatkeqësisht, për shkak të faktorëve të ndryshëm, nuk pati mundësi të kaloi nëpër këtë etapë të emancipimit, duke mbetur kështu e lidhur shumë ngushtë me normat fetare, të cilat bënë që ato të jenë shpesh përcaktuese në zhvillimin e shteteve. E historkisht, në betejën për liri, zhvillim dhe progres lindja shkoi kah perëndimi dhe jo e kundërta.
U mendua se pas ‘‘Pranverës Arabe’’ dhe largimit nga pushtetit të diktatorëve, që për dekada të tëra sunduan vendet e lindjes së mesme, në këtë rajon përfundimisht do të fillojë të zë rrënjë dhe më pas edhe të instalohet demokracia. Në vend të paqes konfliktet, dhuna ndër-sektare dhe dalja në skenë e sub-grupimeve fetare u kthye në dukuri të përditshme duke bërë që, më shumë se asnjëherë më parë, banorët e këtyre vendeve të identifikohen si sunitë, shiitë, alevitë e jezidë, dhe në emër të kësaj t’i vënë flakën regjionit të tyre, duke u kthyer në kohërat e primitivizmit, shumë para se Muhamedi të arrinte që t’i bashkonte fiset arabe në besimin në një Perëndi të vetëm. Për të ‘‘plotësuar tabllonë’’ në këtë kuadër edhe një numër i të rinjve shqiptarë nga trojet e tyre në Ballkan u bënë pjesë e luftërave, të cilat po zhvillohen larg atdheut të tyre, e për të cilat nuk ka pasur as ‘‘ftesë’’ e as ‘‘thirrje’’ për ndihmë drejtuar komunitetit tonë si tërësi. E dihet se lufta në emër të Zotit është luftë kundër vet Zotit. Për më tepër, pothuajse asnjëri nga shtetet ku këta djelmosha sot luftojnë nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës dhe nuk ka sinjale se, edhe pas ndonjë ndyshimi (të mundshëm) të forcave ‘‘në teren’’ qeveritë e reja do ta bënin një gjë të tillë. Në skenën ndëkombëtare, kjo dhe nuk do të na bënte nder (vrej. ime). Aq më tepër kur disa nga këta ‘‘luftëtrarë’’ në mënyrë publike shqyen pasaportat e Republikës së Kosovës.

Turqit po vijnë
Pas ndyshimeve demokratike në Shqipëri dhe çlirimit të Kosovës këto vende hapën kufijt dhe tregjet e tyre për investorët e jashtëm. Në këtë kuadër, pos ndihmës madhore nga BE dhe SHBA edhe asistenca nga shtetet tjera, përshfirë edhe Turqinë ishte e mirë se ardhur. Megjithatë, me kalimin e viteve, ky shtet u orientua në ‘‘ri-kthimin’’ e tij në Ballkan, tani me metoda të reja, më të sofistikuara. Një ndër to edhe intrumentalizimi i religionit për qëllime politike. Turqit ishin aktiv në procesin e privatizmit dhe tenderëve ‘‘të hapur’’ (me kontrata të mbylluar për publikun) duke ndërtuar autostrada, marrë në koncesion aeroporte, blerë pjesë të distribucionit të koorporateve energjetike, e të ngjajshme. Më pas fuqizimi i prezencës turke kaloi në sistenim bankar, arsimor dhe shëndetësor, në hapjen e institucioneve makrofinanciare, çerdheve për fëmijë, shkollave (laike e fetare) e spitaleve. Politikisht, nuk është fshehtësi se ajo po tenton të zgjerojë sferën e influencës së saj në rajon edhe me ndihmën e shqiptarëve që i konsideron ‘‘vazalë’’ të rinj (të vjetër) duke i (keq)përdorur ata për qëllime të veta ekspanzioniste. Pas këtij ‘‘invadimi’’ nuk është për tu çuditur me valvitjen e flamujve turk nga ana e shqiptarëve në Shkup, Tetovë, Prizren e gjetiu. Dhe ky është vetëm fillimi i asaj që mund të pasojë më vonë. Nëse ky trend vazhdon lehtë mund të ndodhë që të bëhemi pjesë e ënderrave të huaja.
Të mohosh vetveten
Para se imamët Naim Ternava, Shefqet Krasniqi e prijës të tjerë fetarë me pikëpamje të paqarta e të trubullta të dalin me deklarata publike për turqit si ‘‘çlirues’’ e jo pushtues dhe uzurpator të popullit e tokave shqiptare, do të duhej të merrnin në konsideratë faktin se në kuadër të kombit shqiptar janë më shumë se një milionë prej tyre që i përkasin besimit të krishterë. Me qëndrime të tilla ata jo vetëm që lëndojnë ndjenjat e tyre si pjesa më e shtypur nga regjimi otoman, por fyejnë edhe vlerat e shumicës absolute të miliona shqiptarëve të besimit islam, të cilët vazhdojnë të vendosin kombin para përkatësisë fetare, dhe njëjtë si të parët nuk ndjejnë se ndajnë ndonjë ‘‘miqësi’’ me okupatorin e dikurshëm. Ky insistim në fshirje të kujtesës është mohim i historisë shekullore të përpjekjeve për liri kombëtare dhe çlirim nga zgjedha e robërisë së po këtij pushtuesi. E në këtë aspekt, nuk është ‘‘faji’’ i shqiptarëve të besimit të krishterë që historia e tyre nuk mund të shlyhet e as të varroset. E ajo, mes tjerash, pohon se fjala e parë në gjuhën shqipe, dhe atë në alfabetin latin, u shkrua nga Pal Engjëlli, libri i parë në këtë gjuhë nga Gjon Buzuku, enciklopedia më e njohur e kohës nga Pjetër Bogdani, abetarja e parë nga Naum Veqiharxhi, shkolla e parë shqipe u hap nga nga Pandeli Sotiri, poema e madhe epike u shkrua nga Gjergj Fishta, e shumë raste të ngjashme. Këto janë fakte që nuk mund të anashkalohen, ashtu si në aspektin kombëtar nuk mund të vihet në dilemë kontributi i Hoxhë Tahsinit, Avdyl Frashërit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e shumë e shumë atdhetarëve si këta.
Duke qenë gjeografikisht dhe historikisht në mënyrë natyrore pjesë e perëndimit kemi arritur të zhvillojnë një mënyrë të veçantë e autoktone të tolerencës, bashkëjetesës dhe harmonisë mes feve të ndyshme brenda trungut shqiptar të bazuar në respekt, njohje dhe pranim ndaj njëri-tjerit. Le të mbesim në këtë udhë të trasuar nga të parët tanë. Asgjë më shumë nuk kërkohet nga ne. Vetëm kaq. Që kombi të vazhdojë të mbesë trupi e fetë rrobat e identitetit tonë.
Heronjët nuk kanë nevojë për maska
Naim Ternava i mëshon trumpetës se turqit dhe shqiptarët kanë ‘‘bashkëqeverisur’’ në trojet tona etnike. Por, argumentet flasin ndryshe. Edhe ata pak (apo shumë, sic!) shqiptarë që shërbyen në poste të larta të perandorisë osmane (me pak përjashtime) nuk është se në rend të parë kishin vendosur interesat e popullit nga i cili vinin. Për më shumë, është ‘‘meritë’’ e(dhe) e tyre që përgjatë shekujve të ‘‘lirisë gjembore osmane’’ ishim komuniteti më i pazhvilluar, më i prapambetur dhe më i paemacipuar i Ballkanit, e me këtë edhe i Evropës. Në anën tjetër, për po kaq kohë nuk ndaloi rezistenca e shqiptarëve të gjitha besimeve, pa dallim, kundër këtij regjimi shtypës. Kryengritjet që kulmuan me Lidhjen e Prizrenit e deri tek shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishin të drejtuara mu kundër këtij pushtimi. Sipas Ternaves del se i kemi luftuar miqët, gjë që nuk do të përkonte me traditën e shqiptarëve, pjesë e të cilëve është dhe ai vet.
Shqiptarët e besimit islam nuk duhet harrur se cila ishte feja e të parëve të tyre, e as duhet turpëruar për këtë, ashtu siç nuk duhet mohuar atë që janë sot. Këtë nuk e kërkon askush prej tyre e as do ta bëj në të ardhmen. Përkundrazi. E ata, më shumë se kushdo tjetër, duhet të dëshmojnë se nuk do të lejojnë që dallimet të kthehen në mure. Në këtë rrugë nuk do të jemi as të humbur e as vetëm. Pas do të kemi botën e qytetëruar e cila ende na konsideron pjesë të saj. Mos t’i mbyllim derën kësaj oferte.
***
Le të vazhdojmë që si komb të udhëhiqemi nga parimet e guximit, gatishmërisë për sakrificë dhe dashurisë për atdheun të personifikuar në figurën e heroit gjithëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, të krenarisë kombëtare të ri-lindur përmes vargjeve të shenjta të Naim Frashërit, madhështisë shtet-krijuese dhe komb-formuese të Ismail Qemailit dhe shembëlltyrës së solidaritetit dhe humanizmit të Nënës Tereze.
Përndryshe në shtete tona të reja do të vazhdojnë të fryjne erëra të vjetra. Nëse po, ato do të mund të shoqërohen me vetëtimë dhe stuhi të cilat mund ta lëkundin besimin tonë në njëri-tjetrin. E për këtë kemi më së paku nevojë. Më së paku ne.
Pra, nuk kemi nevojë për ri-rreshtim të ri. Mjafton të qëndrojme aty ku jemi. Në perëndim. T’i mbajmë afër ata që na janë gjendur pranë në kohë të vështira, atëherë kur më së shumti kishim nevojë për dikë që të na zgjasë dorën. Të jemi mirënjohës për miqësinë me ta. Të mos i dëshpërojmë ata që na duan të mirën. Sa nuk është vonë.
Sot është nesër.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura