ANTON MARKU: TELEFONI (Tregim)

Vjenë, 26. 10. 2015: Edhe pse i urrej bisedat gjatë vozitjes, për të mos u vonuar shumë me urimin, e mora në telefon:
-Alo, Beni jam-i thashë.-Desha të përgëzoj për zgjedhjen në postin e ri. U gëzova shumë! Urime dhe suksese!-shpreha kënaqësinë time të sinqertë.
-Faleminderit, i dashuri mik! Je shumë i kujdesshëm në këto gjëra! Si gjithmonë!.-ma ktheu përgëzimin me mirësjellje.

-Ja kemi për borxh njëri-tjetrit këtë, apo! Gimi, tani të kërkoj ndjesë por më duhet të iki.-i thashë.-Kam një takim të rëndësishëm pune. Do dëgjohemi prapë dhe shpresoj të takohemi së shpejti. Tek ti apo tek unë, nuk ka rëndësi. Të fala dhe Anes!
-Do ja përcjell përshendetjet dhe asaj. Pa merak. Gjithë të mirat!-u pergjigj ai.
Po bëhesha gati të mbyllja celularin tim kur nga ana tjetër u dëgjua një e sharë e rëndë. Ishte zëri i tij. Në fillim desha të mos përfshihem në atë që po ndodhte andej linjës. Por, nuk munda t’i bëj ballë tundimit të kurreshtjes. Vazhdova të mbaj aparatin pranë veshit. Nga ana tjetër u dëgjua:
-Çfarë mendon ky njeri? Ky horr? Ky i pacipë! Kush është ai e kush jam unë? E ka nga inati! Nga xhelozia! Le të plasë, le të plasë! Ja, nuk kishte forcë që të vinte deri këtu, të më shihte në sy e të më shtrëngonte dorën. Tha ‘‘kam një takim të rëndësishëm pune’’, dhe këtë të fundit e theksoi shumë. Mendon se vetëm ai është i zënë me dreka e darka zyrtare. Jo, ore jo. Ja që erdhi dhe dita ime dhe do ta shfrytëzoj. Do ta vjel! Të ja marrë frutat! Gjer sa të mos jetë e mundur më!

I hutuar dhe habitur nga ajo që dëgjoja kisha tejkaluar shpejtësinë e lejuar. Për një moment gati sa nuk dola nga rruga. Shikimi filloi të më mjegullohej. Si nëpër kllapi nisa të përsërisja atë që dëgjoja. Nuk doja ta besoja dot se kjo po më ndodhë mua. Neve. Për herë të parë po takoja fytyrën e tij ndryshe nga ajo që isha mësuar. Lavjerrësi po lëkundej. Maska ngadalë po binte. Më dukej se po shihja sytë e tij të tymosur. Biseda vazhdoi.
-Grua moj, të kujtohet dhurata që më solli herën e fundit për ditëlindje? Ishte një vazo mermeri me shumë ngjyra. Bile më tepër se duhej. Kur e hapën verejtëm se nuk e kishte hequr fare tiketën e çmimit, por atij nuk i thamë gjë. Jam i bindur se e ka bërë me qëllim vetëm për të më dëshmuar se sa e shtrenjtë ishte.-po tërbohej edhe me shumë ai.
Më vinte të klithë. Ndihesha i zbrazur. I dëshpëruar. I goditur. I fyer. Do jepja gjithçka të zgjohesha nga kjo ëndërr. Diçka thellë brenda meje po më braktiste. Apo ndoshta i përhumbur po kërkoja vetveten. Të shumëfishohesha. Me asgjë. Tashmë koka më ishte rënduar. Doja të bërtas. Të pëlcasë. Të qirrem. T’i flas. T’i kërkoj sçarim. Por, diçka e padukshme, më e fortë se unë, më ndaloi. Dialogu andej linjës vazhdonte. Dukej se atij i ishte mbushur kupa plot dhe nuk po lënte asnjë shteg të hapur por po vazhdonte të rrënonte urën nëpër të cilën kishim ecur bashkë. Atë po e kthente në mur.
-Herën tjetër, në dhjetë vjetorin e diplomimit më kishte dhuruar një këmishë që ishte dy numra më e madhe se sa duhej të ishte. Ai nuk donte të vërente faktin se unë, muaj më parë, pa i treguar njeriu, kisha filluar të mbajë dijetë dhe kisha humbur plot katër kilogramë.-murmuriste i zemëruar tej mase.
-Nuk po me kujtohet kur ishte kjo, i dashur-u mundua të qetësoj hidhërimin e tij e shoqja, duke tentuar që të sjellë një dozë humori në ketë bisedë të pakëndëshme.-Vetëm nëse pate humbur peshë pasi shkurtove flokët që një herë nuk i kishe prerë për më tepër se një vit.
-Kisha hequr që çke me të. Por ju gratë, ah ju gratë! Edhe po të ndryshojmë ne tërësisht, ju nuk na vini re. Ju na hetoni vetëm kur nuk jemi aty. Kur mungojmë. Por, sidoqoftë, cinizmi dhe injoranca e tij arriti kulmin para disa javësh me librin që më preferoi ta lexoj. E di si titullohej? ‘‘Mendo shpesh kush je! Edhe me shpesh kush ishe!’’. Pse budalla i dukem unë që të lexoj atë paçavurë?! Për mua nuk ka të djeshme. Ka vetëm të sotme dhe të nesërme. Unë nuk dua të kthej kokën udhëve që kam shkelur. As njollave apo gjurmëve që do të kem mundur t’i lë pas. I tillë kam dashur të jem gjithmonë: njeri që nuk lë hije. Ai duhet ta dijë këtë shumë mirë. Sigurish që ja ktheva pas një jave pa e shfletuar asnjë faqe të vetme. Atij i thashë se libër të tillë kishte kohë që nuk më kishte rënë në duar. Dhe kjo ishte e vërtetë. Por ai nuk e kuptoi. Apo bëri sikur nuk e mori vesh.-tha vrullshëm.
E fjalës i ra lëkura. E pathëna u tha. Guri u rrokullis. Ishte ai i pari që e bëri këtë. Nuk e di nëse po pendohesha për atë që kam bërë apo që nuk kam bërë për të. Dikur isha zëri i tij i dytë. Apo mendoja se isha. Që kur di për vete të gjitha rrugët e miqësisë sime shpienin tek ai. Mora frymë thellë. Mendimet po më iknin shpejt. Do jepja gjithçka kisha vetëm të mos isha dëshmitar i asaj që po dëgjoja. Po ndahesha në dy pjesë.
Për një çast filloi të më vinte keq për kohën që kishim kaluar bashkë. Po dëshmohej se paska qenë e humbur kot. Ndjeva dhimbje. Shumë dhimbje. Por ende nuk isha i gatshëm dhe as nuk doja të heq dorë nga kjo miqësi. Të mbyllë derën që jeta kishte hapur. Të kaluarën ta shpall të paqenë. Apo të braktisja të tashmen që po më ikte. Majë gishtash. Padashur e kuptova se sot nuk është dje. Më shumë se asnjëherë më parë kisha nevojë për një gotë. Ta zbraz me fund.
Isha mbushur me djersë. Para syve më dolën vazoja, këmisha gri, libri. Për herë të parë kuptova për këto gjëra. E nga ta dija unë se çmimi paska mbetur i ngjitur në dhuratë. Kur e pagova e luta shitësen që ta heqë atë dhe ta mbështjellë vazon me një letër blu. Duket se ajo paska harruar çfarë i kisha kërkuar, ndërsa unë nuk e hapa më. Kur zgjodha këmishën, për të pyeta, fshehurazi nga ai, mu bashkëshorten e tij për numrin që mbante ai dhe isha shumë i sigutë se do t’i rrijë bukur. Librin nuk e kisha zgjedhur nga titulli por nga ajo që kisha lexuar në të, jo vetëm unë por dhe disa të njohur të mi para meje.
-Po nesër kur ta takosh, çfarë do t’i thuash?-e ndërpreu Ana.
-E si të ja them kur ai sapo takohemi fillon dhe përfundon bisedën me temat nga kultura hinduse. E nesërmja mund edhe të mos vij. Edhe nëse vjen ai do të mbetet një zero. Një pikë. Një presje. Një hiç. Askushi! Më dëgjon, askushi!-zhurmonte humbshëm piskamë e tij.
Sa naiv që paskam qenë!-belbëzova si i dehuri pas një nate plot.-Unë tërë kohën kam menduar se atij i pëlqen kur flasim për artin e lindjes së largët. Mua ai më kishte magjepsur gjithmonë. Tani sytë po më qitnin tym. E ndjeja se po përmbysej gjithçka. Ja si hyn largësia mes njerezve-mendova me vete-Sa i hollë është ky pe. Dhe sa i afërt. Sa një mbyllje syri larg.
Për një çast mu kujtua se ai para pak muajsh kishte vendosur dhe një telefon me linjë tokësore. Bile dhe këtë e kishte nga unë. Nuk mund të duroja më. Dola nga rruga kryesore, ndalova automjetin, solla numrin e tij, e thirra dhe i thashë:
-Gimi, sapo mendova se ndoshta do të gjeja pak kohë për të ardhur tek ti. Por, seç mu kujtua se do të më duhej që të takoj një shitëse të pakujdeshme dhe t’i kërkoj sqarim për harresën e etiketave të çmimit në dhurata, të kritikoj udhëheqësin e kursit të dietës për dështim në humbje peshe të vizitorëve të tij, të zhvendos nga rafti i biblotekës një libër që ma kanë kthyer pa e lexuar fare dhe të heq dorë nga temat që kanë të bëjne me pjesët tjera të botës. Deri atëherë, e kjo kam frikë se do të zgjasë gjatë, shumë gjatë, lamtumirë, miku im i dikurshëm!
-Edhe diçka: jo une, por ti deshe kështu!-I thashë dhe mbylla telefonin.
Ai nuk lëshoi as dhe një fjalë. Më dukej se po e shihja si po qëndronte i shtangur me sy drejt celularit të tij, i cili tërë kohën kishte mbetur i hapur.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura