(Prishtinë, 30. 06. 2012) – U rrahën e u grushtuan deputetët e dy partive politke, PDK dhe Vetvendosjes, brenda qatisë së institucionit më të rëndësishëm shtetëror, Kuvendit të Kosovës. U dhanë komente nga më të ndryshmet; dikush e vlerësoi si prishje e imazhit edhe ashtu të keq të Kosovës, të tjerë si ndodhi normale duke e krahasuar edhe me vendet demokratike. Por, pati edhe nga ata që thanë se përleshjet e deputetëve evropianë nuk duhet krahasur me të Kosovës, sepse me një shtet demokratik nëse shkaktohet një gjë e tillë ndodh për mbrojtjen e vlerave dhe besimeve që deputetët kanë për vendin e tyre, e që në rastin tonë ishte për fyerje personale.
Çfarëdo të ketë qenë arsyeja e kësaj rrahjeje mes deputetëve, po dëshmohet se në ulëset e Kuvendit të Kosovës ulen edhe deputetë ordinerë e injorantë. Në Kosovë çdo ditë e më shumë janë duke dominuar politikanë arrogantë që ende s’e kanë hequr baltën nga kundrat. Janë po këta politikanë të cilëve gratë duhet t’iu kalojnë nëpër odë me legen dhe ibrik, që ata t’i lajnë duart para se t’u vërsulen govatave me mish.
_______________________________
Politikanët e papërgjegjshëm dhe injorantë, të cilët u grushtuan dhe u përgjakën, pikërisht në ditën kur bandat serbe u përleshën me policinë tonë, ndërsa njësitë elitare serbe në Beograd (përpara milloshit të vogël Daciq) po betoheshin për Kosovën dhe rikthimin e tyre triumfal në këtë “tokë të shenjtë serbe” !!!
_______________________________
Shumë prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë të përmendur nëpër afera korruptive, e që disa prej tyre marrin edhe guximin të sillen në institucione si kapadainj. Në Kuvendin e Kosovës gjen deputetë, pas të cilëve rëndojnë akuza të rënda. E po këta njerëz vazhdojnë ta përfaqësojnë këtë vend, e që për fatin tonë të keq, vendosin për ligjet që vetëm ata nuk i kapin.
Rasti i fundit tregoi se të fortëve s’ka çfarë t’iu bëjë as ligji. Shefi i Grupit pralamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka penguar policinë dhe hetuesin që të merret me këtë ngjarje. Ai ka penguar zyrtarët e rendit, ata të policisë dhe prokurorisë që të zhvillojnë hetimet brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Kush është Adem Grabovci dhe cila është fuqia e tij që të ndalojë policët të intervistojë katër deputetët Latif Gashi, Rexhep Selimi, Bekim Haxhiu e Florin Krasniqi, që u përfshinë në rrahje? Si ka mundësi që të mjaftojë një fjali e këtij zyrtari të lartë të PDK-së ,“Lirojeni Kuvendin se s’kemi nevojë për juve”, dhe policia të kthehet nga kishte ardhur?
Po skandalet më të mëdha kush i ndalon të zbulohen?
Vrasjet e krimet shumë më të rënda?
Kjo është Kosova, e shndërruar në atë gjendje ku çdo ditë e më tepër qytetarët e saj presin mundësinë e parë që t’iu jepet për të ikur prej saj.
______________________________
Shikoni një fragment nga politikanët grushtarë të Kuvendit të Kosovës!
____________________________
Dikur kritikohej skena politike e Shqipërisë për banalizimin në komunikimin politik. Për, fjalët më ofenduese të përdorura për kundërshtarët; kriminel, mafioz, i korruptuar, ku nuk janë lënë pa u përmendur edhe histori familiare. Sot, denigrojnë institucionet dhe peshën shtetërore me skandale të drejtpërdrejta politikanët injorantë në Kosovë, të cilëve nuk iu mungojnë titujt Dr. e Master, sepse ato i morën brenda natës me fuqinë që iu jep autoriteti i “Të fortit”.
Kosova nuk ka sesi të shkojë përpara me këtë standard të instaluar nga akterët kyç, mbi supet e të cilëve rëndojnë akuza të rënda. Pa ndryshuar politika e cila duhet hequr dorë nga snobizmi dhe të ndërtojë një shtet të së drejtës, ku interesi është i përbashkët dhe jo i një grupi të caktuar, Kosova do të ecë me hapa prapa.
Kosovës i duhet një mentalitet politik i cili përfshihet në reforma, prej të cilëve dalin njerëz të gatshëm të denoncojnë krimin e korrupsionin. Por, për këto reforma skenës politike i duhen njerëz me të kaluar të pastër, autoritet e kredibilitet të cilët ndërtojnë shtet të së drejtës, ku sundojnë vlerat dhe jo antivlerat.