SALIH MEHMETI*: KURTI DHE SINDROMI I PISHAVE TË SHTIMES

 Prishtinë, 23. 06. 2012 – Ishte kallnori i vitit 2006, një prej më të ftohtëve që ka mbajtë ndonjëherë pas luftës në Kosovë. S’kisha as një muaj që prej se kisha veshur fanellën e bardhë të ish lëvizjes ‘Vetëvendosje’ megjithë moshën e njomë që kisha. Asokohe kjo lëvizje sipërfaqësisht qytetare mbante tubime gjithandej fshatrave e qyteteve të Kosovës në shërbim të senzibilizimit qytetar në prag të nisjes së negociatave me Serbinë, që me siguri (ashtu siç edhe u vërtetua më vonë) do ta dëmtonin seriozisht vendin tonë. Bashkë me A. Kurtin, G. Konjufcën, D.D dhe një aktiviste tjetër L.S po udhëtonim drejt Prizrenit, në një mëhallë të të cilit do të mbanim një tubim me banorët e atyshëm. Vetura përpinte shpejt e shpejt kilometrat në vijën rrugore Prishtinë-Prizren, pavarësisht mjegullës së madhe që kish përla hapësirën kah të hanin sytë. Edhe muhabetet brenda në veturë dukej sikur qenë ngrirë prej ftohtit të madh. Kurti gjatë tërë kohës bënte sikur lexonte një libër. Me të mbrri në dalje të Shtimes, aty ku rruga merr një përpjetëz të thekshme, në bregun në të djathtë gjendet një kompleks i gjerë pishash. Albini sakaq mbylli librin duke shikuar drejt tyre. ‘Sa më pëlqen ky vend me këto pisha’, tha ai si duke folur ndër vete.

Albin Kurti dhe rrethrrotullimi te pishat e Shtimes!

__________________________________

Jo pse tha diçka të madhe por në mbamendje m’u thadruan këto fjalë sepse ishte hera e parë që po udhëtoja bashkë me mitin e madhëruar të medieve, që më parë e shihja vetëm në kutinë e televizorit. Dy vite më vonë fati e deshi që rishtas të kaloja nëpër të njëjtën rrugë me një shok tjetër të Albinit (emrin e të cilit s’e përmend dot për shkak të keqardhjes sime për të) i cili në të njëjtën kohë qe njëri prej drejtuesve të ish-lëvizjes në një biçim byroje prej 10 vetash. Jo pse kishte farë peshe vendim-marrëse kjo byro por të paktën sajonte imazhin se lëvizja drejtohej në mënyrë kolegiale dhe transparente (sic!). Me t’u afruar tek vendi i famshëm tanimë, atje në të dalë të Shtimes në atë bregun në të djathtë të rrugës, atje ku ngrihen thikë përpjetë pishat dhe breshtat, shoku ynë nga Byroja tha: ‘Sa më pëlqen ky vend – sa m’pëlqejnë këto pisha’. Vite më vonë kjo Deja Vu e çuditshme m’u shfaq sërish me tërë banalitetin e saj: sa ishim liruar prej burgut të Dubravës (si pasojë e revoltës ndaj Protokollit Policor që u nënshkrua midis EULEX dhe Serbisë), dhe ne, aktivistët e lëvizjes po organizonim aksione gjithandej vendit për të grishë bojkot të zgjedhjeve lokale që mbaheshin atë vit (2009). Në veturën në të cilën po udhëtonim për misionin tonë ‘fisnik’ gjendej edhe një kuadër premtues, i cili muaj më vonë do të merrte teserën për të hyrë në Byron e lëvizjes (që tani aq shumë po shëmbëllente në një parti klasike). Me të mbrri tek vendi ynë i famshëm tek bashka e pishave dhe breshtave tha mallëngjyeshëm: ‘Sa m’pëlqejnë këto pisha!’.
Kjo më trazoi për shumë kohë duke më zhytë në një labirinth pyetjesh që vështirë merrnin përgjigje. U pëlqenin më të vërtetë këto pisha kuadrit besnik të Kurtit apo thjesht ata kishin përbrendësuar matricat e mendimit prej Kurtit? Thjesht ato pisha s’kishin kurrfarë hijeshie që t’i bënte më të veçanta apo më hijerënda: ato ishin thjesht pisha e bredha. Në të vërtetë admirimi i këtyre pishave prej thuajse secilit shok të Albinit na bën të deshifrojmë më kollaj mënyrën e funksionimit disavjeçar të një organizimi që është maskuar në mënyrë aq finoke si lëvizje qytetare. Për lehtësi diagnoze tutje do të shërbehemi me termin ‘Sindromi i Pishave të Shtimes’ që i referohet fabrikimit të modeleve të dëgjueshme sipas matricave të një mjeshtri të madh të manipulimit masiv – Albin Kurtit. Me fjalë të tjera, kjo lëvizje që fatalisht u quajt lëvizje, impononte modele të tilla të ‘aktivistit’: nuk kërkoheshin aktivistë që fiqironin në mënyrë autonome, por vetëm pasues që përvijonin tragat e bariut. Kërkoheshin njerëz që i pëlqenin pishat e Shtimes.
Mejtime të thella si këto bën që të hiqja dorë nga ideja ime fillestare për t’i përgatitur një tortë ditëlindjes së shtatë të partisë së Kurtit. Përvjetorët e lindjeve të partive është bërë zakon të ndjesohen si data të shënuara plot mallëngjim, që të krijojnë përshtypjen se s’do ta hamë me bukën thatë. Përmes medieve të cilat janë në pritje të ethshme të sensacioneve u pasqyrua gjerësisht ditëlindja e shtatë e partisë së Albin Kurtit, e cila pa fije modestie vazhdon të pretendojë se është trashëgimtare e lëvizjes së dikurshme ‘Vetëvendosje’. Në një fjalim të cilin e përshkon tejpërtej fryma narcisoide, Albin Kurti me fjalë të zgjedhura me delikatesë të hollë e ngriti në qiell partinë e tij, duke lënë përshtypjen sikur ajo është epiqendër e gjithçkaje. Liderët e grupimeve politike në vend pa fije modestie vazhdojnë ta modelojnë rolin e tyre në histori, duke i dhënë theks të veçantë atributeve që pandehen si unike.
Mirëpo, veçanësia e partisë së Kurtit nuk qëndron as në konceptin e as në veprimin e tij politik: problemi qëndron në atë se partitë e tjera politike të pleksura në rrjetën e pazgjidhshme të interesave të ngushta kanë krijuar mundësi të arta për individë, të cilët me angazhim fare minimal shfrytëzojnë hapësirën publike për t’u imponuar politikisht. Në mungesë të një Qeverie efektive e të organizimeve të tjera shoqërore (sindikatat, studentët), partia e Kurtit e ka fare të lehtë të zhvatë kapitale politike përmes organizimit të aksioneve qesharake fëmijërore, të cilat përmes përsëritjes mekanike të medieve bëhen ngjarje të muajit.
Në vazhdim të fjalimit të tij, Kurti sikur shpërthen nga galdimi se partia e tij po i shpëton tundimit të pushtetit, aferave korruptive e imoraliteteve të tjera: “Na thoshin që do të ndryshojmë, por ne as nuk u pasuruam, e mbajtën koherencën e diskursit dhe besnikërinë ndaj metodës. Pra, nuk devijuam, nuk u lodhëm dhe nuk u ndalëm”. Megjithatë, ai i mbetet borxh opinionit të gjerë e veçmas përkrahësve të tij që të shpjegojë sesi u bë që gjatë kohës sa u mbajtën negociatat në Bruksel nuk u organizua qoftë edhe një protestë e vetme, e cila do të kontestonte marrëveshjet disfatiste. Në qoftë se e marrim për të mirëqenë pohimin e Kurtit se partia e tij vazhdon t’i qëndrojë besnik metodave të një lëvizje qytetare, atëherë cila do të jetë përgjigja për mungesën e plotë të protestave kundër negociatave, gjendjes në veri si dhe shpërdorimeve të vazhdueshme, në të cilat ku më shumë e ku më pak kanë gisht institucionet ndërkombëtare.
Fakti që shumica e drejtuesve të ish-lëvizjes Vetëvendosje janë kyçur në ‘sistem’ lë të nënkuptohet se Kurti i jep përparësi të plotë rrugës ‘institucionale’, të cilën e ndjeson si mundësinë e vetme për t’u bërë kryeministër, një ëndërr e cila po paguhet me përpjekje gjithnjë e më të dëshpëruara. Dështimet e njëpasnjëshme të partisë së Kurtit për t’u imponuar dosido në qendër të vëmendjes sikur tundin kambanat e alarmit, se ata në një të ardhme jo të largët do të bëhen ca kamikazë të politikës të cilët nën ethet e militantizmit s’do të kursejnë asgjë. Ai i hyn në hak të vërtetës edhe kur përpiqet të vesh petkun e një virgjëreshe, e cila në mënyrë stoike i qëndron epsheve politike. Për hir të transparencës, Kurti duhet të na shpjegojë fije e për pe arsyen sesi shumica e aparatçikëve të brendshëm të partisë së tij vazhdojnë të marrin paga nga burime të panjohura. Kjo nuk do të përbënte farë paradoksi kur kihet parasysh natyra private e partive politike. Por duhet të bëhet e qartë se nuk i ecën kungulli mbi ujë asaj meselës së vjetër se Kurti me shokë motivohen vetëm prej vullnetit të çiltër për veprime politike. Rrethi i ngushtë i militantëve që i kanë mbetur pranë Kurtit tani paguhen për shërbimet e tyre kundruall partisë. Teksa flasin për shfrytëzim e kolonializëm, ata sikur harrojnë se militantëve të rinj u shfrytëzohen deri në pikën e fundit kapacitetet fizike dhe mendore. Qëndrimi i tyre nën hijen e Kurtit më shumë i ngjan një inkubatori të frikshëm, ku vijimësisht përthithen energjitë e tyre rinore në betejat e ditëpërditshme partiake.
Partitë e politikanët në Kosovë ngritën në skenë sipas parimit ‘Selected but not elected’. Prore gjatë këtyre viteve është votuar për të përzgjedhurit nga Brukseli e Nju Jorku. Kjo kategori e të përzgjedhurve është e besatuar paraprakisht që gjatë tërë kohës së penetrimit në politikë të jetë fleksibile. Fleksibiliteti në këtë politikishten e ditëve tona i referohet gatishmërisë për të bërë lëshime edhe matanë vijave të kuqe. Kjo Qeveri e cila ka flirtuar me kompromise të turpshme me Serbinë do të mund të ishte qeveria më e delegjitimuar e pasluftës sikur Albin Kurti në vend të një politikani që lëshon jargë nga goja për t’u bërë vezir i vilajetit tonë, të vazhdonte të ishte një aktivist në krye të një lëvizjeje thellësisht qytetare, qëllimi i të cilës nuk është domosdo ardhja në pushtet. Kjo lëvizje nuk do të duhej të ishte e helmatisur gjer në palcë me njerëz aventurierë, parashutistë të çdo lloji e biznesmenë, të cilët presin të shumëzojnë prokopinë e tyre. E për fat të keq, ajo që po vazhdon për konsum të brendshëm si ‘Vetëvendosje’ vazhdon të jetë e mbushur spicë prej njerëzve të tillë. Përndryshe, aktivistët e Kurtit janë shndërruar edhe në fantazma kibernetike, të cilat rravgojnë nëpër botën virtuale të internetit duke sajuar një figurë të rreme të partisë së tyre. Kjo flet më së miri se njerëzve të Kurtit u është shtrënguar aq shumë laku saqë e vetmja hapësirë e lirë u mbeten bota virtuale, përmes të cilës ngushëllohen për inferioritetin e tyre të përhershëm.
*) Autori është ish-aktivist i Vetëvendosje’s!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura