BESIM ZYMBERI: LIDHJA E LEZHËS (2 MARS 1444), KATËR VLERA TË VEÇANTA TË TIJ

Ferizaj, 02. 03. 2015 – Kuvendi i Lezhës, ishte momenti i ndryshimit të historisë, ishte moment që nxiti ndryshimin esencial të botëkuptimit për lirinë, në nivel planetar. Kuvendi i Lezhës, solli idenë e thellë të domosdosë së përmbysjes së tipit sundues monarkist-feudal. Në Kuvendin e Lezhës, Skënderbeu u shpall “Kapiten i Përgjithshëm Lidhjes”, por nuk u shpall mbret. Forma e krijimit të strukturave shtetërore, lejonte diskutimin dhe vendimarrjen jashtë rregullave të imponimit të monopolit monarkist.
Shmangia nga tiparet esenciale, feudale e monarkiste të kohës, Shtetit të Arbërit, nën udhëheqjen e Skënderbeut, i dha formën e një Republike Parlamentare. Ndërsa, bashkimi i princërve e principatave shqiptare, sipas parimit të përfaqësimit të vlerave të njëjta etnokulturore e etnopsikologjike, i dha Shtetit të Arbërit, (nëpërmjet Kuvendit të Lezhës), tiparet e një shteti kombëtar.
Sipas parimeve të aprovuara në Kuvendin e Lezhës, dallohen lehtë katër vlera të veçanta, të cilat shënuan ndryshim në cilësinë e organizimit e ndërtimit të shtetit, me reflektim në botë e veçanërisht në Europë.

Vlera e parë: Shteti i Arbërit, u bë shteti parë në botë që instaloi embrionin efektiv të modelit republikan e parlamentar të organizimit të shtetit (ky model, në Europë nisi të realizohej si ide së paku tre shekuj më vonë);
Vlera e dytë: Shteti i Arbërit, ishte shteti parë në botë me tipare të një shteti nacional (koncepti i kombit dhe i shtetit komb, në Europë ishte inicuar së paku dy shekuj më vonë).
Vlera e tretë: konsiston në botëkuptimin për humanizmin. Në Shtetin e Arbërit, denimi me vdekje nuk parashihej si instrument ndëshkimor shtetëror (gabojnë ata që i përziejnë gjërat me gjakmarrjen apo masat në gjendje lufte). Nëse e kemi parasysh se në të njejtën kohë, në Europën Perëndimore, shkenctarët digjeshin në turra drush, vetëm se e thonin të vërtetën, është lehtë të konstatohet se Shteti i Arbërit, karakterizohej sipas parimit të njohjes dhe vlerësimit sociopsikologjik të thellë të të drejtave elementare humane. Në esencë, Shteti i Arbërit ishte shtet human, si një shembull i veçantë i tërë historisë politike të deri-atëhershme të botës.
Vlera e katërt e Shtetit të Arbërit, sipas parimeve të mbjellura në Kuvendin e Lezhës, ishte, formësimi i botëkuptimit për lirinë, në thellësinë e përmbajtjes së saj.

Sipas atyre parimeve, liria do të duhej të buronte nga natyrshmëria e saj e jo nga kushtëzimet. Liria, do të duhej të ishte si shprehje e lirë e vlerave të identitetit sociokulturor të një njeriu a një populli. Liria, do të duhej të tingëllonte njëjtë, si për individin, si për një popull me cilësi identifikuese dhe unifikuese kulturore. Sipas Shtetit të Arbërit, liria ishte një e drejtë e lindur që nuk guxon të kushtëzohet nga ndikime dominante. Në fund të fundit, në Shtetin e Arbërit, liria konisderohej si një e drejtë hyjnore dhe vendosej në një stad më të lartë se jeta. Ndaj, burgosja, në Shtetin e Arbërit nuk konceptohej si një instrument legal ndëshkimor.
Katër vlerat e lartpërmendura, Shtetin e Arbërit e bënë jo vetëm model, por edhe frymëzim për secilin popull, por edhe për secilin individ. Të pafuqishëm para promovimit të vlerave të tilla, monarkët europianë, e patën të pamundur të rezistonin për gjatë kohë. Ishin intelektualët, artistët, dijetarët, punëtorët e fshatarët e Europës, që njohën këto vlera Skënderbegiane dhe që i detyruan monarkët e tyre t’i njihnin edhe vetë, ndonëse jo në thellësinë e tyre të natyrshme.
Katër vlerat e sipërthëna të instaluara në Kuvendin e Lezhës, janë në të vërtetë platforma skënderbegiane për ndërtimin e një Europe (e bote), siç e njohim sot në disa tipare të saj (jo në plotni dhe jo në të gjitha), gjithnjë nën vërejtjen se, po kjo Europë, ende nuk e pranon kontributin e frymëzuesit të identitetit të saj të sotëm…?!
Gjithsesi, është madhështore ta thuash se, kryearkitekti ideor i këtyre vlerave, ishte kryeheroi i virtytit të përbotshëm, kryeheroi ynë legjendar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu…!

……………………………………………………………………….

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura