Prishtinë, 24 mars 2018: Mashtrimi është një nga trajtat e dhunës, e cila tabelë qitjeje e ka strukturën morale të qenies (njerëzore, sociale, kombëtare, historike e politike) së një bashkësie apo të një individi. Rrënimi i strukturës morale është metoda më e efektshme për mbajtjen nën kontroll të një individi apo të një populli. Hannah Arendt, duke bërë fjalë për mashtrimin (gënjeshtrën) në sferën e jetës politike, thotë se çdo lloj diktature vepron ashtu që njerëzve t’u pamundësohet informimi. Diktaturat e autokracitë nuk e duan informimin, sepse nuk e duan mendimin. Si mund të kemi mendim për diçka ndaj së cilës nuk jemi të informuar? – pyet Arendt. Me një popull që nuk është i aftë të mendojë e të gjykojë, me të mund të silleni si të doni.
Në jetën tonë më të re politike, janë dy momente të cilat janë zhvilluar jashtë vëmendjes dhe dijes, jo vetëm të opinionit publik, por edhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndaj të cilëve ato do të duhej të ishin të pashmangshme.
Ato janë:
– Marrëveshja për Demarkacionin dhe
– Marrëveshja për Zajednicën.
Qeveritarët negociatorë shqiptarë të këtyre dy marrëveshjeve, deputetëve të Kuvendit të Kosovës do t’u sjellin rezultatin e Marrëveshjeve me ambalazhin e “procesit”, i cili gjoja tani duhet të debatohet me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Vezët, shishet e ujit, gazi lotsjellës ishin instrumentet e vetme të mundshme efikase për demaskimin e dhunës së mashtrimit, e cila “rezultatin” përfundimtar pretendonte ta paraqiste si “proces” që fillon me debatin e deputetëve. Tash pas tre vjetësh zvarritjeje e shtyrjesh, pas miratimit të Ligjit për Demarkacionin, forcat opozitare, në mënyrë të veçantë Lëvizja Vetëvendosje, po akuzohen për dëmtim të të ashtuquajturit “imazh të Kosovës”, për pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe për pengimin e proceseve integruese euro-atlantike.
E vërteta është se dhuna e mashtrimit, e prodhuar nga qeveria në pushtet, dje dhe sot, ishte tejet brutale për të qenë e padukshme, prandaj edhe e pafajshme. Asaj do t’i duhen tri vjet kohë për ta ndryshuar trajtën e vet me qëllim që ta maskojë brutalitetin e karakterit dhunues që ajo përmban. Vetëm përmes mashtrimit ajo do të mund të prodhojë histori, siç është historia e hapjes së “mundësive të pafundme” për mirëqenie (mirëqenia përmes liberalizimit të vizave (!) të gjithë popullit të Kosovës.
Nëse dikush vazhdimisht ju gënjen, thotë Arendt, qëllimi nuk është që t’i besoni gënjeshtrës, por që askush të mos besojë në asgjë. Një popull që nuk mund të besojë në asgjë, nuk mund të vendosë drejt. Atij nuk i kufizohen vetëm kapacitetet për të vepruar, por edhe kapacitetet për të menduar e gjykuar.
Mosinformimi është moment i mashtrimit, por jo edhe e “tëra” e realitetit të tij. E tëra e realitetit të mashtrimit nuk është Ligji i Demarkacionit. As rezultati përfundimtar i Ligjit të Demarkacionit nuk e përbën tërësinë e realitetit të mashtrimit. Ligji i Demarkacionit, i cili do të pasohet me Marrëveshjen e Zajednicës, janë momente që e shpërfaqin procesin e formimit të të tërës së realitetit të mashtrimit. Të dyja janë tendenca të shfaqjes së realitetit të mashtrimit për ta bërë të pranueshëm përmbajtjen e rezultatit përfundimtar të dhunës së mashtrimit. Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, i hedhur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! ishte negacioni i qenies mashtruese të politikës që i kundërvihet totalitetit të realitetit të bërjes së Vetes sonë. Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës si kundërshtim i ratifikimit të Ligjit të Demarkacionit është shfaqja e antagonizmit më të thellë midis qenies mashtruese (hiçit) të politikës, e cila politikëbërjen e sheh të mundshme vetëm përmes përjashtimi të Vetes sonë, dhe qenies së politikës, e cila, duke e kundërshtuar hiçin e politikës, e afirmon qenien për Veten tonë. Antagonizmi mes këtyre dy entiteteve,, nuk është i natyrës mekanike, i cili, për shembull (siç mendojnë disa shkurtpamës) mund të përfundojë me burgosjen e disa deputetëve, apo edhe me shuarjen e Lëvizjes Vetëvendosje! Ky antagonizëm është energjia lëvizëse e totalitetit të realitetit të Vetëbërjes, në dhe përmes të cilit Vetja jonë kolektive, me dimensionin e të djeshmes dhe të ardhmes së saj, e afirmon identitetin e vet.
Qenia mashtruese (hiçi) e politikës, burgosjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje! do të përpiqet që – ashtu siç ka ndodhur që nga 10 Shkurti i 2007-tës e deri tani – ta paraqesë si veprim emancipues e çlirues që i shërben Vetëbërjes së identitetit tonë kolektiv. Pas betejash të paskrupullta mediatike – jo vetëm pas lufte, por edhe para luftës, e sidomos nga fillimi i viteve ’90 – ndaj të gjitha atyre që përmes flijimit e vetëflijimit në qendër e vendosnin idenë për Veten, si subjekt veprues dhe realizues të lirisë (duke përfshirë këtu edhe UÇK-në), nuk është e çuditshme, që në vazhdën e kësaj tradite denigrimi, do të ketë shumë nga ata që do t’i gëzohen burgosjes, mbase edhe më shumë shqiptimeve eventuale të dënimeve të rënda ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për aktet e tyre “terroriste” në seancat e Kuvendit të Kosovës. Dënimet e tyre për shumë kë mbase do të perceptohen si liri për ta. (Ama liri skllavi!) Më 1998, pas ofensivës së dytë, në Prishtinë, disa të ashtuquajtur “intelektualë e shkencëtarë atdhetarë institucionalistë”, ia uronin njëri-tjetrit rënien e Junikut. Ata e shprehnin entuziazmin e tyre, sepse vetëm ashtu, duke u shuar lufta e UÇK-së, sipas tyre, do të krijoheshin mundësitë për veprimin e forcave “paqësore”, “institucionaliste” e “demokratike”, që kanë ardhë në pushtet me votën e lirë të qytetarëve, pas bombardimit nga forcat policore e ushtarake serbe të Prekazit dhe pas vrasjes së familjes Jasharaj! (Ata që organizuan zgjedhjet e lira nën krismat e topave e të tanksave të ushtrisë serbe – zgjedhje këto të cilat s’ishin gjë tjetër pos plebishit-përpjekje distancimi kundër rezistencës dhe flijimit të Jasharajve – sot na thonë se lufta e Jasharajve ishte veprim komplementar, aneks i “rezistencës paqësore”, “demokratike” etj., etj. (!). Në mesin e tyre kishte edhe nga këta deputetët e sotëm që në Kuvendin e Kosovës folën me patos për të drejtën e lirisë së lëvizjes së qytetarëve, qoftë edhe me kushtin e humbjes së territorit, deputetë këta të cilët, në kohën e luftës së UÇK-së, e parashihnin dhe e pritnin fundin e shpejtë edhe të rezistencës së fundit të “hajvanit e banditit” Ramush Haradinaj me grupin e mbetur rreth tij jo me më shumë se 57-60 veta. Ramush Haradinaj do të mbijetojë, sepse ai ishte autentikja e Vetës sonë të ndrydhur për shumë kohë, por që tani ajo ishte shfaqur. Kjo Vete nuk do të mund të kthehej në guacën e ndrydhjes. Ajo duhej të realizohej. Kosova e Rezolutës 1244 është negacioni i Vetes sonë të materializuar në Ramushin e Jabllanicës me 57-60 “hajvanët dhe banditët” e tij. Lëvizja Vetëvendosje!, e shfaqur në fillim të viteve 2000, do të jetë negacioni i negacionit: negacioni i Rezolutës 1244 që e pamundësonte realizimin e Vetes sonë.
Autenticiteti i Vetes sonë tashmë nuk është më vetëm brenda kufijve të Lëvizjes Vetëvendosjes! Ajo është përtej saj dhe përtej hapësirës sonë vendore e kohore. Vetëvendosja nuk mund të paralizohet as me penalizime mediatike të tipit të Burat Buzhalëve, e as me penalizime politike e juridike. Vetëvendosja mund të “paralizohet” nga aksioni i saj kur asaj do t’i mungojë materiali i punës, i cili është ushqim i ekzistencës së saj: kur Kosova në qendër do ta vendosë Veten, si subjekt veprues dhe garantues të prosperitetit. Nuk mund të ketë prosperiteti duke e përjashtuar Veten. Aq më tepër kur ky përjashtim bëhet përmes dhunës së mashtrimit. Vetja është shkaku dhe qëllimi i prosperitetit. Akuzat mediatike, politike e juridike kundër deputetëve të Vetëvendosjes, vetëm sa do ta rrisin vëllimin e materialit të punës, e me këtë edhe të ekzistencës së Vetëvendosjes! Për këtë arsye, Ju që sot i gëzoheni dhunës politike e juridike, si rrjedhojë e mosrealizimit të dhunës së mashtrimit; ju që sot i gëzoheni burgosjes dhe dënimeve eventuale të deputetëve të Vetëvendosjes, nesër nuk duhet të çuditeni kur edhe fëmijët tuaj do të bëhen Vetëvendosje, pavarësisht se a do të ekzistojë Vetëvendosja! e Albin Kurtit. Me sjelljen tuaj, fatkeqësisht, Ju jeni duke prodhuar material të pafund pune për bijat dhe bijtë tuaj!
Demarkacioni dhe Vetëmashtrimi
***
DEMARKACIONI DHE VETMASHTRIMI!
Ligji për Demarkacionin, me 80 vota të grumbulluar pas 3 vite argumentimesh, mashtrimesh, joshjes, falsifikimesh, kërcënimesh, burgosjesh e dënimesh, u aprovua me arsyetimin se në të është përfshirë një mundësi e mirë për korrigjimin e Marrëveshjes së arritur në Vjenë më 2015: Aneksmarrëveshja Thaçi-Vujanoviç. Prej ligjvënësve na u tha se kjo mundësi është juridike dhe morale-politike. Vlerësimi për mundësitë juridike për “korrigjim” që ofron Aneksmarrëveshja Thaçi-Vujanoviç, në mënyrë alegorike mund të formulohet kështu: Aneksmarrëveshja Thaçi-Vujanoviç, e pranuar me entuziazëm nga Ramush Haradinaj, ofron aq mundësi për përmirësimin e “gabimeve” të Marrëveshjes së arritur me 2015, aq sa tapitë e kohës së sulltan Abdyl Hamitit të I (që sot mund t’i kenë pasardhësit e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë para 150 vitesh) mund të shërbejnë si të dhëna juridike e politike për kthimin e tokave të pushtuara të Sanxhakut, të Nishit, të Toplicës nga Serbia dhe futjen e tyre nën sovranitetin e Kosovës së sotme. Kaq për aspektin juridik!
Aneskmarrëveshja, nga politikanët optimistë, thuhet se duhet parë si mundësi politike e morale për korrigjim të Marrëveshjes së Vjenës së 2015-tës.
Çështja është: kush mund ta shfrytëzoj këtë mundësi?
Mundësitë janë mundësi vetëm për subjektet që janë të ndërgjegjshëm për mundësit e veta si subjekte vepruese. Vetë Marrëveshja për Demarkacionin së bashku me Zajednicën janë produkte politike të një klase politike të desubkjektivizuar. Vetëm një subjekt që i është nënshtruar procesit të desubjektivizimit mund të entuziazmohet nga ndjenja e vetëmashtrimit, ashtu siç ajo u manifestua në shpërthimet ekzaltuese të disa deputetëve në sallën e Kuvendit të Kosovës pas aprovimit të Ligjit për Demarkacionin.
Duke e shkatërruar hapësirën ndarëse mes vetes si subjekt dhe jashtësisë së tij, si objekt, subjekti i desubjektivizuar entuziazmohet, sepse beson se i mashtruari nuk është vetja e tij, por jashtësia e tij (në jashtësi këtu hynë edhe populli).
– Si mund t’i besohet të desubjektivizuarit, i cili subjektivitetin e vet e ndërton përmes vetëmashtrimit?
– A mund të jetë garantues i kësaj mundësie politike (që përmbaka Aneksmarrëveshja) klasa politike, e cila, tash e gati njëzet vite, i ka tjetërsuar dhe shpërfytyruar të gjitha mundësitë që kishte Kosova e pasluftës për të qenë vërtetë shtet sovran, i pavarur, demokratik, me ekonomi të konsoliduar, me institucione të konsoliduar e me ushtri të veten?
– Si mund të mendohet që garantues për përdorimin e një mundësie të tillë do të jetë një klasë politike, e cila në luftë e UÇK-së hynë si subjekt, sepse përmes veprimit ka vendosur ta shfaqë dhe aktualizojë veten përballë Tjetrit, dhe pas luftës veten e shndërron një objekt interpretimi të Rezolutës 1244?
– Si mund të mendohet që garantues për përdorimin e një mundësie të tillë do të jetë një klasë politike, e cila edhe mbështetjen kapitale të miqve: mbështetjen ushtarake; duke u korruptuar e ka kthyer në disafantazh të vetin: në vend se të ngritë Aktakuza kundër Serbisë për gjenocid që ajo ka ushtruar në Kosovë, ngritë gishtat për të aprovuar themelimin e Gjykatës Speciale për ndjekje dhe ndëshkimin e Vetes – për krimet e supozuara të UÇK-së?
– Në vend se, me sjelljen e vetë politike, morale dhe diturore, Serbinë, si humbëse, ta bëj ta ndjejë veten të turpëruar aq sa të mos mund t’i hedhë më sytë kah Kosova, me sjelljen e vet përulëse, nënshtruese, klasa jonë politike do ta bëjë rehabilitimin e gjendjes morale të rrënuar të Serbisë pas tërheqjes së trupave ushtarake të saj nga Kosova.
– Si mund të mendohet në mundësinë për korrigjim nga një klasë politike e cila vendimin afirmues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e “shfrytëzon” për ta kthyer atë në simbol të “flluskës së borës”?
– Si mund të besohet në mundësinë për korrigjim nga një klasë politike që, në emër të shpalljes së Pavarësisë të Kosovës, me argumentin e diskriminimit pozitiv, e pranon Planin e Ahtisarit i cili minoritetin serbë në Kosovë (e përmes tyre Serbisë), e pajis me fuqi të ushtrimit të sovranitetit mbi Kosovën (p.sh. pa vendimin e Listës Serbe Kuvendi i Kosovës s’mund të nxjerrë Ligj për themelimin e Ushtrisë së Kosovës).
Subjekti i desubjektivizuar vetëm mund të jetë subjekt i vetëmashtrimit. Vetëmashtrimi është gur në qafë që njeriu i ve vetës për ta ndalur rriten dhe bërjen e vetes.
Unë nuk jam aq trim sa për të vdekur për ca “shkurre e gur stralli Rugove”. Por, jam aq i vetëdijshëm sa të mos e lejojë rënin e vetes sime nën nivelin e përgjegjësisë morale e intelektuale për t’u vetëmashtruar, e aq më pak për t’u mashtruar nga “fëmijët e vegjël” që u pëlqen të mashtrohen vetëm e vetëm që të mos përballen me akthin që u shkakton vetëdija e të qenit të rritur. Është dhunë t’u kërkosh të rriturve të vetëmashtrohen!
Postime të Lidhura
FAHRI DAHRI: KOHA PËR MË SHUMË PËRGJEGJSHMËRI KOMBËTARE
Itali, 16 prill 2018: I Isha duke parë një dokumentar me pamje nga xhungla, ku lëviznin të veçuara…
GJOKË DABAJ: KU PO E ÇON VETEN NJERIU I SOTËM, PA LIBËR?!
Tiranë, 16 prill 2018: (Thirrje për një neoracionalizëm) – Jam shumë i shqetësuar! Jam mirëfilli i alarmuar lidhur…
ALI ALIU – KELMENDI: PARATHËNIE PËR LIBRIN ‘KOHA E RIBËRJES’ TË AUTORIT ISMET HAJRULLAHU
Pashtriku.org, 17 prill 2018: Në përmbledhjen e shkrimeve te Ismet Hajrullahut “Koha e ribërjes” janë përfshirë artikuj të…
DRITAN HILA: ÇFARË ËSHTË ATDHEU
Tiranë, 3. 12. 2016: Atdheu është një copë tokë ku disa njerëz flasin të njejtën gjuhë që flet…
Wow, incredible weblog layout! How lengthy have you ever been blogging for?
you made blogging look easy. The overall look of your site
is fantastic, as well as the content material!
You can see similar: dobry sklep
and here najlepszy sklep