ELIFE PODVORICA – JASHARI: VISAR, DJALI IM – URIME DITËLINDJEN!

Prishtinë, 2 qershor 2017: Po e nis këtë letër,e bashkë me te edhe një udhëtim të gjatë 25 vjetësh, që nga momenti i nisjes tënde për në këtë botë, e gjer në ditën e Ditëlindjes tënde! Më katër qershor ti do ti mbushësh 25 vjet dhe meq është një vit jubilar për ty , vendosa që në këtë formë, të ta uroj këtë ditë të shënuar e domethënëse për jetën tënde dhe tonën si familje!
Nuk di a do t’ia dal,sepse në rrugëtimin tonë ka aq shumë ngjarje të cilat i kanë dy anët e tyre shumë të theksuara; dhe nuk jam e sigurt sa mund t’i përballoj ato tërmete emocionale,që do të mi shkaktojë evokuimi i kujtimeve të këtyre 25 vjetëve! Sepse, çdo ngjarje e gëzuar në jetë, ka edhe anën tjetër që e mbështjellë padashje me një tis dhimbjeje!
***

Ishte fillimi i viteve “90-ta dhe për ne shqiptarët kudo që ishim të shpërndarë nëpër botë, largë atdheut tonë, ishte një periudhë ku kaosi i ndryshimit të sistemeve të vendosura për 50 vjet, kishte marrë hovin e vet! Për disa popuj ishte më e lehtë, ndërsa për disa të tjerë, ishte si një film i tmerruar që nuk u besoje as syve dhe as veshëve se ç’po ndodhëte! Në këtë grupin e dytë, bënim pjesë ne shqiptarët! Largimi i dy prindërve të tu nga Prishtina e tyre, ishte shumë i dhimbshëm dhe mundues! Duhej t’ia filloje jetës nga zeroja, në një vend ku pavarësisht trubullimeve të vockëla politike, ishte gjithëçka në vendin e vet! Mundimi ishte, se ne nuk ishim të këtij “vendi” dhe rregulli, por ngadal duhej të bëheshim pjesë e tij! Dhe, u bëmë! Ashtu që erdhi edhe momenti kur kuptuam se …..
“Fantek” (djalë) – ishte fjala që unë e prisja me drithërimë në shpirtë qe sa kohë! Nuk do ta harrojë kurrë atë moment kur mjekja ime gjinekologe, më kumtoi lajmin se unë kisha një djalë që po e prisja në jetë! Nuk do ta harroj kurrë atë lëvizje buzësh që ajo e bëri pa ndonjë emocion të madhë! Por, kur e ngriti shikimin dhe më pa fytyrën time të skuqur dhe njëkohësisht që shndëriste nga gëzimi, e kuptoi sa e rëndësishme ishte ajo fjalë për mua! Dhe jo pse isha shqiptare, siç ajo mendoi menjëherë se ne shqiptarët i duam vetëm lindjet e djemëve, por thjeshtë sepse unë patjetër doja, që fëmiu im i dytë të ishte një djalë, dhe unë të isha e ëma e një djali! Mjekes sime ia sqarova pak a shumë pse ne shqiptarët i duam djemtë shumë! I tregova se ne kemi pasur një histori shumë të mundimshme, sepse kemi pasur fatin që si popull të kemi fqinjë që tërë kohën janë munduar të na zhdukin si racë njerëzore, dhe humbja e meshkujve gjithnjë ka rrezikuar çfarosjen tonë si komb! Nuk di sa i bëri asaj përshtypje ky detaj, por kur i thash se edhe ju gëzoheni shumë kur ju lind një djalë, pohoi e buzëqeshur! Dhe për këtë e kishin një arsye kogja të madhe!
U ktheva në banesë në “Palmejeva” në lagjen ku jetonim në Lubjanë e lumtur si kurrë më parë në jetën time! Nuk kisha kujt t’ia kumtoja këtë lajm aq të gëzuar! Babi nuk ishte në shtëpi, Arta ishte ne çerdhe!
”Fantek”! – thashe plot gezim!Ishte kjo një fjalë që babit i mveshën sytë e tij dy sumbulla lotësh sikur të ishin të mbira në cepat e syve të tij , në momentin që po hynte brenda në banesë! U gëzua pa masë dhe më përqafoi!”Ja që dëshira tu plotësua më në fund”!- më tha!
Derisa po afrohej dita e parashikuar e lindjes tënde, një javë më parë, mami kishte një koncert shumë të rëndësishëm në Filharmoninë e Lubjanës me një dirigjent të njohur austriak, i cili bëri një punë të palodhshme dhjetë ditëshe me ne! Unë kisha partet më të vështira të solove për sopranin! I arrija lartësitë e tingujve pa kurrëfarë problemi, pikërisht pse isha në ditët e fundit të lindjes tënde! Në mbrëmjen kur u mbajtë koncerti, në mesin e publikut, ishin edhe disa shqiptarë të tjerë që jetonin e vepronin në qytetin e Lubjanës njësoj sikur edhe unë dhe babi! Dirigjenti kur përfundoi koncerti, në shenjë mirënjohjeje ndaj këndimit tim, më mori veçmas nga solistët tjerë dhe më qiti në skenë duke më apllauzuar edhe ai vet! Ishte një person shumë i rreptë e kritikues gjatë punës dhe provave me te, dhe ky gjest i mahniti të gjithë-kolegët e mij dhe publikun gjithashtu! Unë, natyrishtë se u lumturova shumë! Përveç që isha një shqiptare, brënda meje kisha dhe djalin tim, i cili gjatë nëntë muajve kishte qenë pjesë e të gjitha aktiviteteve të mija koncertale!
Erdhi dita e lindjes! Ishte ditë e enjte, dhe për fat të mirë, babi atë pasdite qëlloi në shtëpi! Nëse nuk do të qëllonte në shtëpi, atëherë, gjyshja e Samos më kishte porositur sa herë ato ditë, që nëse do të isha vetëm në ato momente, ta thërrisja ate, sepse ajo kurdoqoftë do të më dërgonte në spitalin e lindjes dhe për Artën do të kujdesej ajo! Ishte kogja shlirim për mua, sepse ishim shumë të vetmuar, dhe të gjithë ata njerëz të njofshëm që kishim, kishin punët dhe obligimet e veta! Edhe Marijani me Irenën, gruan e tij, më kishte premtuar se po të ishte i lirë do të më dërgonte deri në spital!

– Visar Jashari –

Më dërgoi babi-njeriu më i “përshtatshëm” për këtë mision! Ai më dorëzoi në repartin e lindjes dhe u kthye menjëherë në shtëpi, sepse Arta kishte mbetur vetëm! Ishte pasdite ora katër! Tri orë isha veç vetëm me peripetitë e lindjes! Tek në minutat e fundit para se ti të dilje në dritë, erdhi një motër e imët me trup, që të më ndihmonte, dhe vetëm kur e rroku paniku se nuk do të mund të ia dilte e vetme, i thirri dhe dy kolege të sajat! Kështu, pesë minuta para orës 19h, ti erdhe në këtë botë me zërin tënd të thekshëm, por që mua më gëzoi pa masë! Janë këto çaste që secila nënë që i ka përjetuar, më kupton fortë mirë se çfarë dua të them!
Pas dy ditësh, babi me Artën erdhën të më shpinin në banesë! Nuk do t’i harrojë kurrë ato momente kur erdha në banesë dhe nuk kisha me kë ta ndaja gjithë atë gëzim! Gjyshja e Samos ishte përkujdesur që të më gatuante një supë që të kisha me çka të qilja gojën si lehoni që isha! Ajo, për dy muaj të plotë, erdhi për çdo mëngjes, e mori Artën bashkë me Samon dhe i qiste në shëti për t’ia lehtësuar Artës sadopak momentet kur mami nuk kishte mundësi as të kthente kokën nga ajo, sepse nga vapa e qershorit, ti qaje shumë dhe nuk rehatoheshe tërë ditën! Mami rropatej kështu me orë të tëra e vetme me ty, gjersa kthehej babi në shtëpi nga obligimet e tija të shumta! Sepse, ai duhej të përkujdesej për ne të tre, si dhe për gjithë famijen e tij në Kosovë, sepse ishin që të gjithë të dëbuar nga vendet e punës që kishin pasur!
Nejse… Të gjitha peripetitë harroheshin, sepse unë po rrisja djalin tim! Bile atë vit sa isha në pushimin e lindjes, shkoja tek një profesor argjentinas, (- profesor M.Bajuk), por me prejardhje sllovene dhe mbaja orë private të këndimit! Në atë kohë kisha përshtatur një ninull të Mozartit në gjuhën shqipe nga origjinali i saj gjermanisht, dhe personazhi i ninullës ishe ti me flokun e bardhë, që hëna të puthte me rrezen e saj të argjend! Këtë ninull, e kishte kënduar nxënësja ime Katerina pas disa vitesh, atëherë kur kisha filluar të mësoja lëndën e Kantos në Cerknicë!
Zaten, ideja për këtë letër, erdhi në momentin kur e mora vesh se ti për Ditëlindjen tënde, doje të shkoje në Cerknicë, në vendin në të cilin ti kishe bërë hapat e tu të parë të jetës! Aty ku mami për çdo pasdite të qiste në shëti me biçikletë rrugës gjarpërore midis fushave të gjelbëruara për tek Liqeni! Aty nise dhe fjalët e para të gërmëzoje! Por, kur erdhi momenti që duhej të vendosnim të të dërgonim në kopësht, apo të mbanim në shtëpi, një edukatore e çerdhes në të cilën kishte ndejtur Arta për dy vjetë me radhë, më kishte këshilluar që nëse doni që djali juaj në të ardhmen e tij të flas shumë gjuhë të ndryshme,duhet të keni durim dhe të prisni që ai të flas gjuhën e vet amtare! Mësuese Mojca, na kishte këshilluar kështu dhe ne kështu morrëm edhe vendimin: që mami të ndalej nga puna at vit, dhe të priste gjersa ti të flisje me elokuencë gjuhën shqipe! Të gjithë, edhe kolegët, edhe gjyshja e Samos, dhe të gjithë shqiptarët që i njihnim u çuditën fortë me këtë vendim tonin! Nuk mund ta akceptonin se si ne midis Sllovenije, luftonim që djali ynë njëherë të mësonte rrjedhshëm gjuhën amtare, pastaj ta dërgonim të socializohej me rrethin dhe gjuhën vendëse!
Por, ne Visar, atë vit u kënaqëm shumë! Mamin e kishe në dispozicion tërë ditën dhe bënim shumë shëti nëpër parqet e Lubjanës, në Tivoli park!, në Shmarna Gora, në shpellën e Postojnës, në Portorozh-bregdetin e tyre, në Trieshtë për të blerë gjësende, sepse ishin më lirë se sa në Lubjanë! Shkonim edhe nëpër koncertet e shumta të babit, të cilat i kishte herë me orkestër, e herë me koret e ndryshme! Shkonim edhe nëpër koncertet kur Arta prezantohej në shkollën e muzikës, në instrumentin e pianos!
Kur vendosëm të jetonim në Cerknicë, për shkak se ambienti për të rritur fëmijët ishte shumë më i këndëshëm se sa ai në Lubjanë,aty bëre ca vite, dhe fillove të shkoje edhe ti nëpër aktivitete të ndryshme! Në ushtrimet e karatesë! Në grupin e fillestarëve si ty, kishte qëlluar edhe T.Habe, njëri ndër piktorët sllovenë që kishte bërë famë ndërkombëtare me pikturat e tija! Edhe ne kemi një pikturë të tijën! Jo se na e mbante xhepi që ta blinim, sepse kushtonin me dhjetëra mija euro, por se ai në shenjë falenderimi ndaj punë së suksesshme të babit me orkestrën e tyre frymore, ia dhuroi si dhuratë! Ishte një nder i veçantë që iu bë babit, natën e Kërshëndellave ku para tre mijë vetave po mbahej koncerti, dirigjent i së cilës ishte babi yt! Ishit edhe ju të dytë prezent në sallë dhe u gëzuat pa masë, kur edhe mami juaj mori një shpërblim të madh! Jo nga slloventë, por nga një biznesmen shqiptar, i cili kishte ardhur të shikonte koncertin! Para kolegëve të tij biznesmen ndërkombëtar, ai ishte ndier tepër krenar që në një skenë sllovene,ishin bashkë burrë e grua shqiptar! Për këtë, ai mamit i dhuroi një shumë të madhe parash, me të cilën kishin mbetur gojëhapur të gjithë edhe sllovenët edhe prindërit tu! Kjo shumë të hollash,ishte edhe baza e parë kur ne nisëm të qilnim pak sytë materialisht dhe filluam të bënim ndonjë plan për të ardhmen tonë!
Dhe plani ynë ishte që në momentin e parë të ktheheshim në Kosovë! Jo se nuk ishim shumë të famshëm në Slloveni dhe nuk kishim arritur një standard të lakmueshëm jetese, por e gjithë gjenerata jonë, që ishim larguar me dhunë nga Atdheu ynë, prisnim momentin e parë që të ktheheshim atje! Sidomos, tani që me eksperiencat e shumta profesionale, mund të jipnim kontributin tonë në vendin tonë! Ashtu edhe bëmë! Në ditët e para që u krye lufta në Kosovë, mami me ju të dyve u kthye! Erdhëm deri në Strugë me aeroplan, e prej aty me autobus të refugjatëve! Mua, ma kishin mbytur vëllaun gjatë luftës, dhe isha shumë e mërzitur e mezi prisja ta takoja familjen time të rrënuar nga lufta! Momentin kur e kam kuptuar humbjen e dajës tënd përmes telefonit, këtyre viteve ma ke përkujtuar ti një ditë në revoltë e sipër ”mendon se e kam harruar momentin kur ti je përplasur nga fotelja në tokë si e pajetë”! Ishte kjo një fjali e jotja që më pat ngrirë gjakun në trup, sepse ishte hera e parë që dikush prej ju të treve ma keni komentuar mënyrën e reagimit tim në ato çaste. Dhe u ndjeva tepër keq Visar para teje, sepse mu dhimbse në shpirtë që ti ishe pjesë e asaj skene të dhimbshme dhe të paharruar! Tërë atë kohë sa zhvillohej lufta në Kosovë, duhej të të blinim sa më shumë lodra ushtarësh, që ti të kesh sa më shumë ushtarë amerikanë dhe shqiptar në njërën anë, dhe në anën tjëtër të frontit, ushtarë sërb dhe rus! Natyrisht, pas “peripetive” të shumta dhe fushëbetejës së ashpër që zhvilloje midis tyre, amerikanët dhe shqiptarët ishin gjithnjë ngadhnjyesit e luftës! Edhe atëherë kur pa frymë dëgjonim lajmet nga lufta në Kosovë, edhe atëherë kur mami bënte me qindra telefonata me familjartë dhe të njohurit në Kosovë, ti ishe pjesëmarrës aktiv, duke më bërë pyetje të panumërta se si qëndronte punë atje! Dhe ti tregoja të gjitha, asgjë nuk të fshihja! Andaj, kur u kthyem në Kosovë, edhe kur shihje shtëpitë që ende digjeshin, me tymin që ngjitej qiellit si lugat pa oxhak, edhe kur shihje kaos ngado, nuk çuditeshe shumë!Por jo që e pranove me entuziazëm këtë realitet edhe pse ishe vetëm shtat vjeç! Në këtë moshë ti kishe ndjenja, që tani në këtë distancë kohore, mbetem pa frymë, se si një çun shtatëvjeçar ka reaguar ashtu! Para Yllit, asnjëherë nuk u habisje që babin tëndë ta thërrisje “Baba”,sepse nuk doje që ai të mërzitej! Ti mërziteshe aq shumë pse Ylli e kishte humbur babin e tij gjatë atyre muajëve të luftës! Edhe kur u rrite dhe u bëre student shumë i vyeshëm, në esetë tua më të mirat, ti personazh pate atë kohë lufte, duke përfshirë aty gjyshin e dajëve dhe peripetitë e tij 36 orëshe kur kishte rënë në pritën e paramilitarëve! Asnjëherë ti nuk harrove për dhimbjen e thellë që ishte bërë tek dajt e tu! Ishe dëshmitar i gjithë asaj dhimbjeje që ishte krijuar në njerëz me humbjen e më të dashurve të tyre! Për çdo ditë, shihje “live’ nënat e shumta që dilnin të kërkonin bijtë e zhdukur gjatë luftës e që nuk u dinin as varret ku i kanë!
Ishte një vit ky dhe një kthim në një realitet tjetër prej atij që ishe rritur për këtë kohë, që do të lë gjurmët e tija për shumë vite tek ti!
Dita kur të qova në shkollë (në shkollën “Hasan Prishtina”), nuk do të harrohet për mua deri në frymën time të fundit! Në çastet sa po ngjitje shkallët për në katin e dytë aty ku e kishe klasën, unë në çdo hap tëndin, unë nga thëllësia e qenies sime të uroja – ”paç fat, paç fat djali jem”! Nuk do ta harrojë kurrë këtë ditë, sepse dëshira jonë që djali ynë të niste shkollën në vendin e tij, ishte që nga momenti kur ti kishe lindur! Bile, një ditë kur unë isha lutur aq shumë që a ishte e mundur që në jetë Zoti të më plotësonte këtë dëshirë, isha aq shumë skeptike! Sepse, ishte një kohë ajo kur çdo gjë e tmerrshme po parashihej për Kosovën dhe popullin e saj! Dhe momenti që unë po përjetoja në hapat e tu, më dukej një mrekulli e llojit të vet! Isha nëna më e lumtur në botë teksa po të ndiqja gjer në momentin kur hyre në klasë dhe më humbe nga sytë , të cilët ishin mbushur me sumbulla lotësh gëzimi e dhimbjeje!
Gjatë viteve, të ndërruam disa herë shkollën, bashkë me vendbanimet tona! Nuk kishim fuqi financiare të blinim një shtëpi tonën, andaj shëtiteshim nga njëra lagje, në tjetrën, deri në momentin kur me peripeti të mëdha arritëm të vendoseshim nën kulmin tonë! Ishte gëzim i madh ky për të gjithë ne! Në asnjë moment të vështirë tonin, shkollimin tuaj nuk e kemi vënë në pikpyetje, që ai të jetë prioritet mbi prioritetet! Andaj të dërguam në ato shkolla ku ti ndjeheshe më së miri! Edhe në Fakultet! Por, studimet tua, njohuritë që ti i mirrje me shumë vullnet dhe entuziazëm të veçantë, nuk të lejonin që të kënaqeshe me aq sa të afronin Institucionet shkollore! Dhe duke u rritur u bërëe më i vëtdijshëm për realitetin që të rrethonte dhe mangësitë e tij, ti rezultoje çdo herë e më i paknaqur! Aq shumë, sa dy vitet e fundit, fillove me të madhe të më kritkoje për vendimin tim që të ktheheshim nga Sllovenija, e sidomos për mos marrjen e nënshtetësisë sllovene nga ana ime, atëherë kur unë isha e ftuar që të shkoja në Slloveni dhe të mirrja pashaportën e tyre! Ishe përgatitur aq mirë me dije të shumta, sa që ato këtu tek ne nuk vinin askund në shprehje! Shpëtimin për këtë e shihje diku nëpër vendet perëndimore! Jo se ti nuk e doje vëndin e njerëzit e tu! Sepse dashurinë ndaj këtyre të dyjave, ishim munduar të ta kultivonim duke të shëtitur cep më cep trojeve shqiptare, andej e këndëj kufirit!
Për babin, do të jetë i pashlyeshëm momenti kur duke diskutuar me ciceronin e Kështjellës së Krujës, në një moment e kishe kundërshtuar ate duke ia përmendur me saktësi numrin e ushtarëve të Skëndërbeut në një betejë të tijën me turqit dhe humbjen marramendëse të tyre nga ana e kryetrimit tonë! Dhe aq shumë ishe mrekulluar me bukuritë magjepsëse të relievit shqiptar dhe me historinë e lavdishme të popullit shqiptar, sa që kur ishe në Slloveni në një kurs studimesh prej tre muajsh dhe kur kishe shkuar në vizitë në Venecia, kishe thënë bindshëm, se asgjë me bukuritë shqiptare nuk krahasohet! Ishte kjo një kënaqësi e madhe për ne si prindër që të dëgjonim djalin tonë të kishte arrirë një konkludim të tillë!
Në Ditëlindjen e njëzet, ta pata blerë tërë opusin e veprave të I.Kadaresë që sapo ishte botuar atyre ditëve! E prisja me padurim momentin kur do të hyje në dhomën tënde, dhe do të gjeje aty të mbështjellur gjithë kompletin e librave të tij! Dhe nuk do ta harrojë kënaqësinë tënde, kur i pe librat të mbështjellura me kujdes mbi tavolinën e punës tënde! Për tërë at vit, i pate lexuar gati të gjitha dhe me mahnitje e admirim të madh, mi interpretoje të gjitha ato, për ngjarjet që shtjelloheshin aty, e sidomos për stilin e veçantë të të shkruarit të tyre!
Por, kjo nuk ishte e mjaftuar për ty! Ti kishe aspirata të arrije shumë më tepër në jetë! Andaj për studimet e mëtutjeshme u angazhove me shumë zell që të fitoje të drejtën të dilje në Gjermani për studimet tua master! Pritja nëpër ambasada që të fitoje vizën studentore, ishte një ndjesi tepër e keqe për mua dhe një mundim që më bënte të ndihesha aq keq që djali im duhej të përjetonte padrejtësitë që po i bëheshin njeriut shqiptar për mos mundësinë e lëvizjes së tij të lirshme aty ku ai pretendonte! Ky fakt sa vinte e ta rriste revoltën për paaftësinë e politikanëve tanë që këtë problem ta rregullonin më shpejtë, ashtu siç kishin bërë homologët e tyre nëpër rajon! Nuk pajtoheshe kurrësesi me faktin se si populli sërb me gjithë krimet dhe duart e përgjakura të tij, kishte arritur që pa asnjë problem të siguronte lëvizjen e lirë për të rinjtë e saj nëpër Europë! Nuk pajtoheshe kurrësesi, se si Europa shqiptarëve u kishte qitur kusht demarkacionin me Malin e Zi! Revoltoheshe sa herë i dëgjoje këto gjëra nëpër lajmet vendore! Klithje e thërrisje se pse historianët tanë bënin sehirë e nuk angazhoheshin që edhe ata të kërkonin “demarkacionin’ e tokave që na i kishin shkëputur ndër vite! Hyje e lexoje pjesë nga historia e viteve kur të gjitha trojet shqiptare kishin qenë të bashkuara nën të njëjtit kufinjë dhe mundoheshe që disi të jipje kontributin tënd ,duke ua qitur në mend europianëve se ne jemi europianët e parë në këtë Gadishull, andaj kjo që po i bëhet popullit shqiptar në shekullin e XXI, është e pafalshme për diplomacinë europiane në të ardhmen e saj! Bëre disa shkrime me këtë temë në gjuhën angleze, në mënyrë që këtë ta lexonin ata që po e bënin këtë padrejtësi!
… Në ndërkohë gjete edhe të dashurën tënde, të cilën e don dhe respekton me një dashuri të veçantë fisnike e të sinqertë! Edhe kjo është një kënaqësi e madhe për ne dy prindërit e tu, sepse takimi i shoqes së jetës, është poaq e rëndësishme sa vet jeta! Ti e do atë vetëm si njeri, por ne jemi të lumtur edhe për nje fakt tjetër që nusja jote është një zanë shqiptare! Liria e tepruar dhe transformimi i shoqërisë sonë, e bashkë me të edhe i familjes shqiptare, nuk është për ndonjë lavdatë me të cilën do të mund të krenoheshim! Andaj, kujdesi dhe respektimi i vullnetit të Zotit që ne të jemi shqiptar dhe të flasim shqip, duhet të jet prioritet i çdo të riu që jeten e tij e ka nisur diku ne një cep të botës!
Me këtë dëshirë në shpirtë, djali im po të uroj Ditëlindjen tënde të 25! Jeta është një dhuratë që nuk përseritet me, andaj shfrytezoje sa me bukur!
Gëzuar!

_______________________________________
Visar, urime ditëlindjen e 25’të, i gëzofsh edhe 100 të tjera!

Stafi i portalit pashtriku.org /

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura