ARBEN LLALLA: A FLET SHQIP MOZAIKU I MESAPLIKUT?!

Tetovë, 15. 12. 2012 – (“Vërtetë historia ka nevojë për dokumenta , por në raste të caktuar ka nevojë edhe për logjikë të thjeshtë”.) – Në këtë figurë kemi Mozaikun e Mesaplikut të Vlorës që daton rreth shekullit V-VI e.r, i cili është gjetur në rrënojat e kishës ortodokse të fshatit Shalës. Mozaiku është i lartë rreth 230 cm me gjerësi 249 cm i punuar me gurë të bardhë, të kuq dhe të zinj. Këtë Mozaik e gjejmë në disa libra të studiuesve shqiptar dhe të huaj që kanë shkruar për historinë e Pellazgëve dhe Ilirëve. Mozaiku i Mesaplikut është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Në Mozaik tregohet fytyra profile e një mashkulli me një kapele në kokë që ka një majë dhe dy kordhele nga mbrapa. Në kohërat e lashta këtë lloj kapele e mbanin profesorët dhe filozofët e mëdhenj. Përreth figurës së këtij burri gjenden pjata të mbushura me fruta dhe peshq. Ndërsa shikimi i këtij njeriu është i drejtuar tek një fjali e shkruar me shkronja të mëdha “A ΠΑR ΚΕ ΑC” (A PAR KE AC). Këto shkronja janë të alfabetit latin përveç shkronjës së dytë që është P e alfabetit grek.
Shumë studiues kanë mendime të ndryshme për kuptimin e kësaj fjalie. Ndër to do të përmend dr. Moikom Zeqon i cili shkruan për fjalinë në gazetën Koha Jonë 06/29/2001.“Kështu një mozaik polikrom i shekullit V me origjinë nga Mesapliku i Vlorës paraqet kokën në profil të një burri të ri me ikonografinë e një hermesi, me kapele në kokë dhe me një mbishkrim “Aparkeas”, emër i kouptuar i hyjnisë Abrakas, i hyut monoteist të sektit heretik të baziliteve, që ka konkuruar krishtërimin në cakun kohor. Mozaiku me figurën gnostike të Aparkeas Abrakasit është i rrallë në rrafsh evropian. Ky mozaik mbyll kështu një epokë të historisë së Ilirëve për të hapur epokën e historisë së shqiptareve”.

Mozaiku i Mesaplikut – i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

……………………………………………..

Ndërsa studiuesi grek me origjinë shqiptare Niko Stylos ka mendimin se fjalia është në gjuhën shqipe në kuptimin ,”A PAK KE T’AÇ” (Ha pak, ke të hash. A.Llalla).
Por në të vërtetë në ç’gjuhë është kjo fjali?!
Shpesh herë studiuesit e sotëm futen në mendime të thella për të kuptuar gjuhët e vjetra të njerëzimit. Ata përdorin metoda shkencore klasike për zbërthimin e gjuhëve të lashta dhe në të shumtën e rasteve gabojnë në zbërthimin e këtyre gjuhëve. Nuk duhet harruar se shpeshherë për të kuptuar botën e lashtë, gjuhët e njerëzve të antikës duhet të mendojmë dhe punojmë edhe me logjikën e thjeshtë. Sepse njerëzit në lashtësi mendonin dhe punonin me thjeshtësi. (Nga disa studime që kam bërë për gjuhën shqipe kam vërejtur se shumë studiues shqiptarë të gjuhës shqipe kanë bërë gabime në deklarimin e shumë fjalëve shqipe se gjoja kanë prejardhje nga greqishtja, sllavishtja etj. Unë kam gjetur disa fjalë që deklarohen të ardhura, por në të vërtetë ato janë fjalë të gjuhës shqipe që popujt e tjerë i kanë marrë nga ne. Këto gabime ndoshta janë bërë nga studiuesit tanë që nuk njohin mirë gjuhën shqipe dhe gjuhët e fqinjëve tanë. Është e vërtetë që ne sot nuk dimë fjalët e gjuhës shqipe që janë ruajtur nga malësorët shqiptar të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, arbëreshët e Italisë, Greqisë, Bullgarisë, Korsikës etj).
Në qoftë se i kthehemi mendimit të thjeshtë popullor për të kuptuar këtë fjali do të themi se fjalia e Mozaikut të Mesaplikut është në gjuhën shqipe. Unë këtë mendim e mbështes në disa kërkime që kam bërë lidhur me fjalinë e Mozaikut.
1. Arbëreshët e Italisë kanë një fjalë të urtë popullore ,”Ha për drekë, po lë për darkë”, po kështu një fjalë të këtij kuptimi e kanë edhe në qytetin e Skraparit në Shqipëri që thonë” ,”Ha sot, po mejto edhe për nesër”, edhe në Jug të Shqipërisë përdorin një fjalë popullore ,”Ha për drekë, por lër dhe për darkë”. Këto thënie popullore i gjejmë në librin FJALË TË URTA SHQIPE, botim i dytë I Rilindjes, Prishtinë 1987 faqe 193.
Prandaj nuk është e rastësishme që Jugu i Shqipërisë, zonë ku është gjetur Mozaiku i Mesaplikut të përdorin fjalën e urtë “Ha pak, që të kesh”. Si duket kjo fjalë e urtë popullore ka po të njëjtin kuptim me fjalinë që gjendet e shkruar në Mozaikun e Mesaplikut dhe është e logjikshme duke marrë parasysh evolimin e gjuhës shqipe të ketë pësuar ndryshim.
2. Shkronjat e fjalisë në Mozaik nuk janë të gjitha të alfabetit grek, por janë të alfabetit latin. Vetëm shkronja e parë e rreshtit të dytë është P, por me shkronja të alfabetit grek. Ndërsa shkronja e tretë, rreshti i dytë është RR e alfabetit Pellazgjik (shqip) sipas studiuesit gjerman J.G. Von Hahn në librin e tij “Shënime përmi shkrimin e vjetër Pellazgjit”.
3. Mendimi i prof. Moikom Zeqos nuk përputhet me shkronjës e fundit të rreshtit të fundit që në të vërtetë është C dhe jo S siç pretendon prof.Zeqo. Shkronja S në greqisht është Σ dhe shkronja ΤΣ në greqisht shqiptohet C.
4. Forma e shkrimit është një formë e veçantë e shkruar nga lart poshtë duke ruajtur të gjitha rregullat e drejtshkrimit që bëhet fjalë jo për një fjalë të vetme, por për katër fjalë sa dhe rreshta janë shkruar.
5. Në Mozaik tregohet fytyra profile e një mashkulli me një kapele në kokë që ka një majë dhe dy kordhele nga mbrapa. Në kohërat e lashta këtë lloj kapele i mbanin profesorët dhe filozofët e mëdhenj. Përreth figurës së këtij burri gjenden pjata të mbushura me fruta dhe peshq. Ndërsa shikimi i këtij njeriu është i drejtuar tek një fjali e shkruar me shkronja të mëdha“A ΠΑR ΚΕ ΑC” (A PAR KE AC). Logjika e thjeshtë na shpie në mendimin se bëhet fjalë për diçka që ka lidhje me ushqimin dhe njeriun. Ndoshta ka të bëjë me fjalën e urtë “HA PAK KE TË HASH”.

Por në përfundim le ta thonë fjalën e fundit shkenctarët e vërtetë për këtë Mozaik kaq të thjeshtë në pamje, por me vlera të larta për shqiptarët.

– Autori është historian

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura