ARBËR AHMETI: LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT: ORGANIZIMI USHTARAK DHE SHEMBUJ TË LUFTËS SË SAJ(II)

Pashtriku.org, 09. 06. 2012 – (Në 134 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) – Problemi i Logjistikës – Në kuadrin e logjistikës, problemi kryesor u bë furnizimi dhe pajisja me armatim dhe municione i formacioneve ushtarake. Lidhja kërkoi të siguronte shumë armë të reja këmbsorie. Vetëm kontigjenti i parë i pushkëve i kërkuar për nevojat e mbrojtjes së sektoreve në Vilajetin e Janinë ishte 20’000 deri 30’000 copë. Po kështu edhe nga pjesët e tjera të vendit u kërkua numër i madh i pushkëve. Për plotësimin e nevojave të mbrojtjes së vendit Lidhja parashikoi edhe rrëmbimin me forcë të armëve nga depot shtetrore dhe ushtarake osmane. Ndër masat e para për sigurimin e armëve që bëri Lidhja ishte ndalimi i qarkullimit të armëve nga administrate shtetrore turke si brenda ashtu edhe nxjerrja e tyre jashtë Shqipërisë. Modelet e armëve që përdori Lidhja janë pushkë të punuara në vend me gurë stralli, por edhe armë moderne që iu morën armikut ose u blenë si Peabody Matini-Henry, Snider, Enfield etj. Lidhja si bazë furnizimi me armë konsideronte edhe qendrat tradicionale Shqiptare të prodhimit të armëve. Të njohura për prodhimin e armëve ishin Shkodra, Prizreni,Tetova, Gjakova, Peja, Dibra, Mati, Lezha, Tirana, Elbasani, Vlora, Delvina, Janina, Preveza, Gjirokastra etj (G. Ushtria).
Furnizimi me ushqim dhe veshmbathje kryesisht u mbështet në burimet e vendit dhe mundësit vetjake të luftëtarëve. Nuk duhet harruar të ceket se gjatë kohës sa veproi Lidhja Shqiptare e Prizrenit populli në përgjithsi nuk i paguante taksat e papërballueshme administrates turke (e cila ishte pasivizuar dhe izoluar gjatë viteve 1878-1881) dhe të korrat ishin të bollshme madje thuhet se duhej ndërtuar hambarë të rinjë kudo nëpër vendet fushore në Shqipëri (Kjo ndodhë vetëm në vitin 1878 sepse në vitin 1879 plas një zi urie në gjithë Shqipërinë). Por ishin edhe udhëheqësit e Lidhjes ata qe kontribuan shumë për anën ekonomike, për shkak se ata shkrinë tërë pasuritë e tyre për mirëqenien e Lidhjes.
Drejtimi Strategjik Kritik
Lufta mbrojtëse e Lidhjes, më e organizuar dhe më e rreptë u zhvillua kundër mësymjeve të ushtrive malazeze. Veprimet luftarake të Forcave të Lidhjes karakterizoheshin me vendosmëri të pashoq dhe moral të lartë të luftëtarëve të saj. Lufta për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë zgjati nga tetori 1879-janar 1880, dhe është një ndër betejat më të organizuara nga Lidhja e Prizrenit. Përplasjet e para ndodhën në fillim të tetorit. E tërë historia e tensionit dhe betejave që u zhvilluan në Plavë dhe Guci, filloi me rastin kur Princi i ri Knjaz Nikolla vendosi ti zbatonte përfitimet që i jepte Konferenca e Berlinit.Në fillim të tetorit të vitit 1879, forcat ushtarake malazeze kryen një mori provokimesh dhe sulmesh gjatë vijes kufitare duke vrarë disa fshatarë dhe duke ua grabitur bagëtitë.

Beselidhja e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit

_____________________________________-

Pas këtyre ngjarjeve, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes dhe Shtabi Ushtarak me në krye Ali Pashë Gucinë, të krijuara nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, morën vendim për shpalljen e gjendjes së luftës në Plavë e Guci. Të gjithë burrat e aftë për armë të Plavës e Gucisë u shpallën luftëtarë në gatishmëri, siç rregullohej me Kanunin e Lidhjes. Por ata nuk ishin të vetëm, pas disa ditësh u nisën për në Guci 2000 gjakovarë të armatosur, dhe sipas vendimeve që u morrën në Gjakovë, me fillimin e luftës edhe dy mijë vullnetarë të tjerë do niseshin nga Gjakova për në skenën e luftës. Ndërkohë rrethet fqinje, qëndronin në gatishmëri për të nisur trupa ushtarake të organizuara në njësi vullnetarësh drejt Plavës dhe Gucisë.
Ndërsa zhvillohej lojë e madhe diplomatike, vazhdonte presioni i madhë i Cetinës për ta zbatuar vendimin e fuqive të mëdha, më 14 tetor 1879, Safet Pasha e njoftoi ambasadorin austro-hungarez në Stamboll, Ziçi, se malazezët me përgatitjet e ethshme ushtarake që po bënin përball Gucisë dhe me provokimet që po kryenin me bandat e tyre të armatosura (të cilët kalonin kufirin, vrisnin njerëz, grabisnin bagëti, plaçkisnin fshatra), po e acaronin aq tepër gjendjen, sa që Porta e Lartë nuk ishte më në gjendje ti përmbante shqiptarët (Kristo Frashëri-Lidhja Shqiptare e Prizrenit, fq. 205). Ndërkohë duke e parë gjendjen e acaruar dhe gatishmërinë e vendosmërinë e shqiptarëve, shumë herë, disa prej Fuqive të Mëdha i propozuan Malit të Zi kompensim të territorit, përderisa princi i ri këtë gjë e kundërshtonte kategorikisht, madje edhe kalonte në ofensivë duke bërë presion tek Fuqitë e Mëdha dhe Porta e Lartë për dorëzimin sa më të shpejt të Plavës dhe Gucisë malazezëve, e këto të fundit duke e parë situatën dhe tensionimin e shqiptarëve e dinin se nuk kishte mundësi që Plava dhe Gucia të dorëzoheshin në mënyrë paqësore. Mali i Zi, këmbëngulte në përdorimin e dhunës, dhe kjo vendosmëri i egërsoi tej mase shqiptarët, madje nga tensionet e krijuara në kufi, në Shkodër u përhapën lajme sikur malazezët kishin kaluar vijën kufitare dhe kishin pushtuar Gucinë. Si pasojë Shkodranët që fillimisht e besuan lajmin, u ngritën në këmbë dhe kërkuan të shkonin në front për ti zbuar forcat malazeze. Kaq tepër u shqetësua knjaz Nikolla nga ky rast saqë, kërkoi nga konsulli britanik Grin, të ndërhynte për të qetsuar shkodranët, duke ia përcjell atyre mesazhin e knjaz Nikollës që Cetina nuk mendonte të sulmonte Gucinë, kështu që konsulli t’u kërkonte shqiptarëve që të mos i sulmonin forcat malazeze (K. Frashëri-Po aty, fq. 207).
Knjaz Nikolla nuk duronte dot, dhe etja e tij për të pushtuar Plavën dhe Gucinë dërgoi ushtritë malazeze deri në zhvillimin e operacioneve luftarake për të matur pulsin e Shqiptarëve. Më 31 tetor 1879 forcat malazeze duke e parë veten në pozicione më të favorshme se të Ali Pashë Gucisë, vendosën të kryejn një inkursion ushtarak kundër vijës mbrojtëse të shqiptarëve që ishte organizuar përball fshatit Pepaj (Pepiç).Ky inkursion pati përgjigjen e menjëhershme të forcave shqiptare, dhe doli se pozicionet e Ali Pashë Gucisë nuk kishin qenë aq të “jofavorshme” sa u dukej malazezëve. Të nesërmen më 1 nëntor forcat malazeze sërish përsëritën inkursionin e tyre afër fshatit Arzhanicë, duke vrarë rreth 30 fshatarë dhe duke djegur disa shtëpi, mirëpo pas ca orësh u dëbuan nga forcat e Lidhjes, përderisa për këtë ngjarje foli edhe shtypi evropian, duke i fryrë gjërat. Cetina e tronditur u detyrua ti ndërpriste operacionet e saj ushtarake në kufi me Shqipërinë.
Në atë kohë Lidhja Shqiptare ishte forcuar jashtëzakonisht, duke e bërë jofunksionale adminstratën turke, dhe duke vepruar si një organizim shtetëror që kishte edhe organet e drejtsisë dhe administratën, të ndërtuara në bazë të Talimatit apo si mund ta quajm Kanuni i Lidhjes. Këtë forcim na e dëshmon edhe letra e veçantë e Ymer Prizrenit kur njoftonte valiun e Kosovës se Lidhja Shqiptare kishte konfiskuar armët që gjendeshin në depot e garnizoneve qeveritare të Shkupit, Prishtinës dhe Mitrovicës, duke përfshirë dhe armët e rënda ( topa dhe mitroloza). Ai njoftonte se mytesarifi i Shkupit që kishte tentuar ta pengojë këtë veprim u dëbua nga qyteti. Si duket Lidhja kishte shtrirë pushtetin e saj gjithandej dhe kishte krijuar kushtet për ti përballuar dhe përgjigjur një sulmi ushtarak në shkallë të gjerë nga ana e Malit të Zi.
Më 27 nëntor 1879 i gjithë shtabi i malazez u vendos në Andrejevicë, 10 kilometra në veriperëndim të Plavës. Shtabi Shqiptarë selinë e vet e vendosi 5 kilometra larg kufirit, dhe përbëhej nga Ali Pashë Gucia(kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Çel Shabani, Kurt Asllani nga Nokshiqi, Riza Kryeziu dhe Bajram Curri nga Gjakova, Mic Sokoli nga Bujani, Filip Çeka e Isuf Sokoli nga Shkodra, dhe prijës të tjerë të malsisë. Sipas dëshmive dhe konstatimeve të nxjerra përball Plavës e Gucisë ishin rreshtuar 12 batalione malazeze, që kishin në përbërje rreth 6 mijë luftëtarë. Ndërsa në sektorin Shqiptarë ishin vendosur 4’800 luftëtarë, prej të cilve 1’500 vendas, dhe 2 mijë luftëtarë nga Gjakova, 1’000 vullnetarë Pejanë dhe 300 luftëtar nga trevat e Shkodrës duke përfshir edhe 50 vullnetar nga qyteti. Forcat malazeze në fillim të dhjetorit ishin rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, ndërsa forcat shqiptare përball në fshatrat Martinaj, Kolenivicë, Plavë e Nokshiq, dhe këto dy ushtri i ndante lumi Lim i cili kishte vetëm një urë druri. Nuk duhet lënë pa përmendur se atë vit dimri ka qenë ndër më të ftohtit dhe niveli i Limit ka qenë i rritur. Tensionet ishin tepër të rënda dhe Knjaz Nikolla ushtarëve të tij dhe opinionit botëror u deklaronte se Shqiptarëve do i jepnin një “mësim shembullor”.
Këto tensione shpërthyen më 4 dhjetor 1879 kur Teodor Milani lëshoi pozicionet në Pepaj dhe u hodh në sulm me dy batalione në drejtim të Nokshiqit, duke i kapur në befasi 500 shqiptarët që mbronin kufirin, të cilët u detyruan të tërhiqeshin. Me këtë rast forcat malazeze marshuan në drejtim të Plavës. Por njëkohësisht, me të dëgjuar krismat, forcat vullnetare të Plavës dhe Rugovës me rreth 1000 luftëtarë me në krye Jakup Ferrin e Çel Shabanin u nisën me shpejtësi drejt veriut në ndihmë të luftëtarëve nokshiqas. Nën udhëheqjen e kapedanëve Kurt Asllani dhe Nure Kurti këto forca synonin të kapnin Velikën për tu marrë krahët forcave malazeze, të cilët vazhdonin depërtimin drejt Plavës pa e kuptuar se po rrethoheshin. Mirëpo këto veprime u vërjetën nga vojvoda Mark Milani i cili vëzhgonte nga Arazhnica rrjedhën e përparimit të forcave të udhëhequra nga vëllau i tij, e me këtë rast u sul në sulm me 4 batalione për të shmangur rrethimin e forcave që depërtonin drejt Plavës. Forcat e tij ju drejtuan me shpejtësi Nokshiqit pasi që kaluan lumin Lim, veprim që i siguronte shpinën forcave të Theodor Milanit. Me marrjen e Nokshiqit, plavianët rugovasit dhe nokshiqasit u kthyen për ta shpëtuar atë duke mos e ditur se është marrë nga Mark Milani. Si pasojë ata vrapuan të shkujdesur tatëpjetës së malit të Velikës duke u ndodhur të zbuluar dhe nën zjarrin armik, ku pati shumë humbje nga ana e Shqiptarëve. Pasi ndodhi kjo gjë sipas dëshmive ( i referohem prof. Kristo Frashërit i cili citon kujtimet e Ymer Shabës-pjesmarrës në luftë) shqiptarët e egërsuar në kulm u turrën me tërbim kundër forcave malazeze që gjendeshin në luginën e Nokshiqit.
Burimet malazeze dëshmojn se, “në një truall të ngarkuar me borë të madhe dhe me ngricë të egër, shqiptarët dhe malazezët u përleshën egërsisht me njëri tjetrin”. Kjo ishte përleshje e e rreptë, ku lufohej trup më trup. Përderisa zhvilloheshin këto luftime të përgjakshme kishin filluar lëvizjen forcat e tjera shqiptare që ndodheshin në Guci, të cilat të ndara në dy kolona vrapuan të kapin lumin Lim dhe urën e vetme ekzistuese duke u bërë kurth vdekjeprurëse me rastin e tërheqjes së forcave të Mark Milanit. Shefi i shtabit ushtarak Bozho Petroviq Njegoshi, teksa ndiqte me dylbi veprimet luftarake në fushëbetej nga kodrat e Andrejevicës, nisi menjëher në ndihmë të Mark Milanit dy batalione pasi situata i dha të kuptonte se forcat e Mark Milanit gjendeshin para asgjësimit të plotë. Sektori i Nokshiqit, vlonte nga lufta e 4’000 malazezëve përball 2 mijë shqiptarëve. Beteja u stërndez pasi erdhën përforcimet e dy palëve ndërluftuse, Lugina e Nokshiqit u kthye në një arenë ku luftëtarët përlesheshin aq egërsisht, sa të dy palët hodhën plotësisht hutat duke i nxjerrur jataganët si kaherë. Pas disa orë luftimesh Mark Milani arriti ta qajë rrethimin por kur forcat e tij arritën tek ura e Limit ranë në pritën e shqiptarëve, të cilët bënë kërdi mbi armiqtë gjersa malazezët u detyruan të kalonin lumin me not ku edhe shumë u morrën nga rrjedha e tij dhe u mbytën me dhjetra sosh. Për këtë ngjarje dëshmon edhe konsulli anglez Kirbi Grin ( Kirby Green) kur i raportonte Marquis of Salisburyt dhe shprehej me këto fjalë: “..dy batalione malazeze kanë kaluar lumin Lim dhe kanë pushtuar fshatin Novshiq, banorët e Plavës dhe të fshatit Përnjavor , të ndihmuar nga vullnetarët e anës së Prizrenit , arritën në mëngjes të enjten, më 4, dhe u vendosën në mes të lumit dhe të malazezëve, dhe u kacafytën gjoks për gjoks. Pasojat dhe rezultatet e saj janë masakrimi i plotë i forcave malazeze. Niveli i rritur i lumit Lim i pengoi dy palët që të ikin” dhe më tej po në të njëjtin ekstrakt shtonte “..malazezët duke i besuar fuqisë së qeverisë turke për ta mbrojtur konfliktin, i lejuan vetes që të befasohen dhe përjetuan humbje të rëndë” ( Public Record Office, London, F. O. 195 / 1236; The British Museum, London, Accounts and Papers (43). 1880. LXXXII. 82.389).

_______________________________-

_____________________

Dëshmi tjetër për këtë betej na vie nga kujtimet e pjesmarrësit të saj Ymer Shaba i cili tregon, “Shumë malazez i gjetëm të vrarë atë ditë, porse edhe mbi ne ishte bërë kërdia. Jakup Ferrin e gjetëm të vrarë, me hundë dhe buzë të prerë. Mbasi arritëm ne u ndez luftë e madhe. Ne luftuam më shumë me jataganë dhe me shula pushkësh, sepse u rrasëm fyt më fyt me malazezët” ( Kristo Frashëri e citon dëshmitarin në veprën e tij).Sa i përket numrit të të vrarve ka shumë kontradita, malazezët falsifikojn shifrat duke thënë se janë vrarë e plagosur 1 mijë shqiptarë dhe janë vrarë 85 malazez e janë plagosur 105, ndërsa sipas Beto Qoshjes që i dërgonte letër Halil Kërpallës 4 ditë pas betejës tregonte se shqiptarët sollën në Guci më tepër se 100 krena armiqsh me një flamur malazez, ndersa nga ana shqiptare pati pak humbje. Këtu nuk thuhet numri i humbjeve të shqiptarëve. Ka variante në raportet e konsujve të ndryshëm ku humbjet e malazezëve i ngrisin deri në 700 të vrarë.
Por në të vërtet mendohet se në këtë betej mbetën të vrarë mbi 300 malazez, ndersa shqiptarët patën 300 të vrarë e të plagosur, edhe sot e kësaj dite nuk dihet numri i shqiptarëve të vrarë. Në anën tjetër gazeta Ruse “San-Pjeterburshke vjedemosti” më 14 dhjetor 1879, boton lajmin e shpallur në gazetën, “Deutsche Zeitung”, më 9 dhjetor, se “janë bërë luftimet midis shiqiptarëve dhe malazezëve në Velikë, në lumin Lim; kështu më 2 dhjetor, u sulmuan pozitat e malazezëve nga shqiptarët dhe ushtarët malazez u detyruan të tërhiqen pas disa orë luftimesh. Më 4 dhjetor u erdhën në ndihmë malazezëve 3 batalione nën komandën e Mark Milanit qëu zbrapën nga shqiptarët. Lufta vazhdoi deri më 6 dhjetor; humbjet e malazezëve në të vrarë e të plagosur nuk janë më shumë se 300 njerëz; humbjet shqiptare janë gati po në këtë numër. Në qytetet e Plavës dhe Gucisë po arrin pa ndërprerje forca të reja të armatosura shqiptare”…( San-Pjeterburshke vjedemosti, Nr. 331, 2 (14) dhjetor 1879). Kjo betej ishte një humbje e madhe për malazezët, dhe një fitore e madhe për shqiptarët edhe pse me dhimbje si shkak i humbjeve të konsiderushme. Por si duket Mali i Zi nuk i kishte pëmbyllur përpjekjet për pushtimin e Plavës dhe Gucisë, por do të vazhdonte deri në humbjen e vetë të plotë në këtë sektor. Shqiptarët po përgatisin “mësimin shembullor” për Knjaz Nikollën.
Mësimi Shembullor
Mundësia e shtimit të rradhëve në sektorin e Plavës dhe Gucisë ishte e realizueshme, dhe Kapiteni Sale kur i shkruan Kontit Granville nga Dubrovniku më 8 maj 1880 shprehet se “shqiptarët e veriut mund të sjellin në kufirin shqiptaro-malazez forcën prej 25.000 njerëzish duke qenë e përfshirë nga mirditasit dhe njerëzit e Gucisë dhe të Plavës”. Ai thotë se “ kjo është forcë ekstreme vetëm e shqiptarëve verior, pa i numruar shqiptarët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut”. Ai dëshmon se fiset afër kufirit janë të armatosur me “pushkë të shkëlqyeshme” Peabody Martin-Henry me plot municion. Madje ky Kapiten deshmon se Lidhja vetëm i kishte mjetet për mbajtjen e 8.000 trupave në kufirin e kundërshtarit për 4-6 muaj.Profesori Kristo Frashëri (Lidhja Shqiptare e Prizrenit-fq/220-221) tregon për idenë e Cetinës për shpërthim të një aksioni luftarak kundrejt Plavës dhe Gucisë në javën e fundit të dhjetorit. Sipas tij Shtabi Ushtarak malazez kishte rreshtuar gjatë kufirit jugor të Malit të Zi rreth 25 batalione dhe një bateri artilerie. Ai thotë se prej 25 batalioneve, 18 qenë rreshtuar përballë Plavës dhe Gucisë, kurse pjesa tjetër e përbërë prej 7 batalionesh ishte përqëndruar në Podgoricë që të ndërhynte në rast se forcat shqiptare mësynin drejt këtij sektori. Në anën tjetër u mobilizuan me mijra vullnetarë nga të gjitha anët e Shqipërisë por vetëm një pjesë e tyre u urdhëruan të shkonin në frontin verior. Komandën e operacioneve e morri në dorë kryetari i Shtabit, Ali Pashë Gucia. Këto ishin lëvizjet e mëdha nga të dyja anët, para se të ndodhte përplasja, ngjarje që do hynte në rrethin e dy betejave më të mëdha për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, para agimit të 7 janarit. Vetëm 7’000 luftëtarë ishin përqëndruar mëngjesin e akullt të 7 janarit 1880,kundrejt 9’000 ushtarëve malazez, ndërsa 600 kolashinas e palabardhas nga ana e Bjellopoljes dhe Moioçvacit sulmuan kufirin verilindor të Malit të Zi. Ky sulm i befasishëm u bë për të çorientuar forcat malazeze që ishin përqëndruar në sektorin e ngushtë Velikë-Pepaj me qëllim shpartallimin e forcave shqiptare që në mësymjen e parë, dhe ky sulm i papritur krijoi përshtypjen tek forcat malazeze se shqiptarët po synonin të pushtonin Andrejevicën.
Qëllimi kishte qenë tu mirrej nisma e sulmit forcave malazeze. Menjëherë u bënë lëvizje në vijën e përqëndrimit të forcave malazeze, të cilët u detyruan ti dërgonin disa batalione malazeze drejt veriut për të ndaluar marshimin e forcave shqiptare drejt Andrejevicës dhe sigurimin se mos bëhej ndonjë mësymje nga sanxhaku i Tregut të Ri, pasi njësi të vogla shqiptarësh kishin zhvilluar opercione luftarake në errësirën e 6 janarit, brenda territorit malazez. Këtë lëvizje të forcave malazeze që e kishte parashikuar Shtabi Shqiptar, e shfrytzoi mëngjesin e 8 janarit kur forcat shqiptare të rreshuara në sektorin e Plavës, siç shprehet K.Frashëri ‘shpërthyen me tre kolona një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut që ndodheshin në Velikë, në Pepaj dhe Arzhanicë’. Sulmi ishte nisur nga luftëtarët e Nokshiqit nën komandën e Kurt Asllanit dhe Nure Kurtit, dhe ishte aq i fuqishëm saqë forcat Shqiptare arritën të depërtonin menjëherë brenda rradhëve të armikut, duke u përleshur si në betejën e Nokshiqit, trup më trup.
Pas këtij sulmi të parë sulmuan forcat e tjera shqiptare, të cilat zunë ngusht 7 batalionet malazeze (afërsisht 3 mijë ushtarë) dhe i detyruan të tërhiqeshin. Krahu i djathtë i forcave shqiptare pasi shpartalloi batalionet e Mark Milanit pushtoi Arzhanicën dhe Velikën, ndërsa krahu i majt mori Pepajn duke iu drejtuar fshatit Murinë ku ndodheshin forcat e Teodor Milanit. Betejat e Velikës dhe Pepajt ishin më të rreptat pasi morën edhe emrin e tyre, ndërsa malazezët e quajtën beteja e Murinës për të fshehur sado pak turpin e humbjes. Pasi u thyen ushtritë malazeze u tërhoqën në grykën e Sutjeskës ku vendosën të bënin një rrezistencë këmbëngulëse. Por forcat Shqiptare nuk synonin të vazhdonin më tej. Sa për humbjet shifrat më të sakta i dha Ali Pashë Gucia madje në një letër që i dërgonte më 14 janar 1880 bajraktarit të Helmit në Hot, Ismail Markut, thoshte:“Në ndeshjen që patëm me malazezët të enjtën që shkoi (8 janar 1880) ata pësuan humbje të rënda dhe u thyen. U dogjën tre fshatra të tyre. Ranë në duart tona 37 krena, një flamur dhe 4 arka municioni. Shyqyr zotit ana jonë pati vetëm pak të plagusur dhe të vrarë. Nuk mund të tregohet nderi dhe fitorja që korrëm në këtë betejë të përgjakshme”. Pas kësaj beteje forcat Shqiptare u tërhoqën në kufijt e vjetër, gjë që i tregoi qartë botës se Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk synonte pushtimin e territoreve që nuk ishin shqiptare. Me këtë betejë të përgjakshme, për organizimin dhe përpilimin e strategjisë të së cilës komandanti i Shtabit të ushtrisë malazeze Bozho Petroviç deklaroi se shqiptarët i drejtonte një “mjeshtër i madh”, u mbyll seria e përpjekjeve malazeze për pushtimin e Plavës dhe Gucisë.
Shpartallimi i rradhës
Me thyerjen e malazezve në sektorin e Plavës dhe Gucisë dhe me vendimin e Fuqive të Mëdha skena e luftës u zhvendos në Hot dhe Grudë. Projekti “Korti” (Corti) siç u quajt në fushën e diplomacisë, parashihte ti jepeshin Malit të Zi Hoti dhe Gruda, përfshirë fshatrat Selcë dhe Vukël të Kelmendit banorët e të cilve ishin tërësisht shqiptarë. Menjëherë u vunë në lëvizje forcat Shqiptare. Në Shkodër po përgatitej mbrojtja e Hotit dhe Grudës, ndërsa në Gjakovë rifilluan parapërgatitjet dhe mobilizimi i vullnetarëve për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Kjo ndodhi që të mos mbetej e pambrojtur Plava dhe Gucia kur skenat e luftës dhe betejat e rrepta do zhvendoseshin në Hot dhe Grudë. Por kjo ndodhi natyrisht edhe për shkak të provokimeve të shpeshta që po i bëheshin sektorit të Plavës dhe Gucisë nga ana e malazezve. Duke mos përjashtuar mundësinë e pushtimit të kazas së Gucisë në kohën kur do ndodhte lufta në Hot e Grudë, në Gjakovë u mblodh një kuvend ku morën pjesë qytetarët e Gjakovës, malsorët e Gjakovës dhe përfaqsus nga krahinat fqinje. Ky kuvend që u mbajt ditët e para të marsit vendosi të dërgonte në Plavë e Guci rreth 6000 luftëtarë të pajisur me pushkë “Martina” (modeli më modern i asaj kohe Peabody Martini-Henry). Në këtë kohë mardhëniet e shqiptarëve me Portën e Lartë u acaruan tej mase. Dy ishin shkaqet, prirja e Portës për të pranuar projektin “Korti” dhe zia e bukës që kishte kapluar gjithë vendin. Konsulli anglez Sen Xhon raportonte nga Prizreni: “Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ritheksoj edhe njëherë ndjenjën e dëshprimit mbi gjendjen e vajtueshme që gjendet ky vend” (Public Record Office,London-Rap.10/20 shkurt 1880 Prizren). Kështu u pa nevoja për shkëputje nga Perandoria osmane. Nga mesi i muajit mars Sulejman Vokshi, Ali Ibra dhe Haxhi Jonuzi shkuan në Rakoc të Gjakovës ku deklaruan se Lidhjes i duhej një program i ri, që të mbrohej tërësia e trojeve Shqiptare, dhe deklaruan se duhej bashkimi i gjithë Shqiptarëve pa dallim feje duke denoncuar përpjekjet për përçarjen fetare në vend. U planifikua edhe një marshim i armatosur nga Gjakova në Prizren ku ndodhej Ahmet Muhtar Pasha me 12 batalionet e tij.
Krerët e Lidhjes i dërguan edhe një ultimatum Muhtar Pashës, ku kërkohej largimi i menjëhershëm i 7 nëpunsve të administratës turke të cilët ishin përpjekur të pengonin mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, dhe të emroheshin menjëherë dy oficerët e xhandarmërisë të propuzuar nga krerët radikal të Lidhjes (sipas konsullit anglez në Prizren Sen Xhon). Me ta u bashkua edhe Ymer Prizreni, pas të cilit qëndronin 8000 trima të armatosur. Shqiptarët kërkuan të hynin me çdo kusht në Prizren për të “vërtetuar zbatimin e kërkesave të tyre”. Marshali pranoi të hynin në Prizren vetëm krerët me 60 trima të shoqruar dhe të mos qëndronin më shumë se 48 orë. Mirpo fill pas krerëve hynë edhe 600 malsorë të armatosur dhe nuk u larguan pas dy ditësh por pas 7 ditësh, më 29 mars 1880. Kjo ndodhi për të paralajmruar administratën turke dhe të demostronte fuqinë para saj, dhe poashtu të përgatiste terrenin për të marrur pushtetin kur të jetë koha. Ngjarjet i vendosim në Shkodër ku bëhej përgatitja për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës. Më 15 mars 1880, Ali Pash Gucia i bëri thirrje Hotit sipas zakonit të lashtë të malsive të veriut, ta printe luftën kundër ushtrive armike. Ai kërkoi që në kundërsulm të merrnin pjesë edhe luftëtarët Dibran, Matjan dhe Mirditor (sipas Kristo Frashrit). Në anën tjetër në Stamboll po bëheshin bisedime të fshehta mes Stambollit dhe Cetinës. Më 9 prill Porta e pranoi projektin “Korti” por duke hequr përgjegjësit që binin mbi të. Si kundërpërgjigje ndaj këtyre bisedimeve, më 9 prill 1880 u mblodh në Shkodër Komiteti Ndërkrahinor, ku morën pjesë gjithë krerët e Malsive të veriut. Sërish u ripohua vendimi për të mos lëshuar Hotin e Grudën. Malsorët e Malsisë së madhe deklaruan se ishin të gatshëm ta mbronin Hotin dhe Grudën me forcat e tyre, veçse kërkuan që në luftë të merrnin pjesë në shenjë solidariteti 100 vullnetar nga Shkodra po aq nga fshatrat e rrethit dhe nga Mirdita.
Dita e dorzimit të Hotit e Grudës po afrohej (22 prilli). Mbrëmjen e 21 prillit u nisën duke lundruar nëpër liqen me disa dhjetra anije, afër 3000 veta, bashkarisht me Shtabin ushtarak dhe kryetarin e tij Hodo Sokolin, të cilët pasi zbrakuan në skelën e Helmit, arritën gjatë natës në Tuz. Po në atë kohë dy emisarë të valiut të Shkodrës (kapiten Jakup Aga dhe dragomani i legates italiane Pjetër Tonieti) u nisën me anije drejt Podgoricës ku do kryenin me komandantin Pop Ilia Plamencanin formailtetet zyrtare për dorzimin e Hotit dhe Grudës. Sipas dokumentit, forcat turke do të tërhiqeshin nga Tuzi dhe pikat që do ti dorëzoheshin Malit të Zi, më 22 prill 1880, në orën 4:30 pasdite. Trupat osmane filluan të tërhiqeshin në kohën e caktuar. Forcat e Lidhjes që kishin ditë që ruanin ato zona, me të parë që po tërhiqeshin ushtrit osmane, zunë Urën e Razhnicës mbi lumin Cem ( ku kalonte rruga që qonte ushtrit Malazeze nga Podgorica në Tuz ), dhe me të shpejtë zunë edhe pikat tjera të lëshuara nga ushtritë osmane. Kristo Frashëri tregon për dëshmit e P. Tonietit, për çastet kur ushtritë turke po tërhiqeshin nga kalaja e Tuzit. Sipas tij kur repartet turke po tërhiqeshin nga kalaja, malsorët Shqiptarë u sulën mbi ta duke i kërcënuar se do hapnin zjarr në rast se do merrnin me vete materialin luftarak. Të friksuar dhe pa pasur ndërmend të hapnin një konflikt të armatosur me ‘shqiptarët e egërsuar u larguan me të shpejtë pa tërhequr materialin që ndodhej ende në Tuz’. Me këtë rast Shqiptarët shtinë në dorë 4000 arka me municion, 560 pushkë“Martina”, 60 thasë galeta, 20 thasë oriz dhe 60 thasë miell. Si pasoj e këtyre veprimeve të rrufeshme situate në kufirin shqiptaro-malazez ndryshoi rrënjësisht. Forcat e Lidhjes me 8000 vullnetarë, shtabi i të cilëve u vendos menjëher në Tuz, qëndronin përball 12 batalioneve malazeze me rreth 10 mijë ushtarë të komanduar nga Petar Vukotiqi. Po më 22 prill ushtria malazeze u nda në dy kolona dhe mësyu drejt “tokave të premtuara”, njëra drejt urës së Rzhanicës e tjetra drejt fshatit Dunosh. Kur kolonat arritën në brigjet e lumit Cem, pasi që iu kërkua të ktheheshin mbrapsht, ushtritë malazeze u sulmuan me furi duke u detyruar të tërhiqeshin. Në të njëjtën kohë u sulmuan furishëm edhe afër Helmit. Konsulli Lë Rè, dëftonte guximin e shtuar të shqiptarëve pas konfrontimit tek Ura e Rzhanicës. Ai thoshte se përdit niseshin vullnetar nga Shkodra drejt Tuzit, dhe mijra vullnetarë tjerë që vinin nga 4 anët e Shqipërisë. Sipas tij numri i mbrojtsve arriti 12 mijë luftëtarë, dhe se ushtarët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane po dezertonin në masë, vetëm më 25 prill sipas tij kishin dezertuar 160 ushtarë nga garnizoni i Shkodrës, kurse të nesërmen u arratisën 300 vetë. Engjëll Çoba deklaronte se Lidhja po përgatitej që brenda “një jave” të mësynte për të rimarrur Podgoricën. Morali i luftëtarve që ndodheshin në Tuz u rrit edhe më shumë kur mbi 2000 mirditor marshuan përmes Kallmetit (1 maj), Zadrimës (2 maj), Bushatit (3 maj), hynë në Shkodër më 4 maj dhe më 6 maj arritën në Tuz. Kjo gjë u bë për të demostruar forcë dhe për ta shtuar moralin e popullit.Skenat e luftës do të zhvendoseshin në sektore tjera, pasi që Mali i Zi dështoi plotësisht në këto sektore. Edhe Fuqitë e Mëdha u detyruan qe ti shfuqizojnë vendimet e tyre pasi që panë qëndresën stoike të shqiptarëve të udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Studimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit na jep rezultate të kënaqshme nga të gjitha fushat, si kur e studjojm aspektin politik të saj, aspektin historik, atë ushtarak, aspektin e diplomacisë dhe propagandës që është zhvilluar rreth ngjarjeve në Shqipëri, dhe poashtu kjo është koha kur hisotira e popullit shqipëtar u vu në fokus nga gazetat Evropiane. Amanetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të mbërritur deri tek ne, duhet ta qojmë deri në fund, dhe vetëm atëher do i nderojm bëmat e herojve që e jetuan atë kohë, dhe do nderojmë gjakun e dëshmorëve të rënë për Shqipërinë Natyrale.Sidoqoftë lufta e Lidhjes Shqiptare do mbetet e paharruar, si për vulosjen që i dha formimit të Kombit Shqiptar, si për luftën e drejtë të drejtuar mjeshtërisht, ashtu edhe për vullnetin dhe moralin që ia dha brezave deri në ditët e sotme, e do t’ua jap deri sa të arrihet qëllimi i shenjtë i Bashkimit Kombëtar, duke na mësuar se si luftohet për të mbrojtur vatanin. Rrjedhimisht gjaku i dëshmorëve si të Lidhjes Shqiptare si të atyre që ranë më parë dhe pas saj, do jetë fuqia dhe vullneti i çdo atdhetari dhe mallkimi e frika e çdo tradhëtari.
Literatura e përdorur:
• Kristo Frashëri-“Lidhja Shqiptare e Prizrenit”
• Xhafer Belegu – Lidhja e Prizrenit
• Gazeta Ushtria – Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka / Çështje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit
• Skënder Rizaj – Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1877-1885)
• Arkivi i Kosovës – Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente Angleze
• Arkivi i Kosovës – Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente Osmane
• Akademia e Shkncave të RPS së Shqipërisë – Konferenca kombëtare e studimeve pë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit
• Akademia e Shkncave të RPS së Shqipërisë – Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente Osmane 1878-1881
• Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet Austro-Hungareze(1878) V.I
• Instituti Albanologjik i Prishtinës – Gjurmime albanologjike / Seria e shkencave historike
• Sherafedin Hoxha – Shtypi i Kombeve dhe i Kombësive të Kosovës
• Historia e Popullit Shqiptar II
• Ferdinand Schevill-“Ballkani-Historia dhe Qytetrimi
• Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit I,II
FUND

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura