Prishtinë, 06. 10. 2014: Mirë e kam ditur nivelin e shoqërisë tonë, dhe njohurit e saj për fushën e Planifikimit Hapësinor atij Urban dhe Arkitektonik në Kosovë, ajo ka qenë privilegj e të tjerëve, të cilët shumë mirë e kanë ditur rëndësinë e kësaj fushe, në funksionimin normal të një shteti. Kjo ma së miri u vërejt edhe në kërkesat e asociacionit të komunave serbe në veri dhe jug gjatë bisedimeve në Bruksel. Sa ishim ne të përgatitur dhe të interesuar për funksionimin normal të tërë territorit të Kosovës, u vërejt që pesëmbëdhjetë(15) vite në vazhdimësi. Disa u arsyetuan në mungesën e kompetencave, çka aspak nuk ishte e vërtetë, pasi ndërkombëtarët nuk kanë ndërhy në organizimin e hapësirës tonë. Edhe pas pavarësisë, vazhdoi i njëjti trend e për ketë jemi vetë në fajtorët kryesorë.
Së pari me dinakëri u paralizua funksionimi i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK), të cilin e kishte themeluar Qeveria e Kosovës. Ky Këshill kishte prodhuar disa dokumente të rëndësishme hapësinore për dy vite të funksionimit, ishte në dispozicion si një garant profesional për fushën e veprimit të Ministrisë. Ai përbëhej nga shtatë profesionist të dalluar të fushës. Ministrisë nuk i konvenonte prezenca e tyre, me këmbëngulje u margjinalizua puna e tyre. Asnjë herë nuk u konsultuan me ata, as që kërkuan ndonjëherë mendimin e tyre profesional, e injoruan tërësisht ekzistencën e këtij organi shtetëror që vetë e kishin themeluar. Në ndërkohë ishin marrë disa vendime të rëndësishme nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria nga fushe e Planifikimit Hapësinor, fare pa u konsultuar apo marrë REKOMANDIMIN e Këshillit. Situata nuk ishte për tu lavdëruar në këtë fushë, që t’i lejonim vetë vetes një komoditet të tillë, duke e injoruar punën e KPHK-së.
Sjelljet e Ministrisë vazhduan edhe në vitet e tjera deri sa arritën që me ligjin e ri të Planifikimit Hapësinor, të aprovuar në Kuvendin e Kosovës me 31 korrik 2013, ta largojnë dhe ta shuajnë tërësisht këtë institucion profesional në të dy nivelet shtetërore, që do t’i ndihmonte shtetit për të avancuar dhe kontrolluar problematikën Hapësinore, Urbane dhe Arkitektonike, përkundër reagimeve dhe kundërshtimeve të shumta të profesionistëve.
Në mënyrë perfide me presione politike u aprovua në Kuvend Ligji i Ndërtimit, Ligji i Planifikimit Hapësinor dhe Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Ligje shumë të rëndësishme për funksionimin normal të fushës së Ndërtimit në Kosovë. Si duket Ministria ka pasur të vetmin qëllim, me krijuar konfuzion edhe ma të madh, thua se nuk ju mjaftuan ato vitet e pas luftës, ku me qëllim nuk u respektua asnjë normativ apo standard, në fushën e ndërtimit.
Kulminacioni i hipokrizisë së sajë ishte pezullimi i procesit të Licencimit të profesionistëve në fushën e Ndërtimit, si hapi i parë i domosdoshëm për të vu nën kontroll shtetërore këtë lëmi. Të gjitha këto ngjajnë duke mos përfillur asnjë sugjerim të ndërkombëtarëve (amerikanëve), të cilët ju ndihmuan shumë në ketë proces, duke vepruar në mënyrë të paturpshme dhe të kundër-ligjshme.
Veprimet e tyre në procesin e Licencimit të Arkitektëve dhe të tjerëve që janë të kyçur në procesin e Ndërtimit ishte i pa parë, nuk përkiste as me normat morale të një shoqërie e le me ato profesionale dhe njerëzore. Si duket qëllimisht keni keqtrajtuar Bordin e përkohshëm për Licencim dhe 21 Vlerësuesit e zgjedhur, në një proces demokratik dhe transparent, të pa parë në Kosovë. Urdhëri një ditë para provimit me shkrim për tu pezulluar afatin e proklamuar të provimit i cili ishte paraparë me kohë, ishte i pa tolerueshëm, i pa shpjegueshëm, i cili skajshmërisht dëmtonte të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Licencimit, e posaçërisht ata që kanë punuar intensivisht me vite në përgatitjen e procesit, Bordin e përkohshëm të Licencimit dhe VLERËSUESIT, pa iu kompensuar (paguar) punën e bërë profesionale disa vjeçare. Në buxhetin e Ministrisë për disa vite ishin paraparë mjetet materiale për procesin e Licencimit, ku shkuan ato para, kush i tjetërsoi, janë pyetje që duhet sqaruar organet e autorizuara shtetërore.
Duhej të kishit së paku respekt ndaj kandidatëve që kanë konkurruar, paguar dhe plotësuar kushtet për Licencim. Kjo u pa me veprimet e ministrisë që për së dyti herë (së pari në shtator 2013), e bënë pezullimin e provimit, pasi aspak nuk ju interesonte me pas rregull në fushën e ndërtimit. Këto veprime skajshmërisht do të dëmtojnë “reputacionin” e Qeverisë dhe shtetit të Kosovës, por juve kjo nuk iu brengosë.
Me 7 mars 2014 një ditë para provimit, sekretariati i Licencimit njoftohet se “DIKUSH” nga MMPH “me gojë” (e jo me shkrim) e ka pezulluar provimin. Kjo është një lojë e ulët të cilën kurrsesi nuk duheshit toleruar. Dikush nga pushteti (Ministria), ka luajtur me tërë komunitetin e arkitektëve dhe inxhinierët e tjerë, çka është e pa tolerueshme për një shoqëri, deri kur ma kështu?
E kam obligim moral të informoi opinionin edhe për disa veprime të juaja ”spektakullare” të kohëve të fundit. Rasti me ndërtimet pa leje në Prevallë (Malet e Sharrit) dhe ndërhyrja e juaj, çdo dashamir i shtetit të Kosovës e ka përkrahur. Disa kilometra nga aty në parkun kombëtar Malet e Sharrit, ekziston kompleksi i vjetër turistik, qendra rekreative “Brezovica”. Aty pas luftës është ndërtuar pa kontroll me leje e pa leje, asnjë mendje normale nuk do të kishte paramenduar se ka mundësi të ndodhë diçka e tillë në shekullin 21, a ka ndërhyrë apo reaguar Ministria në ndonjë rast? Kanë ndërtuar, dhe janë bërë shumë keqpërdorime pronësore, janë blerë “prona” të dyshimta, është shkatërruar i tërë kompleksi i urbanizuar i kohës, e Ministria kurrë nuk ka ndërhyrë edhe se e ka pasur obligim, nëse është vepruar kundërligjshëm nga komuna.
Ato kërkesa legjitime të kohës për ndryshime, ndërtime të reja duhej bërë në mënyrë të organizuar, pasi për këtë ka pasur mundësi. Kjo tregon se rasti i Prevallës dhe Brezovicës kanë konotacione të mëdha politike dhe përfituese, e jo të mbrojtjes së natyrës dhe interesave kombëtare siç proklamoni, këtë e vërtetoi koha dhe realiteti i sotëm pasi ky proces është ndërprerë.
Në kryeqytet ndaloni ndërtimin e WC-ve publike dhe shkatërrimin e një ndërtimi pa leje tetë katesh, në rregull nuk janë respektuar procedurat ligjore, për atë edhe ekzistoni si Ministri. Ngjashëm po jepni deklarata publike për kishën ortodokse në qendër të Prishtinës, edhe para luftës e pas luftës ka pasur ligje që i kanë sanksionuar këto objekte pa leje.
Kjo tregon se si MMPH keni pasur autorizime Kushtetuese dhe ligjore, edhe të intervenoni, në mos lejimin e dhjeta mijëra ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar në Kryeqytet dhe vendbanimet tjera në Kosovë në vazhdimësi. Ju si pjesë e qeverisjes së Kosovës në të dy nivelet, keni qenë të obliguar të mbroni mjedisin ndërtimor dhe ligjshmërinë.
Shumë gjatë u shty aprovimi dhe miratimi i Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ma në fund ai u aprovua pas 14 vite “pritje” dhe mos sanksionimi të tyre në tërë Kosovën, me të metat e veta për zbatim në tri (3) vitet e ardhshme. Qëllimi i juaj shihet qartë, që të prolongoni zbatimin e tij për gjashtë muaj, duke e kushtëzuar zbatimin me një Udhëzim Administrativ. Këtë mund ta bëjnë vetëm dashakeqësit e shtetit të Kosovës, të cilët mburren se aprovuan një ligj për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
A ka kush që do të bëjë legalizimin e mundshëm të ndërtimeve për dy vjet e gjysmë, si parashihet me ketë ligj, për tërë Kosovën, shikoni dhe analizoni eksperiencën e Komunës së Prishtinës në këtë drejtim. Jam i sigurt, se nuk besoni në këtë, por për ju nuk ka rëndësi kjo, kështu ashtu nuk ka mundësi teorike të respektohen afatet e parapara në këtë ligj. Si shumë ligje të tjera të fushës së ndërtimit, që nuk janë zbatuar në Kosovë as ky nuk do të bën përjashtim. Kjo iu konvenon juve, që edhe pas 14 vitesh të vazhdon kjo situatë denigruese.
Ministrat që e drejtuan këtë Ministri janë larguar, ashtu si janë zgjedhur dhe lavdëruar për “punën e mospunën” e tyre. Neve të tjerëve në Kosovë na mbetet të merremi me pasojat e veprimeve të kësaj Ministrie, e cila e ka krijuar këtë situatë kaotike me mos veprim. Në këtë shkrim kamë potencuar vetëm disa mangësi, që qeverisja e ardhshme në këtë Ministri domosdo duhet tejkaluar, duke u bazuar në kërkesat reale të popullit të Kosovës për zhvillimin e territorit të sajë.
– Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK). Arkitekt i pavarur: [email protected], [email protected].