Gjenevë, 16. 12. 2014 – Ishte përafërsisht ora nëntë e ditës së shtunë, i dërmuar nga lodhja paditur arsyen mezi mblodha forcë për t’i hapur kapakët e dritareve të cilët ditën me diell e kishin kthyer në natë të errët. Ashtu i mekur u visha. Ndërkohë në dhomën e ndejës cingëroi thekshëm telefoni e çova receptorin dhe e thash një urdhëroni me zë të ngjizur. Dëgjova përshëndetjen me zell e urti të mikut tim të ditëve të para në mërgim Florim Llugaliu. Pa lajka e plotë sinqeritet bisedat dhe ndejat me Florimin më relaksojnë shumë. Florimi një inxhinier i elektroteknikës dhe mësimdhënës shumëvjeçar në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” të Besianës (ish’Podujevës), çdoherë pyet për angazhimet e fëmijëve në shkollë. I djegur nga dëshira që fëmijët shqiptarë të mërguar në Zvicër, të përfitojnë sa më shumë nga sistemi i perfeksionuar i këtij vendi, këshillon të gjithë për angazhim maksimal në punë. Nga biseda me Florimin prekim çdo skutë të Llapit. Kujtojmë rrëfimet e profesorit të historisë Bajram Blaku, i cili argumentonte që fshati Popovë, ishte një para Vlorë e Ismail Qemalit. Ish-nxënësi i Hasan Prishtinës më 1908 Hys Popova, së bashku me veprimtarë të tjerë të kohës, kishte ngritur mbi çatinë e kullës së tij flamurin e SKËNDERBEUT, me shqiponjën dykrenore. Flasim për vëllezërit Rushit, Halit, Hamit e Salih Bajçinovci,të cilët në korrik të vitit 1924 morën pjesë në bartjen e trupit të Azem Bejtës, dhe varrosjen e tij tek “Guri i Sokolit” afër fshatit Popovë të Besianës. Vazhdojmë me trimëritë e treguara të Ismail Ajetit – Bushit, i cili më 23 dhjetor 1945 i pati mundësuar arratisjen në Greqi me katërqind luftëtar udhëheqësit të Ballit Kombëtar Muharrem Bajraktari. Po ky Ismail Ajeti, në stil kreshniku më 7 shkurt 1950 në burgun e Mitrovicës, ua hap dyert të gjithë të burgosurve shqiptarë shumica e të cilëve ishin të dënuar politikë. E kujtojmë edhe burgosjen e Adem Demaçit më, 1958 i cili me veprën e tij të parë “Gjarpërinjtë e Gjakut” thërriste për zgjim mbarëkombëtar dhe për ribërjen e një Shqipërie,më ndryshe nga ajo e imponuara në Konferencën e Londrës më, 1913.
E,kujtojmë burgosjen dhe torturat çnjerëzore në burgun e Nishit ndaj hoxhë Ramë Govorit,i cili ligjëratat e tij vazhdimisht i fillonte me fjalët ”Pa Gjuhë e Atdhe, feja është vetëm mallkim” E,kujtojmë besnikërinë e mësuesit trim dhe atdhetar Nuhi Gashi-Veliu,i cili gjithnjë i qëndroi besëplotë tribunit popullor Shaban Polluzha. E,kujtojmë ditën fatkeqe të 20 janarit 1963, kur UDB-ja jugosllave vrau Shaban B. Shalën, një ditë para se të lirohej nga burgu. E , gjithë Kosova, Shabanin e njihte si Shabani i Flamurit Kuq e Zi.
Gjithashtu e kujtojmë nëntorin e 68-ës,kur student e nxënës të Llapit, organizuan demonstrata në kërkim të Flamurit Kombëtar dhe të drejtës për Universitet në Gjuhën Shqipe. E kujtojmë edhe periudhën kur Tito, kishte nuhatur parapërgatitjet e rinisë së Kosovës, për kryengritje të përgjithshme. Ai i njohur për strategjinë e tij u mundua t’i qetësojë shqiptarët me njohjen e disa të drejtave. Rinia studentore e Kosovës,pas hapjes së Universitetit të Prishtinës më, 1970 forcoi pozicionin e saj duke marrë në duar fatin e vet dhe të popullit të saj. Ajo analizon në hollësi situatën dhe vjen në përfundim se Autonomia brenda Serbisë dhe Malit të Zi,nuk siguron zhvillim e as ekzistencë, vetëm e rrit shtypjen e eksploatimin dhe e shton rrezikun për asimilim të përgjithshëm. Në prill 1981 edhe pse gati në rrethana të pamundshme organizon demonstrata të fuqishme. Udhëheqja e atëhershme jugosllave e tmerruar nga guximi dhe qëndresa e të rinjve të Kosovës, fut në përdorim të gjitha masat represive:vret,burgos, diferencon, lëçit, izolon, shpik terma ofendues, inskenon ngjarje të turpshme sikur rastin Martinoviq në Gjilan, me qëllim të vetëm që shqiptarët t’i zmbraps dhe t’i nënshtrojë përfundimisht nga kërkesat e tyre të ligjshme.
Si pjesëmarrës të këtyre ngjarjeve u dënuan qindra djem e vajza të Llapit, të cilët vuajtën burgje të gjata,disa edhe vdiqën në këto burgje famëkeqe nga torturat. Kujtojmë 27marsin 1989 kur i gjithë LLAPI ,u ngrit në këmbë,duke bërë përpjekje që të ruajë tërësinë territoriale të Kosovës. Në mbrojtje të Kushtetutshmërisë së Kosovës,atë të hëne kritike vritet Mehmet Maliq Ejupi, pa e përfunduar pranverën e 23-të të jetës së vet. I kujtojmë djem e vajza të Çetës së Llapit, të cilët me heroizmin e tyre bënë që të jenë shtysë kryesore për kryengritje të reja dhe të njëpasnjëshme ndaj pushtuesve jugosllav. Kujtojmë bukën dhe konakun e trimit Vehbi Shaban Rushiti-Arbanasha nga Gllamniku, i cili strehoi dhe pajisi me armë pjesëtarët e Çetës së Llapit. Ku ka më domethënës se fakti që edhe pas gjithë atyre viteve të rënies së Ali Ajetit dhe Hasan Ramadanit, autoritetet e Beogradit, shtëpitë dhe varret e tyre i mbanin të rrethuara me ushtarë e policë,sepse Sveçela dhe Shajkoci tanimë ishin vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët. E kujtojmë Grykën e Pollatës, të njohur nëpër shekuj për rezistencë e burrëri, ku në pabesi më 13 shtator 1990 tanke e helikopter të komanduara nga rrugaçë e kriminel të Serbisë,në orët e para të pasmesnatës vranë Besim Hashim Latifin dhe Skënder Hamit Monollin. E kujtojmë 2 nëntorin 1989 kur në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, qëndresës së pararendëseve i dhanë shkëlqim Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Ata identik me Dedë Gjo Lulin e Idriz Seferin, rezistojnë plot tetë orë karshi forcave policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë.
Krahas dhimbjes shumëherë na pushton krenaria e pa përshkruar kur djali i Llapit dhe i Kosovës Zahir Pajaziti, si pushkë e parë e UÇK-së së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Ilir Konushevcin, shkruajnë me gjakun e tyre eposin e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Ata e lanë kokë këputur serbin famëzi Milosh Nikoliq, i cili torturonte me metodat më të vrazhdëta shqiptarët e kësaj ane.
Flasim për burrërinë dhe trimërinë e pamohueshme të Zejnullah Zejnullahut dhe Hetem Ajetit të cilët i lanë lukset e Zvicrës dhe iu bashkëngjiten UÇK-së. Zenjullah Zejnullahu, i njohur në popull si ZENA, pati shitur në nëntor të vitit 1992 tokë e bagëti, duke i futur në shërbim të çlirimit të Kosovës. Veç kësaj Zena luftoi i uniformuar me petkun e UÇK-ës së bashku me tre djemtë e tij deri në çlirimin definitiv të vendit. Bandat e armatosura të Serbisë,në shenjë hakmarrje Zenës,ia dogjën shtëpinë deri në themele. Sa për informim vlen të përsëritet që Zena nga vija e babait është djalë axhe me heroin e popullit Hakif Sabit Zejnullahu.
E kujtojmë profesorin e Gjuhës Shqipe Ejup Shala i cili ra heroikisht më 5maj 1999 në mbrojtje të pragut të shtëpisë.
Gjatë kësaj periudhë Ejup Shala, ishte drejtor i Gjimnazit të ndaluar nga serbët “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë. Profesor Shala ekzemplar i Pjetër Bogdanit, pak çaste para se të vritej nga kriminelët serb arriti që t’i ruaj vargjet e tij në një epruvetë qelqi, duke i vendosur në dhé,pranë blirit nën hijen e të cilit gjatë verës me vapë me plot përkushtim kishte studiuar veprat e Atë Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Vinçens Prenushit, Lumo Skëndos, Lazër Shantojës, Pater Anton Harapit etj, të anatemuara nga diktatura komuniste. Fatin e poetëve të zënë në gojë e patën edhe 110 poezitë e ndaluara dhe të censuruara prej pushtueseve sllavë dhe veglave të tyre, të profesor Ejup Shalës, ish-i burgosur politik i demonstratave të 81-ës.
Ejup Shala së bashku me vargjet e tij kishte lënë edhe letrën testament vëllazërive: Ukshinit, Jakupit, Enverit e Vailit dhe dy vajzave të tij të vetme Shqiprojës dhe Albës, që pas çlirimit të Kosovës,krijimtaria letrare e tij të dërgohet për botim në një nga Shtëpitë Botuese të Kosovës, sepse profesor Shala, ishte i bindur dhe i sigurt që liria e Kosovës, do të vijë patjetër. Optimizmin e Ejup Shalës, e vërtetojnë edhe këta rreshta:
Hë moj Vlorë
E tallëseve
E valëve
E bujës e rrëmujës
Ngrite me lart vetë më dorë
Flamurin e Krujës!
Këtë amanet të poetit martir Ejup Shala e jetësoi në qershor 2012 Qendra e Kulturës e Podujevës, duke botuar – post mortum vëllimin me poezi “ERDHA”.
Ejup Halim Shala 1951- 1999
Kjo përmbledhje vargjesh me vlera të larta e shkruar nga Ejup Shala, dhe rënia e tij për lirinë e Kosovës, bëjnë që emri i tij jetë emër i përveçëm i Historisë dhe Kulturës Shqiptare.
Nga bisedat tona e vërejmë edhe një dozë shqetësimi tek Florimi për babin e tij në moshë Osmanin dhe sidomos për axhën e tij Ymer Llugaliu, i cili ishte burgosur dhe persekutuar si është më së keqi nga regjimi mizor i Enver Hoxhës. Këtë brengë mundohem t’ia largoj Florimit, kur e di që përkujdesja për ta nuk mungon. Pranë tyre vijimisht është i vëllai Ademi dhe motra Afërdita e cila si mjeke e specializuar kur paraqitet nevoja u ofron ndihmën e duhur. Po ashtu edhe vetë Florimi shpeshherë u dërgon të holla nga Zvicra. Megjithatë Florimi me dhimbje të madhe e gati të papërballueshme flet për vuajtjet e axhës Ymer. Si ngushëllim e përdor çdoherë shprehjen Zot shpërbleje axhën tim për ferrin e përjetuar. Flasim gjithashtu për shokët dhe miqtë tanë të përbashkët këtu në Zvicër.
E pyes se çfarë ka të re nga llapjanët të cilët kryesisht janë të përqendruar në Olten, Cyrih, Arau, Bernë e Bazel, thotë që takohet rrallë pasi që Shoqata Atdhetare “Ali Ajeti” e cila na bashkonte nuk vepron më. Një heshtje vije përnjëherë. Unë jam ai që e thyejë atë, duke i thënë Florimit na thuaj ndonjë të re tjetër. Ai duke menduar që unë jam në dijeni mbi vdekjen e Mehdi Lepajës thotë: – Uh sa rëndë e përjetova vdekjen e Mehdiut. – U shtanga pamundur të nxjerrë nga goja qoftë edhe një fjalë të vetme, sepse nga biseda me Florimin kuptova që Mehdi Lepaja një aktivist i devotshëm në Zvicër, kishte ndërruar jetë.
Vdekja e parakohshme e Mehdiut, i preku të gjithë,veçmas ne që kishim nderin të jem në aktivitet me te. Më i merituari për njohjen tonë mes veti është atdhetari i paepur Fehmi Berisha, i cili duke parë gjendjen tepër të rëndë në Kosovë, ideoi si nevojë urgjente themelimin e Shoqatës Atdhetare ”ALI AJETI” me qendër në Olten të Zvicrës, dhe Degën e saj në Gjermani. Llapjanët të verifikuar si atdhedashës si në Zvicër ashtu edhe në Gjermani, nuk kursyen as edhe qindarkën e tyre të fundit për çlirimin e Kosovës. Ata nëpërmjet Shoqatës “Ali Ajeti”dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, në të holla, në veshmbathje dhe barëra. Prandaj do të ishte mëkat i madh, sikur mos të përmendej edhe angazhimi i Mehdi Lepajës,dhe ndikimi i tij në rritjen e Shoqatës ”ALI AJETI” Mehdiu kishte migruar në Zvicër më, 1978 dhe si të thuash ishte ai që na bashkonte në një sofër të moshuar e të rinj, të djathtë e të majtë.
Pas kryerjes së dy mandateve me plot suksese nga kryetari i deriatëhershëm Fetah Sheholli, statuti dhe rregulloret e Shoqatës nuk lejonin edhe një mandat të tij të tretë. Kështu që kërkohej emërimi i një drejtuesi të ri. Kjo detyrë nga të gjithë iu besua Mehdi Lepajës. Mehdiu në funksionin e kryetarit të Shoqatës Atdhetare “Ali Ajeti” emërohet në fillim të vitit 1999, në çastet më të vështira,kur Serbia mbi shqiptarët e Kosovës, kishte intensifikuar dhunë e gjenocid të paparë as në kohëra të Mesjetës. I prekur nga dhembja dhe nga gjendja e rëndë si dhe nga pamjet trishtuese që transmetonin Mediet zvicerane dhe ato të vendeve të tjera, Mehdiu do të kalojë ditë e net në tubime me bashkëvendësit e tij nga LLAPI, në kërkim të gjetjes së formave konkrete për ndihmë popullit të Kosovës.
Këtë angazhim ai e bënte nga dëshira e zjarrtë që Kosova të fitoj sa më parë mëvetësinë nga Serbia,në mënyrë që një ditë edhe Ai të kthehet atje. Bile me të dalë në pension planifikonte që pjesën e mbetur të jetës ta kalojë në Podujevë, ku sadopak do të çmallej me familjarë, shokë e miq të cilët i munguan gjatë 36 vjetëve të tij në mërgim. Sëmundja e papritur dhe e rëndë ia ndali projektet për të ardhmen. Mehdiu vdiq më 24 tetor 2014 në Spitalin e Përgjithshëm Kantonal të Bazelit,ndërkaq u varros në varrezat e Podujevës së Re ,i përcjellur nga qindra llapjanë të cilët i deshi dhe deshën shumë. Në këto momente dhembje s’di çfarë të them përveç lutjes: Miku im i dashur mëshira e Zotit dhe begatitë e Tij qofshin mbi Ty!