PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: KUSH KËRKON VDEKJE PËR SHQIPTARËT?

Tetovë, 10 prill2017: (Organizatat terroriste me frymë çetnike defilojnë hapur në Maqedoni) – Ngjarjet e fundit në Maqedoni dhe disa shtete të tjera ballkanike, janë të orkestruara dhe dirigjuara nga një qendër e njëjtë. Shfaqja në skenë e disa organizatave terroriste me frymë çetnike, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Mal të Zi (16 tetor 2016), pas zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni (11 dhjetorit 2016), po edhe në Serbi, pas zgjedhjeve presidenciale (2 prill 2017), të cilat po e dëshmojnë konstatimin tonë se në këto shtete hapur e zhvillojnë veprimtarinë e tyre disa organizata të fshehta terroriste, trashëgimtare të drejtpërdrejta të simotrave të tyre të themeluara që para një shekulli, siç janë ,,VMRO” (1893) dhe ,,Cërna Ruka” (1901).
Tani më nuk përbën fshehtësi se, dy organizatat më të mëdha terroriste, në Maqedoni dhe Serbi, fillimisht me emërtime të njëjta ,,Bashkim ose vdekje” (Ujedinjenje ili smrt), të emërtuara më vonë ,,Dora e zezë” dhe ,,VMRO” e ,,TMRO”, punojnë për qëllime të njëjta në disa shtete ballkanike, krijimin e Serbisë së madhe, përkatësisht Maqedonisë së madhe.*
Gazeta ,,Blic” e Beogradit ka njoftuar se presidentin e sapozgjedhur të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, organizata terroriste serbe ,,Dora e zezë” (,,Crna ruka”) nga Austria, e ka kërcënuar me vdekje, ndërsa organet përkatëse në Austri, por dhe në Serbi, kanë filluar hetime kundër kësaj organizate terroriste dhe drejtuesve të saj.

Në Mal të Zi, paksa nuk shpërtheu konflikt i hapur në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare (16 tetor 2016), kur një grup terrorist i kësaj provenience serbo-ruse tentoi të kryej atentat ndaj presidentit malazez, Gjukanoviç. Ky u bë shkaku kryesor i përshpejtimit të procedurave për inkuadrimin e këtij shteti nën ombrellën mbrojtëse të NATO-s.
Në Maqedoni, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 11 dhjetorit 2016, partia VMRO-DPMNE e humbi shansin për të mbetur edhe më tej në pushtet, pas plot 15 vitesh qeverisje të vendit.
Megjithatë, ngjarjet e 4 muajve të fundit pas këtyre zgjedhjeve po e nxjerrin në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të kësaj partie, e cila me çdo kusht dëshiron edhe më tej të mbetet në pushtet, duke i mobilizuar përkrahësit e saj fanatikë për protesta të dhunshme, të cilat kryesisht janë të orientuara kundër shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, duke bërë thirrje të hapura për përdorim të dhunës.
Shumica e qytetarëve në Maqedoni e kanë të qartë se thirrjet e këtyre falangave paramilitare kundër shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, përkatësisht kundër ,,Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare parlamentare” me kushte për hyrje në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë, janë vetëm një farsë, ushqim i nacional-shovinizmit sllavo-maqedonas, ndërsa qëllimi kryesor i organizatorëve të këtyre protestave është mbetje edhe më tej në pushtet e VMRO-DPMNE-së, dhe shpëtimi nga hetimet dhe dënimi i merituar i udhëheqësve të kësaj partie, drejtues të deridjeshëm të Qeverisë dhe pushtetit, të akuzuar nga Prokuroria Speciale Publike për krime të rënda gjatë qeverisjes së tyre 15 vjeçare në Maqedoni.
Përveç grupeve dhe individëve, të cilët në këto protesta shfaqin urrejtje të hapur shoviniste kundër shqiptarëve, ditëve të fundit janë shfaqur në skenë edhe disa organizata të ashtuquajtura ,,joqeveritare” me ikonografi çetnike, të cilat bëjnë thirrje të hapur për hakmarrje dhe luftë jo vetëm kundër shqiptarëve, por edhe kundër partive opozitare maqedonase dhe të tjera, sidomos kundër LSDM-së, duke mos e fshehur edhe qëllimin e tyre për krijimin e formacioneve paramilitare, kinse në mbrojtje të interesit të shtetit, gjuhës dhe identitetit të ,,rrezikuar” të popullit maqedonas.
Së paku 50 organizata të këtilla, nga Shtipi, Shkupi, Ohri dhe qytete të tjera, janë grupuar në nj front të përbashkët po me këtë qëllim. Mbetet çështje për t’u hetuar, si ndodhi që një numër kaq i madh i organizatave me këtë orientim antidemokratik me primesh terroriste të kenë vepruar legalisht në Maqedoni, të financuara nga buxheti i shtetit dhe nën përkujdesjen institucionale të VMRO-DPMNE-së, gjatë 15 viteve të qeverisjes së saj.
Kjo parti dhe shumë fraksione të saj me ideologji të njëjtë, që vitit 1990, sidomos pas pavarësimit të Maqedonisë e deri më sot, jo vetëm që përhapur kanë demonstruar frymë dhe veprime nacional-shoviniste kundër shqiptarëve, por në rrethana ende të pasqaruara dhe të pahetuara nga organet kompetente të pushtetit, dyshohet të jenë ndërmarrë edhe aksione terroriste kundër institucioneve legale të pushtetit dhe individëve që e kanë kundërshtuar këtë politikë, të cilët janë likuiduar në rrethana të pasqaruara, mes tyre edhe funksionarë të lartë të pushtetit, me dyshime të bazuara edhe për atentatet e organizuara ndaj dy presidentëve të vendit, njëri pret të cilëve përfundoi me pasoja fatale.
Ende nuk dihen arsyet pse organet kompetente të këtij shteti nuk i kanë hetuar individët dhe grupet që haptas dhe publikisht kishin bërë thirrje dhe ishin kërcënuar ndaj presidentit të ndjerë Boris Trajkovski, me akuza për ,,tradhtinë” e tij në lidhje me nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe jo vetëm.
Organizata dhe individë të mbështetur dhe financuar nga po e njëjta qendër politike, gjatë ditëve të fundit e kërcënojnë hapur Maqedoninë dhe qytetarët e saj, sidomos shqiptarët. Reagimi i organeve kompetente të shtetit, por edhe faktori ndërkombëtar duhet të reagojnë shpejtë dhe fuqishëm, përderisa shihet qartë se bëhet fjalë për individë të njohur me dosje kriminale dhe organizata të fshehta terroriste, të cilat kësaj radhe hapur e kërcënojnë shtetin, institucionet e pushtetit, vlerat demokratike, paqen dhe sigurinë në vend, si edhe në rajonin më të gjerë.
(10 prill 2017)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura