DILAVER GOXHAJ/SHPËTIM GOLEMI/: LINDJA, VEPRIMTARIA DHE FUNDI I LPK’së NË FAQET E LIBRIT

Tiranë, 21. 03. 2016: /Gjën’ më të keqe jam gati ta dëgjoj,/Gjën’ më të tmerrshme ma thuaj tani,/Dhe lajmin më tragjik do ta duroj,/Veç shpejt përgjigjmu: s’kam më mbretëri? – SHEKSPIR, “Rikardi II”/ – Dikur filozofi gjeman Artur Shopehauer pat thënë: “Tregou krenar sipas meritave të tua, sepse, kushdo që ka një meritë bën mirë të mos e fshehë, për të mos lënë të tjerët që ta harrojnë.” Me sa po shihet, Ibrahim Kelmendi, i intervistuar nga ish-gazetari Bedri Islami, është bërë protagonist i librit me kujtime “Lëvizja (lindje e përgjakur)”. Ibrahim Kelmendi shtetas gjerman prej vitit 1976 dhe ish studenti і Universitetetit të Bohum-it, (f.19-21), përmes bashkëbisedimit miqësor e të sinqertë me ish kryetarin e vitit të fundit të LPK-së, Bedri Islami, ka dhënë një ndihmesë të vyer për të përfituar dijeni brezat që vinë mbi lindjen dhe zhvillimin e asaj Lëvizje, përgatitjet dhe shpërthimin e Luftës për Çlirimin e Kosovës, përgjakjet dhe komplotet e zhvilluara brenda gjirit të saj dhe UÇK-së.
Për ta bërë sa më masive luftën e ardhëshme për çështjen e Kosovës, themeluesit e LPK-së e emërtuan atë me emrin Lëvizje, pasi “antarët e saj ishin me bindje ideologjike nga më të llojllojshmet” (f.420). Ata nuk e quajtën Front, edhe pse i tillë ishte organizimi, që të mos etiketoheshin si enveristë apo komunistë, pavarësisht se të tilla etiketime, sikundër del në libër, nuk munguan as nga pacifistët që i nënshtrohen fatit pa kundërshtim, as dhe nga politikanë e intelektualë shqiptarë e serbë, madje me shumicë.
Nga ky bashkbisedim mësohet se periudha prej lindjes së LPK deri në fillimin e aksioneve luftarake në Kosovë ka qenë një periudhë gati 15 vjeçare, e cila ka qenë periudha e formimit dhe e organizimit të saj si lëvizje politike si në Evropën Perëndimore edhe në Kosovë, në bashkveprim me OMLK. Në fillesat e shtrirjes së veprimtarisë së saj në Perëndim mësohet se paralel janë aktivizuar edhe diplomatët shqitarë në përbërje të ambasadave jugosllave, ku njerëzit e tyre depërtuan edhe brenda në udhëheqje të LPK, jashtë dhe brenda Kosovës, si rjedhojë e të cilave pati shpesh herë arrestime masive të antarësisë së saj dhe të ilegalëve të tjerë. Merita kryesore e LPK qëndron në atë që arriti të vendoste në rend të ditës çështjen e domosdoshmërisë së luftës së armatosur dhe ndërgjegjësimin e pjesës më të madhe të emigracionit dhe të rinisë në Kosovë, me synim që i gjithë populli shqiptar në Kosovë të vendosej në opozitë me regjimin shtypës, si e vetmia rrugë për ta shkëputur Kosovën nga Jugosllavia (Serbia) dhe krijimin e kushteve për ta bashkuar atë me Shqipërinë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, mësohet se në udhëheqje të saj ka patur edhe idealistë profanë, pa koncepte të qarta dhe pa nivel të caktuar arsimor e politik, ndaj dhe LPK-ja nuk mund të kish një strategji të përcaktuar mirë dhe një taktikë të përpunuar qysh në fillim. Si rjedhojë ajo ka vuajtur nga fragmentet dhe mendime të shkëputura mbi taktikat dhe strategjinë, por taktikë dhe strategji të përcaktuar definitive nuk kishte, sidomos pjesa brenda Kosovës. Kjo e dyta si rjedhojë e reprezalieve të herëpasherëshme të policisë dhe UDB-së, të cilat kanë sjellë pezullime të përkohëshme dhe periodike të veprimtarisë së saj brenda vendit.
Megjithatë, deri me daljen në skenë të LDK-së mësojmë se format taktike të LPK-së, por edhe të forcave të tjera politike ilegale në Kosovës, del se ishin në përputhje të plotë me zhvillimet politike në Kosovë: greva lokale dhe të përgjithsshme, demonstrata të veçanta dhe bazë Kosove, parulla lufte dhe parulla mobilizuese, literaturë propagandistike legale dhe ilegale, etj.
Me daljen në skenë të LDK-së bëhet e ditur se pati një mjegullim në radhët e LPK-së, si në Perëndim ashtu edhe brenda në Kosovë, (shih f.220), duke pësuar një tërheqje nga format taktike të mëparshme. Kjo e detyroi LPK-në t’i rikthehej klandestinitetit të thellë, sepse “Rrethanat në Kosovë u bënë tepër të rënda për të ngritur struktura komanduese. Tashmë nuk është më vetëm pushteti pushtues i Beogradit që përndiqte brutalisht, por edhe udhëheqja e LDK-së që spiunonte.”, (f.377-78). Por edhe në këto kushte del se LPK-ja nuk hoqi dorë nga strategjia e mëparshme: mëvetësia e Kosovës. Në këto rrethana të reja politike, Lëvizjes iu desh të ndryshoi taktikë, “filloi të merrte formë ideja e aksioneve luftarake, e përgatitjes ushtarake dhe të sundonte mendimi se nga fjalët duhej kaluar në aksione. Nuk është për t’u habitur se këtë e kërkoi së pari Këshilli Popullor i Lëvizjes në Drenicë, ku ishte Adem Jashari.”, (f.196-97).
Sukseset e LPK, jashtë dhe brenda Kosovës, shpjegohen me faktin se vetëm në mbretërinë e idealit gjënden miqtë dhe shokët e vëtetë, i cili mbushi më pas formacionet e UÇK-së. Fatmirësishtë ai idealizëm ka mbetur ende i pashtershëm.
Kushdo që lexon librin “Lëvizja e përgjakur”, vëren se Ibrahim Kelmendi reflekton një inteligjencë poliedrike dhe një rrëfim të pastër e të sinqertë, që të befason. Ndaj edhe shumë persona me ndërgjegje të mbushur me njollat e frikës, të mashtrimit apo të bashkëpunimit me armikun, për shkak të karakterit të tyre të qullosur, e quajnë këtë bashkthemelues të LPK-së,- të vetmin të mbetur gjallë nga atentati i 17 janarit të vitit 1982,- naiv e, akoma më keq: të çmendur, duke i ngjitur me dhjetra epitete nga më fyeset. Karakteri i tij “rebel” prej vuthjani shpërthen edhe në vetë zyrën e Presidentit Mejdani, duke ia prerë fjalën kryetarit të Fondit “Vendlindja Thërret”, Jashar Salihut: “Më fal, o Jashë, pse po i lavdëron? Nuk kemi ardhur këtu për të falnderuar Shtetin shqiptar, gjegjësisht Presidentin dhe qeverinë, por të pyesim pse nuk po na ndihmojnë. Profesor, ju po na toleroni në Shqipëri sepse secilin hap që po hedhim po e paguajmë me deviza. Armë nuk po na jepni, por po i blejmë kryesisht të vjetra, dhe jo vetëm transportin por edhe lejen për t’i transportuar, bukën që po hamë dhe fjetjen, po i paguajmë me deviza. Atëherë për çfarë t’u falnderomë?” (f.436). Këtë kurajo e vërejmë edhe në mënyrat madhështore se si buçasin ato fjalë në takimin e tij me diplomatët shqiptarë në Vjenë, (f. 159). Në vend të disiplinës dhe të bindjes formale, në raport me antarët e tjerë të Kryesisë së LPK-së, në asnjë person tjetër në udhëheqjen e saj, nuk shpërthen në këtë lloj lirshmërie forca e fjalës dhe sinqeriteti, për veç se te Ibrahim Kelmendi, lirshmëri që e kemi parë shpesh herë vetëm te personi i Adem Demaçit.
Fjala e Ibrahim Kelmendit nëpër mbledhjet e Kryesisë apo të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes si dhe në këtë rrëfim, është shpërthim i brengës së humbjes të shokëve më të mirë që ka patur ndonjëherë udhëheqja e LPK-së: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Fehmi Lladrovci e Adem Jashari. Kuptojmë se ajo është një lumë inati ndaj tradhëtisë, mashtrimeve dhe komploteve që i delnin përpara në çdo hap, të cilat i dallonte shpejt dhe lehtë, falë inteligjencës dhe erudicionit të tij, një inat që shpërthen në formën e një lumi që tash ka vërshuar dhe përmbyt.
Në këtë rrëfim të tij të gjatë mësojmë se Kelmendi dhe shokët që i rrinë besnikë idealit kombëtar, nuk i durojnë dot manovrimet djallëzore të “gjysmës së Sektorit të Rëndësisë së veçantë dhe komplotistëve” të tjerë, sikundër shprehet ai vetë, që, sëbashku formojnë “katërshen” dhe më vonë udhëheqjen e vetë UÇK-së. Madje, edhe në rastet kur intervistuesi i këtij libri ia merr në mbrojtje “katërshen”, kjo e rebelon Ibrahimin edhe më shumë, por njëkohësisht e bën edhe më të vendosur për të sjellë fakte të reja për vërtetimin e të vërtetave, të cilat tregojnë se si u pushtua nga brenda udhëheqja kryesore e LPK-së dhe UÇK-së.
Por, bazuar në kreun e fundit të librit vërejmë se edhe Ibrahimi ka patur momente lodhjeje dhe dobësie. Dhe këtë lodhje të tij unë e vërej te miratimi që ai i bën vendimit të Shtabit të Përgjithshëm për shkuarjen në Rambuje, duke pranuar parakushtin shkatërronjës, shuarjen e UÇK-së, mbledhje të cilën ai e vlerëson si apogjeun (kulmin) e suksesit të asaj lufte, por që faktet treguan të kundërtën.
Nga rrëfimi i Ibrahimit mësojmë se njeriu që ai i ka besuar më shumë ka qenë Fehmi Lladrovci. Fehmiu del se e ka shumë të zhvilluar intuitën e luftëtarit, e thënë ndryshe, nuhatjen politike dhe ushtarake, e fituar prej tij gjatë drejtimit të një brigade vullnetarësh gjatë luftës në Kroaci; ndërsa Ibrahimi, karakterizohet nga rebelimi impulsiv sa herë që dallon hile dhe dredhi në dëm të idealit kombëtar. Këto cilësi, përveç se plotësojnë njëri-tjetrin, i bëjnë ata që të mos kënaqen kurrë me atë që është arrirë; ata në çdo moment kërkojnë ndryshim progresiv. Megjithatë, ata dallojnë mes tyre. Fehmiu ka një dobësi. Tek ai bie në sy besimi absolut te institucionet drejtuese të LPK, ndërsa te Ibrahimi ndodh e kundërta. Këtë cilësi Ibrahimi e ka fituar nga jeta e tij e gjatë në ato institucione.
Impulsiviteti i Ibrahimit dhe intuita prej luftëtari e Fehmiut bëri të mundur plotësimin në kohë të kërkesës së zonave të luftës në Kosovë, drejtpërsëdrejti nga dega e LPK për Gjermaninë, ku kryetar i saj ishte Fehmiu. Këtu e ka fillesën përçarja në udhëheqjen e ngushtë të LPK-së. Kjo udhëheqje organizon mbledhje të posaçme të Kryesisë, në mars të vitit 1997, për t’i dënuar këta të “padisiplinar” që “prishnin disiplinën dhe kompetencat, meqë mjetet duheshin dërguar vetëm përmes Sektorit” të Rëndësisë së veçantë (SRV), (f.309), për arsye se u kishin dërguar financa “kaçakëve”, “për të cilin gabimisht përdorej identifikimi “grupi i Drenicës”” (f.308, 353). Kuptohet, të gjithë ata që janë të guximshëm dhe me karakter, për të tjerët janë gjithnjë shqetësues. Ndaj dhe Kryesia, e imponuar nga SRV, nuk merrte më guximin të miratonte këkesën e Fehmiut për të shkuar e luftuar në krah të Adem Jasharit, por i kërkonte llogari “të padisiplinuarit” pse dërgoi ndihma për luftën, nga meraku mos zemërohej “gjysma” e Sektorit.
Por pse zemërohej “gjysma” e Sektorit dhe pse nuk çoheshin ndihma?
Në libër, kjo del qartë. Nëse vijonte dërgimi i ndihmave, dhe bashkë me to shkonte në Kosovë edhe Fehmiu, qysh në marsin e vitit 1997, Ademi dhe ai do të ishin pa diskutim, udhëheqësit kryesorë të UÇK-së. “Si ndodhi që Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti të mos ishin që në fillim kuadrot ushtarake në pozicion të parë e të dytë në Shtabin e Përgjithshëm, por ishin të tjerë!?”,(f.379). Dhe përgjigjen na e jep z.Kelmendi i cili sqaron se, këto funksione kyçe duhej t’i mernin të tjerë, pastaj të lejoheshin ndihmat dhe Fehmiu, por tashmë si vartës të “katërshes”. “Që nga viti 1996, thuhet në libër, e deri kur ndodhi Epopeja e Jasharajve në Prekaz, Xhaviti e më shumë Azemi, ngulnin këmbë se Adem Jashari me bashkëluftëtarë nuk duhej të përkraheshin, sepse nuk ishin në UÇK.”,(f. 373)! Po të ndodhte e kundërta, thekson i intervistuari, lufta nuk do të vihej dotë nën kontrollin e “katërshes”, e cila luftonte për të ardhë në pushtet dhe jo për përmbysje, sikundër treguan më pas faktet..
Kryesia, duke rënë nën këtë grackë të “gjysmës” së Sektorit, në vend që të merte në analizë pse SRV-ja i kish lënë pa ndihma zonat që luftonin në Kosovë, ku vetëm këtë detyrë kishte, argumenton Ibrahimi, ajo i kërkonte llogari atij, pse ai dhe Fehmiu u kishin dërguar ndihma zonave luftarake! Në vend që t’i binin gozhdës, i binin patkoit. Dhe kjo përplasje shpjegohet për faktin se kish papajtueshmëri në parim midis Ibrahim Kelmendit dhe “gjysmës” së sektorit dhe më vonë e “katërshes”. Kelmendi kërkon që në luftë të marrë pjesë i gjithë populli, ndërsa “katërshia”, “kish një koncept të saj për ushtrinë, që ta mbanin të vogël në numur. Ajo të bënte aksione gjithashtu të vockla”, se vetëm kështu “ajo komandohej prej tyre. Me kaq ndiheshin të vetëmjaftueshëm e të kënaqur.” (f. 295).
Dhe, mos harrojmë, kjo ndodh në marsin e vitit 1997, një vit para se të na ndodhë Epopeja e Jasharajve! Me sa po del nga shtjellimi në libër, ky është momenti kur “gjysma” e Sektorit fillon të manipulojë udhëheqjen e LPK, duke dalë mbi të. Prej kësaj kohe, LPK-ja fillon të ndryshojë misionin e saj, nga udhëheqëse politike në grumbulluese financash, të cilat ia dorzonte SRV-së, duke e vënë vetën në bisht të luftës dhe kokulur e “katërshes”, ndoshta edhe si rjedhojë e konformizmit dhe familjaritetit në radhët e Kryesisë, (f.293)!?
Rënia në këto pozita e udhëheqjes së LPK-së, mund të ketë ardhur jo vetëm nga presioni i “katërshes” por edhe si pasojë e mungesë së njohurive për të bërë udheheqjen tërësore të një lufte çlirimtare, e cila kërkon një mendie më të mprehtë se ajo që fitohet nga librat dhe jeta në ilegalitet. Autorët e këtij tregojnë se si LPK-ja ka bërë udhëheqjen politike për përgatitjen dhe shpërthimin e luftës së armatosur në Kosovë deri në majin e vitit 1998, dhe e ka bërë mirë. Dhe me kaq, si udhëheqja e LPK-së ashtu edhe këta dy antarët e asaj, autorët e këtij libri, kanë patur dhe kanë bindjen se me kaq është bërë gjithçka që duhej në atë drejtim. Mirëpo, vetëm me kaq, është bërë vetëm gjysma e asaj që duhej të bëhej. Fatkeqësisht, ende ata nuk e kanë kuptuar se kanë bërë vetëm gjysmën, apo fillimin e punës që duhet të bëjë një forcë udheheqëse politike në një luftë çlirimtare, qoftë ajo Lëvizje, Front apo parti. Ende ata nuk e kanë të qartë se LPK-së i ka munguar udhëheqja organizative e asaj lufte, e cila realizohet sipas parimit: beso dhe kontrollo. Po qe se mungoi udhëheqja organizative, lindin devijime nga vija e përgjithshme politiko-ushtarake e luftës. Devijimet nga vija përbëjnë rrezikun kryesor në luftë, pasi, po mungoi kontrolli, nuk ka as raportime dhe as dhënie llogari para udhëheqjes politike vendimmarrëse. Dhe kjo mangësi ka ardhur si rjedhojë e “marrëveshjes së heshtur që shokët që tashmë ishin në luftë, të mos ishin antarë të Kryesisë”(!!!), (f.421), sikundër dëshmon Bedri Islami. Vetëm ekzistenca brenda vendit e një force të caktuar politike, siç ishte LPK-ja, mund t’i bëjë të ndërgjegjshme masat e popullit për domosdoshmërinë e luftës dhe jo individët. Pa qartësinë politike dhe vendosmërinë revolucionare të masave dhe të shtabit drejtues të luftës as që mund të mendohet uniteti i faktorit të jashtëm me atë të brendshëm. Pa atë unitet as që mund të mendohet një fitore e mundshme e një populli të shtypur e të vogël. Dhe këto dy lloj udheheqje (ajo politike dhe ajo organizative) nuk mund të bëhen me korespondencë, nga jashtë vendit.
Kjo “e metë e tyre themelore, e cila ndaloi që Këshilli i Përgjithshëm të konstituohej brenda në Kosovë,” (f.380), eleminoi udhëheqjen politike dhe organizative të asaj lufte çlirimtare, gjë që solli daljen nga skena udhëheqëse të LPK. Si rjedhojë, udheheqja e LPK, dashje pa dashje, do të shndërohej në një bisht të Shtabit të Përgjitshëm të UÇK-së.
Kur LKÇK-ja e kapi në kohë këtë mangësi të LPK-së, dhe pas shumë takimesh arriti të nënshkruante marrëveshjen me përfaqësuesin e Shtabit të Përgjithshëm, Rexhep Selimin, për ta bërë ajo udhëheqjen organizative të luftës, (një ditë më parë ishin dakorduar edhe me Fehmi Lladrovcin), “katërshia” e anulloi urgjentisht, me telefon nga Tirana, atë marrëveshje me LKÇK-në, të datës 11 Maj 1998, në Drenovc të Malishevës1), dy javë para se të eleminohej LPK-ja nga udhëheqja politike dhe organizative e asaj lufte.
Bazuar në të dhënat që jep I.Kelmendi, çdo gjë ishte e kalkuluar me detaje dhe në mënyrë perfekte nga ana e “katërshes”. Dy javë më vonë pasi anullohet marrëveshja e 11 majit 1998, midis Sh.P dhe LKÇK-së, “katërshia” e mposhti totalisht udhëheqjen e LPK-së, e nxori jashtë loje. Dhe atë “fitore” e shpreh qartë Azem Syla, kur i thotë Ibrahim Kelmendit po atë ditë: “Zgjedhja jote në kryesi i dha fund Lëvizjes” (f.423), që do të thotë: tash e tutje grini sallatë sa të doni, LPK-ja për ne është një hiç, zot të UÇK-së dhe të luftës jemi ne, KATËRSHJA”. Dhe për të mashtruar cilindo që mund të pyeste se, ç’u bë me LPK-në, e zevendësuan atë sa për fasadë me të ashtuquajturën “DREJTORIA POLITIKE”2), e cila përbëhej nga “katërshja”, plus z.Jakup Krasniqi, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm përbëhej nga këta të pestë, plus dhe tre të tjerë, të cilën na i sqaron vetë z.Jakup në librin e tij “Kthesa e madhe”3).
Prej atij momenti, 23 Maj 1998, del se “katërshja” e mori totalisht nën kontroll UÇK-në, ndaj dhe “katërsha” ishte dakort me të dy duart që në krye të LPK-së të zgjidhej cilido; dhe u shfrytëzua prezenca e Bedri Islamit, i cili gëzonte respektin e të dy “Palëve” në udhëheqje. Por faktikisht Bedriu ishte kryetar sa për formë, pasi edhe për marrjen e vendimit për të shkuar apo jo në Rambuje nuk e përfillën fare.
Sekreti i kësaj fitoreje të “katërshes” qëndron edhe në faktin se LPK-së, përveç udhëheqjes organizative, i mungonte edhe shërbimi inteligjent, nga ku do të merrte informacionin se ç’ndodhte në Kosovë dhe në Shqipëri, prandaj ajo nuk dinte se ç’kish ndodhur në Kosovë në 11 maj 1998. Si të jetë informacioni, ashtu do të jetë edhe vendimi. Kryesia, de fakto, ushqehej dhe ngopej vetëm me informacionin që i jepte “katërshja”, nga “djemtë brenda Kosovës”, ndaj dhe Ibrahimi i dukej asaj si një njeri kritizer dhe i çmendur, kur ai u jepte të dhëna krejt ndryshe nga ato të “katërshes”. Këtu e gjejmë edhe shpjegimin e faktit pse Bedri Islami e merr gjithnjë në mbrojte “katërshen”, në të gjithë këtë bashkëbisedim të tyre dhe ka për ta mbrojtur sa të jetë gjallë.
Së fundi, bazuar në informacionin që na jep zoti Kelmendi përmes këtij libri, analistët dhe historianët e ardhshëm të luftës çlirimtare në Kosovë, nuk duhet të harrojnë pa theksuar një konkluzion nga më të rëndësishmit. Dhe ai është: përveç ndihmës ushtarake të NATO-s për çlrimin e Kosovës, si faktori kryesor i jashtëm, nuk duhet të harrojmë se ajo fitore erdhi edhe si rjedhojë e ndihmës së Republikës Federale Gjermane, e cila, përveç se “ngriti enkas për Kosovën një shtab të veçant për të ndjekur ecurinë e luftës” sonë (f. 445), (ndërkohë që Republika e Shqipërisë, jo vetëm që nuk angazhoi asnjë ushtarak të vetëm për të ndjekur nga afër atë luftë, të paktën sa për sy e faqe, por, përkundrazi, ata oficerë që me nismën e tyre personale shkuan dhe luftuan me vëllezërit e tyre në Kosovë, porsa u kthyen nga ajo luftë i arrestoi, i dënoi, u pushoi familjarët nga puna shtetërore dhe i hodhi në rrugë; kuptohet, edhe me kontributin e “katërshes”). Ndërsa Gjermania nuk u mjaftua vetëm me ngritjen e atij shtabi, pranë Shtabit të Përgjithshën të ushtrisë së saj, por “Telekomi gjerman e furnizoi UÇK-në me rrreth 140 telefonë satelitorë, ku përdoruesit e tyre në Kosovë mund të telefononin në të gjithë botën dhe me të cilët u mbajt edhe ndërlidhja me shtabet e NATO-s (f. 445), ku çdo muaj shpenzoheshin qindra mijëra marka, dhe, në mbarim të luftës ajo shumë pat mbritur në një milionë e 200 mijë marka (f. 446). E krahasuar me kursin e asaj kohe, vlera është e barabartë me 960 mijë dollarë Amerikanë. Dhe, ajo që të bën edhe më shumë borxhli ndaj Gjermanisë, kur lufta mbaroi, përfaqësuesi i Telekomit Gjerman, me porosi edhe të Sh. të Përgjithshëm të Ushtrisë Gjermane, i thotë marrësit të atyre 140 telefonave satelitorë, Ibrahim Kelmendit: “Faturën mund ta mbash thjesht për kujtim.” (f.446).
Prveç kësaj ndihme pa interes nga ana e Gjermanisë, në radhët e UÇK-së u radhitën gati 10 vullnetarë gjermanë, nga të cilët kemi edhe dëshmorë. E megjithatë, askush nuk u kujtua nga “katërshja”, Shtabi i Përgjithshëm dhe Drejtoria Politike e UÇK-së, të cilët sot janë të gjithë në pushtet, t’i thirrte e t’u thoshte të paktën: Faleminderit!
Me këto fakte, dëshiroj të them se Gjermania, edhe pse nuk dërgoi në Kosovë avjonët apo ushtarët e saj, ne shqiptarët, çlirimin e Kosovës, duhet ta quajmë edhe kontribut të Gjermanisë, krahas UÇK-së dhe NATO-s, dhe duhet t’i jemi mirënjohës gjithë jetën, sidomos për faktin që Gjermania kompletoi Ushtrinë tonë Çlirimtare me ndërlidhje, ku dihet mirë se pa ndërlidhje, në ushtri dhe në luftë nuk ka komandim, pa komandim s’ka fitore.

Dilaver Goxhaj, autori i këtij shkrimi, ushtarak nga Tirana, ishte pjesëmarrës aktiv në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – i njohur me pseudonimin – Shpëtim Golemi.

***
Së fundi, krahas vlerave që ka ky libër, kam dy vërejtje.
Së pari, këta dy autorë dhe antarë të udhëheqjes më të lartë të LPK-së, fyejnë pa pikë ndrojtje 5 (pesë) ish-oficerat e Ushtrisë shqiptare, të cilët ishim të vetmit që lamë punën, familjet dhe lirinë dhe dolëm vullnetarë, (para marrëveshjes së Rambujesë), nga 180 mijë oficerët aktivë, pensionistë, rezervë dhe rezervistë të të gjithë llojeve të armëve dhe shërbimeve të Republikës së Shqipërisë. Dy nga ne, Tahir Sinani e Indrit Cara, dhanë edhe jetën. Dhe B.Islami e I.Kelmendi jo vetëm që nuk thonë as edhe një fjalë respekti, por na quajnë “spiunë të SHIK-ut e të SHIU-t ose mercenarë”!, (shih f. 442-43). Edhe sikur ne të ishim të dërguarit e atyre shërbimeve inteligjente shqiptare, cila do të ishte e keqja për UÇK-në?! Nëse ne do të ishim mercenarë, a mund të na jepeshin ato detyra të larta me përgjegjësi që kryejtëm në radhët e UÇK-së? Dhe çka është edhe më e çuditshme, kontributin e dhënë nga 16 oficerët vullnetarë prej shtetit amë, (11 të tjerët hynë në luftë me kontigjentet që sulmuan nga territori RSH), ku për lirinë e Kosovës e morëm vdekjen në sy, këta dy zotërinj dhe ata që uzurpuan udhëheqjen e UÇK-së, e shumëzojnë me zero.“Mosmirënjohja, thotë S.Frashëri, është ligësia më e madhe në botë”.
Vërejtja e dytë. Autorësia e librit duhej të ishte e të dyve, ose vetëm e Ibrahimit, por me titull: “Bashkëbisedim me Bedri Islamin për Lëvizjen e gjakosur”; njëkohësisht ky libër e ka të domosdoshme pajisjen me treguesin tematik dhe të emrave.
————————
* Reçencë për librin “Lëvizja (lindje e përgjakur)”, “Bashkbisedim me Ibrahim Kelmendin”, me autor Bedri Islami, Tringa Design (Tetovë MK), 2012
1). Shih Shukri Klinaku: “Vendimi fatal”, Prishtinë, 2000, f. 81
2).Sadri Ramabaja: “Duke e parë mungesën e përfaqësimit politik të shkallës që kërkonte koha, në njërën prej mbledhjeve të Shtabit Mobilizues, pata propozuar që Shtabi i UÇK-së ose do të duhej që ta pranonte publikisht LPK-në si krah politik, ose këtë punë t`ia ngarkonte Lëvizjes për Bashkim Demokratik në Kosovë. Nëse nuk e bënte as njërën e as tjetrën, atëherë le ta themelojë një Drejtori politike dhe ta bëjë publik emrin e drejtorit dhe të përfaqësuesve të saj jashtë. Ndërkaq anëtarët e Shtabit kishim shprehur gatishmërinë për të hyrë në Kosovë dhe për t`u vënë në shërbim të UÇK-së. Këtë ide e kishte përvetësuar shpejt përfaqësuesi i LPK-së në këtë mbledhje të Shtabit, Ramadan Avdiu, dhe e kishte përcjell tutje tek klani i tij. Natyrisht as atëherë e as sot, nuk kam diçka kundër pse u përvetësua ideja. Përkundrazi, jam ndjerë i nderuar. Por, duke lexuar librin Lëvizja – Lindja e përgjakur… disi u ndjeva keq, meqë kisha ndjesinë që përmes kësaj ideje, mund të kem kontribuar në shmangien e Kryesisë së LPK-së si organi më i lartë politik dhe marrjen nën kontroll të plotë të UÇK-së nga katërshja e famshme (Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi), për të cilën Ibrahim Kelmendi flet gjerësisht në këtë libër”. (Pashtriku.org, 15. 04. 2012)
3). Shih Jakup Krasniqi “Kthesa e madhe”, Sht. Botuese “Buzuku”, Prishtinë, 2006, f. 90.

Dilaver Goxhaj (Shpëtim Golemi) – Tiranë, 21. 04. 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura