ARIF EJUPI: NË GJENEVË U PROMOVUAN TRI VEPRA ME VLERË NGA FUSHA E LETËRSISË DHE KULTURËS SONË KOMBËTARE

Gjenevë, 11. 12. 2106: Këtë fundjavë në një nga sallat auditoriale të Universitetit shtetëror të Gjenevës, u bë promovimi i veprës së bashkautorëve Besnik Camaj e Shefqet Dibrani “Leksikon i Autorëve Shqiptarë në Zvicër” si dhe ai i përmbledhjes “Tresors Albanais” i poetes dhe përkthyeses Rina Çela-Grasset, që përmban një fond të pasur thëniesh të urta shqiptare me përkthim edhe në frëngjisht.
Takimin me nxënës, studentë e intelektualë të fushave të ndryshme e deklaroi të hapur zonja Margarita Iseni, studente në Fakultetin Juridik të Gjenevës. Ajo ka mahnitur të gjithë të pranishmit me të folmen e saj të prajshme dhe të pasur në gjuhën shqipe.
Vlerësime kritike rreth Leksikonit të Autorëve Shqiptar në Zvicër, fillimisht ka dhënë zonja Mirishahe Limani-Hiler.

Ajo tashmë e njohur për lexuesin shqiptar dhe atë në gjuhën frënge këtë vepër pjesë e së cilës është edhe vetë e vlerëson pozitivisht, duke falënderuar nga zemra Camajn dhe Dibranin ,për punën e tyre të mundimshme e plotë sfida. Leksikonin e konsideron si një hapje shtegu dhe referencë të parë për gjeneratat në ardhje.
Pastaj me një kritikë impresioniste rreth veprës letrare të autorëve Camaj dhe Dibrani, u prezantua poetja nga Ferizaj Nerxhivane Sejdiu-Ferati, e cila aktualisht jeton dhe vepron në Gjenevë të Zvicrës.
Ajo punën e këtyre dy krijuesve të shquar e vlerësoi si pasuri të shumëfishtë të kulturës sonë. Madje Dibranin e quan si njërin nga krijuesit më të frytshëm të viteve të 90-ta .
Konstatimin tim thotë zonja Sejdiu-Ferati, e konsideroj të pakontestueshëm kur marr parasysh faktin se një mori bukur e mirë e punimeve letrare të z. Dibrani janë të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, si në: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht e sllovenisht.
Ndërsa librin me 215 poetë e krijues shqiptarë të fushave të ndryshme në Zvicër, ajo e ka cilësuar si një arritje të lartë krijuese të këtyre dy autorëve të njohur të letrave tona.
Ajo beson se kjo vepër me karakter informues dhe shkencor do të jetë frymëzim dhe motivim edhe për studiuesit e fushave të tjera.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore shkrimtari, publicisti dhe kritiku i mirënjohur letrar nga Kosova, Prend Buzhala njëherit edhe redaktor i librit në shqyrtim ka dërguar një trajtesë me shkrim.
Ai nëpërmjet kësaj kumtese të lexuar nga zonja Nerxhivane Sejdiu- Ferati ,ka shprehur përshtypjet e tij personale rreth Leksikonit të Autorëve Shqiptarë në Zvicër.
Buzhala këtë vepër e ka klasifikuar si Fjalor Enciklopedik të Letërsisë Shqipe, sepse nëpërmjet saj përmblidhet dhe identifikohet puna krijuese nëpër shekuj e qindra poetëve, artistëve dhe shoqërive kulturore shqiptare që në periudha të ndryshme veprimtarinë e tyre politike dhe krijuese e zhvilluan dhe vazhdojnë ta zhvillojnë në të gjitha regjionet e Zvicrës.
Kurse autorët Camaj dhe Dibrani kanë falënderuar të gjithë poetët dhe artistët e fushës pamore apo të teatrit dhe filmit, paharruar edhe shoqëritë dhe grupet e shumta kulturore që me shënimet e tyre të dërguara kanë ndihmuar realizimin e këtij projekti. Ata gjithashtu janë të vetëdijshëm që me këtë vepër s’ ka përfunduar gjithçka.
Për arsye të shtrirjes së mërgatës sonë në qytete dhe vendbanime të ndryshme të Zvicrës dhe mungesës së duhur të informimit ka të ngjarë që dikush nga krijuesit e letërsisë, artit dhe filmit të ketë mbetur pa u përfshirë në këtë libër.
Garantojmë që nuk kemi pasur inate e as qëllime përjashtuese ndaj askujt thanë në fund të fjalës së tyre Camaj e Dibrani.
Po ashtu në këtë mbrëmje letrare një trajtim dhe studim i është bërë edhe librit“Tresore Albanais” të poetes dhe përkthyeses së njohur të letërsisë sonë Rina Çela Grasset.

Ky libër edhe pse i një tjetër gjinie letrare ka zgjuar tek të pranishmit interesim të jashtëzakonshëm.
Zonja Çela-Grasset në këtë libër ka përmbledhur fjalë të urta popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë.
Ajo nëpërmjet këtyre thënieve të urta synon të paraqesë tek lexuesi i huaj vlerat e mirëfillta të popullit të saj. Zakonisht këto urti kanë qarkulluar në popull si tregime të pashkruara.
Zonja Çela-Grasset duke ditur vlerën dhe kuptimësinë e tyre i ka tubuar ato dhe i ka sistemuar në këtë libër, me çfarë ka shmangur rrezikun e mundshëm të zhdukjes së këtij thesari të çmuar të popullit tonë.
Nëpërmjet një monografie të titulluar “Dy Dekada me Shqiptarët e Francës” para auditorit është paraqitur edhe autori i këtij libri Abaz Pllana. Ai si njëri nga veprimtarët më të hershëm të mërgatës sonë në Francë, me katër-pesë fjali përshkroi punën disavjeçare të shqiptarëve në këtë vend.

Duke e vërejtur modestinë dhe mosimponimin e Pllanës, vlerësim për këtë monografi dha edhe zonja Çela-Grasset. Ajo shprehu haptas kënaqësinë që është redaktore e monografisë dhe bashkëveprimtare me Abaz Pllanën, njeriun e fjalëve të pakta dhe të veprave të shumta.
Kjo mbrëmje e rëndësishme kulturore është realizuar në saje të një bashkëpunimi të ndërsjellë të kryesive të shoqatave “Unioni i Studentëve Shqiptar të Gjenevës” dhe “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”.

 /ARIF EJUPI/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura