ARIF EJUPI: SHFAQJE E PËRKRYER DHE E PAHARRUAR NGA MIRUSH KABASHI NË GJENEVË

Gjenevë, 30. 01. 2015 – Më 24 janar 2015 në teatrin qendror të Gjenevës, është shfaqur për të parën herë në Gjuhën Shqipe, dhe me përkthim në frëngjisht monodrama “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” Kjo vepër monumentale e romancierit, profesorit dhe filozofit të famshëm francez me prejardhje hebraike Eric-Emmanuel Schmitt. Ndonëse e shkurtër është plot me dëshmi e të vërteta se edhe në situatat më ekstreme kur ka gatishmëri, e vullnet mund të ndërtohet harmonia dhe paqja me të tjerët pavarësisht religjionit apo përkatësisë nacionale. Prandaj me të drejtë kritikët letrar dhe njohësit e vërtetë të artit skenik këtë roman të dramatizuar të Schmitit e konsiderojnë si një thesar të veçantë të letërsisë frënge dhe të asaj botërore.
Bazuar në këto vlera artistike dhe morale kjo novelë me gjithsej tetëdhjetekatër faqe është përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Po ashtu është shndërruar në film e në dramë me monolog, dhe si e tillë është bërë tejet tërheqëse për të gjithë artdashësit. Aktori më i preferuar i botës së filmit Omar Sharif, (emri i vërtetë Michel Demitri Shalhoub) në saje të figurës së Zotit Ibrahim, dhe aktrimit të përkryer në këtë rol më 2003 shpërblehet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me “ÇMIMIN E PAQES”.
Duke e njohur shpirtin human të shqiptarit dhe dëshirën e tij të flaktë për art e kulturë këtë vepër të çmuar e merr mundimin ta adaptojë në shqip Mjeshtri i Madh e me reputacion i skenës sonë Mirush Kabashi. Qëndrueshmëria, pasioni, dhe pesë vjet punë sistematike në kushte tejet të vështira bënë që më në fund kjo vepër simbol mirëbesimi dhe dashurie reciproke të finalizohet me sukses. Debutimi në Durrës, pastaj prezantimi i suksesshëm në skenën e teatrit të Tiranës, Preshevës, Ulqinit, Gjakovës dhe Prishtinës, janë vetëm fillimi. Kjo monodramë u shfaq edhe në Toronto të Kanadasë, ku u cilësua si një nga krijimet me të bukura dhe më të pëlqyera të Kabashit. Kurse në fund të tetorit të kaluar Mirush Kabashi, në një nga teatrot më të njohura të Londrës, interpretoi në mënyrë të papërsëritshme monodramën tjetër ”Apologjia e Vërtetë e Sokratit”.
Pas këtij suksesi aktori i mirënjohur Mirush Kabashi bartës i dhjetëra shpërblimeve dhe dekoratave në nivel vendi dhe në atë ndërkombëtar mori kurajën që monodramën ”Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” ta sjellë në Gjenevë, në vendin pikë takimi të kulturave botërore.

Gjenevë, 24.01. 2015: Aktori i shquar – Mirush Kabashi.

Interpretimi me mjaft profesionalizëm dhe shumëllojshmëria e roleve si dhe kontributi dhënë gjatë katër dekadave afirmimit të kulturës shqiptare bëri që më, 19 dhjetor 2014 Presidenca e Republikës së Shqipërisë, për arritje të larta në fushën e artit dramatik ta shpërblejë Z. Kabashi me titullin ”NDERI I KOMBIT” Gjithashtu Kabashi është dekoruar edhe më herët me titujt “ARTIST I MERITUAR”dhe “MJESHTËR I MADH I PUNËS” I frymëzuar nga puna plot suksese Kabashi virtuoz e refleksiv mbrëmë e inskenoi në teatrin me renome “Théâtre Salle Centrale Madeleine” të Gjenevës, monodramën ”Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” Këtë paraqitje bindëse të Kabashit me porosi fund e krye pozitive e përcollën rreth pesëqind mërgimtarë shqiptarë. Duhet theksuar se në mesin e shikuesve pati edhe nxënës e studentë zviceranë .
Me nivelin e tij të lartë artistik dhe përsosmërinë interpretuese për një orë e më shumë pa bërë as më të voglin lapsus Kabashi solli tek publiku ndjeshmëri, përjetime dhe emocione të fuqishme të karakterizuara me lot e të qeshura. Të interpretosh paralelisht shtatë personazhe që dallojnë nga njëri-tjetri dhe të ruash komunikimin me publikun është vërtetë diçka e jashtëzakonshme dhe impresionuese.

Tufë lulesh për aktrim të mrekullueshëm nga zonja Afërdita Krasniqi dhe fotografi kujtimi me idhullin e saj Z. Mirush Kabashi.

Zonja Shpresa Mehmeti duke qerasur me ushqime të përgatitura nga kuzhina jonë tradicionale Z.Kabashi
Me vetitë e tij të veçanta prej artisti të denjë këtë di ta bëjë vetëm Mirush Kabashi. Ai si rrallëkush para shikuesit sjell momente mjaft prekëse të jetës së një djaloshi çifut i cili dita-ditës po degradohej e po zhytej në amoralitet duke bredhur derë me derë bordeleve të Parisit. Ky i ri i braktisur nga prindërit e tij dhe i gjendur në udhëkryq e që po zvetënohej pa fajin e tij shpëtimin dhe ngrohtësinë e humbur familjare do ta gjejë tek dyqanxhiu mysliman Zoti Ibrahim, i cili duke parë se jeta e pakontrolluar e këtij adoleshenti ishte në rrezik e adopton atë, duke i falur ngrohtësi dhe mirësi. Monodrama përmbyllet me vdekjen tragjike të Zotit Ibrahim në një aksident komunikacioni në Iran. Në këto çaste të dhimbjes dhe të dëshpërimit aktori Kabashi lotët e tij i përcjellë dhe tek shikuesit. Ai me dhuntinë e tij prej aktori të madh bëri që edhe publiku me lot në sy ta përjetojë ndjenjën e humanes dhe të njerëzishmërisë.
Nga kjo monodramë mund të nxjerrim mësime praktike,që pa paragjykime në këtë kohë të turbulencave dhe mosdurimit fetar e racial t,i themi stop dhunës dhe në vend të saj të krijojmë hapësira për tolerancë,mirëkuptim e respekt të ndërsjellë.
Në fund të shfaqjes aktori Mirush Kabashi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, e posaçërisht shprehi mirënjohjen e tij të sinqertë ndaj Autortiteve Kantonale të Gjenevës, Loterie Romande dhe Komunitetin Shqiptar të Gjenevës, që mundësuan prezantimin e kësaj shfaqjeje të rëndësishme në këtë qytet të lashtë të kulturës dhe të diplomacisë botërore.
– Kontakti me autorin: [email protected].

…………………………………………………………….

“Zoti Ibrahim e lulet e Kuranit” – Mirush Kabashi rrëfen veprën e vënë në Gjenevë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura