ARISTIDH KOLJA, RILINDASI MODERN

Si e kam njohur, arvanitasin e shquar, Aristidh Kola?

(Në vitet 1993-2000 kur isha gazetar në Greqi)

Nga Albert Z. ZHOLI

Në vend të një prologu

Pas njohjes për herë të parë në vitin 1993, kam pasur takime të vazhdueshme me arvanitasin e shquar Aritidh Kolja, deri në vdekjen e parakohshme dhe të papritur të tijë (kur ishte në spital fatkeqësisht munda t’i shkoj vetëm njëherë, ndërsa varrimin e tij nuk mund ta përshkruaj dot, ku shoqata “Vllazërimi” e ka të filmuar) … Në gjithë takimet me të unë do të veçoja:

Botimin e librit tim të parë “Ikja e madhe” (emigracioni i emigrantëve shqiptar në Greqi), ku sipas tij ishte libri i parë publicistik i një shkrimtari shqiptar të botuar në shtëpinë e tij botuese.

Organizimin e përbashkët të ardhjes për vizitë në Athinë të poetit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar që ai e kishte shumë për zemër, Dritëro Agolli.

Mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer në krijimin e shoqatës së parë të emigrantëve shqiptarë në Greqi “Vllazërimi”, ku unë jo për meritat e mia, por si më i riu në atë kohë, nën nxitjen e shumë intelektualëve dhe emigrantëve, për tre vjet isha kryetar i parë i saj, ku në çdo 28 Nëntor në festën e Flamurit në krye të podiumit do të ishte Aristidh Kola.

Dhe (këtu ndoshta gaboj dhe kushdo që do ta lexoj këtë shkrim mund të bëj korigjimet e duhura, ku unë do t’i pranoj me shumë kënaqësi), kam bërë intervistën e parë të plotë në 26 korrik 1996, intervistë e cila pati jehonë në Shqipëri dhe në masën e madhe të emigrantëve tanë në Greqi.

Takimet e veçanta të miat me Aristidh Kolën

28 nëntor 1993: Ambasada shqiptare në Athinë, me rastin e festës kombëtare, organizsoi një ceremoni festive me trupin dipllomatik të akredituar në Athinë dhe të ftuar emigrantë. Pyeta nëse kishte ardhur Aristidh Kolja dhe m’u përgjigjën se po. Kështu, fillova të kërkoja mes asaj morie njerëzish, por më kot. Mes shumë njerëzish në atë ambient të ngushtë, nuk isha në gjendje të shquaja profilin e një njeriu që nuk e njihja drejtpërdrejtë, por vetëm e përfytyroja nga përshkrimet e miqëve të mi. Për të mos u lodhur më tej, i kërkova ndihmë gazetarit R.Goro..

Kështu, iu prezantova Aristidhit, shumë i emocionuar. Ai më shtrëngoi dorën fortdhe më përqafoi. Fliste një shqipe të bukur, shqipen e rilindasve. Atë shqipe që i ndjeri dhe i madhi Sandër Prosi e përcillte në mënyrë virtuoze tek filmi “Udha e shkronjave”. Sa bukur tingëllon ajo gjuhë! Për mua, ajo gjuhë e rilindasve është tërësisht shqiptare, pa asnjë deformim, pa as një huazim apo shtirje. Dhe Aristidhi e fliste aq bukur sa ç’e ka shkruar Naimi. Nuk ngopesha duke e dëgjuar. Mes asaj zhurme nuk mund të bisedohej gjatë, ndaj i kërkova një kartvizitë dhe më pas, një takim. Nuk hezitoi, përkundrazi. U ndamë si miq të vjetër. E prisja me padurim takimin me të. Kur shkova (Fidhipidhu 6, Athinë 115 26), ai më priti tek dera e zyrës dhe duke më hedhur krahun, më futi në zyrë. Ishte një zyrë e thjeshtë ku dominonin librat dhe pikturat. Në faqen ballore ishte një portret i Marko Boçarit, një më i vogël i Skëndërbeut dhe figura të tjera  arvanitase të revolucionit grek. Në faqet e bibliotekës gjeje romane, novela, libra  historikë me autorë  shqiptarë, kosovarë dhe grekë. Pashë dhe librin e Enver Hoxhës “Dy popuj miq”, me autografin e ish udhëheqësit komunist dedikuar Atistidhit. Ndërsa shihja botimet e tij, ai buzëqeshi dhe më tha: “Do të t’i jap me shumë dashuri” dhe me buzëqeshjen e tij, u ul duke më dhënë me autograf ato libra që unë i ruajta si gjënë më të shtrenjtë për sa kohë isha në Greqi (…?!). Në bisedë e sipër e pyeta pse kishte shumë fotografi të Marko Boçarit e Skëndërbeut, dhe ai m’u përgjigj: “Markoja është simbol i arvanitasve, ndërsa Skëndërbeu i të gjithë shqiptarëve. Këta dy njerëz na e lanë amanet gjuhën. Kjo është gjuhë e Perëndisë”.

Në Qershor të vitit 1996, në organizimet e para të shoqatës së parë të emigrantëve në Athinë, “Vëllazërimi” (në të cilin unë pata privilegjin të isha kryetar i parë), mundësuam ardhjen për vizitë të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. Takimi u zhvillua në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Greqisë. Ishte  një mbrëmje fantastike për emigrantët, por edhe për miqtë e ftuar grekë. Driteroi i bëri një analizë situatës politike në Shqipëri, foli për Greqinë dhe për Ballkanin. Në fund të fjalës së Dritëroit Aristidhi më tha: “Me njerëz të tillë të fjalës dhe të penës, Shqipërisë e shqiptarëve u takon tjetër fat. Dhe besoj se do të vijë dita ta kenë”… Mbas takimit, bashkë me Dritëroin, Moikom Zeqon e Spartak Brahon, Aristidhi na ftoi për darkë në shtëpinë e tij. Biseda e tij me Dritëroin ishte aq magjepsëse, sa nuk e kuptuam si ikën orët e drita e ditës tjetër na gjeti po aty, në ballkonin e shtëpisë së tij në periferi të Athinës…

Janar 1997: Shkova tek Aristidhi me dorëshkrimet e librit “Ikja e  madhe”. Kur më pa me pako në dorë, më tha me shaka: “Mos ke sjellë raki nga Shqipëria”?! “Kam sjellë për botim një libër. Dua ta botoj tek shtëpia jote botuese”, i thashë.

“Dëgjo Alberto.Unë do ta shoh njëherë librin, pastaj do të vendos”, tha ai. Kur binte fjala për libra, serioziteti i tij ishte absolut. Më telefonoi pas dhjetë ditësh dhe kur e takova, më tha: “E kalove provën. Librin do ta botojmë. Shtëpia botuese e ka emrin “Thamiras”, që në arvanishten e lashtë, do të thotë “E tha mirë”. Edhe ti mirë i kishe thënë gjërat në libër. Suksese”. Dhe libri pati vërtetë sukses. Për tre muaj u shitën 1000 kopje. Ky ishte dhe libri i parë publicistik i një shqiptari në “Thamiras”.

1999: Në Kosovë, luftë. Në greqi luftë mediatike.Kosova digjej, mediat greke heshtnin. Por nuk heshti Aristidhi. Ai ishte i përnatshëm në  televizionet greke. Me fakte historike ai trondiste opinionin e dizinformuar të Greqisë. Akuzat dhe sharjet e ultranacionalistëve grek ishin nga më të pabesueshmet. Arritën derri aty që të shihnin origjinën në 10 breza dhe ta cilësonin agjent të shqiptarëve (Shqipëria s’mban dot veten jo më të paguaj agjent)?! Në një nga këto ditë, kur ai kishte pak orë pushim, shkova si gjithmonë tek zyra. Dhe pse i lodhur nga provokimet, ai nuk ma kurseu buzëqeshjen. Në bisedë e sipër, befas më bie celulari. Atë ditë, si për inat, dy shqiptarë kishin grabitur një shtëpi dhe kishin qëlluar me thikë të zotin e shtëpisë. Por krimnelët nuk ishin kapur .Në telefon dëgjoj zërin e një personi, i cili mu prezantua si gazetar i radio SKAI. Duke m’u prezantuar, ai më thotë se numrin e celularit ia kishte dhënë një miku im. Lefter Marta. Dhe gazetari grek më pyet se çfarë mendimi kisha për kriminelët shqiptarë. Dhe unë i them: “Kriminelë ka edhe në Greqi dhe në Gjermani dhe në Rusi e Japoni. Kriminelët kudo që janë, kanë një kombësi me vete- “Kriminelë”. Aristidhi, kur unë përgjigjesha, më shtrëngoi krahun dhe tundi kokën. Në fund nuk më tha asnjë fjalë, por vetëm psherëtiu. Ai ndiente dhimbje për trajtimin jo real të shqiptarëve, por ndjente dhimbje se për muaj të tërë në televizionet greke, padrejtësisht i vishnin lloj-lloj kostumesh të pamerituar, njerëz që nuk e njihnin historinë. Por, e drejta e Aristidhit për luftën në Kosovë triumfoi, packa se shumë fitore ai nuk mundi t’i shijojë në të gjallë.

Për mendimin tim, Aristidhi hyn në Plejadën e rilindasve shqiptarë. Ndërsa për kohën dhe vendin ku punoi, ai meriton më shumë . Ai e ka ndërtuar vetë, me punën e tij, me veprat e tij, me talentin e tij, me guximin vetëmohimin, saktësinë, vërtetësinë, kulturën cilivizimin, shpirtin demokrat, piedestalin e emrit përkrah rilindasve. Ne na takon vetëm ta vendosim. Me veprën e tij ai ishte parashikues i zhvillimeve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Ballkan. Parashikimet e tij të sakta e kishin bazën tek intelegjenca, studimi dhe mosparagjykimi. Ndaj duhet ta vlerësojnë grekët dhe ta lartësojnë shqiptarët. Ai vdiq duke thënë “Jam grek”, por duke mos e mohuar asnjëherë se kishte gjak arvanitasi.

Po le ta lëmë të flasi vetë, nëpërmjet intervistës së pjeshshme të vitit 1995, Aristidhin, njërin nga personalitetet e brezit të mesëm të intelektualëve arvanitas, mik i madh i shqiptarëve, sidomos i intelektualëve, avokat, shkrimtar, publicist, por edhe botues i njohur. Por le ta lëmë  Aristidhin të flasë nëpërmjet një interviste kështu siç e kam marrë para 12 vjetëve dhe e kam botuar në librin “Ikja e Madhe”, libër të cilin ai e ka korrektuar vetë. Intervistën po e botoj të pjeshme (tashmë sipas librit jo gazetës për ta bërë të besueshme), sikundër e kam marrë para 12 vjetëve.

A keni qenë ndonjëherë në Shqipëri?

Shqipërinë e kam vizituar katër  herë. Herën e parë dhe të dytë isha I ftuar nga institucione shqiptare. Herën e tretë vajta të shpjegoja mënyrat e bashkëpunimit ekonomik midis greqisë dhe Shqipërisë, duke shprehur bindjen se greqia shpejt do të kuptojë se vëllezër të vërtetë të sajë nuk janë serbët, por shqiptarët. E vërteta është se nuk arrita rezultatet që dëshiroja, megjithatë, thellë në vetvete kam parandjenjën se një bashkëpunim serioz në të gjitha fushat, midis Greqisë dhe Shqipërisë do të zgjidhte një sërë problemesh midis dy vendeve. Herën e fundit vajta incognito. Dëshiroja t’ju bëj një vizitë miqëve të mi, me të cilat kalova ditë të paharruara. Paralelisht u përpoqa që të prek dhe  të vë në rrugë të drejtë çështjen e aftësive dhe veprimtarive artistike e kulturore të emigranatëve shqiptarë në Greqi, duke diskutuar me artistë të mirënjohur.

A vazhdoni ta ndiqni jetën e emigrantëve shqiptarë, ndonëse shumë prej tyre janë ilegalë?

Emigracioni dhe hyrja në grupe e shqiptarëve në Greqi përbën një ngjarje të gjallë, historike me prmasa që nuk janë vlerësuar.Për muia është një vërtetim I  gjallë I teorisë pellazge. Të gjithë ata që janë konsideruar si fise të lashta greke si Ahhet, Jones Eolët, Maqedonasit vijnë nga pellazgët në periudha të ndryshme nga I njëjti vend i Ballkanit Veriperëndimor. Dhe unë që e mbështes akoma atë teori, nuk mund ta imagjonoja se në fund të shekullit XX, kur shtetet  bashkëkohore kanë intuitë konsoliduese për kombin. Do të kishte akoma një shpërngulje të tillë nga i njëjti vend. Isha natyrisht nga të paktit, për të mos thënë i vetmi, që kisha kapur përmasat, shtrirjen dhe rëndësinë e kësajë ngjarje historike. Por zëri im nuk qe dëgjuar. Në këtë periudhë Greqia u lidh, siç përmenda, me politikën serbe të Millosheviçit dhe mbante qëndrim armiqësor ndaj emigrantëve shqiptar, ndryshe nga populli grek që në fillim, siç e dinin, i priti krahëhapur. Propaganda e shteteve mund ta bëjë ditën natë dhe natën ditë. Kështu u mashtrua populli grek që mbajti një qëndrim të rezervuar ndaj këtyre nevojtarëve fqinjë. Në ndonjëherë edhe armiqsorë e të ashpër. Natyrisht këtë propagandë e ndihmuan shumë edhe disa keqbërës të ardhur në greqi. Personalisht ruaj marëdhënie të mira me emigrantët shqiptarë dhe më vjen mirë që shumë prej tyre kanë bërë prokupi këtu, por që edhe me moralin e tyre të lartë impononin tek njerëzit simpati dhe admirim.

Si historian, publicist dhe avokat, cili është mendimi juaj për çështjen e Kosovës?

Rreth Kosovës në Greqi ka shumë konfuzion, pasaktësi e mangësi dhe, në fund të fundit, pikëpamje konkrete. Në librin që përmenda, “1991-1994, Greqia në grackën e serbëve të Millosheviçit”, i informoi opinionin dhe lexuesin grek edhe për problemin e Kosovës. Natyrisht me fakte synova të ndryshoj përpjekjet propagandistike serbe se gjoja Kosova është pjesë e kombit serb. Sepse, para se të vinin në Ballkan sllavët dhe në Kosovë serbët, ajo zonë banohej nga fise ilire, greko-pellazge si Dardanët dhe Peonët. Stërnipërit e këtyre fiseve janë sot shqiptarët e Kosovës dhe të Shkupit, (Ish-republika  jugosllave e Maqedonisë). Një shekull më parë, kur serbët përpiqeshin të nguleshin përfundimisht në Kosovë politikanë të njohur grekë u përgjigjeshin: “Nuk kini asnjë të drejtë historike mbi këtë zonë, e cila banohet nga shqiptarët, vëllezërit tanë, nga të njëjtat atësi pellazgjike,d.m.th, nga stërgjyshë të përbashkët”. (Shih: Vic. Berard “Odhiporikostin Makedhonia” 1996). Prandaj shpresoj se përsëri ndjenjat e grekërve ndaj shqiptarëve do të bëhen vëllazërore dhe do të forcohet përpjekja kosovare për të fituar bashkimin me vendin amë. Nuk duhet që në Kosovë të luhen tragjeditë e Ballkanit. Nëqoftëse politikanët grekë e shqiptarë do të gjejnë mirëkuptim në këtë çështje do të dalun të fituar. Kush e kuptoi, e kuptoi!

Sa është numri i saktë i arvanitasve të Greqisë?

Është e vështirë të thuash se sa është numri I saktë I arvanitasve të Greqisë. Sot nuk është e mundur të bësh një regjistrim të saktë dhe të thuash: “Kaq jemi”! Ajo që njihet më lehtë janë rajonet e fshatrave ku banojnë këta njerëz, apo që kanë banuar më parë, sipas dokumentave tanimë tani të gjetura.Të habit përhapja e tyre dhe depërtimi mes popullsisë më të vjetër greke. Të shumta janë fshatrat e tyre në Thiva, pranë Athinës, në Peloponez, por edhe në Dodekanez e ishujt si Agroaonikoi, Evia e Qikladhës, por edhe në Viotia, Arolidha, apo të shtyrë thellë në ishullin e madh të Kretës, d.m.th. në qendrat historike të Greqisë së Vjetër. Aty është ruajtur gjuha e tyre deri më sot, si edhe në disa vende të Mesinias, Ahaia dhe të Arkadhies. Në disa zona të tjera gjuha humbi, si në Etoloakarnania, Lakonia e në ishujt e Qikladhës.Por gjuha shqipe flitet sot edhe në Epir e Tharkë, por ajo popullsi nuk hyn në arvanitasit, d.m.th. te ajo popullsi që u vendos në Greqinë Jugore në shekullin e XVI-të. Rrënjët e grekërve janë tepër të trazuara e të lidhura me ato arvanitase. Akoma edhe ata që erdhën në Greqi, pas vitit 1992, kur u krijua shteti qemalist turk, nga Azia e Vogël, në një farë mase janë me rrënjë arvanitase, kryesisht ata që erdhën nga Izmiri, Stambolli, Brusa etj. Një shembull i vogël, në stamboll ekziston një lagje që quhej “Arnautqoi”, që  do të thotë fshat arvanitas. Banorët e kësajë lagjeje, arvanitas të krishterë, u zhvendosën në Greqi. Por pak nga pasardhësit e tyre e njohin origjinën e vjetër të stërgjyshërve.

Ju keni folur per 12 kryeministrat arvanitas të Greqisë…

Për të realizuar diçka konkrete për të gjitha këto, siç mund ta dini, ne kemi krijuar shoqatën “Marko Boçari”, të cilin kam nderin ta kryesoj. Në të marrin pjesë njerëz të artit e të kulturës, njerëz të shtypit, të cilët ngulmojnë të zbulojnë të gjithë rrënjët e tyre e për të cilat janë krenarë. Deri tani shoqata ka botuar disa kalendarë –albume, të cilat paraqesin sipas viteve të javëve, korifejt e botës arvanitase.

Kështu kalendari –ditar me 12 kryeministrat me origjinë arvanitase që i kanë shërbyer shtetit grek, ka zgjuar  interes të veçantë , por siç është e natyrshme, edhe polemika. Në një kalendar tjetër është ai me 12 emrat e piktorëve të shquar arvanitas, të vendosur kronologjikisht e të ilustruar me ndonjë vepër të tyre dhe biografitë përkatëse. Një botim i tillë i është kushtuar gruas arvanitase, duke e ilustruar atë me veshjet karakteristike, të cilat ruhen edhe sot në sepet e  gjysheve, natyrisht me ndonjë trazim krahinor vendas. Zotëron në të figura e Roza Boçarit (1818-1875) vajzës së trimit Marko Boçarit. Një botim tjetër është “Veshja popullore arvanitase”, i cili është shoqëruar edhe me vargje të poezisë popullore, që të kujtojnë nektarin e poezisë së De Radës së madh arbëresh.

Në vresta

Ne ni kucar

Këndon ni zog

E bukur.

Tërë vrestat

I skova,rruss

Si buza jote ss’t

Tshova… (Të pashë)

Kur të shoh pleksidhet( gërshetat)

Zemra më dridhet.

-Dhe Lavdia shqiptare e Marko Boçarit

Një kalendar-album i kushtohet figurës madhore të Marko Boçarit, këtijë arvanitasi të madh që bëri aq shumë edhe për gjuhën tonë. Padyshim kontributi i luftëtarëve arvanitas në Revolucionin grek të vitit 1921 është shumë i madh dhe një kalendar ditor i tij është kushtuar 12 figura më të spikatura. Emrat njihen botërisht: Kostandino Kanaris, Andrea Aiaulis, Theodhoro Grivas, Laskarina Bubulina, (Bubulima do të shiqiptonte menjëherë çdo shqiptar), Dhimitro Plaputas, Theolloro Skurtaniotis, Jeorjas Karaiskaqis, Kiço Xhavella dhe Marko Boçari, (Pocari do ta shqiptonim përsëri menjëherë). Janë lavdia e kombit grek, e dimë. Ne duam  vetëm pjesën e lavdisë sonë. Por ne e kemi botuar edhe revistën “Besa”, një periodik I  cili synonte të  hapte hapësira më të mëdha për kulturën popullore arvanitase, personalitet  e tjerë më të vegjël të vet, por edhe të mbështesin emigracionin shqiptar të viteve të  para. Sepse edhe emra të mëdhenj bashkëkohës janë po aq vlera tona si paraardhësit. Këtu bëjnë pjesë emrat e Melina Mërkurit, Eli Lambetit, Odisea Elitit (origjina nga nëna e tij), Grigori Bithikoci, Dhimo Muci, Jani Argjiri, etj, etj.

Diçka për librin “Arvanitasit dhe origjina e grekërve”

Libri im i parë “Arvanitasit dhe origjina e grekërve” u botua në vitin 1983. Ai ka dy pika referimi bazë: Pellazgët në lashtësi dhe arvanitasit në periudhën bashkëkohore. Besoj pa masë se kam transmetuar tek shumë historianë bashkohorë grek se historia greke që nuk ka parasysh pellazgët dhe arvanitasit, as grekë dhe as histori nuk është”. Në vitin 1991 përfundova veprën tjetër “Gjuha e perëndive”, një studim ky për fenë e lashtë greke dhe idhujt e saj, por emrat e perëndive e të  idhujve dhe lidhjet e tyre me emërtime vendesh. Fjalët, emrat dhe toponimet fshehin një histori të tërë, e cila del në dritë përmes interpretimit të origjinës së tyre. Libri im tjetër i botuar së fundi e ka titullin “1991-1994”, Greqia në grackën e serbëve të Milosheviçit”, që është një denoncim i politikës së jashtme të atëhershme greke, e cila e tërhequr nga premtimet e rreme serbe për gjoja zgjidhjen e çështjes së Maqedonisë, dhe gjithshka për të ndihmuar synimet e mëdha të Millosheviçit, Karaxhiqit e pasuesve  të tyre, duke arritur deri aty sa të izolohen publikisht shtete të tjera dhe më e keqja, duke tronditur marëdhëniet e saj me Shqipërinë fqinj.

Epilog

Aristidh Koljan “Rilindasi modern”

Me vdekjen e tij shqiptarët humbën një mik të madh, emigrantët një mbështetës aktiv, ndërsa Greqia një ambasador të paqes dhe vëllazërimit të popujve tanë. Aristidhi mbetet një rast unik, si një rilindas i vetëm i kohës moderrne. Në qershor 2022 ai u dekirua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti Meta.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura