ARSIMI SHQIPTAR NË MAQEDONINË E VERIUT – REFORMA E MUNDSHME
Nga Xhelal Zejneli
Arsimi fillor
Gjimnazeve dhe shkollave të mesme profesionale u prin arsimi fillor. Matja ndërkombëtare e njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare, e njohur si testim PISA, ka të bëjë me plan-programet mësimore të arsimit fillor. Nga 80 vendet e testuara Maqedonia e Veriut zë vendin e katërt në botë nga fundi. Ky është një prej indikatorëve që tregon se cilësia e arsimit fillor në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut ndodhet në nivel të ulët. Kjo cilësi e ulët manifestohet dhe reflektohet edhe në arsimin e mesëm.
Pa fije dyshimi, në gjimnazet dhe në shkollat e mesme të mjekësisë me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, ka nxënës të shkëlqyeshëm.
Që nga viti1991 e këndej, në Maqedoni shpesh është folur për nevojën e reformave në arsim. Reforma nuk janë bërë dhe kurrë s’kanë për t’u bërë. Përse?
Për dy arsye:
– E para, ata që duhet t’i bëjnë reformat, nuk dinë ta bëjnë një gjë të tillë; dhe
– E dyta, kryerja e reformave të mirëfillta është çështje komplekse dhe e dhimbshme.
Hallka të zinxhirit të arsimit janë: Biroja për Zhvillimin e Arsimit, Inspektorati i Arsimit, këshilltarët e arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve (merret me maturën shtetërore), Ministria e Arsimit.
Drejtuesit e këtyre institucioneve nuk kanë njohuri të duhura për arsimin, për problemet në arsim, për arsimin bashkëkohor, për nevojat e ndryshimeve në arsimi, çfarë ndryshimesh duhet të bëhen, në cilat segmente të arsimit duhet të bëhen ndryshime apo reforma etj.
Njohuri të duhura në lëmin e arsimit nuk kanë as këshilltarët apo bashkëpunëtorët e drejtuesve të institucioneve të arsimit.
Për të pasur njohuri për nevojat, për problemet, për kërkesat apo për reformat në arsim, duhet të kesh punuar në shkollë me nxënës. Kuptohet, ka edhe mësues, arsimtarë apo profesorë të cilët dalin në pension pa e ditur se ku kanë qenë defektet në arsim.
Një prej problemeve të theksuara të arsimit është politizimi dhe partizimi i tij. Si çdo pore e shoqërisë, edhe sistemi i arsimit është nën zotërimin e partisë në pushtet, d.m.th. nën pushtetin e pushtetarëve.
Pushtetarët, si të nivelit vendor, ashtu edhe të nivelit qendror, punësimet në shkollë i bëjnë pa konkurs. I ashtuquajturi konkurs hapet formalisht. Partia nuk çanë kokën ta punësojë më të mirin. Ajo e punëson në shkollë personin që i takon asaj partie, që ka qenë veprimtar (aktivist) i asaj partie, militant i asaj partie, i cili ka vjedhur vota për atë parti, i cili ka thyer kutitë e partisë oponentë, i cili në ditën “e zgjedhjeve” i ka mbushur kutitë e partisë vetanake etj.
Në rrethana të tilla, personi i cili nuk i takon asnjë tabori, nuk mund të punësohet. Atij s’i mbetet tjetër por të shpërngulet për në Gjermani.
Edhe emërimi i drejtorëve bëhet në të njëjtën mënyrë. Në të shumtën e rasteve, për drejtor shkolle, fillore apo të mesme, është emëruar dhe vazhdon të emërohet më i keqi dhe më i dobëti i kuadrit të arsimtarëve apo të profesorëve. Edhe drejtorët janë emëruar dhe do të vazhdojnë të emërohen nga nëna parti. Edhe në këtë mes, pseudo-konkursi nuk luan kurrfarë roli. Për mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të shkollës ka edhe njëfarë ligji. Është ligj formal të cilin partia në pushtet nuk e përfill fare.
Në rrethana të sipërthëna, mos z habit se në vlerësimin ndërkombëtar të njohurive të nxënësve 15-vjeçar, nga 80 vendet e testuara, Maqedonia e Veriut zë vendin e katërt në botë, nga fundi. Po t’i ndajmë rezultatet mbi baza etnike, rezultatet për njërën bashkësi etnike do të ishin të trishtueshme.
Asnjëra hallkë e zinxhirit që e përbën sistemin e arsimit, fillor apo të mesëm, nuk është në krye të detyrës. Asnjë drejtues i institucionit, inspektor i arsimit apo këshilltar i arsimit, për arritjet e ulëta në arsim, nuk ka mbajtur kurrfarë përgjegjësie.
* * *
Arsimi cilësor nënkupton përzgjedhje (seleksionim). Duhet të përzgjidhet drejtuesi i shkollës, d.m.th. drejtori i shkollës, të përzgjidhte pedagogu i shkollës, psikologu i shkollës, kuadri i mësuesve, kuadri i arsimtarëve dhe kuadri i profesorëve. Për gjimnazet, duhet të përzgjidhen nxënësit.
S’ka arsim cilësor pa rend, pa rregull dhe pa disiplinë.
Reformat e mundshme në arsim
Në hapësirat tona ende mbizotëron arsimimi masiv i kohës së pasluftës, i kohës së partizanëve. Arsimimit masiv sot duhet t’i vijë fundi. Shteti apo shoqëria nuk kanë nevojë që çdo nxënës i cili e kryen shkollën e mesme, të ndjekë studimet universitare, të kryejë fakultet dhe të marrë diplomë fakulteti.
Shtetit apo shoqërisë nuk i duhen të rinj të diplomuar, me njohuri të kufizuara, të ulëta dhe të reduktuara. Diplomat e tyre nuk janë veçse letra pa vlerë. Shtetit apo shoqërisë nuk i duhen të rinj të diplomuar, për profilet e të cilëve tregu i punës nuk ka nevojë. Si të tillë, ata nuk mund të gjejnë punë, domethënë nuk mund të punësohen.
Ç’duhet bërë? E para e punës, arsimi masiv duhet të zëvendësohet me arsimim të përzgjedhur. Me fjalë të tjera, arsimi i mesëm duhet të ndahet:
– në gjimnaze, dhe
– në shkolla profesionale.
Ndarja që ekziston sot është formale. Si e tillë, ajo nuk ka ndonjë farë peshe.
Për të pasur arsimim profesional të mirëfilltë, shteti duhet të ketë ekonomi dhe industri të zhvilluar dhe të fortë. Shteti që nuk ka industri apo ekonomi të fortë nuk mund të arsimim profesional të njëmendët. Në një shtet të pazhvilluar, arsimimi profesional i mesëm figuron vetëm formalisht.
Në shtetin me ekonomi të zhvilluar, arsimimi profesional është i mirëfilltë dhe nxënësit i mundëson perspektivë dhe punësim. Në rrethana të tilla, nxënësi nuk ka nevojë të ndjekë studimet universitare dhe të marrë një diplomë që s’është veçse letër e pavlerë. Nxënësi i shtetit me ekonomi të zhvilluar, me të kryer shkollën e mesme profesionale, punësohet dhe merr rrogë apo pagë mbi 1.000 euro. Në Slloveni i merr 1500 euro.
Mirëpo, në shtetet me ekonomi të pazhvilluar, nxënësi që e kryen shkollën profesionale, nuk mund të gjejë punë. Edhe po të gjejë, merr 200 euro rrogë! Përse? Për arsye se në një shtet të tillë, në vend të ekonomisë, i zhvilluar është korrupsioni. Domethënë shtetin e vjedhin pushtetarët e nivelit qendror dhe ata të nivelit vendor.
Ku ke parë ti, nxënësi që ka pasur dymbëdhjetë nota të dobëta, e kryen shkollën e mesme, regjistrohet në fakultet dhe merr diplomë universiteti. Ka pasur raste kur i njëjti, nëpërmjet partisë zë edhe pozitë në shoqëri. Mos u habit po qe se dëgjon se i njëjti, në saje të fuqisë materiale, merr edhe titull akademik.
Në shkollat e mesme profesionale duhet të ketë rend, rregull dhe disiplinë. Në disa lloje shkollash profesionale rendi, rregulli dhe disiplina janë në nivel të mjerueshëm.
Reformimi i gjimnazeve
Regjistrimi në gjimnaze duhet të bëhet me provim pranues. Provimi pranues duhet të realizohet sikur matura shtetërore. Me fjalë të tjera, provimi mbahet nëpër shkolla, ndërsa vlerësimi – shifra, kryhet në Qendrën Shtetërore të Provimeve. Në gjimnaz regjistrohet sot nxënësi që posedon 60 pikë. Gjimnazet që nuk kanë numër të mjaftueshëm nxënësish, pranojnë nxënës edhe me më pak se 60 pikë. Ndryshe, profesorët mund të mbeten pa punë, mund ta humbin vendin e punës.
Këto farë 60 pikë janë relative. Ka raste kur notimi nëpër shkollat fillore nuk është bërë si duhet. Rrjedhimisht, nxënësit i grumbullohen 60 pikë dhe ai fiton të drejtën e regjistrimit të gjimnaz.
Po qe se në një gjimnaz, në vit të parë regjistrohen sot rreth 300 nxënës, do të shohim se me provim pranues do të mund të regjistroheshin diku rreth 120 nxënës. Pjesa tjetër, rreth 180 sish, do të orientoheshin nëpër shkolla profesionale. Kësaj i thonë arsimim i përzgjedhur apo i seleksionuar. Mirëpo, ky provim pranues i lë pa punë rreth 50 për qind të kuadrit të profesorëve. Kjo është e dhimbshme. Këtë nuk mund t’ia lejojë vetes asnjë parti politike dhe asnjë qeveri. Si pasojë, vazhdojmë me të vjetrën, me avazin e vjetër dhe reforma nuk ka. As që do të ketë ndonjëherë.
Në gjimnaze dhe në shkollat e mesme të mjekësisë duhet të punojnë profesorë të cilët janë njohës të mirë të profesioneve të tyre, të cilët janë pedagogë të mirë dhe persona me vlera etike. Kuptohet, kjo vlen edhe për profesorët e shkollave të tjera profesionale.
* * *
Prej gjimnazeve duhet të hiqen lëndë të caktuara, si: ekonomia, biznesi, menaxhmenti, hyrje në drejtësi. Lëndët e sipërthëna ndodhen në plan-programet e shkollës së mesme të ekonomisë, ndaj nuk ka nevojë të përfshihen edhe në plan-programet e gjimnazeve. Heqja e Lëndëve të sipërthënë nuk është punë e lehtë. Po të ndodhte një gjë e tillë, shumë profesorë do të mbeteshin pa punë. Këtë s’mund t’ia lejojë vetes asnjë parti apo asnjë qeveri. Përndryshe, partia në pushtet mund t’i humbë votat.
Vlerësimi i nxënësve në lëndët si: arti muzikor, arti figurativ dhe edukatë fizike mund të bëhet në mënyrë përshkruese, d.m.th. pa nota numerike.
* * *
Studimet universitare duhet t’i ndjekin kryesisht nxënësit e gjimnazeve. Nxënësit e gjimnazeve do të mund të regjistroheshin në të gjitha degët universitare. Nxënësit e shkollave të mesme profesionale duhet të regjistrohen kryesisht në degë apo në profile të caktuara. Nxënësit e shkollave të mesme profesionale do të duhej të orientoheshin në universitete private. Regjistrimin në universitet privat nuk mund t’ia ndalosh askujt, pra as nxënësit i cili në shkollë të mesme ka pasur numër të madh notash të dobëta.
Ngelja e nxënësve apo përsëritja e vitit shkollor
Nëpër shkolla të mesme duhet të rikthehet përsëritja apo ngelja në klasë e nxënësit. Ka kohë që nëpër shkollat shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk përsërit pothuajse asnjë nxënës. Nxënësi që nuk meriton ta kalojë vitin, duhet të përsërisë apo të ngelë në klasë. Nëse e humb vitin apo ngel në klasë, nuk bëhet kiameti. Ngelja në klasë e nxënësit nuk duhet të merret si diçka tragjike.
Mungesat e nxënësve
Ndaj nxënësit që i bën mbi 20 mungesa, duhet të ndërmerren masa. Nxënësi i tillë duhet të përcillet në shkollë të njëjtë të qytetit tjetër. Nuk ka mungesa të arsyeshme dhe të paarsyeshme. Mbi 90% e mungesave janë të paarsyeshme. Për nxënësin, çdo mungesë është e arsyeshme. Ka nxënës që brenda 12 vjetëve nuk bëjnë asnjë mungesë, as të arsyeshme, as të paarsyeshme. Ka nxënës që për dy-tre muaj t’i bën mbi pesëdhjetë mungesa. Mbi 90% e vërtetimeve mjekësore me të cilat nxënësi e arsyeton mungesën e vet në shkollë, janë të rrejshme.
Nxënësit të cilët krahas shkollimit punojnë edhe diçka tjetër
Për t’i ndihmuar buxhetit të familjes, një numër i caktuar i nxënësve të shkollave të mesme punojnë diku. Ka që punojnë si çirakë në ndonjë zanat. Ka që punojnë në ndonjë sallon dasme. Ka që punojnë nëpër furra buke etj. Punojnë edhe djemtë, edhe vajzat. Kjo praktikë nuk është e mirë dhe nuk duhet të mbështetet. Nxënësve që janë raste sociale apo që janë me të ardhura familjare të vogla, duhet t’u ndihmojë shteti. Detyrë e nxënësit është të mësojë dhe jo të kryejë apo të ushtrojë ndonjë punë shtesë.
Mungesa e nxënësve në fillim të vitit shkollor dhe mbarim të tij
Ka raste kur një numër i nxënësve, me lejen e drejtorit të shkollës, në fillim të vitit shkollor nuk vijnë në shkollë një javë në mos dhe më tepër. Për shembull, shkolla fillon më 1 shtator, ata vijnë në shkollë më 7 shtator apo edhe më 10 shtator. E njëjta ndodh edhe në mbarim të vitit shkollor. Shkolla mbaron më 10 qershor, ndërsa për një numër nxënësish mbaron një javë para. Ata arsyetohen duke thënë: “Më duhet t’i bëjë letrat në Gjermani” ose në Kroaci.
Kjo praktikë nuk duhet të tolerohet. Me shkollën lojë nuk ka dhe s’duhet të ketë. Shkolla nuk është kazermë ushtarake që të ketë disiplinë rigoroze, por s’është as çerdhe fëmijësh që të luash si të vjen mirë ty.
Shkollat fillore dhe ato të mesme janë institucione edukativo-arsimore. Nxënësit në shkollë, krahas marrjes së njohurive dhe të diturive, pajisen edhe me edukim. Fëmijën e edukon familja, shkolla, mjedisi dhe mbarë shoqëria. Kohët e fundit, fëmija është edhe nën ndikimin e teknologjisë digjitale.
* * *
Shkollat kanë këshilla shkolle si dhe këshilla prindërish. Këta farë organizmash të shkollës s’kanë kurrfarë roli, nuk luajnë kurrfarë roli në shkollë. Po të mos ekzistonin, shkollat nuk do të humbnin asgjë.
Trajnimi i mësuesve, i arsimtarëve apo i profesorëve të shkollave të mesme
Po qe se mësuesit, arsimtarët apo profesorët kanë kryer shkolla të mirëfillta, atëherë ata nuk ka përse të trajnohen. Duhet të trajnohen vetëm ata mësues, arsimtarë apo profesorë të cilët janë pajisur me diploma që nuk janë rezultat i diturisë. Njeriu apo intelektuali trajnohet gjatë gjithë jetës së vet, duke lexuar dhe duke studiuar në mënyrë permanente apo të vazhdueshme.
Eksperimentet në arsim duhet të evitohen.
Mbajtja e kurseve
Ka profesorë të cilët nxënësve të vet u mbajnë kurse me pagesë. Rëndom kurse mbahen në lëndët, si: matematikë, fizikë, gjuhë angleze etj. Ka ndodhur të ketë mbajtur kurs edhe ndonjë profesor i gjuhës maqedonase. Mbajtja e kursit nxënësve të cilëve u jep mësim, ndalohet me ligj. Mbajtja e kursit nënkupton shitjen e notës.
Sipas ligjit, profesori është i detyruar të mbajë orë plotësuese dhe orë shtuese. Orët e tilla nuk i mban pothuajse asnjë profesor. Madje shkolla s’ka as hapësirë për t’i mbajtur orët e tilla.
Bashkimi i dy klasave
Kur mungon ndonjë arsimtar apo ndonjë profesor, bëhet bashkimi i dy klasave. Bashkimi i dy klasave nuk ka kurrfarë efekti. Kjo duhet të ndalohet në mënyrë të prerë.
Zëvendësimi i ditëve
Ka raste kur për arsye të caktuara, mësimi nuk është mbajtur. Dita e humbur synohet të kompensohet të shtunave. Ky kompensim nuk ka kurrfarë efekti. rrjedhimisht, nuk duhet të praktikohet dhe duhet të ndalohet.
Të rënët e ziles së shkollës para kohe
Ka raste kur nxënësi kujdestar i bile zile së shkollës 5, 10 apo edhe 15 minuta para kohe. Më së shpeshti kjo ndodh në orët e fundit. Kjo praktikë nuk duhet të tolerohet në asnjë mënyrë.
Notimi i nxënësve
Notimi i nxënësve mund të bëhet edhe me gojë edhe me shkrim. Mënyrë e mirë e notimit është testi me shkrim. Është mirë që profesorët e gjuhës amtare të realizojnë katër hartime me shkrim apo katër ese. Në fund të vitit shkollor, në pjesën më të madhe të lëndëve nxënësi duhet të ketë nga katër nota. Në lëndë të caktuara, edhe nga gjashtë nota.
Fyerja e nxënësve dhe përdorimi i masave ndëshkuese fizike
Fyerja e nxënësve është në kundërshti edhe me ligjin, edhe me normat pedagogjike. Përdorimi i masave ndëshkuese fizike, prerazi duhet të përjashtohet si mundësi.
Biseda të kota gjatë orës së mësimit
Ka shumë mësues, arsimtarë dhe profesorë të cilët gjatë orës së mësimit çelin tema që s’kanë të bëjnë as me njësinë mësimore, as me procesin edukativ. Këto farë bisedash, mund të zgjasin dhjetë, pesëmbëdhjetë apo edhe njëzet minuta. Kjo është një praktikë e dëmshme për nxënësit. Si e tillë, duhet të evitohet.
Në të njëjtën ditë më tepër se një test
Nuk duhet të praktikohet që nxënësit në të njëjtën ditë të kenë test në dy apo në tri lëndë. Me marrëveshje, njëri prej profesorëve duhet ta shtyjë testin për një ditë tjetër.
Mësuesi, arsimtari apo profesori duhet të vijnë në shkollë të përgatitur. Kuadri arsimor përgatitjen për mësim e bën në shtëpi.
Shpëlarja e trurit të nxënësve nga mësuesi, nga arsimtari apo nga profesori duhet ndalohet në mënyrë të prerë. Shpëlarja e trurit mund të bëhet mbi baza ideologjike, politike, partiake, religjioze, nacionaliste, ksenofobike, racore, gjinore etj. Nxënësve duhet mësuar vlerat njerëzore të përgjithshme, d.m.th. vlerat humane. Gjatë qëndrimit katërvjeçar në shkollë të mesme nxënësi duhet ta ketë formuar dhe duhet ta ketë ndërtuar personalitetin e vet.
Në procesin mësimor duhet të përfshihen dhe të angazhohen sa më tepër nxënës dhe jo vetëm dy a tre sish. Mësuesi i mirë punon me të gjithë nxënësit dhe jo vetëm me të zgjeshurit.
Nxënësit duhet t’i lejohet t’i shtrojë mësuesit pyetje nga lëmenj të ndryshëm.
Librat që u jepen nxënësve falas
Nxënësve nuk duhet t’u jepen libra falas. Nxënësit vetë duhet t’i blejnë librat nëpër librari. Një përqindje e mirë e nxënësve kanë mundësi financiare që librat t’i blejnë vetë me mjetet e buxhetit familjar. Nxënësve që shfrytëzojnë ndihmasocialesi dhe atyre me të ardhura të ulëta, shteti duhet t’u derdhë në xhirollogari një shumë mjetesh të destinuar për blerjen e teksteve shkollore. Librat që marrin nxënësit falas shpeshherë qëllon të jenë të dëmtuar, të grisur, me mungesë faqesh, të përlyer, të shkarravitur, deri edhe të papërdorshëm.
Humbja e orëve
Humbja e orëve nëpër shkolla duhet të evitohet krejtësisht. Po qe se rasti është i tillë saqë humba e orëve bëhet e paevitueshme, atëherë drejtoria e shkollës duhet të sigurojë zëvendësim të përkohshëm. Nxënësit nuk duhet të humbin as edhe një orë të vetme. S’ka lojë me shkollën.
Mosmbajtja e orës së gjashtë apo e orës së shtatë pasdite
Ndodh shpesh që ora e fundit e ndërresës së pasdites, sidomos ora e shtatë, të mos mbahet. Me këtë praktikë jo të mirë janë të kënaqur të gjitha “palët”: edhe profesorët, edhe nxënësit, edhe prindërit. Kjo praktikë duhet të ndalohet prej drejtuesve të shkollës.
Shkollat duhet të jenë të pajisura me laboratorë bashkëkohorë dhe me kabinete bashkëkohore. Shkollat fare pak janë të pajisura me laboratorë dhe me kabinete. Në këtë shkallë të zhvillimit të teknologjisë, shkollat fillore dhe të mesmet duhet të pajisen edhe me laboratorë apo kabinete digjitale apo elektronike, përfshi edhe pajisjet audio-vizuale.
Regjistrimi në fakultetet që nxjerrin kuadër arsimi
Në fakultetet që nxjerrin kudër arsimi – mësues, arsimtarë apo profesorë shkollash të mesme, duhet të regjistrohen kryesisht nxënësit e gjimnazeve të cilët kanë kaluar me katër (shumë mirë) apo me pesë (shkëlqyeshëm). Këta nxënës duhet të jenë të gjimnazeve të përzgjedhura, përkatësisht të seleksionuara. Këta nxënës do të regjistrohen në Fakultetin e Matematikës dhe të Shkencave të Natyrës, në Fakultetin Filozofik, në Fakultetin Filologjik, në degët Psikologji, Pedagogji.
Për t’i ndjekur nxënësit e dalluar degët e arsimit, duhet të motivohen materialisht apo me paga, me rroga. Pagat apo rrogat e mësuesve, të arsimtarëve dhe të profesorëve të shkollave të mesme duhet të jenë mbi 1.000 euro. A ka para shteti? Ka, po qe se nuk vjedhin politikanët, ministrat, deputetët, drejtorët e përgjithshëm, si dhe kryetarët e komunave (të bashkive).
Mënyra e regjistrimit në fakultetet që nxjerrin kuadër arsimi
Në fakultetet e sipërthëna duhet të konkurrojnë nxënësit e dalluar të gjimnazeve të përzgjedhura (të seleksionuara). Regjistrimi duhet të bëhet me provim pranues. Një masë si kjo është e dhimbshme për arsye se shumë pedagogë të fakulteteve do të mbeteshin pa punë. Numri i studentëve do të ishte i vogël. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm i profesorëve universitarë do të mbeteshin pa punë. Këtë nuk do t’ia lejonte vetes asnjë parti politike dhe asnjë qeveri. Përse? Kështu sepse partive tona apo qeverive tona shumë pak u intereson cilësia në arsim. Atyre u interesojnë votat, rrëmbimi i pushtetit dhe kolltukët. Madje ka politikanë shqiptarë të cilët fëmijët e vet i shkollojnë jashtë vendit.
Pothuajse të gjithë nxënësit tanë e kalojnë maturën shtetërore dhe marrin diplomë mature shtetërore. Diploma e maturës shtetërore e liron nxënësin nga detyrimi i provimit pranues, me rastin e regjistrimit në fakultet. Mirëpo interesimi për Fakultetin e Mjekësisë është tejet i madh, kështu që provimi pranues, pavarësisht nga posedimi i diplomës së maturës shtetërore, është i domosdoshëm.
Matura shtetërore
Në ditët e mbajtjes së provimeve të maturës shtetërore, interneti nëpër shkolla duhet të ndërpritet. Matura shtetërore o duhet të realizohet sipas rregullave, o duhet të hiqet krejt. Në shtetin në të cilin në provimet e maturës shtetërore nuk ngelin as edhe një për qind e nxënësve, matura shtetërore realizohet vetëm sa për sy e faqe. Matura shtetërore u nevojitet nxënësve për t’i ndjekur studimet jashtë vendit.
Testet e maturës shtetërore për nxënësit e gjimnazeve duhet të dallohen nga testet e nxënësve të shkollave profesionale. Me fjalë të tjera, provimet e maturës shtetërore të nxënësve të gjimnazeve duhet të jenë më të rënda se ato të shkollave profesionale. Kuptohet, provimet e maturës shtetërore duhet të jenë të rënda edhe për nxënësit e shkollave të mesme të mjekësisë. Sidomos provimet profesionale.
Shkëmbimi i nxënësve apo i studentëve
Ka raste kur nxënësit apo studentët, në saje të projekteve të caktuara shkojnë dhe vizitojnë vende të caktuara të botës. Ndodh të qëndrojnë aty një apo dy javë, por ka edhe raste kur rijnë një vit e më tepër. T’i shohësh shkollat dhe universitetet e vendeve të ndryshme të botës është gjë e mirë. Sheh përvoja, nxënës, studentë, profesorë, ligjërues, pedagogë, metoda ligjërimi, tekste shkollore dhe universitare, biblioteka, mjete mësimore bashkëkohore etj. Nga udhëtimet e tilla fiton edhe përvoja të reja. Megjithëkëtë, para të çon vetëm një gjë – libri, leximi, studimi me përkushtim. “Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë” – ka thënë Naim Frashëri.
Studimi në universitetet prestigjioze
Përpos në universitetet shqiptare të vendit, nxënësit e dalluar të gjimnazeve është mirë të studiojnë edhe në universitetet prestigjioze jashtë vendit. Një universitet i tillë është edhe ai i Zagrebit. Çdo vit, pesë deri në dhjetë nxënës të dalluar të gjimnazeve, me mjetet financiare të shtetit, duhet t’i ndjekin studimet në Universitetin e Zagrebit. Aty do të qëndronin pesë-gjashtë vjet me bursat studentore të shtetit. Dërgimi i studentëve jashtë vendit me bursat e shtetit duhet të zgjatë të paktën dhjetë vjet. Atje do t’i studionin të gjitha drejtimet: gjuhësinë, letërsinë, matematikën, fizikën, kiminë, informatikën, biologjinë, mjekësinë, stomatologjinë, farmacinë, ekonominë, drejtësinë, filozofinë, sociologjinë, psikologjinë, pedagogjinë, akademinë e artit dramatik, artin muzikor, artin figurativ, edukatën fizike etj.
Me t’u kthyer në vend pas mbarimit të studimeve, ata do të viheshin në krye të proceseve shoqërore, ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore etj. Ata do të krijonin baza dhe parakushte për punë studimore dhe kërkimore-shkencore.
Rezultatet nga ndryshimet apo nga reformat në arsim mund të pasojnë pas dhjetë apo njëzet vjetëve.Me fjalë të tjera, ndryshimet i fillon sot, kurse rezultatet i korr pas dhjetë deri njëzet vjetëve.
* * *
Ndryshimet apo reformat e lartpërmendura kurrë nuk do të bëhen. Si pasojë, ne do të vazhdojmë të kemi një arsimim të jocilësor. Do të vazhdojmë të jemi ndër të fundit në matjen ndërkombëtare të njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare. Universitetet tona do të vazhdojnë të mos figurojnë në listat botërore të rangimit. Nxënësit tanë nuk do t’i kemi në gara ndërkombëtare në lëndët e matematikës, të fizikës, të kimisë, të informatikës etj. Ne do të vazhdojmë të mos dimë ta shkruajmë drejt gjuhën amtare. Si pasojë, do të vazhdojmë të jemi ndër të fundit në rajon me shkallën e zhvillimit ekonomik. Do të vazhdojmë të merremi me mikrovlera, me mikrosisteme dhe të veprojmë në mikroplan. Madhësinë tonë do ta matim me vetveten dhe jo me të tjerët. Në arenat sportive ndërkombëtare nuk do t’i kemi basketbollistët, hendbollistët, volejbollistët, tenistët, vrapuesit, gjimnastët, vaterpolistët, ndonëse i kemi dy dete. Do të vazhdojmë t’i harxhojmë energjitë tona për punë dytësore. Kësisoj vështirë do të mund të dalim nga mendësia provinciale. Do të vazhdojmë të lexojmë fare pak, në mos aspak. Do të vazhdojmë të joshemi nga programettelevizive reality show që përhapin imoralitet si dhe nga muzika pornografike. Do të shquhemi për megalomani, për arrogancë, për mendjemadhësi, për narcizëm. Do ta shpallim dhe do ta konsiderojmë veten si më të mençurit e botës. Dituria është një prej parakushteve themelore të zhvillimit të një shoqërie.