AURENC BEBJA: KËNGA HEROIKE ARBËRESHE KUSHTUAR VDEKJES SË GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT

Francë, 6 Shtator 2016: Kënga e më poshtme, kushtuar Gjergj Kastriotit, është marrë në veprën e shkrimtares me origjinë shqiptare, Dora d’Istria-s (Elena Gjika), me titullin: «La nationalité albanaise d’après les chants populaires – Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore.». Vepra e Elena Gjikës është botuar vitin 1866 në gjuhën frënge në « Revue des Deux Mondes », Paris. Autorja ka përmbledhur disa këngë popullore shqiptare, ku njëra prej tyre i dedikohet heroit tonë kombëtar.
Më saktësisht, autorja e ka marrë këngën për Skënderbeun në veprën « Su gli Albanesi, ricerche e pensieri » të shkrimtarit arbëresh, Vincenzo Dorsa, të botuar në vitin 1847 në Napoli.
Ja kënga në vijim :
« Kur u nis Skënderbeu për në luftë, gjatë rrugës që po ndiqte, ai takon Vdekjen, e dërguara e hidhur e aventurës së trishtë. – Emri im është vdekja : kthehu mbrapsht, o Skënderbe, sepse jetës tënde po i vjen fundi – Ai e dëgjon, e vështron, nxjerr shpatën, ndërsa ajo qëndron e shtangur.
Hije e erës, që tremb vetëm frikacakët, nga e di ti se unë duhet të vdes ? Zemra jote e ngrirë a mund të profetizojë zhdukjen time ? Apo të është hapur libri i fatit të heronjve ?
Dje, në qiej, u hapën për mua librat e fatit. E zezë dhe e ftohtë si një vello, ajo zbriste mbi kokën tënde, dhe më pas ajo u hodh mbi të tjerët.

Skënderbeu përplas duart, dhe zemra e tij lëshon një ofshamë. Ah ! Fatkeq ! Më erdhi fundi. Ai fillon të kujtojë të kaluarën ; sheh djalin e tij të rritet pa baba dhe mbretërinë mes lotëve. Ai mbledh luftëtarët e tij dhe u thotë :
Luftëtarët e mi besnikë, Turku do të pushtojë të gjithë tokën tuaj, dhe ju do të bëheni skllevërit e tij. Dukagjin, më sjell këtu djalin tim, këtë djalë simpatik, kështu që t’i jap mendimin tim. Lule e braktisur, lule e dashurisë sime, merr me vete nënën tënde dhe përgatit tri nga anijet më të mira. Nëse Turku e merr vesh (e ka fjalën për vdekjen e tij), ai do të të rrëmbejë dhe do të fyejë nënën tënde. Zbrit drejt plazhit : aty, ka një selvi të errët e të trishtë. Lidh kalin tim në atë selvi, dhe vendos flamurin tim mbi të, që të valvitet nga erërat e detit, dhe vari atij shpatën time. Gjaku i Turqve ka mbetur në pjesën e mprehtë të saj në të cilën fle vdekja. Nën pemën e zezë, armët e luftëtarit të frikshëm a do të qëndrojnë të heshtura ? Kur fryen era e tërbuar, kali hingëllon, flamuri valvitet, shpata jehon. Turku do ta dëgjojë, dhe, duke u dridhur, i zverdhur, i zbehtë, do të tërhiqet duke menduar për vdekjen.»

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura