AV.ILIR MALINDI & XHEVAHIR CIRONGU: 20 VJET MË PARË – ‘DRENICA’ E DURRËSIT – QENDRA MOBILIZUESE PËR LUFTËTARËT E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS!

Durrës, 28 janar 2019: Në themelet e ngjarjeve të mëdha të historisë më të fundit të popullit shqiptar, si një pasuri e çmueshme, e pashlyeshme dhe e paharrueshme në histori qëndron dhe do të mbetet edhe qendra më e madhe dhe më e rëndësishme e rekrutimit dhe e mobilizimit të luftëtarëve të UÇK-së, “Drenica “ në Durrës, e cila u ngrit dhe filloi të funksionojë me 1 Prill të Vitit të Lavdishëm për Kosovën, të vitit 1999, menjëherë pas fillimeve të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavi për Çlirimin e Kosovës,të cilat filluan me 24 Mars 1999.
Pra, përderisa Viti 1999 është Viti i NATO-s, i 20 vjetorit të ndëhyrjes së saj, ashtu sikurse është Viti 1999 edhe Viti i Konferencës së Rambujesë, edhe Viti i Çlirimit të Kosovës me 12 Qershor 1999, po kështu 1999-ta, Prilli i 1999-ës është edhe viti i mobilizimit të madh të vullnetarëve dhe luftëtarëve të Lirisë nga trojet gjithshqiptare dhe sidomos nga diaspora,te “Drenica” e Durrësit e Familjes patriotike të Sadri Kapitit të cilën avokati i njohur, politikani i shquar dhe patriot, Spartak Ngjela, ka deklaruar se:
”Kjo është një Fortesë, një Kështjellë e pamposhtur, që politikanët nuk e kanë shumë për qejfi… “Drenica” e Durrësit dhe familja atdhetare KAPITI, meritojnë shumë, por, mjerisht, kjo është politika jonë e sotme”. (Spartak Ngjela, Durrës 5 Gusht 2008)
Kjo ngjarje që ka të bëjë me qendrën “Drenica” ka rëndësinë e saj si një faqe e lavdishme në Historinë tonë kombëtare, pasi këtu duke iu përgjigjur thirrjes dhe kushtrimit për liri, mbërritën me mijra e mijra vullnetarë nga të gjitha shtetet ku kishte diasporë Shqiptare, nga Gjermania, Italia, Franca, Britania, Suedia, Austria e deri nga SHBA, Australia e Kanadaja si dhe luftëtarë patriotë e liridashës nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Kosova Lindore.
Qendra “Drenica” e Durrësit të sjell në kujtesë Lidhjen gjithëkombëtare të Prizrenit
“Drenica“ e Kapitëve të Durrësit u bë Epiqendra Kryesore që tërhoqi vëmëndje jashtëzakonisht të madhe ndërkombëtare ku për çdo ditë aty instaloheshin mediat kryesore ndërkombëtare perendimore dhe botërore të cilat e ndërkombëtarizonin Çëshjen kombëtare,jo vetëm të Kosovës por të të gjithë kombit shqiptar si dhe Luftën e drejtë dhe heroike të UÇK-së; ku nga aty pasqyrohej mbërritja dhe rekrutimi i luftëtarëve të UÇK-së, nga aty mediat botërore merrnin informacione edhe për gjëndjen dhe situatën në Kosovë prej dëshmitarëve realë dhe okularë pasi për çdo ditë mbërrinin te “Drenica” e Durrësit qytetarë të dëbuar e të përndjekur nga makina ushtarake vrastare dhe genocidiste serbe dhe informohej opinion botëror; ku te”Drenica” e Kapitëve të Durrësit përveç vullnetarëve të UÇK-së bëhej edhe takimi e bashkimi i familjeve kosovare.
Te “Drenica”e Durrësit bëhej takimi edhe i prindërve e pjestarëve të familjeve me bijtë dhe me bijat e tyre që vinin vullnetarë nga perëndimi për t’iu bashkangjitur luftëtarëve të UÇK-së.
“Drenica” ka qenë si të thuash pika e parë e kontaktit, si porti dhe porta pritëse dhe përcjellëse panshqiptare ku vinin, priteshin e përcilleshin në ditë për në betejë qindra vullnetarë e luftëtarë të lirisë ashtu sikurse me të drejtë shkrimtari Thanas Mustaqi e ka quajtur “Drenicën” e Durrësit “ MEKË” ATDHEDASHURIE.
Prej “Drenicës” bëhej ndërkombëtarizimi mediatik i Çështjes Kombëtare Shqiptare dhe i Ushtrisë më të re të Europës, i UÇK-së, karakteri luftarak dhe çlirimtar i një lufte burrërore, të pastër dhe heroike e cila kishte si aleat të saj Fuqinë ushtarake më të madhe botërore , NATO-n e drejtuar nga SHBA.
Nga “Drenica” e Durrësit UÇK- ja u quajt me meritë prej sekretarit të saj si këmbësoria e NATO-s.
Te “Drenica” e Durrësit mbërriti Batalioni “Atllantiku” nga SHBA.
Te “Drenica” e Durrësit mbërriten dhe iu bashkangjitën vullnetarëve të UÇK-së shumë e shumë vullnetarë me kombësi të huaj nga vënde e shtete të Europës Perendimore,të cilët e kishin parë dhe kishin mësuar për qëndrën e rekrutimit “Drenica” të Durrësit nga mediat e televizionet kryesore europiane e botërore, mediat të cilat mësonin dhe informonin opinionin ndërkombëtar për masakrat çnjerëzore që bënte ushtria kriminale serbe me torturimin, vrasjet, djegiet, rrënimin dhe shkatërrimin e shtëpive,fshatrave dhe të qyteteve në Kosovë.
Për “Drenicën” e Durrësit është folur, shkruar, filmuar dhe dokumentuar shumë,sidomos nga ishvullnetarë të UÇK-së, nga shkrimtarë, gazetarë, media kombëtare e ndërkombëtare, intelektualë, historianë, akademikë, ushtarakë , familjarë dëshmorësh dhe heronjsh nga Shqipëria, Kosova e diaspora.
Te “Drenica” e Durrësit në përkujtim të kësaj ngjarjeje të madhe kombëtare është ngritur edhe memoriali i “Luftëtarit të Lirisë”.
“Drenica”e Durrësit është edhe një vënd peligrinazhi shumë i vizitueshëm nga turistë e pushues që vijnë dhe e vizitojnë qytetin turistik të Durrësit. Madje këtë vënd historiko-gjithkombëtar e kanë vizituar edhe ishvullnetarë të huaj të UÇK-së si dhe gazetarët e reporterët e mediave të huaja, të cilët kanë qenë aty në kohën kur te “Drenica” bëhej mobilizimi dhe rekrutimi i luftëtarëve të UÇK-së.
Për “Drenicën” e Durrësit, për këtë qëndër të historisë sonë kombëtare dhe për Familjen e Sadri KAPITIT, për kontributin e saj për Kosovën është shkruar edhe një Libër voluminoz i autorit Bedri TAHIRI me titull “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, një libër hulumtues, evidentues dhe vlerësues i historikut kombëtar si një pasuri e madhe enciklopedike dhe e jashtëzakonshme gjithëkombëtare ilustruar me fotografi, biseda, intervista me personazhe realë dhe dëshmitarë të veprimtarisë së madhe patriotiko-kombërtare të familjes së Sadri Kapitit, bijve dhe bijave të tij të cilët vunë gjithçka në shërbim të atdheut e të kombit për lirinë e Kosovës.
Po citojmë disa prej tyre:
“Drenica” e Durrësit është qëndra kryesore e frymëzimeve atdhetare… është Tempull atdhetarie. Më vjen mirë që kjo shtëpi lirie e tempull i atdhetarisë u pagëzua nga poetët dhe artistët. Ajo e ndërshqiptarizoi këtë vënd, nga i cili buroi jetësimi i çështjes sonë madhore , çlirimi kombëtar”. (Nga poeti dhe akademiku i shquar Xhevahir Spahiu).
“Populli e ka shpallur me zemër “Drenicën” e Durrësit një “Mekë”atdhedashurie”. (Nga publicisti dhe gazetari Thanas Mustaqi)
“Emri i nderuar “Drenica”do të kujtohet gjithashtu edhe si kontribut atdhetar e patriotik i djemve të familjes së respektuar Kapiti. Ajo meriton që të bëhet një qëndër e edukimit atdhetar dhe patriotik të brezit të ri”. (Nga Bujar Muharremi, Ish-diplomat e ambasador i Shqipërisë në Kosovë)
“Ky është një monument historik, i cili si i tillë duhet të përjetësohet nga të dy qeveritë tona, në Tiranë e në Prishtinë”. (Nga Ilir Malindi, avokat dhe shkrimtar)
Gjithashtu një numër i madh personalitetesh të lartë, akademikë dhe intelektualë si dhe shumë shoqata kombëtare kulturore, artistike e patriotike kanë propozuar te institucionet më të larta të Shtetit Shqiptar që “Drenica” të shpallet muze, dhe po gjithashtu kanë propozuar edhe për dekorimin e familjes së Sadri KAPITIT për kontributrin e madh të tyre dhënë për Çështjen kombëtare.

***
Foto: Qendra Mobilizuese “Drenica” në Durrës,prill – qershor 1999

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura