AVNI HALIMI: POLITIKAT KOMBËTARE DHE IDENTITETI KULTUROR

Pashtriku.org, 21. 11. 2013 – (Ҫdo pushtues e di që identiteti kombëtar është i pathyeshëm përderisa është nën guaskën e identitetit kulturor. Zhveshja nga identiteti kulturor do të thotë zhdukje kombëtare.) Nëse për një çast i qasemi zhvillimeve historike të njerëzimit, do të vërejmë se, që nga fillet e saj, që prej veprimeve të arsyeshme dhe të logjikshme e deri më ditët e sotshme, njerezimi ka trashëguar një “galaksi” të tërë të mirash materiale e shpirtërore. Pra, krjimi i njerëzimit dhe zhvillimi i tij ka qenë, është dhe do të mbetet shtyllë mbi themelet e zhvillimeve të gjithanshme civilizuese e kulturore. Nëse këtij fenomeni i qasemi me dioptrinë e kohës së sotshme, sërish do të vërejmë se, dekada e shekuj te poshtë epokave, zhvillimet kulturore kanë qenë ato që kanë determinuar edhe zhvillime politike, shoqërore, shtetërore, klanore, fisnore e deri te jeta primitive e njeriut të parë. Kjo mund të vërtetohet edhe nga materiet e shumta hisotike, nga rrëfimet e shumta, legjendat, mitet, nga rrëfimet e librave të shenjtë.
Zhvillimet historike dhe identiteti kulturor
Kultura është ektrstakti i vetëm që e mban në jetë një komb. Pra, a do të jetë i fuqishëm apo i brishtë një komb kjo varet nga zhvillimi kulturor i tij, nga qasja e tij ndaj thesarit të të mirave materiale e shpirtërore që i ka të trashëguar e që është i vetëdijshëm se ato duhet të ruhen me tërë forcën kombëtare. Sot një komb çmohet dhe respektohet varësisht nga afinitetet e tij në art, në letërsi, në muzikë, në skenë, në film, në arkitekturë, nga sfondi i shenjave, simboleve të gjuhës, nga sistemi dhe përqasja civilizuese në komunikim, nga krijimi i lehtësirave për ta kuptuar dhe deshifruar sa më qartë atë komunikim, atë ofertë dijesh e njohjes mbi të kaluarën dhe të sotshmen, për ta zbërthyer çdo ide, koncept, sistem filozofik etj.
Në rrafshin kulturor, kombi shqiptar është një dhe i pandashëm, ndërsa në rrafshin politik e fetar ka vite e shekuj që ka sendërtuar një globalizim që është unik dhe i dëshirueshëm nga mbarë bota.
Ndër shekuj populli shqiptar iu nënshtrua ndikimeve të llojllojshme si pasojë e presioneve asimiluese e shfarosëse nga pushtuesh të ndryshëm; përjetoi uzurpim territoresh, zhvatje të copave të atdheut, ekzode biblike, robërime prej sistemeve të ndryshme, por, falë pikërisht atij gjeni kulturor të koduar në shtyllën vertikale të kontinentit evropian, mbijetoi duke u ndjerë sot krenar për vlerat e lashta, shumë të çmueshme e të pamohueshme kulturore. Në këtë shtyllë u ngjiz identiteti kulturor shqiptar me një kod të fuqishëm që i rezistoi mutacioneve që vinin nga lloj-lloj sprovash e eksperimentesh që beheshin ndër shekuj mbi kurriz të popullit shqiptar.

Zhveshja nga identiteti kombëtar!

 Në çastin kur shqiptarët ishin drejt zhdukjes fizike e shpirtërore, jo rastësisht do të dalin Pjetër Budi e Pjetër Bogdani, Frano Bardhi e Lekë Matrënga, Jeronim Derada e Gavrill Dara, me mendimet dhe idetë e tyre në harmoni të plotë me zhvillimet politike e kulturore perëndimore të kohës. Në çastin e eliksireve të pushtuesve osman dedikuar haxhiqamilëve, jo rastësisht do të dalin vëllezërit Frashëri, jo rastësisht do të ngritet Rilindja Kombëtare e cila do t’i bashkërendisë veprimet dhe mendimet iluministe me ato që zhvilloheshin nëpër qendrat kulturore më të fuqishme evropiane. Në çastin kur në Ballkan kishte marrë fund alfabeti latin, jo rastësisht një komision i përbërë nga Mit’hat Frashëri dhe Gjergj Fishta, më vitin 1908 në qytetin kulturor shqiptar të Manastirit, do të shpallin alfabetin latin si alfabet zyrtar të gjuhës shqipe duke ia bërë të qartë evropianizmin shqiptar pushtuesve të kohës.
Çdo pushtues e di që identiteti kombëtar është i pathyeshëm përderisa është nën guaskën e identitetit kulturor. Zhveshja nga identiteti kulturor do të thotë zhdukje kombëtare. Por, t’i shpallësh luftë identitetit kulturor është ngjashëm sikur të tentoshë ta plandësh përdhe një pllakë gjigante prej çeliku duke e gjuajtur me plumba të kalibrave të ndryshëm. Në çdo moment je i rrezikuar të qëllohesh nga ndonjë plumb rikoshe. Këtë mund ta dëshmojë përpjekja shekullore e serbëve në Kosovë. Strategjitë shqiptare për mrbojtjen dhe zhvillimin e identitetit kulruror ndonëse në kushte mizerie, qenë shumëfish më të fuqishme se sa strategjitë e okupatorit serb për ta luftuar dhe zhdukur identitetin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.
Zhveshja nga identiteti kulturor do të thotë zhdukje kombëtare
Konferencat e ndryshme ndërkombëtare, Konferenca e Londrës (1913), e Versajës (1918), Konferenca e Paqes në Paris (1945) dhe instalimi i sistemit komunist deri në zhdukjen e tij (1990) realizuan orekse dhe synime okupuese të shumë popujve që i rrethonin shqiptarët dhe shtetin e tyre amë. Për pasojë, Shqipëria u copëtua dhe u aneksua nga shtetet fqinje të sapodala nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa shqiptarët e atyre viseve etnike mbetën qytetarë të rendit të dytë, variant ky i butë i fjalës “robër”.
Zhvillimet historike të kësaj periudhe flasin për qasje dhe politika shoviniste autonome të popujve që i kishin vënë detyrë vetes asimilimin dhe asgjësimin e shqiptarëve të ngelur jasht shtetit amë, jasht Shqipërisë me kufijtë e sotshëm administrativ. Por, pa dyshim, këto zhvillime historike flasin edhe për një përpjekje mbinjerëzore, për një këmbëgulje deri në vetëflijim, për gjetje mënyrash, mjetesh e metodash të shqiptarëve për mbrojtjen e identitetit kulturor, sidomos përmes ruajtjes së thesarit të larmishëm popullor si trashëgimi kulturore mbarëshqiptare. Këto përpjekje, kundërshtimet e ashpra ndaj politikave serbo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, nën pretekstin se të gjithë “turqët” e Jugosllavisë së atëhershme duhej të shpërnguleshin në shtetin e tyre (pra, mohohej në mënyrë kategorike ekzistimi i qenies shqiptare); rezistenca luftarake e shqiptarëve karshi politikave sllave që mëtonin degradimin dhe asimilimin kulturor të shqiptarëve, nga politikat shovene sllave përkthehej si “inat arrnauti”, sintagmë kjo e huazuar nga pushtuesit osmanë, të cilët, për ta shtuar moralin te luftëtarët e tyre shqiptarët i quanin si inatçorë, si kryeneçë. Pra, jo si luftëtarë por si kokëfortë! Ndërsa tërë historia kombëtare e shqiptarëve është me luftëra të tyre për mbijetesë dhe për ruajtjen e qenies kombëtare me të gjitha trashëgimitë e veta materiale e shpiërteore.
Për shqiptarët e ngelur në viset e tjera etnike një kthesë e madhe historike do të jetë themelimi i Universitetit të Kosovës (1968), i cili, vit pas viti, dekadë pas dekade, do të shndërrohet në një bastion të pathyeshëm të nacionalizmit dhe kulturalizmit shqiptar. Do të formohet një shtresë e fuqishme elitare e cila do të bëhet garanci e pathyeshmërisë kombëtare. Sado që pushteti i atëhershëm jugosllav mundohej që kulturën shqiptare, intelektualët shqiptarë, t’i mbante me serume me afate të skaduara, megjithatë efektet ishin të kundërta. Intelektualët shqiptarë reflektonin mendime properëndimore, shumë syresh vinin me përgatitje e me bagazh intelektual të akumuluar nëpër qendra universitare botërore, konsumimi i artit dhe i krijimtarisë kulturore perëndimore, përqafimi i rrymave muzikore perëndimore nga të rinjtë shqiptarë, si dhe shumë argumente të tjerë i rrëzonin përdhe të gjitha argumentet sllave për luftën e tyre kundër shqiptarëve si luftë kundër elementeve radikalë islamik. Harmonia e përkyer ndërfetare si dhe përputhja e plotë me konceptet, me idetë dhe me vlerat e përgjithshme perëndimore ndikuan që kjo strategji sllave asnjëherë të mos gjejë aleatë tek perëndimorët. Këtë më së miri e dëshmon unifikimi i qëndrimit perëndimor në luftë kundër Serbisë e për çlirim të Kosovës.
Prej sistemit politik deri te strategjia kombëtare kundër kulturës shqiptare
Le t’i kthehemi shqiptarëve të Maqedonisë, repsketivisht, pozitët së tyre kulturore veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore e këtej. Si zhvilloheshin kulturalisht shqiptarët e Maqedonisë? Cila ishte pozita e tyre kulturore? Cili ishte qëndrimi i politikës zyrtare ndaj kulturës shqiptare? Cilat ishin politikat kulturore dhe sa i preknin ato interesat kulturore të shqiptarëve?
Gjatë periudhës komuniste, si gjithandej nëpër ish-Jugosllavi, edhe në Maqedoni shqiptarët kaluan nëpër një proces të tmerrshëm diskriminues. Përjetuan presione të papërballueshme politike dhe për pasojë u detyruan të shpëngulen mijëra familje shqiptare fillimisht nëpër viset turke e pastaj edhe nëpër shumë qendra evropiane. Krahas këtyre represalieve, sistemit jugosllav i duhej edhe propagimi i “bashkim-vëllazërimit” i cili ruhej dhe kalitej përmes ventilimeve kulturore amatoreske të rezervuar për “kombësitë”, term ky i shpikur për bashkësitë etnike të cilat sistemi jugosllav nuk i llogariste për komb. Kosova, ndonëse ishte element përbërës i federatës jugosllave, nuk mund të llogariste në pavarësinë e vet eventuale, sepse banohej nga “kombësia shqiptare”, ndërkohë që kombësitë nuk llogariteshin si element shtetëformues. Kombësitë llogariteshin si elementë që e pasuronin diversitetin kulturor të republikës ku banonin. Pra, kultura e një republike ishte e pasur edhe për një kulturë tjetër që i përkiste një kombësie që nuk mund të llogariste në shtetëformësim. Kultura e republikës, apo e popullit shtetëformues, avansohej, stimulohej, subvencionohej, me politika, me plane zhvillimi e me buxhet shtetëror e republikan, ndërsa kultura e kombësive “ruhej e konzervuar”, mbahej ashtu siç ishte që në hapat e para të formimit të shtetit jugosllav. Shqiptarët e ish-Jugosllavisë nuk patën të drejtë të kenë institucionet e veta kulturore nacionale si: operën, filharmoninë, baletin, muzetë, institucionet e zhvilluara për trashëgiminë kulturore, teatrin, filmin. Kjo në planin e politikës federale, ndërsa në planet e politikave republikane situata ishte edhe më e mjerueshme. Racizmi kulturor dukej si në ditë me diell! Diskriminimi federativ u jepte leje republikave për hartime dhe zbatime të politikave edhe më diskriminuese kulturore.
Kapacitetet intelektuale e krijuese të shqiptarëve të Maqedonisë ishin të pakta dhe gjithnjë të survejuara nga “syri i zgjuar” që kishte për detyrë kapjen e nacionalistëve dhe shovenistëve shqiptarë. Pra, censura, autocensura dhe “syri i zgjuar”, elemente këto të pushtetit të egër diktatorial, ndikonin në vetëpërmbajtje intelektuale dhe, për pasojë, në jetën skajshmërisht të varfër kulturore. Të vetmet institucione që prodhonin kuadro intelektuale ishin Shkolla e Normales si dhe Fakulteti albanologjik dhe Pedagogjiku me mbi tetëdhjetë për qind të provimeve në gjuhën maqedonase. Para se të kyçeshin nëpër proceset e vobekta kulturo-arsimore fillimisht i nënshtroheshin përshtatshmërisë ideopolitike. Kapacitetet e tyre intelektuale e kulturore mund të vinin në shprehje në Teatrin e kombësive, në Redaksinë e “Flakës së Vëllazërimit” e cila dy-tri herë në javë botonte gazetën, botonte një revistë periodike për kulturë, shkencë e art, Jehona e Re, si dhe kishte edicionin botues në kuadër të së cilës gjatë vitit botoheshin 4-5 autorë shqiptarë. Shqiptarët e Maqedonisë patën edhe një redaksi radio-televizive me nja dy orë program në ditë ku herë pas herë ndiqnin ndonjë këngë apo valle shqiptare. Pushteti totalitar kishte edhe një mjet tjetër, i cili duke u llogaritur më tepër si atrakcion kulturor, shtonte rehatinë e vet politike duke e trashur “bashkim-vëllazërimin”. Për të gjitha kombësitë në rrafshin kulturor stimulonte themelimin e shoqërive kulturo-artistike, prej të cilëve kërkonte repertoar që do ta pasqyronte diversitetin kulturo-folklorik të kombësive. Këtë politikë zyrtare ishte e detyruar të zbatonte edhe SHKA “IbePalikuqi”dhe “Emin Duraku” nga Shkupi, “Xheladin Zeqiri” nga Tetova, “Bajram Shabani” nga Kumanova, e ndonjë tjetër të nivelit skajshmërisht amatoresk. Asnjë nga këto shoqëri kulturo-artistike shqiptare nuk mund të organizonte program kulturo-artistik për shqiptarët e këtushëm pa marrur leje nga policia e vendit. Fillimisht dorëzohej i tërë repertoari i përkthyer dhe i shpjeguar në gjuhën maqedonase dhe tek pastaj, nëse kalonte “gijotinën” e përshtatshmërisë ideo-politike, nëse repertoari ngërthente edhe pikë artistike nga kombësitë e tjera, qoftë këngë apo valle, sigurohej leja për ndonjë koncert amatoresk. Dhe kjo ishte e tërë jeta kulturore shqiptare në Maqedoni, nivelin e të cilës e ngriste paksa në profesionalizëm vetëm trupa teatrore e shqiptarëve që funksiononte në kuadër të Teatrit të kombësive në Shkup.
Përkundër këtyre politikave raciste, përkundër “syrit të zgjuar” të diferencuesit ideopolitik, mund të thuhet se ajo pak kulturë shqiptare që prodhohej atëbotë, ishte skajshmërisht autoktone, burimore, me vlera të përfillshme intelektuale e kulturore. Dhe kjo ishte meritë skajshmërisht individuale e “pehlivanëve” shqiptarë dhe jo përkujdesje shtetërore. Shteti-republika përkujdesej vetëm për degradim dhe shpërfytyrim deri në primitivizëm të kulturës shqiptare.
Sot në Maqedoni është edhe më keq! Nëse dikur kulturën shqiptare në këtë shtet e ngulfaste sistemi politik, sot këtë e bën kombi maqedonas. Diskriminimi dhe mohimi i kulturës shqiptare sot për sot është jo vetëm strategji apo program por, obligim dhe detyrë kombëtare maqedonase, e mbështetur në korniza të ndryshme ligjore… (Fragment nga libri në proces me po të njëjtin titull)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura