HAZIR MEHMETI: NË SHIJIM TË ATDHEUT

Jezerc, 20. 09. 2013 – (Reportazh) – Me puhinë e freskët dhe gjerlbërimin e luginës përgjatë lumit Nerodima autobusi gjarpëronte rrugës së vjetër e të ngushtë. Rrjedha e lumit shtratit të tij shekullor ishte mbresëlënëse me shkumëzimet gurzbritjeve, të cilat krijonin pamje mahnitëse, përcjellë me melodinë gurgulluese. Orkestër natyre me njëmijë tinguj që nuk i gjen as në filahrmonitë e njohura të botës.
Ne që udhëtonim për të parën herë, çdo skutë na dukej tërheqëse. Arat me grurë e misër, në të dy anët e lumit, flisnin mbi kujdesin e njeriut tonë punëtor në shekuj. Shtëpitë e “Luftës” ishin gjurmë e një kohe dhe gati secila shoqërohej me shtëpinë e re aty pranë.
Përkundjet e “Ditës” përfunduan para shkollës së re, në pjesën e sipërme të rrjedhës së lumit mbi fshat. Kodra e Përmendores nga perëndimi fillonte thikë përpjetë shtigjeve të dhive e shoqëruar me përroin e shpejtë me ujë të pastër kristal. Ai që ishte trim i ngjitjes do shpërblehej me shkëlqimet e përmendores së dëshmorëve dhe hapësirën e gjerë soditëse.
Sot jo. Është dita e parë, ku shkolla e re, donacion i fuqishëm nga miqtë japonez, na priste portëhapur. Në radhë ishte vendosja. Pllakati “Ta njohim atdheun” nga Ministria e Diasporës do lidh për pesë ditë dy katet e shkollës. Fotografia me veshjet e bardha, me mbishkrimin mirëseardhës, do ishte një kujtim i mirë për fëmijët e ardhur nga disa shtete të kontinentit.

Jezerc, gusht ’13: Grupi i nxënësve mërgimtarë nga shumë

shtete bashkë me nikoqirët e mësueset/it e tyre.

Shpejt hapësirave të fjetura të shkollës iu kthye gjallëria. Kushtet e vendosjes ishin sfiduese e modeste në krahasim të atyre në botën e ftohtë e të huaj. Këtu çdo gjë ishte e ngrohtë. Edhe muret, korridoret, klasat. Skulptura e kryetrimit tanë të ngrohte me pamjen e tij qortuese e plotë forcë në vigjilencë ndaj armikut që synon truallin, lirinë tonë. Para tij hapësira që lidhë korridoret anësore dhe shkallët e katit do bëhet tribunë e valleve, këngëve, recitimeve nga nxënësit mërgimtarë. Shumë nga ata nuk e kishte përjetuar publikun në atdhe. Aty edhe i pari i arsimit në komunën e Ferizajt, aty edhe zyrtaret simpatike e komunikuese me kujdesin e tyre, aty edhe drejtori i shkollës me stafin teknik. 
Vallet shqiptare shekullore kudo e mahnitin syrin e shikuesit. Këtë e dëshmuan qifti nga Zvicra me punën e tyre, një jetë me valle në mërgim. Fëmijët me kureshtje filluan mësimin e valleve shqiptare shumë nga ata për herë të parë.
– Do vallëzojmë, kemi vullnet e kondicion”,- u dëgjua një zë.
– Gjimnastika e mëngjesit në ajrin e pastër e udhëhequr nga mësuesi A…”,- sikur na ka fuqizuar u dëgjua tjetri.
– Edhe shëtitjet drejt burimit të lumit lart në bjeshkë”,- foli me zë të lartë “zvicerani”, duke përkëdhelur “Ujkun” që e kishte sjell me vete.
– “Shota” i bëri pendël të gjithë në ndjenjën e të përbashkëtës, kombëtares. Sonte s’do flemë fare, do vallëzojmë.
Orari i vënë nga mësuesit/et ishte detyrim, secili e respektonte, e pranonte të vetin. “Dita” nuk ndali rrotat asnjë ditë. Në kazermën e ushtrisë më të re në kontinent sikur ndërroj toni e ritmi. Zërat e fëmijëve mbushën hapësirat e pastra që flisnin me rregullin e tyre. Pjesëtarët e saj i kishim në përkujdesje në çdo hap. Ditën e natë. Edhe një ferrë gomari po preku dike mjeku ishte aty me të gjitha mjetet, me zemër e dashuri atërore për filizat e së nesërmes sonë. E paharruar do jetë pritja në radhë në kuzhinë dhe dreka e përbashkët.
-“Sa e shijshme”- tha njëri nga fëmijët, duke e fërkuar barkun.
-“Drekë ushtrie, unë do të bëhem ushtar”- ia priti tjetri.
Ora e mësimit me komandantin nuk do të harrohet kurrë. Fotografia e përbashkët do jetë një kujtim vitesh e brezash në dashurinë për vendlindjen, ushtrinë e tij të shkëlqyeshme.
Shijimit të vendlindjes vazhdon në fshatin Binqë, dhe për çudinë e fatit aty në Kishën Shqiptare në muret shekullore vepra arti me motive nga rrugëtimi për jetë a vdekje i vëllezërve para kuçedrës aziatike, takuam edhe Don Lush Gjergjin. Shpirti i madh fiton, edhe në botën tjetër. Aty edhe Nëna e Botës “Dashuria do ta shpëtoj botën” e tha me fjalë e vepër. Filizat e rinj nga gjithë kontinenti mësuan përse kisha e xhamia janë njëjtë të shenjta, njëjtë shqiptare. I pari i zërit L.. na foli me afshin e vëllait, me dashurinë e prindit për ruajtjen e vlerave kombëtare që e mahnitin botën kudo që flitet për tolerancë e respekt bindjeje e ideje. Faleminderit Binqë do vijmë me draprin e parë të verës së re edhe me një pranverë më shumë në ne.
Y… gjithmonë duke qeshur me fytyrën e mrrolur ngutej, me të edhe “Dita” në kapjen e hapave tjerë. Shpella e Gadimes, një mrekulli shkuar mrekullive. Vetëm vendet me shumë fat kanë diçka të tillë. E ftohtë në gurëmermeri, por e nxehtë në shkëlqimin e kristaltë të stalagmiteve e stalaktiteve ku printe dashuria e zjarrtë e “Romeos dhe Xhulietës” drejt bashkimit diku në amshim. Korridori i Mixhës Ahmet ishte i ngushtë për ëndërrimet e dëshirat e shumta të vizitorëve mërgimtarë. Ndërprerjet e rrymës, mungesa e rrjedhave e puseve me ujë të kthjelltë ishte shqetësim në paaftësinë e menaxhimit e ruajtjes së kësaj pasurie të paçmuar kombëtare.

Prekaz, gusht ’13: Në nderim të gjyshërve të rënë për liri,

grup nxënësish nga Suedia të familjes Jashari me mësuesen Bahtije.

Në gjithë botën Bifurkacioni i Nerodimes kishte një vëlla në Orinako të Brazilit. Një fenomen i veçantë, ku njëra gjysmë e lumit merr drejtimin verior, drejt Detit të Zi, dhe gjysma tjetër drejtimin jugor, drejt Detit Egje. Pikat Motra përshëndeteshin, lotonin ujë kristal në fundin e takimit, shtrëngonin duart të mos ndaheshin. Donin të ndaleshin në freskimin e fytyrës së fëmijëve, të qeshnin e luanin bashkë sikur deri me tani. Disa i luteshin diellit që t’i merr lart në qiellin e Kosovës e të mos largoheshin nga ky vend kaq i bukur. 
-“Do kthehemi prapë kudo që jemi me retë e para të shiut pranveror”- folën dy Pikat Motra në rreshtin e miliarda motrave. Fëmijët mërgimtarë do i ruajnë me xhelozi fotografitë me Pikat Motra dhe kudo që do i takojnë do ju përkujtojnë Kosovën, Nerodimen shpatë bjeshke.
Dashuria ndaj mërgimtarit u prek në çdo hap, edhe në parlamentin komunal. Ulëset do presin ambasadorët më të ri në vendet ku jetojnë. Ata atje kanë vetëm një emër, shqiptarë. Imazhin e vendlindjes secili e bartë në veprën dhe sukseset e tij. Edhe Xherdani, Granit, Ardita, Shkëlzeni e shumë të tjerë, janë yje, edhe për kombin e vendlindjen. Nënkryetari dhe zyrtarët tjerë komunal i pritën me ngrohtësinë e prindit mysafirët e vegjël gjithandej kontinentit. Faleminderit!
Për fund “Dita” rrugëton zemrës së Dardanisë
-“Po të lindja dhe njëqind herë, të gjitha do i falja për lirinë e Kosovës”- kështu foli frymëzuesi në përjetësi i brezave, Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Agim Ramadani….
Kurorë.
Heshtje.
Nderim.
Pesëdhjetë e gjashtë yje ndriçonin mes gjelbërimit në shpatin lindor të lagjes historike të Jasharëve. Ciceroni, një burrë fjale e historie, ishte bindës në shpjegimet e tij. Karvani i fëmijëve me këmishët e bardha “Ta njohim atdheun” filloi marshimin shkallëve të pafund të përjetimit të asaj çka duhej për lirinë e sotme, për shporrjen e kuçedrës shumëkokëshe nga vatra shekullore. Përrallat e mësuara mbi kuçedrën zemërzezë fillonin gjithmonë “na ishte njëherë”…, dhe kurrë më. Liria është djepi i ëndrrave për sot e nesër, për dashurinë e pakufishme për jetën, për respektin ndaj dëshmorëve anë e kënd mëmëdheut.

Binqë, gusht ’13: Fëmijët mërgimtarë me Don Lush Gjergjin në Binqë,

një orë mësimore nga jeta shqiptare në shekuj.

Daullet e agimeve të reja gjëmonin kodrave të Prekazit legjendar. Kullat e Jasharëve, Kullat e Mehajve, Kullat e Ahmet Delisë, do jenë përjetë frymëzim në hapat tonë shqiptar.
Kënga e rritjes së bijave e bijve të vegjël mërgimtarë, do përtërihet me aromën e vendlindjes në çdo skaj të kontinentit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura