AVOKAT ILIR MALINDI: PATRIOTIZMI I FAMILJES KAPITI NË PËRBALLJE ME POLITIKËN NË SHQIPËRI

Durrës, 14 mars 2019: Se çfarë është patriotizmi dhe politika i ka përkufizuar mjaft mirë studiusi i politikës, moralit, fesë, historisë nacionalizmit, psikologjisë dhe sociologjisë Skënder Sadri Kapiti në veprat e tij “Njeriu filozof, etik dhe politik”, “Moralokracia” dhe “Triumfi i Kombit”si projekt i integrimit dhe bashkimit kombëtar ku për patriotizmin thotë se: “Patriotizmi është dashuria për jetën, familjen, atdheun dhe popullin e vet të cilit i përkasim; është detyrimi, përgjegjësia e sakrifica për ta, po që dhe atdheu, shteti e populli duhet të jenë si prindër për bijtë dhe bijat e veta dhe se kombi, shoqëria dhe atdheu duhet të respektojnë e të jenë mirënjohës, të përjetësojnë e të lartësojnë shëmbullorët e vet vepërmirë”. Por të kundërt thotë për politikën e cila përderisa ka si qëllim vetëm pushtetin ose pjesë të tij thotë se ajo, pra politika, është korrupsion dhe punon pandershmërisht dhe spekullon, manipulon e mashtron me patriotizmin si dhe me demokracinë e me moralin, dhe ilaçi më i mirë për ta kuruar politikën e keqe është ndëshkimi dhe dëbimi i saj nga pushteti.
Pra, sipas S. Kapitit patriotizmi kombëtar dhe demokracia e vërtetë janë ilaçet që e kurojnë politikën po që po sipas tij patriotizmi dhe demokracia janë dy moralet apo dy vyrtyte deficitare të mëdha për pothuajse tërë politikën kudo shqiptare. Në një shkrim publicistik të S. Kapitit me titull “Politika është korrupsion” ai citon të ketë thënë për të se: “Politika jonë e keqe përzgjedh, seleksionon, heton dhe vigjëlon për të përjashtuar prej vetes, prej punëve të shtetit dhe prej pushtetit profesionalizmin, moralin, ndershmërinë dhe patriotizmin si dhe atë pjesë të shoqërisë me individë të këtillë pasi ajo xhelozon për ta, dhe ajo, pra, politika e keqe ruan dhe mbron ndytësinë, injorancën, hajdutërinë, korrupsionin dhe tradhëtinë e vet duke i bërë dëme të mëdha kombit, integrimit dhe prosperitetit të shoqërisë”.
Z. Kapiti është shprehur se politika e deklaruar nga politikanë të shumtë shqiptarë se Bashkimi Kombëtar bëhet kur të antarësohemi në BE është një politikë disfatiste në planin kombëtar dhe një justifikim i këtyre farë patriotëve eurointegralistë, pasi integrimi si dy shtete shqiptare në BE, ku njëri, shteti i Kosovës e cila është djepi i shqiptarizmës quhet artificialisht nga Europa si shtet multietnik, de fakto po të presin që të bashkohemi si, qysh dhe kur do Europa, vetëm sa vuloset europianisht, jo, bashkimi kombëtar, por mosbashkimi i kombit prej asaj Europe që dhe na ka coptuar në 5 shtete në vitin 1913.

Ilir Malindi mes shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora gjatë vizitës në prill të vitit 2000 në ish-Muzeun e vullnetarëve të lirisë te‘’Drenica”në Durrës i cili u rrënua nga pushteti qendror, ai vendor dhe nga policia ndërtimore në vitin 2004, e që u ringrit përsëri nga vëllezërit Kapiti.

Po të integrohemi në Europë kështu siç jemi sot në dy shtete dhe nëpër shtetet fqinje një pjesë shumë e madhe e popullsisë dhe trojeve shqiptare atëhere gati do të ishte ashtu siç kemi qene të integruar si krahina ilire në Perandorinë Romake, si principata shqiptare në atë Bizantine dhe si Vilajete në atë Otomane, prandaj Bashkimin kombëtar duhet ta kërkojmë e ta bëjmë vetë dhe jo të presim e të ëndërrojmë që të na e japin e të na e bëjnë të tjerët. Unë Ilir Malindi me profesionin e avokatit si dhe të historianit dhe autor i librave “Kosova është e imja”, “Lufta ime” dhe i 32 Volumeve të “United States of Albania ” e njoh familjen Kapiti që në kohët e demonstratave të viteve tetëdhjetë që u bënë në Kosovë për Kosovën Republikë, dhe ajo familje gjithnjë mëndjen dhe zemrën e shpirtin e kishte për Kosovën; ata i njoha për bindjet e thella e të pastra kombëtare, që kanë qënë historikisht kundër kolonizatorit serb po dhe kundër politikës së regjimit komunist të luftës së klasave të komunizmit në Shqipëri që Skënderi e quante si një “vrasje” e regjimit ndaj popullit të vet; ishin kundër kolektivizimit të tokës, të tufëzimit të bagëtive, kundër ideologjisë e politikës së vetizolimit nga perëndimi dhe kunder politikës antiameriklane të ishdiktaturës komuniste, dhe si e tillë kjo familje nuk është parë kurrë mirë asnjëherë dhe është persekutuar nga politika e atëhershme e komunizmit po dhe nga kjo e sotme e pas rënies së tij, pra sepse Kapitët haptazi e kundërshtonin regjimin komunist në Shqipëri si një regjim johuman dhe antiperëndimor të dëmshëm kombëtarisht dhe aspak e interesuar për shqiptarët në trojet etnike jashtë Shqipërisë, gjë e cila vëllezërve dhe familjes Kapiti ju kushtoi shumë rëndë dhe shtrenjtë politikisht dhe jo vetëm atëhere po dhe pas rënies së komunizmit.
Edhe pas komunizmit Kapitët kundërshtuan politikën e Qeverisë së Partisë Demokratike të rrënimit të gjithçkaje të ndërtuar nga puna dhe djersa e popullit shqiptarë; kundërshstuan reformat pseudodemokratike shumë të dëmshme dhe me pasoja të rënda kombëtare dhe ekonomiko-sociale; privatizimet korruptive, shkatërrimin e ndërmarrjeve me stratëgji kombëtare, minierat, energjitikën dhe krimin me trashëgiminë historike dhe të territorit. Por nuk u pajtuan sidomos me qëndrimin e politikës dhe të shtetit shqiptar të asaj kohe për shkeljen e embargos së naftës dhe karburanteve me Serbinë, për mospërkrahjen dhe pengesat e mëdha që ajo i ka bërë Luftës së UÒªK-së për çlirimin e Kosovës dhe e pësuan më pastaj e në vazhdimësi edhe vazhdojnë ta pësojnë edhe sot vetëm pse ata ndihmuan dhe kontribuan aq shumë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Edhe unë autori i këtij shkrimi me origjinë nga Skrapari me formësim patriotik e kombëtar u njoha me këtë familje dhe që atëhere takohesha shpesh me ta si dhe më shumë kosovarë të Shqipërisë prej të cilëve mësoja shumë për padrejtësitë, tmerret dhe genocidin që kishte ushtruar gjithnjë pushtuesi barbar serb mbi popullin shqiptar të Kosovës e që politika ideologjike komuniste për pushtet e Tiranës bënte shumë pak gjë për mbrojtjen e të drejtave njerëzore e kombëtare të tyre dhe madje as nuk informonte publikun se çfarë ndodhte atje përveçse sipërfaqësisht e me hipokrizi dhe vetëm kur ja donte interesi i ngushtë për pushtet, dhe prandaj Kosovës ja kam kushtuar dhe Librin “Kosova është e imja”. Unë e dua Kosovën, të cilën e kam dashur që në fëmijëri dhe këtë dashuri ma kanë kultivuar gjyshi im që ka pasur miq qysh herët në Kosovë dhe prindërit mi e që për fat të mirë edhe shkolla fillore ku unë kam mësuar në Tiranë e ka pasur emrin “Kosova”. Jam banor në Plazh, Lagje nr 13 Durrës dhe tek po kaloja me makinë në mëngjesin e datës 31 Tetor 2014 vura re dhjetra policë me uniforma dhe buldozerë përballë “Drenicës” historike të Luftës së Kosovës dhe te Memoriali i “Luftëtarit të Lirisë” të cilin po e godisnin edhe këta që na premtuan “Rilindjen” shqiptare. Eh, thashë me vete edhe tani pas 15 vitesh të çlirimit të Kosovës nuk paska të ndalur kjo politika e këtyre palo pushtetarëve që kanë vite e vite që merren me Drenicën dhe me Kapitët, kjo për faktin se edhe dy herë të tjera politika dhe pushteti në Shqipëri e kanë shëmbur Drenicën, Muzeun e Luftës dhe të historisë sonë kombëtare; njëherë në vitin 2004 kur ishte kryeministër Fatos Nano dhe kryetar i Bashkisë Durrës Lefter Koka; herën tjetër në vitin 2009 kur kryeministër ishte Sali Berisha dhe kryetar Bashkie Vangjush Dako, po ky që është dhe sot. Ky vënd, ky objekt dhe vëllezërit Kapiti përbëjnë një ngjarje të madhe me rëndësi kombëtare njohur publikisht dhe kombëtarisht për atë vepër të madhe në çështjen kombëtare shqiptare, në atë të çlirimit të Kosovës për të cilën është shkruar shumë për mobilizimin e grumbullimin e luftëtarëve të lirisë si dhe në pritjen dhe sistemimin e mijra e mijra kosovarëve të dëbuar me dhunë nga makina kriminale dhe nga genocidi serb.

Momenti kur INUK-u goditi për të tretën herë memorialin te Drenica (31 Tetor 2014)

Me dhjetra e dhjetra janë shkresat dhe kërkesat qytetare dhe të shoqërive e të shoqatave të ndryshme artistike, kulturore, patriotike dhe të ndonjë partie politike, por të papeshë politike drejtuar institucioneve më të larta të shtetit shqiptarë si Presidentit, Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë etj., që Drenica të shpallet Muze dhe Kapitët minimalisht sa për moral të paktën të dekoroheshin dhe të respektoheshin nga shteti shqiptar, por përkundrazi politika dhe pushteti në Shqipëri i ka sulmuar ata me paturpësinë më të madhe sidomos pas çlirimit të Kosovës, kjo pasi ndoshta politikës dhe pushtetit në Shqipëri nuk u kanë interesuar dhe as nuk ju intereson çështja kombëtare, asaj ndoshta ju verbon sytë memoriali historik dhe ngjarja e madhe kombëtare e Drenicës durrsake që me të vërtetë është ashtu siç e ka perifrazuar Thanas Mustaqi është si një “Mekë ” atdhedashurie. Unë si avokat me profesion jam dëshmitarë edhe i asaj se çfarë kanë pësuar kjo familje nga shteti shqiptar dhe nga strukturat e tij si policia, avokatura e shtetit, pushteti vendor dhe nga drejtësia shqiptare që kanë bërë mbi ta presione nga më të ndryshmet, fabrikime e falsifikime akuzash e provash, provokimesh e kontrollesh të paligjshme dhe mafioze kundër të drejtave ligjore qytetare, të punësimit dhe të shkollimit, të drejtave pronësore të kësaj familje vetëm për faktin e ndershmërisë patriotike që i karaktrerizon dhe me qëllimin e poshtër të politikës dhe pushtetit për t’i detyruar ata që ta lënë Shqipërinë dhe bashkë me këtë të fshihet nga kujtesa kombëtare ngjarja e madhe dhe roli historik i tyre, qëllim i errët ky ndoshta pse jo dhe në sinkron me armiqtë tanë shekullorë sllavë. Mbi këtë familje është ushtruar dhe është përpjekur që politika me instrumentet e saj të pushtetit t’i mposhtë dhe t’i gjunjëzojë, duke i goditur në pronat dhe në shtëpitë e tyre të ndërtuara ligjërisht në trojet e tyre, madje dhe memoriali i UÒªK-së ngritur në oborrin e Drenicës ,pronë e Gani Kapitit edhe me atë memorial të ligjëruar me shumë e shumë vështirësi e pengesa nga Bashkia u dëmtua përsëri para një viti ashtu si edhe më parë nga ishpolicia ndërtimore, po dhe tani nga INUK-u (Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar).

Jo vetëm Drenica po dhe lokali i vëllait tjetër Naim Kapitit me emrin “Kosova”me gjithë dokumentacionin e rregullt ligjor dhe të hipotekuar para 10 vitesh u rrafshua nga Policia ndërtimore me pretekstin se na është bërë si “Ambasadë” e Kosovës, dhe po tani në vitin 2014 përsëri ju prish biznesi i N. Kapitit ndërtur në truallin e tij.

Dhe po kështu ndodhi dhe para një viti pra,në tetor 2014 që me të ashtuquajturin aksion i INUK që vetëm objektet e vëllezërve Kapiti në Durrës që ishin me dokumente të rregullta legalizimi u shëmben pa i kompensuar dhe aksioni u bë madje dhe në ditët e pushimit zyrtar. Nuk mbeti prapa Policia Ndërtimore edhe në aksionet e saja për t’i prishur Skënderit vëllait tjetër të Kapitëve edhe shtëpinë e banimit ndërtuar në truallin e vet gjë që bie në kontrast absurditeti pasi shteti shqiptar në 25 vite nuk u muar fare për lirimin e trojeve të uzurpuara pronarëve të vërtetë e të zëna prej të tjerëve ndërsa me Kapitët shteti vepronte poshtërsisht duke ua prishur ndërtesat dhe pasurite në trojet e tyre.

Deri atje pati arritut shteti shqiptar dhe drejtësia e tij sa që dhe ankimimet ligjore të vëllezërve Kapiti, prokuroria dhe gjykata në Shqipëri nuk i pranonte por neglizhonin për gjykimin dhe dhënien e drejtësisë për ta. Gjatë periudhës së tranzicionit në përpjekjet e orvajtjet e saj duke shkelur në mënyrën më flagrante ligjin, kundër Kapitëve u përfshinë në mënyrën më skandaloze dhe të paturpshme edhe avokatura e shtetit duke ngritur padi korrupsioni dhe antiligjore për t’jua rrëmbyer pronat në bashkëveprim mafioz me Gjykatën e Durrësit dhe me Hipotekën, po që u doli bllof dhe vetëm sa e diskreditua publikisht dhe mediatikisht(për të gjitha këto disponohen dokumente shkresore të sakta dhe ligjore si dhe videokaseta që i kanë zënë mat strukturat e shtetit shqiptar dhe që përbëjnë skandale të padëgjuara për to). Mënyre tjetër për të goditur Kapitët ka qenë dhe bashkëpunimi i pushtetit lokal me atë qëndror në mënyrë djallëzore dhe antiligjore duke zvarritur dhënien e lejeve të ndërtimit për objekte shtëpi banimi dhe biznesi, mospunësimin e tyre madje as si mësimdhënës shkolle të ciklit të ulët, kontrollet e shumta, të shpeshta dhe të kota e rutinore nga ana e tatimoreve për bizneset e tyre, dhe e gjitha kjo vetëm e vetëm për t’i dëmtuar ekonomikisht, për t’i vënë nën presion administrativ e shtetëror që t’i largojnë nga Shqipëria. Kjo puna e pronave në Shqipëri është bërë një çështje e madhe kombëtare dhe një konflikt social me pasoja shumë të rënda për shoqërinë shqiptare, reformat me privatizimet dhe ajo për tokën më shumë kanë qenë reforma grabitje e vjedhje pronash e pasurish me ligj e paligj se sa kthim e kompensim i drejtë dhe real i tyre. Pasoja më e rëndë me to është shkatërrimi i fisnikërisë shqiptare, shkatërrimi i trashëgimisë pronësore dhe asgjësimi i trashëgimisë patriotike si dhe nxitjen e konflikteve dhe të krimeve me pronat që kanë marrë mijra e mijra jetë njerëzo.

Po ju them një të vërtetë tjetër që e di unë po që dhe diskutohet në rrethe qytetarësh dhe intelektualësh që vjen si çudi se si ka mundësi që asnjë anëtarë i kësaj familje dhe që janë shumë nuk është i punësuar në administratën shtetërore, mirë në atë qëndrore jo se jo, po madje as dhe në atë lokale jo. Shiko pra, se çfarë përkujdesje dhe se çfarë vigjilence bëhet nga politika shqiptare dhe nga pushteti në Shqipëri, edhe nga ky i sotmi i “Rilindjes”për të mos lejuar integrimin punësor administrativ, social dhe politik të kësaj familje, por përkundrazi provokohet dhe montohen lloj-lloj intrigash kundër tyre, me qëndrime e nxitje djallëzore intriguse dhe me një neglizhencë kriminale të pashoqe, gjë të cilën për fat të mirë të Kapitëve ju kanë ardhur në ndihmë vetëm ca media investigative të shkruara si gazeta lokale “bulevard” dhe ato vizive “Top Channel ” dhe “Agon Channel” në Shqipëri, të cilat i kanë demaskuar publikisht tradhëtitë, pabesitë dhe poshtërsitë e institucioneve shtetërore shqiptare kundër kësaj familje po që anëtarët e së cilës as që kanë dashur t’ja dinë për to, dhe për antishtetshmërinë dhe paligjshmërinë e autoriteteve të paautoritet dhe të korruptuara të institucioneve privato- shtetërore të shtetit shqiptar.

Si avokat unë disponoj argumente dhe fakte rrënqethëse se si strukturat e shtetit shqiptar janë sjellur ndaj kësaj familje. Duke qenë edhe vetë një njohës shumë i mirë i historisë shekullore, i vuajtjeve dhe sakrificave sublime të popullit martir shqiptar të Kosovës dhe që kam me qindra shokë e miq poetë, shkrimtarë, historianë, artistë, politikanë dhe njoh shumë e shumë ishluftëtarë të UÒªK-së dhe familjarë dëshmorësh që në ditët e para të mobilizimit të luftës së Kosovës kam qenë prezent për ditë në atë se çfarë qëndre e rëndësishme kombëtare dhe se çfarë roli të madh patriotik kanë bërë vëllezërit Kapiti, vepër të cilën e njeh dhe e respekton tërë kombi shqiptar me përjashtim të segmenteve të pista, të korruptuara pse jo dhe antikombëtare të politikës shqiptare. Në respekt dhe për simpatinë që kam për shqiptarët e Kosovës po tërheq vëmëndjen dhe për turpe të tjera të politikës shqiptare, për neglizhencë direkte po më shumë tinzare dhe dashakeqe të saj prej së cilës kosovarët grabiteshin vazhdimisht edhe gjatë kohës së kthimit biblik të tyre në Kosovë pas luftës. Them se zor se mund të gjesh ndonjë familje kosovare që nuk i ka ndodhur ndonjë siç thonë ata, ndonjë taksirat “i vogël” me policinë e qarkullimit, me atë gjyqësore dhe të kufirit, me autoritetet portuale, tatimore e doganore si dhe sidomos me policinë hetimore, në dhomat e paraburgimit e me prokurorinë e nëpër gjykatat në Shqipëri, po pse jo dhe me qytetarë të Shqipërisë në periudha edhe vizitash e pushimesh turistike. Me ketë shkrim unë dua t’i tërheq vëmëndjen dhe politikës dhe të Shtetit të Kosovës që të tregojnë edhe ata një interesim të duhur për këtë familje patriotike që është me origjinë nga Kosova që të ndërhyjnë pranë autoriteve shtetërore shqiptare të Shqipërisë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre nga halabakëria politike dhe institucionale si dhe të qytetarëve të tjerë të vet, pasi në Shqipëri jo vetëm Kapitët po dhe qytetarët e tjerë shqiptarë nga trojet jashtë Shqipërisë dhe që e vizitojnë Shqipërinë qoftë edhe si turist trajtohen me standarte të ndryshme dhe jo në mënyrë dinjitoze siç trajtohen të tjerët me kombësi joshqiptare.

Tashmë Kosova është një shtet i pavarur dhe që njihet botërisht dhe i takon dhe asaj që të interesohet për të gjithë shtetasit dhe popullin e vet kudo që ndodhen ata, madje dhe të atyre që jetojnë në Shqipëri. Sot aktualisht megjithse në Shqipëri ka rreth 200-300 mijë shqiptarë me origjinë nga Kosova dhe nuk e di se a ka ndonjë prej tyre të punësuar në administratën shtetërore apo ndonjë antarë në këshillat bashkiake sidomos nga subjekti politik i Partisë Socialiste të kryeministrit Rama, se sa për kryetar të ndonjë njësie bashkiake e deputetë, ministër e drejtor drejtorie që i përkasin këtij subjekti politik as që bëhet fjalë kur ka plot minoritarë sllavë, grekë, vllehë etj., dhe është mirë që ka deputetë dhe në pushtetin vendor në Shqipëri shqiptarë me origjinë çame pasi kjo është mundësuar prej asaj se ata kanë partinë e vet politike. Shqiptarët me origjinë nga Kosova nuk kanë subjekt politik nga ana e tyre në Shqipëri pasi për ata nuk do të kishte kuptim një gjë e tillë ku si Shqipëria dhe Kosova janë shqiptare dhe nuk është përveçse si përçarje dhe e dëmshme krijime formacionesh politike mbi baza përkatësie qoftë fetare e krahinizmi brënda një shteti kombëtar, pasi për shtetin kombëtar të gjithë bashkëkombasit janë të barabartë në të drejtat e tyre politike.

Kjo sjellje ordinere e politikës në Shqipëri e cila si gjithnjë dhe në vazhdimësi, edhe kjo e sotme, ka një antikosovarizëm djallëzor dhe vepron me shumë finesë si e tillë nuk është një gjë e mirë dhe nuk i shërben aspak afrimitetit, integrimit e bashkimit kombëtar përveçse si hipokrizi e fasadë. Mjafton të themi një fakt që Shqipëria ka sot komunikime dhe marrëdhënie shumë më të mira ekonomike dhe tregëtare me fqinjët e tjerë në Ballkan se sa me shtetin shqiptar të Kosovës. Dhe unë po e them këtë të vërtetë për ta demaskuar dhe hipokrizinë e llomotitjet fasadë dhe mashtruese të gjoja apo sikur e me demek se politikanët tanë po punojnë për bashkimin shpirtëror e pastaj në perpektivë të bëjmë bashkimin kombëtar kur të antarësohemi në BE. Të vërtetat e padëshirueshme të politikës dhe të pushtetit nuk thuhen kurrë nga ato vete, por duhet t’i themi ne opinionistët, vëzhguesit e paannshëm, letrarët, gazetarët, mediat etj.; duhet t’i thonë njerëzit e guximshëm të vërtetat e hidhura të politikës; të vërtetat e padëshirueshme të politikës dhe të pushtetit duhet t’i thonë qytetarët, intelektualët dhe mediat, në mënyrë që: të ligave, tradhëtive publike e kombëtare, poshtërsive dhe korrupsionit patriotik, ekonomik e politik t’i bëjmë gjyqin që të paktën t’i pengojmë dhe t’i frikësojmë politikanët dhe pushtetarët e paturp, antipublik dhe të korruptuar që ata t’i bëjnë sa më pak tradhëti e dëme kombit. Unë dhe më herët përsa i përket vëllezërve Kapiti për të cilët shkrova në këtë shkrim dhe për qëndrën “Drenica” kam thënë saktësisht kështu, ashtu siç miku im dhe profesori e shkrimtari Bedri Tahiri në Librin e tij “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”kushtuar patriotit të madh Sadri Kapiti dhe bijve të tij më ka citur se ( është fjala për qëndren Drenica): “Ky është një monument historik, i cili si i tillë duhet të përjetësohet nga të dy qeveritë tona në Tiranë dhe në Prishtinë….. si pjesë e historisë kombëtare ku brezat e rinj ta vizitojnë rregullisht”.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura