AVZI MUSTAFA: NJË DORËSHKRIM I POSAZBULUAR NË GJUHËN SHQIPE ME SHKRONJA CIRILIKE NGA VITI 1868 NË REKËN E EPËRME

Shkup, 11. 06. 2014 – Aty kah fundi i vitit 1996 ekipi hulumtues shkencor i Bibliotekës Popullore e Universitare “Shën Kliment Ohridski” nga Shkupi dhe Instituti i Kulturës së Lashtë Sllave, nën udhëheqjen e dr. Mihajllo Georgievskit, bëri kërkime në rrethin e Prilepit, Gjevgjelisë, Gostivarit dhe në Strugë. Me këtë rast midis 13 dorëshkrimeve u zbulua edhe një shënim në dorëshkrim në gjuhën shqipe me shkronja cirilike.
Dorëshkrimet e zbuluara tash janë katër ungjij nga shekulli XV (zbuluar në rrethin e Prilepit me shkrim kaligrafik dhe gjuhë kishtare sllave). Midis dokumenteve në fjalë tre janë nga shekulli XVIII:
– një doracak nevojash të përditshme (për nevoja të shërbimeve kishtare),
– një minej (mujor) për muajin qershor dhe
– një kujtimor për të vdekurit – që të gjithë kishtare sllave me shenja gjuhësore maqedonase.
Megjithatë pjesa më e madhe e dokumenteve janë nga shekulli 19. Këto janë:
– një mujor (minej) për shtatorin (fragmente),
– një libër lutjesh (jo i plotë),
– një libër-listë për festat mujore,
– tabelë pashkësh,
– një përkujtimor (libër dhuratash ku përmenden emrat e dhënësve të kontributeve të ndryshme) nga Struga nga viti 1894,
– një krijim muzikor me nota nga Dimitar Gradoborski dhe
– një fletë me një shënim në gjuhën shqipe, gjë që është edhe objekt i interesimit tonë.

Dokumenti është një dorëshkrim i gjetur në fshatin Niçipur të Rekës së Epërme që është i vitit 1868. Dorëshkrimi është shkruar nga Joan (Gjon) Serafimi në të folmen shqipe të Rekës.
Ku shtrihet Reka e Epërme?
Ajo është krahinë e Dibrës e cila është ndarë në Dibrën e Poshtme dhe në Dibrën e Epërme. Në Dibrën e Epërme bënin pjesë një numër i madh katundesh, ku sipas një vjershe të shkruar nga rilindësi i shquar i kësaj ane, Josif Bageri, përveç vuajtjeve ekonomike e sociale, na e jep edhe numrin e katundeve të Rekës se Epërme.

Vjersha e mban titullin “Reka e Dibrës dhe rronjësit e saj”.
Ai shkruan kështu:
“Tetembedhjet copë
Katunde ka në Rekë,
Po gjindja e kësaj-
Jan gjyku për me hjek”.

Nga kjo strofe e këtij poeti e patrioti të shquar shqiptar nga kjo trevë kuptojmë se njerëzit e Rekës së Epërme janë gjykuar që të jenë njerëz të vuajtur e të persekutuar, sepse kjo krahinë shqiptare ka marrë pjesë pa ndërprerë në luftërat kundër pushtueseve e grabitqarëve të ndryshëm për ta mbrojtur vatrën e nderin e shqiptarisë.
Ky popull i viseve malore të kësaj krahine gjatë gjithë historisë ka dëshmuar trimëri e krenari. Ata i ruajtën të gjitha ato virtyte, apo siç thonë ata vet “pengjet e stërgjyshërve të vet” dhe kurrë nuk i harruan dhe kurrë nuk u përulën para pushtuesve. Dhe, kjo krenari atyre në një periudhë u dha edhe një autonomi të veçantë
Pushtuesit e grabitqarët e ndryshëm këtë trevë e kanë pasur cak të grabitjeve, sulmeve e plaçkitjeve, madje ata pa mbrojtje të askujt disa herë e shkretuan. Prandaj këta banorë edhe sot e kësaj dite thirren “të shkretë”. Kështu quhen edhe nga të tjerët “shkreti”.
Në bazë të një dokumenti të vitit 1468 mësojmë se 13 fshatra të kësaj treve janë boshatisur duke kaptuar male për tu vendosur në rrethinën e Shkupit e Velesit. Këto ngulime të kësaj treve paraqesin një kurorë katundesh duke filluar prej Koritës, Gurgurnicës, Sallarevës, Gerçecit, Nerezit, Sveta Petkës, Ciflikut, Patishe Rekës e deri në Jabollçishtë të Velesit të sotëm. Këto katunde sot janë dëshmi e gjallë që në vete i ruan po ato karakteristika etnogjuhësore, edhe pse të muslimanizuar, si të banorëve që mbetën në Rekën e Epërme.
Por, banoreët që nuk u shpërngulën nga vatrat stërgjyshore të kësaj krahine me një fanatizëm të paparë i ruajtën shenjat dalluese të kombit. Ata të vetmen gjë si më të shtrenjtën dhe shenja që i bashkonte ishte gjuha shqipe. Ata e quanin gjuhën shqipe “tapia e vendit”.
Ata e ruajtën gjuhën jo vetëm në shtëpitë e tyre, por edhe në ritet dhe besimet fetare. Mesha jepej në gjuhën shqipe, madje edhe pas shume tentimeve për asimilimin e tyre nga Perandoria dhe egzarhitë fetare të ndryshme.
***
Për sa i përket kësaj popullsie të shqiptarëve ortodoks në këtë trevë pushtuesit bënë të gjitha përpjekjet për asimilim. Këtë pohim e tregojnë edhe vet disa autorë bullgar, se në “fshatrat shqiptare ortodokse në Maqedoni në shërbimet fetare u përdor vetëm bullgarishtja”. ( , shih Echo de Bulgarie, Sofia, 1913, nr.4,f.2)
Përveç shërbimeve fetare në gjuhë bullgare në këto fshatra dërguan mësues bullgar por edhe gjyqtarë, psalltë, ikonografë dhe kështu u arrit që popullsia shqiptare ortodokse të përdor sllavishten. (2.J. Ivanoff, Belgarie V Makedonia, Sofia, 1915, f,LXVIII)
Në Rekën e Epërme e cila deri në vitet 60 të shekullit XIX fliste vetëm shqip, shkruan profesori bullgar i universitetit të Sofjes Jordan Ivanov (Po aty), kurse më vonë e gjejmë të përdorë bullgarishten, gjë që popullsia shqiptare e Gostivarit e krishtera është bullganizuar në kontakt me bullgarishten gjatë shekullit XIX (1). Më vonë edhe nga pushtuesit serb.
Çka përmban dokumenti?
Këtë e shohim edhe nga një fletë, përkatësisht nga një shënim i shkurtër, që i takon gjysmës së dytë të shekullit XIX, i cili për nga përmbajtja paraqet një tekst biblik (me shkronja cirilike dhe me shlift të sllavishtes kishtare që shpjegohet me shkrimin e shpejtë). Aty thuhet:
Në leximin tonë që arritëm ta bëjmë, më mirë të themi atë që arritëm ta deshifrojmë, po e japim me alfabetin e shqipes, kurse fjalët e padeshifruara do t’i japim në kllapa dhe ashtu si i lexuam ne dhe me pika në kllapa do të jenë fjalët që nuk arritëm t’i lexojmë fare:
Makandej Isusi udiftoj vetëvehten masandej Apostollat (modet) (toverijade) edhe e diftoj kështu ishin bashkë Simon Pjetri edhe Thomai (kithohi vinokë) edhe Nathanaeli si ishte përkanos Galilesë
edhe (…..) (…..) edhe (…..) (…..), ishin përkanos Galilesë edhe (…..)
(…..)(…..) pulvet (…..)

Siç shihet, mjaft fjalë na mbetën pa u deshifruar nga ky tekst i shkurtër i cili na vjen nga shekulli i kaluar nga fshati Niçpur i Rekës së Epërme. Si do që të jetë, shpresoj se dokumenti i zbuluar do ta nxisë kërshërinë e lexuesit, në radhë të parë për rëndësinë gjuhësore, por edhe si një dëshmi e gjallë se në këto anë gjuha shqipe do të jetë shkruar dhe do të jetë përdorur edhe për nevoja religjioze dhe kishtare.
Që teksti të paraqitet me tërë “materialin” e vet para lexuesve, po e japim edhe faksimilin, i cili do t’u shërbejë lexuesve dhe studiuesve që jo vetëm ta deshifrojnë, por edhe të bëjnë kërkime gjuhësore në disiplina të ndryshme.
Nën tekst në gjuhën shqipe është edhe një shënim nga i njëjti shkrues, por në gjuhën popullore sllavishte.
Ja çka thuhet në këtë tekst:
Sveto Evanzejie od Mateja, piшeno od Mene Joвана Сeрафимов, ему пишено в лето 1868 naмесец декември на 27 дена, два дена пред рождество било субота новие година.
От Јоана благовестение светово еван(гелие) во светују велику недела пасхи на литургија. В началебе слова и слова бе к Богу и Бог бе слово лист 1.
Ky autor duket se e ka folur rrjedhshëm edhe gjuhën e ekzarhisë bullgare e cila do të ketë depërtuar në mbajtjen e meshës në fshatrat e Rekës.
Gjykuar sipas fjalëve të deshifruara, mund të konstatojmë se e folmja e Rekës e cila, midis tjerash, i përfshin edhe disa fshatra të Karshiakës së Shkupit, është një e folme mjaft e konservuar dhe ajo ka pësuar fare pak ndryshime për një shekull e tri dekada. Megjithatë ky konstatim nuk mund të jetë i prerë nga se rreth dokumentit duhet ta thonë fjalën e vet gjuhëtarët albanologë. Për mua me rëndësi më të madhe është se ky dokument paraqet një gjurmë se në viset e ndryshme të Maqedonisë Perëndimore mund të ketë edhe dokumente të tjera, të cilat fshihen nëpër kisha, xhami, biblioteka të ndryshme private e gjetiu.
Mbetet që gjuhëtarët tanë, por edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore ne Shkup, si i vetmi institucion shkencor, të kërkojë mundësinë për të vepruar brenda sistemit arsimor të Republikës dhe të marrë masa e të gjejë mënyrë për ndërmarrjen e hapave për kërkime të dokumenteve të reja, në mënyrë që kështu të shpëtohen nga dhëmbi i kohës, por edhe nga situata reale në të cilën procesi i asimilimit të popullsisë ortodokse është në përfundim e sipër.
Me një qasje shkencore e pa ngarkesa politike mendoj se do të kryhej me sukses ky mision i rëndësishëm i cili i pret gjuhëtarët dhe dijetarët shqiptarë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura