AZIS GJERGJI: VRASJA E PABESË E KRYEMBROJTËSIT TË SHKODRËS HASAN RIZA PASHA

(Pashtriku.org, 21. 04. 2012) – Për ditë e javë të tëra, mali i Taraboshit, kodrat e Beltojës, Bërdicës e Bardhanjorëve, fushat e Shtojit, Kirit, Bushatit e Zadrimës u shndërruan në skena të përleshjeve masive deri trup me trup midis mbrojtësve të Shkodrës dhe mbi 55.000 ushtarëve e paramilitarëve malazez e serbë, të injektuar, për vite të tëra, nga krajlët dhe mbretërit e tyre shovinistë me helmin e urrejtjes e të racizmit ndaj shqiptarëve që banonin në trojet e tyre shekullore.
     Urrejtja nacionale i kishte zënë ushtarët serbë e malazez si një epidemi, pohon dëshmitarja e ngjarjeve Edit Durham. Gazeta “Piemont”, organ i shoqatës serbe “Dora e Zezë”, u bënte thirrje të hapur ushtarëve serbo-malazez “për të therur të gjithë banorët e Shkodrës, si dënim për kundërshtimin që po guxonin të trego-nin”. Ashtu si gjithmonë, nënvizon Durhami, “lufta kishte ngjallur pasionet më të ulëta te kjo racë – e shumta – gjysmë e qytetëruar”. Përkundër kësaj hordhie të sëmurësh mendorë, dësh-mon Durhami, valiu dhe kryekomandanti i trupave mbrojtëse të Shkodrës, Hasan Riza pasha, “i vendosur për të mos ua dorëzuar qytetin sllavëve, u përgatit t’ua lërë shqiptarëve. Nga nëna ai kishte gjak shqiptari”(1). 

GJENERAL HASAN RIZA PASHA (1871 – 1913)

_____________________________

     Pohimi i zonjës Edit Durham mbështetet edhe nga kujtimet e pjesëmarrësve në një nga mbledhjet e atyre ditëve dramatike në bashkinë e Shkodrës. Në një rast, kur disa pjesëmarrës po deklaronin se ata, si shqiptarë, do ta mbronin Shkodrën deri në “pikën e fundit të gjakut”, Hasan Rizai ishte ngritur dhe kishte deklaruar publikisht: “Edhe unë jam me gjak shqiptari!”(2).
     Kush ishte, pra, kryembrojtësi i Shkodrës, Hasan Riza pasha, për të cilin Homeri i “Lahutës së Malcis”, at Gjergj Fishta, do t’i lutej popullit të Shkodrës që mbi varrin e tij të ngrihej një përmendore? Sipas studiuesit shqiptaro-turk Nexhip P. Alpan, Hasan Rizai kishte lindur në qytezën Tosya, nënprefekturë e vilajetit Kastamonu të Turqisë, më 1871. Megjithatë, shumica e studiuesve të jetës së tij janë të mendimit se Tosya ishte vendi i lindjes së të atit, kurse Hasan Rizai vetë ka lindur në Bagdad, në kohën kur i ati, Namik Pasha, kryente detyrën e valiut të vilajetit të Bagdadit.
     Korrespondenti italian i Luftës së Shkodrës, Xhino Berri (Gino Berri), në ditarin e tij “Rrethimi i Shkodrës” thotë: “Hasan Riza Pasha, i lindur në Bagdad, studimet ushtarake i kreu në Stamboll dhe pastaj në Berlin.” Lidhur me shkollimin e tij, Nexhip Alpani shton: “Hasan Rizai i kreu studimet ushtarake në Akademinë e Shtatmadhorisë të Berlinit më 1903, me një karakteristikë të tillë: “Ky oficer turk mund të drejtojë edhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Osmane.”(3)
     Sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve të tij, Hasan Rizai ishte njeri shumë i zgjuar e i papërtuar në plotësimin e detyrave të tij dhe me kërkesë të lartë llogarie ndaj të tjerëve. “Në të vërtetë,– thekson Xhino Berri,– mbi varrin e tij duhet shkruar që, edhe nëse në disa raste ishte i padrejtë e i egër, saqë arriti ta detyrojë popullatën e Shkodrës për sakrifica të rënda, Hasan Riza beu ishte bujar dhe kalorësiak”. Edit Durhami shton: “Sjelljet i kishte madhështore… Ishte një ushtar i përkryer dhe falënderimet e të gjithë shqiptarëve i detyrohen kryesisht atij dhe planit të tij të shkëlqyer të fortifikimit. Ai qe mësuar nga gjermanët dhe njihte punët e tyre.”(4)
     Më 28 Nëntor 1912, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Kuvendi Kombëtar i shqiptarëve i mbledhur në Vlorë, kryembrojtësi i Shkodrës, Hasan Riza Pasha, nxori në pjacën e qytetit një proklamatë shpresëdhënëse:
Çdo gjë shkon mirë, veprimet ushtarake janë kryer dhe kryhen sipas planit tonë. Tani mundemi ta presim armikun në pozicionet tona, me të gjithë besimin në fitore. E kemi ndërgjegjen të qetë se e kemi kryer detyrën tonë dhe e dimë se do ta bëjmë edhe më gjatë. Askush të mos dëshpërohet, madje duhet të mendojë se nuk jemi larg nga dita më e bukur e Shkodrës. Ejani të gjithë me ne, o vëllezër dhe ju popullatë, nxitoni të mbroni qytetin tuaj, këtu në llogore, ku do të jetë varri ynë i nderuar…(5)

     Besimi i Hasan Riza pashës në qëndresën e Shkodrës nuk bazohej thjesht në pozicionin e favorshëm të Kalasë së Rozafës apo në fortifikimet mjeshtërore të tij, por në radhë të parë në energjitë e jashtëzakonshme që kishte çliruar në gjirin e ushtarëve, rezervistëve e banorëve shkodranë lajmi i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimi i Qeverisë së Vlorës, së kryesuar nga atdhetari e burri i njohur i shtetit, Ismail Qemali. Lidhja midis Hasan Riza Pashës dhe Ismail Qemalit ishte bërë nga kryeipeshkvi i Shkodrës, Jak Serreqi, dhe kapedani i Mirditës, Preng Bibë Doda.
Imzot Jak Serreqi ishte personi që kishte në dorë lidhjen e tij me malësorët kryengritës. Ngritja e flamurit të Skënderbeut në Kalanë e Rozafës do të shtonte edhe më tepër entuziazmin luftarak, do të tërhiqte malësorët e veriut në luftë me malazeztë dhe para opinionit europian do të vuloste karakterin shqiptar të qëndresës.
     Taktikën që do të ndiqte Hasan Pasha për thyerjen e rrethimit armik, na e bën të ditur Edit Durhami: Plani i tij ishte të merrej vesh me gjithë fiset, që këta t’u binin në shpinë ushtrive rrethuese, kurse ai me ushtrinë e tij të bënte në të njejtën kohë një sulm nga brenda. Kështu ai shpresonte të përçante ushtrinë malazeze më dysh dhe të shpëtonte qytetin. Një prift françeskan dhe një burrë tjetër do të depërtonin natën nëpër vijat e armikut për të lajmëruar malësorët që të sulmonin kur Hasan Rizai do t’u jepte shenjë me ngritjen e flamurit shqiptar mbi kalanë e qytetit…

     Burri tjetër që përmend Edit Durhami, ishte Gjeto Lul Hasi nga Koça, pjesëmarrës në kryengritjen e vitit 1911, në betejën e Deçiqit dhe në ngritjen e flamurit shqiptar në Bratilë. Gjeto Luli në kujtimet e tij dëshmon: Një ditë më thirrën me u paraqitë te Hasan Riza pasha. Ky më ngarkoi me i çue nji letër Dedë Gjo Lulit e fratit të Traboinit At Luigj Bushatit. Unë që e njifshe mirë pashën e Shkodrës pranova me vue kryet në rrezik për të mirën e përbashkët dhe ai m’u sigurue për jetën e grues e të djalit dhe ushqimin e tyre.(6)

Gjeneral Hasan Riza Pasha, në mesin e bashkëluftëtarëve.

____________________________

     Malësorët shqiptarë do të hidheshin në sulm sapo të ngrihej flamuri shqiptar mbi Kalanë e Rozafës, kohë kur do të zbrazeshin tri të shtëna topi në drejtim të Hanit të Hotit. Po atë ditë, gjeneral Hasan Rizai do të mblidhte oficerët e shtabit osman të garnizonit dhe do t’u komunikonte planin e tij të ri të luftës. Autorët turq Nazif e Kirametin, në librin e tyre “Iskodra Mudafaasi” (Mbrojtja e Shkodrës), pohojnë: Më 27 janar 1913, Hasan Rizai deklaroi në shtabin osman se nuk mendon ta mbrojë më Shkodrën në favor të Turqisë, por për llogari të Shqipërisë. Shqiptarët myslimanë janë dakord, po ashtu edhe të krishterët…” 
     Gjeneral Hasan Rizai ua kishte bërët të qartë anëtarëve të shtabit të tij se ngritjen e flamurit në Kalanë e Rozafës tashmë e kërkonin 10.000 malësorët e gatshëm për të hyrë në luftë përkrah 25.000 banorëve të qytetit të rrethuar, si dhe afro 17.000 rezer-vistë e vullnetarë shqiptarë. Sipas bisedës me homologun e tij shqiptar, Esat pashë Toptanin, flamuri shqiptar do të ngrihej, përkrah flamurit turk, më 31 janar 1913(7).

     Pse nuk u ngrit flamuri shqiptar në Kalanë e Rozafës?
     Në të vërtetë, 30 anëtarë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, me Ismail Qemalin në krye, i kishin dërguar Esat pashë Toptanit telegramin e njohur të 2 janarit 1913, me anën e të cilit i jepnin lajmin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe i kërkonin ngritjen e flamurit kombëtar në Kalanë e Shkodrës. Telegrami përfundonte me fjalët: Meqenëse, në të vërtetë, aspirata e fundit e malësorëve është Pavarësia e Shqipërisë, duke parë të ngritur flamurin, shpëtimi i kombit tonë dhe jeta e tij e amëshueshme do të jenë të siguruara. Urdhëri është i Juaji (8).

     Por, sikundër treguan ngjarjet, Esat Pasha kishte në kokë plane krejt të ndryshme nga udhëzimet që i jepte Ismail Qemali nga Vlora. Avokatët e këtij gjenerali dhe deputeti xhonturk janë shprehur se Esat pashë Toptani nuk mund t’i njihte vendimet e “një grushti njerëzish që kishin shpallur Pavarësinë e Shqipërisë dhe kishin zgjedhur një qeveri të përkohshme”, të kryesuar, sipas shprehjes së Esat Pashës, nga “tradhtari i vjetër i Perandorisë Osmane, Ismail Qemal Vlora”. Shprehjen Ismail Qemal tradhtari, Esat Pasha e ka përdorur në një nga informacionet dërguar sulltan Abdyl Hamitit më 12 korrik 1908, kundër Plakut të Vlorës, i cili ishte arratisur në Europë, për shkak të pikëpamjeve të tij liridashëse e demokratike(9).
     Në të vërtetë, vija ndarëse politike midis Ismail Qemalit dhe Esat pashë Toptanit qëndronte në zbatimin apo kundërshtimin e programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të hartuar nga dijetari i madh shqiptar Sami Frashëri në veprën e tij madhore “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë” (1899).
     Duke iu drejtuar pronarëve të mëdhenj të tokave, pashallarëve, bejlerëve e bajraktarëve, të cilët vazhdonin t’i shërbenin me verbëri sulltanit, Sami Frashëri i kishte paralajmëruar ata se Perandoria Osmane ishte kalbur në të gjitha kolonat e muret e saj dhe askush nuk mund ta shpëtonte nga shembja e pashmangshme. Sami Frashëri i kishte paralajmëruar gjithashtu krerët e Lëvizjes Kombëtare se, edhe nëse shqiptarët do të ngriheshin për të mbrojtur trojet e tyre, por do të njiheshin si besnikë të Portës së Lartë, pa kërkuar prej saj njohjen e veçimin e trojeve të tyre kombëtare, ishte rrezik të njëjtësoheshin me osmanët dhe, kur Perandoria Osmane të shembej, tokat shqiptare do të konsidero-heshin pjesë e trashëgimisë së saj dhe fitimtarët kishin të drejtë t’i kërkonin e t’i ndanin midis tyre (10). 

Forcat shqiptare në pozicionet e Taraboshit.

___________________________________

     Një vit pas daljes në dritë të manifestit politik “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, më 28 prill 1900, diplomati dhe burri i shtetit Ismail Qemal Vlora ishte arratisur familjarisht nga Stambolli. Qysh nga dita e parë e emigrimit e derisa vdiq, Ismail Qemal Vlora (1844–1919) do t’i kushtohej me mish e me shpirt Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke vazhduar me besnikëri prog-ramin politik të Sami Frashërit.
     Falë veprimtarisë së tij të dendur patriotike e diplomatike, pas shpalljes së Kushtetutës së Re të Perandorisë Osmane (Hyrietit) Ismail Qemali u zgjodh deputet i Vlorës në parlamentin xhonturk (1908), në të cilin trevat shqiptare përfaqësoheshin nga 26 deputetë. Cilët ishin këta 26 deputetë shqiptarë? Në historinë e Shqipërisë numërohen me emra vetëm 5–6 deputetë, në krye të të cilëve qëndron Ismail Qemali.
     Po 20 deputetët e tjerë cilët ishin? Ata mbeten anonimë edhe sot e kësaj dite për shkencën historike shqiptare, ndonëse përfaqësonin 77% të elektoratit shqiptar. Ata shprehnin mendimin poli-tik të pronarëve të mëdhenj të tokave, tregtarëve të lëndëve të para të lidhur me manifakturat e Stambollit, të klerit të lartë mysliman dhe të kadilerëve të varur ekonomikisht nga Porta e Lartë. Vetëm 23% e deputetëve shqiptarë ishin për zbatimin e programit politik të Sami Frashërit dhe të pasuesit të tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare Ismail Qemalit; pjesa tjetër, ndër ta edhe Esat pashë Toptani, vepronin në përshtatje me nenin 8 të Kushtetutës Xhonturke (1908), sipas së cilës “të gjithë shtetasit e Perandorisë Osmane, të çdo kombi e feje, quheshin “osmanllinj” dhe përkrahnin politikën “centralizuese” e “osmanizuese” të xhonturqve.
     Në zgjedhjet e prillit 1912, xhonturqit i manipuluan dhe i vodhën të gjitha votat e shqiptarëve, duke arritur që të 26 deputetët shqiptarë të parlamentit të ishin përkrahës të politikës së tyre cen-tralizuese e osmanizuese. Në këtë mënyrë, të gjithë deputetët shqiptarë, ndër ta edhe Esat pashë Toptani, qenë kundër shkëputjes së trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane dhe kjo politikë e verbër e klasës zyrtare politike shqiptare është shkaktarja kryesore e mbetjes së shqiptarëve nën gërmadhat e Perandorisë Osmane dhe e copëtimit të trojeve të tyre mes fituesve të Aleancës Ballkanike(11).
     Nga ana tjetër, patriotët shkodranë kishin bërë të gjitha përgatitjet për ngritjen e flamurit me shkabën e zezë dykrenore të Skënderbeut. Por, një natë para se të përmbushej ëndrra e tyre shekullore, “cubat e Esat Pashës e vranë me tre plumba Hasan Riza pashën kur po dilte prej shtëpisë së tij, ku kishte qenë për darkë”, siç shprehet patrioti Kolë Kamsi. Ndërsa shkrimtari Ndoc Nikaj e përshkruan kështu ngjarjen tragjike:

     Të enjten, më 30 t’Kallnorit, njaty për t’errun, kryekomandanti Hasan Riza Pasha kishte ardhë në shtëpi të vet në Fushë të Druve. Porsa ishte lirue e hy në odë të vet, Esat Pasha i kishte çue fjalë se donte me folë me të. Ai, sikur i papërtuem që ishte gjithëherë, i kishte dhanë të gjegjun se mbas pak do të shkonte ai vetë m’u pa me të. Dy shtëpiat s’kishin veçse rrugën ndërmjet e dyert ishin të ruejtuna me ushtarë. Hasan Rizaj, vetëm dhe pa armë, kaloi në shtëpi të Esatit, ku ndejti për nji copë herë… Mbrapa, ashtu i vetëm, njaty më nji e gjysëm mbas të errunit, duel me kalue në shtëpi të vetë. Nuk pat kalue as gjysëm të udhës e dy pushkë e rrëzuen përdhe. Farë kushtrimi s’u dha (!?) As rojtarët e armatisun nuk luejtën dhe gjaksit u larguen pa farë trazimi andej nga kishin ardhë.(12)

Esat Pashë Toptani

___________________________

     Për fatin e tij të keq, duket se Hasan Riza pasha nuk dinte asgjë për veprimtarinë e fshehtë agjenturore të zëvendësit të tij. Në të vërtetë, qysh më 28 nëntor 1912, konsulli francez në Cetinë i kishte njoftuar eprorët e tij në Paris: “Mbreti Nikolla është i orientuar për marrjen e Shkodrës me uri ose me marrëveshje. Aktualisht, një klerik ka hyrë në mënyrë shumë sekrete si ndërmjetës me Esat Pashën, që konsiderohet më lëshues se kryekomandanti Hasan Rizai…”(13).
     Një tablo të plotë të kurthit që Esati i ishte ngritur atë ditë gjeneral Hasan Rizait, na e jep Eqrem bej Vlora: Me sa duket edhe më përpara, por më tepër gjatë rrethimit e sidomos pas armëpushimit midis Turqisë dhe Bullgarisë, më 3 dhjetor 1912, malazezët, me anë të konsullit të tyre të përgjithshëm në Shkodër, Aleks V. Martinoviq, kishin hyrë në lidhje me Esat Pashën për ta bindur atë që të dorëzonte qytetin në çastin e fundit…
     Ndërkohë që Hasan Riza Pasha, gjeneral trim, i ndershëm, parashikues dhe i kujdesshëm, pikërisht atë muaj u kishte bërë thirrje malësorëve kryengritës që luftonin nën flamurin e Malit të Zi, të ndaheshin prej malazezve, se Shkodra i përkiste Shqipërisë dhe se Perandoria Osmane në Ballkan kishte dalë tashmë jashtë loje, Esat Pasha bluante në mendje planin e tij ogurzi të vrasjes së krye-komandantit, në mënyrë që, duke qenë oficeri me rang më të lartë pas tij, ta merrte vetë komandën…(14)

Mbrojtësit e Shkodrës, gjatë një përballje me forcat malazeze.

________________________________

     Nga ana e tij, Hasan Riza pasha nuk mund ta imagjinonte kurrë që Esat pashë Toptani, i cili mburrej shpesh me zakonin tradicional të mikpritjes shqiptare, t’i kishte ngritur një nga kurthet më të dënueshme të kodit zakonor shqiptar: vrasjen e mikut në derë të shtëpisë. Po ashtu, Hasan Rizai nuk mori as rojat vetjake, pasi te dera e shtëpisë së tij e priste vetë komandanti i rojave të Esat Pashës, majori Osman Bali. Shtëpia e Esat Pashës nuk ishte as 50 metra larg shtëpisë së tij. Por Esat pashë Toptani dhe Osman Bali kishin përgatitur “një nga ngjarjet më tragjike, që asht nji njollë e zezë në historinë tonë kombëtare”, siç shprehet Tajar Zavalani. Në mëngjesin e datës 31 janar 1913, konsulli francez në Shkodër do të njoftonte Ministrinë e Jashtme të Francës: “Dje, në orën 6 e gjysmë të mbramjes, pasi doli nga shtëpia e Esat Pashës, komandanti i redifëve Hasan Riza Beu u plagos në shpinë me tri të shtëna pushke dhe vdiq disa orë më vonë. Para se të vdiste, ai bëri një tregim pa mundur megjithatë të jepte shenjat e tre vrasësve të mbrojtur nga errësira e natës.”(15)
Cilët ishin vrasësit e Hasan Riza Pashës?
     Cilët ishin, pra, tre vrasësit në atë pritë të pabesë? Edit Durhami dëshmon: “Atë natë, pas darkës që hëngri me Esatin, Hasan Rizanë e vranë dy burra të veshur si gra. Pas kësaj, Osman Bali dhe Mehmet Kavaja, që të dy shërbëtorë të Esatit, u mburrën duke thënë se këtë akt e kishin kryer ata.” Këtë fakt e ka pasqyruar edhe historiani anglez, Ouen Pirson (Owen Pearson) në librin e tij Albania and King Zog (2004). Po ashtu, kushëriri i Ismail Qemalit, Eqrem bej Vlora rrëfen: Esat pashë Toptani e ftoi Hasan Riza pashën për një darkë në shtëpinë e tij. Pas buke e shoqëroi mikun dhe eprorin e vet deri te dera e kopshtit dhe aty urdhëroi Osman Balin, njëri nga ndjekësit e tij më besnikë, t’i ndriçojë me fener rrugën pashës deri në shtëpi të vet. Osman Bali, njeri me peshë në zonën e Tiranës, luajti kështu rolin e ndërmjetësit dhe të përgatitësit të kësaj vrasjeje. Vrasësit ishin një katolik nga Kthella (para vdekjes së tij natyrore në vitin 1924, ai iu rrëfye priftit) dhe një mysliman nga Tirana. Të dy ishin fshehur pas murit të një kopshti,… duke pritur sa të kalonte andej, krejt i shkujdesur, gjenerali turk. Osman Bali ecte… përpara Hasan Riza pashës. Pranë pritës ai ngriti lart tri herë fenerin dhe po atë çast ushtuan edhe krismat…(16)

Bateria e artilerisë serbe drejt qytetit të Shkodrës – në ndihmë të malazezëve, në Rrethimin e Shkodrës në 1913.

____________________________

     Atë ditë që Hasan Riza Pasha do të gdhihej i vdekur, konsulli austriak do të hidhte në letër dyshimet e para mbi ekzekutorët e viktimës: “Një mister i rëndë qëndron mbi këtë krim të pabesë. Ndërsa prokuroria e qytetit e mësoi ngjarjen në orën 800 të mëngjesit, Cetina e ka marrë vesh qysh në mesnatë.” Dhe, më tej, konsulli shton: “E çuditshme mbeti gjithashtu se askush nuk e ndiente veten të detyruar të zbulonte autorët.”(17)
     Mirëpo diçka po ndodhte në labirintet e diplomacisë dinake sllave, siç shkruan edhe historiani Xheladin Shala. Më 17 shkurt (2 mars) 1913, Esat Pasha i dërgoi një letër Krajl Nikollës, ku i shprehte dëshirën për t’u takuar në Shkodër me ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Petar Plamenacin, ish-atashe ushtarak në Stamboll dhe mik personal i Esat pashë Toptanit. Më 19 shkurt (4 mars) 1913, Plamenaci zbarkoi në molin e Urës së Bunës, për t’u takuar me mikun e tij të vjetër Esat pashë Toptanin në zyrën e drejtorit të doganës së Shkodrës.
     Gjatë 4 orëve të takimit u zhvilluan bisedime zyrtare, ku morën pjesë edhe shefi i Shtabit Xhonturk, majori Keram Edin Beu dhe ndihmësi i tij kapiteni Nasuf Beu, dhe biseda “shoqërore” kokë më kokë midis Esat Pashës e Petar Plamenacit. Aq intimë ishin ata të dy, do të shkruhej më pas në shkrimet e Janko Vukotiqit dhe Plamenacit, dy përfaqësues të Krajl Nikollës në “bisedimet” me Esat Pashën, saqë, kur Plamenaci e pyeti Esatin: “Edhe sa keni ushqim?”, Esati iu përgjigj: “Ushtria dhe robrit deri më 1 prill dhe asnjë ditë më shumë.”
     Kjo nuk do fare koment, përfundon Shala(18).
     Xhino Berri shkruan në ditarin e tij se Plamenaci u kthye përsëri në doganën e Shkodrës më 10 mars, ku bisedoi rreth tri orë kokë më kokë me Esat Pashën. Megjithatë, shumë shpejt do të merrej vesh se midis palëve nuk ishte arritur asnjë marrëveshje. Kjo u bë e qartë për këdo, pas 18 orësh, kur papritur filloi “bom-bardimi i tmerrshëm” edhe mbi banesat e qytetit të Shkodrës. Në ditarin e datës 14 mars 1913, Xhino Berri shënon:

     Bombardimi zgjati gjithë natën parmbrëmë dhe dje, me një pushim andej nga dreka, prej orës 13 deri në orën 15. Malazeztë ia arritën qëllimit: mbjelljen e panikut në popullatë…. Është një lëkundje pavendosmërie, vuajtjesh dhe frike për një shumicë prej dhjetëra mijëra vetësh, që si të çmëndur vrapojnë nëpër rrugët, në kërkim të ndonjë strehimi të sigurt, me fjalë të tjera të pamundur…(19)

     Pas dy javë sfilitjesh e vuajtjesh të papërshkrueshme të qytetarëve shkodranë, Plamenaci u takua për të tretën herë në zyrat e doganës së Shkodrës me mikun e tij të vjetër Esat Pashën. Të nesërmen, më 19 mars, komandanti i frontit të Taraboshit, kolonel Mehmet Qamili zbriti në molin e Shirokës për të hipur në një anije të vogël të Shtabit të ushtrisë malazeze. Ai mori shënim kushtet e paqes të malazezve dhe u nis për t’u këshilluar me Shta-bin e Përgjithshëm Xhonturk në Stamboll. 
     Duket se Shtabi i Përgjithshëm Xhonturk i Stambollit i kishte miratuar kushtet malazeze të paqes, pasi, me kthimin e Mehmet Qamilit, më 19 prill 1913 Esat Pasha mblodhi komandantët e rajoneve të mbrojtjes për t’u rikujtuar pikat e rregullores ushtarake mbi dorëzimin e kështjellave në rastet e mbarimit të rezervave ushqimore dhe të armatimit luftarak. Në mëngjesin e 21 prillit 1913, anija turke “Mesudije”, me dy oficerë madhorë të shtabit xhonturk në bord, nënkolonelët Nazif e Qeramudin dhe një ndihmës të tyre ndaluan në fshatit Zogaj, ku ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Mbretërore Malazeze. Siç u mësua më vonë, përfaqësuesit e të dy ushtrive takorduan kushtet e dorëzimit të Kalasë së Shkodrës dhe këmbimin e robërve të luftës(20).

Krajl Nikolla dhe Princi Danilo

____________________________

     Traktati i dorëzimit të Shkodrës u nënshkrua nga dora e Esat pashë Toptanit më 22 prill 1913, në orën 1500, në jahtin e të birit të Krajl Nikollës, Princit Danilo. Fatalisht, jahti mbante emrin “Neptun”, perëndisë romake të detit dhe ujërave, i cili shfaqej mbi ujë i hipur mbi një koçi që tërhiqej nga kuaj deti dhe, nëse shtypte me dorë një sfurk tredhëmbësh, shkaktonte tufan në det e tërmet në stere. Në të vërtetë, atë ditë Esat Pasha dhe Princi Danilo, duke shtrënguar penat që mbanin në dorë mbi letrat e dorëzimit të Shkodrës, ngritën mbi qytetin e sfilitur një tufan dhe tërmet të tmerrshëm. Kronisti i ngjarjeve, Xhino Berri, atë ditë do të shkruante në ditarin e tij:

     23 prill 1913. Mbaroi. Shkodra ra…
     Tratativat vazhduan me ndërhyrjen e Esat Pashës. Kushtet e dorëzimit Princi Danilo i konceptoi me mjaft bujari. Janë 15 nene që zënë tri faqe të protokollit. Ato mbajnë datën e sotme dhe janë të nënshkruara nga të dy komandantët.

     Pas nënshkrimit të aktit të dorëzimit të Shkodrës në duart e Malit të Zi, gjeneral Esat Toptani do të kryente edhe ritin e lashtë të “larjes së duarve”, si dikur Pilati pas kryqëzimit të Jezu Krishtit. Për më tej, Berri vazhdon:

     Ndonëse e kishte firmosur aktin e dorëzimit, valiu i thirri mbrëmë krerët myslimanë dhe të krishterë… Pas një bisede tejet të rënduar me fyerje, dyshime e justifikime, Esat pashë Toptani përshëndeti të pranishmit dhe u ktheu shpinën menjëherë. Të tjerët mbetën të shtangur në sallë dhe me kokën ulur. Dikush edhe qante në heshtje nga hidhërimi i robërisë malazeze.

Imazh

Valimi i flamurit malazezë në Kalanë e Shkodrës, pas dorëzimit të qytetit nga Esat Pashë Toptani, më 22 Prill 1913.

____________________________

     Për këtë fund tragjik të Shkodrës, Edit Durhami shkruan: Me qëllim që të mashtronte Europën, qeveria malazeze telegrafoi poshtë e lart, sikur ishte bërë luftë e madhe për marrjen e Shkodrës dhe mijëra malazezë kishin mbetur të plagosur. Por kjo qe një gënjeshtër me bisht aq të gjatë, sa nuk guxuan t’ia jepnin një lajm të tillë as korrespondentit të gazetës “The Times”, as mua. Esati u tërhoq. Malazeztë hynë në qytet pa çak pa bam. Kështu pra, u tradhtua Shkodra dhe iu shit armikut(21).
Për sa para e shiti Shkodrën Esat pashë Toptani?
Më 22 prill 1913, Cetina e njoftonte Beogradin me telegram se Esat pashë Toptani, në shkëmbim të Shkodrës, kërkonte nga shtetet aleate ballkanike: Mali i Zi, Serbia e Greqia, 300.000 dinarë, pra, nga 100.000 dinarë secila. Eqrem bej Vlora shkruan se, siç i kishte pohuar vetë Esat Pasha të atit të tij, Syrja bej Vlorës, në Lozanë më 1913, “për të marrë vendimin e dorëzimit të Shkodrës, kishin ndikuar një gjysmë milion franga ari, që i ishin dorëzuar një besniku të tij në Trieste…”.
     Në gjyqin e Esat Pashës më 1920 në Paris, përfaqësuesi shqiptar Mithat Frashëri deklaroi se “qysh në atë kohë, u fol për Esat Toptanin se e shiti Shkodrën kundrejt shumës prej 600.000 frangash që i dhanë malazeztë” (22).
     Duke kërkuar në arkivat e Londrës për këtë ngjarje, historiania ruse Nina Smirnova përfshin edhe Mbretërinë e Serbisë në pazarin e dorëzimit të Shkodrës. “Sipas burimeve britanike, -thotë ajo,- E. Toptani mori për këtë prej Serbisë një shumë prej 16 mijë paund; ndërsa në mbështetje të ambicieve të tij për titullin e drejtuesit të Shqipërisë nën pushtetin e sulltanit, ai hiqte dorë nga Shkodra dhe territoret në veri të lumit Drin, në dobi të malazezve.” Ndërsa historiani anglez Ouen Pirson, i mbështetur në botimet e autorëve të tjerë, shprehet se, sipas kushteve të dorëzimit, Esat Pasha pranoi 10.000 lira stërlina(23).

Imazh

Shkodra e shkatërruar nga forcat serbo-malazeze, (Maj 1913)

_________________________

     Kështu, më 24 prill 1913, pas dreke, sipas përshkrimit të kronistit të luftës, Xhino Berri, ushtarët osmanë e shqiptarë e braktisën përfundimisht qytetin. Një nga këta ushtarë, i cili po kthehej zemërthyer në shtëpi, ishte edhe Sure Keçi, një ndër 800–850 redifët dhe vullnetarët e krahinës së Shijakut që kishin shkuar në mbrojtje të Shkodrës. Ai kishte humbur të birin në luftimet e përgjakshme të Bërdicës dhe po kthehej në shtëpi i mundur, i tradhtuar dhe me njërën këmbë të copëtuar nga një gjyle topi. Sure Keçi kujton:

     Malazezët, prej Taraboshit e prej Boksit gjuajshin me top pa kurrfarë mëshire shtëpitë e qytetit dhe bezistanin (tregun), por askush nuk donte t’ia dinte: burra e gra, fëmijë e pleq, bashkë me ushtarët aty rrinin, në pozicione. Istikame aq të forta, me hendeklidhje, breza telash me gjemba, me llogore të fshehuna nën tokë e të ndërtuem me beton, me mure të fortë prej guri si në Shkodër, nuk kam pa. Edhe pse kemi vuejt shumë prej të ftohtit, se s’kishim kapota; prej urisë, se s’kishim bukë, aq sa kemi mbërrit me hangër edhe peksime të prishuna e mish kuajsh; ne as na shkonte në mendje me e dorëzue Shkodrën, por ç’t’i bajsh Esat qenit që na preu në besë, tue shkel mbi gjakun e vllazënve tanë, të motrave e çunave tanë! (24)

     Përpara se të jepte shpirt, Hasan Riza Pasha la tre amanete: së pari, të mos i thonin të birit se u vra në pritë mbas shpine; së dyti, Shkodra të mbrohej deri në vdekje; dhe, së treti, djemtë e tokës për të cilën u vra pabesisht, t’i merrnin hakun. 
     Për dy amanetet e para të Hasan Riza pashës, korrespondenti Xhino Berri shkruan:

     Kur e ndjeu vdekjen afër, u drejtoi një buzëqeshje të trishtuar oficerëve që po i rrinin pranë shtratit. Dhe, duke ngritur dorën ngadalë, i falënderoi ata, për çka kishin bërë për të. Pastaj, ia bëri me dorë Esat Pashës që t’i afrohej: “Të lë në kujdes familjen time, i tha, të mos harrohet. Kujdes djalin tim. Mos i thoni që më kanë vrarë, por që jam vrarë në luftime. Ndoshta nga ky mendim do të vuajë më pak.” Ndonëse po i shteronin fuqitë, Hasan Riza Pasha la edhe amanetin e dytë: “Betohuni, tha, se do të ruani Shkodrën deri në vdekje!” Oficerët në këmbë me drejtqëndrim i dhanë nderimin e fundit komandantit të tyre që po vdiste, dhe u betuan(25).

Por, pas tre muajsh, Esat Pasha dhe oficerët e shtabit e harruan betimin e bërë para shtratit të vdekjes të komandantit të tyre heroik dhe e tradhtuan. Amaneti i tretë i kryembrojtësit të Shkodrës përmendet në kujtimet dhe shënimet historike të politikanit Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri (1897–1942)”. Vllamasi i referohet dëshmisë së një prej pasuesve më të afërt të Esat Pashës në krahinën e Shkodrës, Alush Agës nga Lohja:

     Kur Alushi mbërrin në shtëpin’ e pashës, këtë e gjen në minutat e fundit. Sipas Alush Lohjes, Hasan Riza Pasha e mbylli jetën me këto fjalë: “Këto dy dekorata (plumba) doja t’i merrja në luftë e jo kështu, dhe, mbasi vritem këtu, djemt’ e këtij vendi duhet të ma marrin gjakun!(26)

     Pas ceremonisë së varrimit të Hasan Riza pashës në pasditen e 31 janarit 1913, konsulli francez në Shkodër do t’u përcillte eprorëve të tij në Paris opinionin e popullit të Shkodrës: “Vdekja e tij vë njollë në nderin e familjes së Toptanëve, së cilës i përket Esat Pasha, dhe nuk do të shlyhet deri ditën që ndonjë pjesëtar i saj nuk do ta ketë larë me gjakun e fajtorëve ose të fisit të tyre…” 
     Po atë mbrëmje, Xhino Berri do të shkruante në ditarin e tij: 
     Ndërkaq, Esat Pasha është i turpëruar, sikurse flitet. Në Shqipëri, kur një njeri del nga një shtëpi ku ka qenë mik, është i paprekshëm dhe ai që e prek atë e fyen të zotin e shtëpisë që e ka pasur mik. Ky mbetet nën peshën e rëndë të dyshimit dhe ka të drejtën e hakmarrjes mbi vrasësin për të shlyer turpin që e njollos. Dyshimi mbetet derisa gjaksori nuk është zbuluar(27).

Forcat e Fuqive të Mëdha (të Austro-Hungarisë, Gjermanisë dhe të Francës) u futën në Shkodër, pas largimit të forcave serbomalazeze nga qyteti – në vitin 1913.

________________________________

     Gjakësori ishte vetë Esat pashë Toptani, tradhtari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës (1913); i Princ Vidit, të parit sovran të shtetit të pavarur shqiptar, të njohur zyrtarisht nga të gjitha qeveritë e shteteve të Europës (1914); dhe organizatori i rebelimit të pasuesve të tij në Shqipërinë e Mesme për rrëzimin e Qeverisë së Tiranës dhe copëtimin përfundimtar të Shqipërisë (1920). Por tashmë, ora e gjyqit kundër përçarësit të rrezikshëm kishte ardhur. Eqrem bej Vlora kujton:

     Ndërkaq kishte ardhur çasti që Esati ta paguante turpin e pafalshëm të vrasjes së gjeneral Hasan Rizait më 1913 në Shkodër, që, si një vazhdë e kuqe gjaku, do ta ndiqte atë hap pas hapi dhe do t’ia shkatërronte çdo hap që ndërmerrte, derisa më në fund do të përcaktonte edhe fatin e tij: më 13 qershor 1920, në derën e hotel “Kontinental” të Parisit, nga dora e një nacionalisti fanatik të quajtur Avni Rustemi.

     Në gjyqin e Avni Rustemit më 1920, Mithat Frashëri i paraqiti gjykatës franceze deklaratën që Esat Pasha u kishte dhënë me shkrim anëtarëve të delegacionit të Qeverisë së Tiranës, në majin e atij viti. Në pikën katër të deklaratës së tij, Esat pashë Toptani kishte shkruar: “Hasan Rizai në të vërtetë ishte vrarë nga Osman Bali, por jo… me urdhër të tij” (!) (28).
     E drejta vonon, thotë populli, por nuk mungon. Më 5 shtator 1926, me atentatin e kryer ndaj tij nga luftëtarët antifeudalë Myslim Peza e Islam Leka, major Osman Bali i pagoi të gjitha krimet e tij, ndër to edhe vrasjen e pabesë të kryembrojtësit hero të Shkodrës, Hasan Riza pasha…
______________
Shënimet:

1. Edith Durham, Njëzet vjet ngatërresa ballkanike. Përkthyer nga anglishtja dhe botuar më 1944 nga Selahudin Toto; i ribotuar, i krahasuar me origjinalin në anglisht nën kujdesin e Xhevat Lloshit, Tiranë: Argeta-LMG, 2001, f. 250.
2. Mikel Prendushi, Mbrojtja e Shkodrës, revista “Studime historike”, nr. 4, viti 1975, f. 167–175; Prenk Uli, Hasan Riza Pasha – Mbrojtësi i Shkodrës, Tiranë: Albin, 1995, f. 5–15; P. Rexhepi, Mbrojtja e Shkodrës, vep. e përm., f. 113–115.
3. At Gjergj Fishta, Përmendorja e Hasan Riza pashës, revista “Cirka”, Shkodër, nr. 4–5, korrik 1936, f. 62; Nexhip Allpan, Hasan Riza pashë Tosjalliu – një këmbë e urës miqësore, almanaku “Shkodra në shekuj”, Shkodër, vëllimi 1, 1998, f. 40).
4. Gino Berri, Rrethimi i Shkodrë,s tetor 1912 – prill 1913, përkthyer nga Ali Ohri, Tiranë: Shtëpia Botuese e Ushtrisë, 1998, f. 137–138; gazeta “Taraboshi”, Shkodër, nr. 31, 5–6 shkurt 1914; Lazër Shantoja, Poezi kushtuar Hasan Riza pashës, Kalendari vjetar, 1932.
5. G. Berri, Rrethimi i Shkodrës…, vep. e përm., f. 75.
6. Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897-1942 (Kujtime e vlerësime historike),përgatitur nga Marenglen Verli,Tiranë: Neraida, botim i 2-të, 2000, f. 82-83; E. Durham, Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, vep. e përm., f. 251; P. Uli, Hasan Riza Pasha…, vep. e përm., f. 35-38; Ndoc Nikaj, Shkodra e rrethueme, Tiranë, 1961, f. 159.
7. Abdurrahman Nazif & Mirliv Kirametin, Ballkan harbinde Iskodra Mudafaasi 1912-1913, Istanbul 1933 (përkthim në Arkivin e Institutit të Historisë: Mbrojtja e Shkodrës 1912-1913, dosja A. IV, 27, f. 324-325), N.Allpan, Hasan Riza Tosjalliu…, në almanakun “Shkodra në shekuj”, vep. e përm., f. 42-43; P. Uli, Hasan Riza Pasha… , f. 40; P. Rexhepi, Mbrojtja e Shkodrës…, f. 106.
8. Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (28 nëntor 1912- 22 janar 1914), DPASH, Tiranë, 1963, f. 102.
9. N. Allpan, Hasan Riza Tosjalliu…, në almanakun “Shkodra në shekuj”, f. 50; Tahir Kolgjinit, Esat pashë Toptani dhe akuzat që i bahen, Istanbul, 1977, f. 40–4; Ismail Qemali…, dok. 82, f. 114.
10 Sami Frashëri, Vepra 1, Akademia e Shkencave , Tiranë, 1988, f. 59–67; Historia e Shqipërisë, vëll. II (2002), f. 291, 397; B. Gaçe, Ata që shpallën pavarësinë kombëtare, vep. e përm., f. 125.
11 Historia e Shqipërisë, vëll. II (2002), f. 467; Georges Castellan, Historia e Ballkanit, Tiranë: Çabej, 1991, f. 388; Sulejman Kylçe, Shqipëria në historinë osmane, Tiranë: Globus R, 2004, f. 231; Kadri Musaj, Aqif Elbasani…, f. 32, 34–35 ( AQSH, Fondi: Kujtime të Abdulla bej Tiranës, dosja 5, viti 1912, dok. 132, f. 9, 25, 30; gazeta “Drita”, nr. 81, 16 gusht 1912).
12. K. Kamsi, Revista “Shkolla shqiptare”, fruer, 1941, f. 245; N. Nikaj, Shkodra e rrethueme, vep. e përm., f. 161–162.
13. P. Uli, Hasan Riza Pasha…, vep. e përm., f. 18 (AIH. Fondi 168, nr. 93, Cetinjë, 28.11.1912).
14. Eqrem bej Vlora, Kujtime 1885–1925, sipas “Lebenserinneru-ngen”, Munchen, “R Oldenbourg” 1973, përkthyer nga Afrim Koçi, Tiranë: Libri & Komunikimi, 2001, f. 289, 328–329.
15. T. Zavalani, Histori e Shqipnis, botim i 2-të, Tiranë, Phoenix, 1998, f. 232; P. Uli, Hasan Riza Pasha, vep. e përm., f. 46–47 (AIH, AMAE, dok. 8, 31 janar 1913 (përkthyer nga T. Krroqi).
16. E. Durham, Brenga e Ballkanit…, f. 392; Njëzet vjet ngatërresa…, f. 251; Owen Pearson, Albania and king Zog, London, New York, I B Tauris Publishers & Co Ltd, 2004, f. 38; Eqrem bej Vlora, Kujtime…, vep. e përm., f. 329; G. Berri, Rrethimi i Shkodrës, vep. e përm., f. 135–137.
17. P. Uli, Hasan Riza Pasha…, vep. e përm., f. 50.
18. Xh. Shala, Lufta e Shkodrës gjatë viteve 1912–1913 sipas burimeve serbe, art. i përm., f. 185 (Zhivko G. Pavlloviq, Opsada Skadra, Beograd, 1926, f. 188–189).
19. G. Berri, Rrethimi i Shkodrës, vep. e përm., f. 174.
20. P. Rexhepi, Mbrojtja e Shkodrës…, vep. e përm., f. 163; G. Berri, Rrethimi i Shkodrës, vep. e përm., f. 180, 192.
21. P. Rexhepi, Mbrojtja e Shkodrës…, f. 165–170; G. Berri, Rrethimi i Shkodrës, f. 193–198; E. Durham, Brenga e Ballkanit…, f. 393.
22. Xh. Shala, Lufta e Shkodrës gjatë viteve 1912–1913…, art. i përm., f. 196; E. Vlora, Kujtime…, vep. e përm., f. 289; Uran Butka Kthimi i Mithat Frashërit, Tiranë: Phoenix, 1997, f. 127.
23. Nina Smirnova, Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX, Tiranë, Deart, 2004, f. 64; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 41.
24. G. Berri, Rrethimi i Shkodrës, vep. e përm., f. 203; Kujtime të ish-luftëtarëve pjesëmarrës në mbrojtjen e Shkodrës, Muzeu Historik i Shijakut, Durrës, 1983, f. 10–12.
25. G. Berri, Rrethimi i Shkodrës, vep. e përm., f. 137.
26. S. Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri…, vep. e përm., f. 83.
27. P. Uli, Hasan Riza Pasha…, f. 51 (AIH, AMAE, dok. 8, Shkodër, 31.01.1913); G. Berri, Rrethimi i Shkodrës, f. 141.
28. Eqrem bej Vlora, Kujtime…, vep. e përm., f. 435; Kthimi i Mit’hat Frashërit, vep. e përm., f. 131; Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912–2000, tekst universitar, Tiranë: SHBLU, 2007, f. 41.
Shëkutur nga libri: Myslim Peza – dëshmitar dhe protagonist në historinë e shqiptarëve (1912-1939). Tiranë, 2008.

______________________________________

(Fotoilistrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, 21. 04. 2012)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura