AZIZ GJERGJI: 90 VJETORI I REVOLUCIONIT DEMOKRATIK TË QERSHORIT 1924 (II)

Paducah, KY – USA, 22.05.2014 – Ka shumë arsye pse ne, shqiptarët, duhet të jemi krenarë në përkujtimin e 90 vjetorit të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924. Së pari, Revolucioni Demokratik i Shqipërisë (1924) u zhvillua kundër qeverisjes së korruptuar e të kriminalizuar të feudalëve shqiptarë, me pjesëmarrjen e luftëtarëve nga të gjitha krahinat e vendit, nga shtresa të ndryshme të popullsisë dhe nga të katër besimet kryesore fetare në Shqipëri. Së dyti, udhëheqësit e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 e mbështetën aksionin e tyre kryengritës në parimet bazë të Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, të shpallura nga Revolucioni Demokratik Amerikan (1776) dhe Revolucioni Demokratik Francez (1789). Së treti, pavarësisht nga dështimi, idetë e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 u bënë burim frymëzimi për brezat e rinj të shqiptarëve në rrugën e fitoreve të sistemeve qeverisëse demokratike në Shqipëri, Kosovë e shtetet e tjera ballkanike ku jetojnë shqiptarët.

Pse dështoi Revolucioni Demokratik į Qershorit 1924?

Në përputhje me idealet e revolucionioneve demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1776) dhe në Francë (1789), Organizata e Rinisë Demokratike “Bashkimi” në mëngjesin e 16 qershorit 1924 afishoi nëpër dyert e shtëpive dhe në lokalet e Tiranës, Thirrjen e saj, ku thuhej:
Sot, në kryeqytetin e lirë të Shqipërisë, kremtojmë triumfin e shkëlqyer të demokracisë. Por vepra e kryengritjes edhe s’është mbaruar. Prej kësaj lëvizjeje, që është shënja e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, shoqëria “Bashkimi”, e cila qëndron edhe sot, si gjithmonë, indipendente dhe larg çdo influence politike, pret:
1) Rrënjosjen e demokracisë së vërtetë, ruajtja e së cilës duhet të mos u besohet kurrë feudalëve dhe pseudodemokratëve…
2) Dënimin shembullor të shkaktarëve të vëllavrasjes dhe shpagimin nga pasuria e tyre e të tëra shpenzimeve dhe dëmeve materiale që pësuan shteti dhe populli.
3) Spastrimin e shtetit prej spiunëve, dallkaukëve dhe nëpunësve të pazotë dhe vegla të ambicjeve të atyre që duan të themelojnë sundimin e vet mbi shkatërrimin e Shqipërisë dhe shtypjen e popullit…
4) Çarmatimin e përgjithshëm.
5) Sigurimin e indipendencës ekonomike të popullit bujk, me anën e reformave agrare të gjera, të cilat vetëm ato kanë për ta shpëtuar kombin nga robëria shekullore e sundimit feudal. Shoqëria “Bashkimi” është e bindur se theroritë që bëri populli dhe gjaku që ai derdhi pa u kursyer, nuk do të venë kot… 14)
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se kërkesat e shoqërisë demokratike “Bashkimi” u vunë në themel të programit të Qeverisë Noli, e cila premtoi: “Çrrënjosjen e feudalizmit, çlirimin e popullit dhe vendosjen definitive të demokracisë në Shqipëri; pakësimin e spastrimin radikal të nëpunësve, si dhe sigurimin e të drejtave e përgjegjësive të tyre me ligj; ndërrimin e sistemit të taksave në favor të popullit; përmirësimin e gjendjes së bujkut dhe emancipimin ekonomik të tij; lehtësimin e hyrjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtjen e organizimin e kapitaleve të vendit; ndreqjen e udhëve e të urave; organizimin e degës së shëndetësisë e të arsimit; reformimin radikal të komuneve gjyqësore dhe sigurimin e indipendencës së vërtetë të gjyqeve; marrëdhënie miqësore me të gjithë shtetet e veçanërisht ma ato fqinje, si dhe lartësimin e prestigjit dhe të kreditit të shtetit në botën e jashtme etj.” 15)
Programi i Qeverisë Noli përmbante në vetvete esencën e mendimit të përbashkët të intelektualëve demokratë, të diplomuar në universitetet më në zë të Europës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa asnjë mëdyshje, do thënë se, mes tyre, figura e kryepeshkopit Fan Noli ishte më e kompletuara. “Kryepeshkopi ka kaluar shumë vite të jetës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjetiu jashtë vendit,– shkroi ato ditë korrespondenti i gazetës londineze “The Times” në Tiranë. – Ai është i diplomuar në Universitetin e Harvardit, ka studiuar për drejtësi; është shumë i zoti në letërsi e muzikë dhe ka të ngjarë të jetë një kokë më lart se çdo figurë publike shqiptare në fushë të arsimit.”16)

Fan S. Noli, duke hyrë në Selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë – më 1924.

Fan Noli kishte studiuar vërtet në Harvard, por, siç u pa edhe nga praktika e drejtimit të Revolucionit Demokratik 1924, nuk e kishte përvetësuar siç duhet pragmatizmin e liderëve amerikanë. Ndonëse iu drejtua një populli afro 90% analfabet, Fan Noli bëri të flisnin shqip personazhet e mëdhenj të letërsisë botërore, si Jul Cezari, Otelloja, Makbethi, Hamleti, Don Kishoti etj. Ai e pasuroi fondin e artë të kulturës shqiptare me përkthimet e paarritshme të “Rubairave” të Omar Khajamit, të “Korbi” e “Annabel Li” të Egdar Posë, të “Skënderbeut” të poetit anglez Henry Longfellow, të “Kasolles” së Blasko Ibanjezit dhe të “Armiqve të popullit” e “Zonjës Ingru” të Ibsenit etj. Zëri i tij prej tenori do t’i shndërronte shërbesat fetare në kishat ortodokse autoqefale shqiptare dhe oratoritë e mbajtura në Këshillin Kombëtar në himne magjike. Por ky krijues e përkthyes gjenial nuk kishte lindur për t’u bërë burrë shteti. Atdhetari e deputeti demokrat Sotir Peci e kishte kundërshtuar dy vjet më parë kandidaturën e Fan Nolit për postin e kryeministrit të Shqipërisë, me fjalët profetike: “Noli nuk është burrë shteti dhe na çon në katastrofë!” Por në qershorin e vitit 1924, për paradoks, i rastisi pikërisht Sotir Pecit, të vetmit anëtar të Këshillit të Naltë që nuk lëvizi nga detyra, të nënshkruante emërimin e Fan Nolit në postin e kryeministrit të shtetit demokratik (17).
Zgjedhja e Fan Nolit në krye të qeverisë së dalë nga fitorja e Kryengritjes së Qershorit 1924 tregoi se demokracia liberale shqiptare ishte akoma shumë e re dhe pa përvojë në menaxhimin e kombinuar të pushteteve politike, legjislative, ekzekutive e gjyqësore. Programi i Nolit përmbante në vetvete një varg reformash zinxhir me karakter demokratik e liberal, të cilat mund të kryheshin vetëm nëpërmjet një procesi shndërrimesh me karakter ushtarak, siç u kryen nga Mustafa Qemal Ataturku në Turqinë e re, e sapodalë nga gërmadhat e Perandorisë feudale ushtarake Osmane. Por, ndryshe nga burri i madh i shtetit turk, Fan Noli nuk kishte përvojë administrative e ushtarake për të marrë përsipër përgjegjësinë historike të udhëheqjes dhe zhvillimit të plotë të një revolucioni demokratik, qe mbeti në embrion. Fan Noli dhe administrata e kryesuar prej tij bënë shumë gabime të mëdha historike, por në lidhje me tematikën tonë, ne do të parashtrojmë vetëm tre prej tyre, që i kanë vënë në dukje me mprehtësi bashkëkohësit e tij.
Në shënimet e tij, politikani Sejfi Vllamasi thekson: “Detyra e parë e qeverisë ka qenë legalizimi i saj nga ana e Asamblesë, ose me anë të zgjedhjeve të reja. Këtë gjë kaq të ngutshme qeveria s’qe në gjëndje ta kuptonte. Ministri i Britanisë së Madhe, z. Eyres, në mënyra të ndryshme ia sygjeroi qeverisë nevojën e legalizimit; po ashtu edhe ministri italian markezi De Durazzo. Po ato sygjerime i bëri edhe Tefik Mborja, i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Romë, në emër të Musolinit, i cili tregoi nevojën e domosdoshme për legalizim. Nga ana tjetër, edhe opinioni i brendshëm e kuptonte këtë nevojë dhe bënte presion mbi qeverinë për legalizim. Bile edhe përkrahësit e Zogut, me Sali Vuçiternin në krye, i deklaruan qeverisë se edhe ata, si asamblistë, ishin gati të votonin për qeverinë. Por të gjitha këto sygjerime dashamirëse mbetën pa efekt.” 18)
Edhe kolonel Faik Quku , gjithashtu kujton: “Opozita nuk kreu nji detyrë të domosdoshme për botën demokratike: legalizimin e qeverisë. Për këtë qëllim kishte mjaftue me ftue ish-asamblistat ose me ba zgjedhje të reja. Kur filloi përgatitjet për zgjedhje të reja, ishte vonë (19).”Enciklopedisti Faik Konica ia ka bërë publikisht vërejtjet e tij Fan Nolit qysh më 16 gusht 1924, duke shkruar me dhimbje e ironi në gazetën “Shqiptari i Amerikës”: “E dashura Governa jonë borgjeze me një fisnikëri fjalësh të bukura u zotua të na japë një shtet të riorganizuar, një shtet të shëndoshë, të pastër, fare të ri. Po ç’qereste do të përdoret për binan’ e re? Le të kemi shpresë dhe le të presim. Për një gjë jemi të sigurtë: që as një bojë sado e çkëlqyer, e hequr mi qeresten’ e kalbur, nuk ka për të ndaluar “tartabiqet”. Binaja e re do qereste të re – qereste brand new si thon’ anglisht, ose flambant neuf në ju pëlqen më mirë t’a thomi frëngjisht. Në mos jemi të zotët të lëmë më nj’anë miqësira dhe krushqira dhe interesa të fshehta, s’qe nevojë të bëhej një revolucje dhe të derdhej gjak…” 20)
Gabimin e dytë të madh Fan Noli e bëri në fushën e reformave liberale në ekonomi, sidomos në mosrealizimin e reformës agrare. Domosdoshmëria e shndërrimeve në fushën e pronësisë dhe të marrëdhënieve në prodhim në fshat diktohej nga gjendja e falimentuar e ekonomisë bujqësore dhe mjerimi ekonomik i fshatarëve. Sipas regjistrimit të vitit 1923, Shqipëria kishte 803.959 banorë, nga të cilët 104.382 veta (12,3%) jetonin në 11 qytetet e vendit, ndërsa pjesa tjetër prej 699.577 banorë (87,7%) gjendeshin në fshat, ku ishin të detyruar të siguronin pothuajse të gjitha ushqimet e tyre dhe 75% të veshjeve të nevojshme. Në Shqipëri, udhëtari mund të përshkonte me automjet vetëm 839,5 km rrugë automobilistike; pjesën tjetër duhej ta shkelte kaluar mbi kuaj, mushka e gomarë ose të ecte në këmbë. 21)
Në relievin e vendit mbizotëronin 67% shkurre, gëmusha e rrëpira malore, 24% pyje dhe vetëm 9% e territorit të Shqipërisë ishte në dispozicion të prodhimit bujqësor. Sipas regjistrave të pronësisë mbi tokën e punueshme, 220.000 ha tokë (55%) e zinin çifligjet, të ndara midis bejlerëve çifligarë, shtetit dhe institucioneve fetare. Marrëdhëniet midis pronarëve çifligarë dhe fshatarëve argatë rregulloheshin me sistemin e vjetër osman të gjysmës, të së tretës dhe të qesimit, sistem i cili, sipas historianit amerikan Bernd J. Fischer, “i ngjante së tepërmi sistemit të bujkrobërisë”. Sipas studiuesit shqiptaro-amerikan Stavro Skëndi, të cilit i referohen edhe historianë të tjerë, “shqiptari i mesëm jetonte në një gjëndje varfërie të skajshme”. 22)
Këshilltari holandez Jan Hunger, i dërguar në vitin 1923 nga Lidhja e Kombeve për të ndihmuar qeverinë shqiptare, kishte vënë re se, ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri fshatarësia që gjendej në një varfëri ekstreme, paguante 76,2% të taksave, ndërsa pronarët e pasur vetëm 6%. Për të përmbysur këtë raport absurd, Hungeri kishte rekomanduar një sërë reformash në sistemin e taksave mbi të ardhurat. Ai kishte propozuar që bejlerët e pasur myslimanë të tokave, të cilët paguanin vetëm 6% të taksave, të detyroheshin të merrnin përsipër një barrë më të madhe. Ne fakt, Bernd J. Fisher thotë se “ajo që propozonte Hungeri ishte reforma agrare”. Ishte e kuptueshme që, përpara Revolucionit të Qershorit 1924, qeveria e kryesuar nga çifligari më i pasur në vend, Shefqet bej Vërlaci, të mos i pranonte propozimet liberale të ekonomisë së tregut të parashtruara nga Hungeri dhe në maj të vitit 1924 e kishte dëbuar nga Shqipëria. 23)

– Ahmet Zogu (1895-1961) –

Pas fitores së Kryengritjes së Përgjithsheme të Qershorit 1924, Fan Noli e vuri në rendin e dites reformën agrare. Në autobiografinë e shkruar në vetën e tretë, ish-kryeministri Fan Noli pohon se gjatë regjimit të tij, ai vuri në rend të ditës reformën agrare në Shqipëri, toka e së cilës, deri atëherë, sundohej dhe zotërohej nga një grusht çifligarësh. Ishte e natyrshme për një graduat të Universitetit të Harvardit të vinte në rend të ditës demokracinë në atdheun e tij (24). Në projektin e hartuar nga Ministria e Bujqësisë në muajin tetor 1924 u parashikua shpronësimi i pasurive shtetërore. Tokat që do të shpronësoheshin, do t’u jepeshin fshatarëve pa tokë dhe atyre me pak tokë. Çdo familjeje fshatare që kishte deri në tre djem, do t’i jepeshin deri në 6 ha tokë e punueshme. Nëse familja kishte më tepër se tre djem, do t’i jepej një sasi toke plotësuese prej 2 ha etj. Në projektligjin e reformës nuk thuhej nëse toka do t’u jepej fshatarëve të varfër falas apo kundrejt pagesës, por përmbajtja e tij linte të kuptoje se do të përdoreshin të dy format. 25)
Megjithatë, si në të gjitha ndërmarrjet e tjera, Fan Noli u lëkund dhe u tërhoq përfundimisht nga projekti i dëshiruar. Në përgjigjen dërguar historianit Xhozef Suajër (Joseph Swire), Fan Noli do të dëshmonte: “Duke këmbëngulur për reformat agrare, unë ngjalla zemërimin e aristokracisë së tokës; duke mos arritur t’i realizoja ato, humba mbështetjen e masave fshatare. Kolegët e mi në qeveri dhe shumica e oficerëve të ushtrisë ishin ose kundër, ose, në rastin më të mirë, indiferentë ndaj këtyre reformave, megjithëse më parë ishin deklaruar në favor të tyre. Zoti Sotir Peci, Regjenti, iu kundërvu atyre haptazi dhe ashpërsisht. Zoti Eyres (Harry) arriti t’i bindte të gjithë ata që ishin përreth meje se reformat agrare ishin një novacion i rrezikshëm bolshevik.” 26)
Për rrjedhim, duke mos e zbatuar “rendin e ditës” në praktikë, Fan Noli jo vetëm që nuk e kreu deri në fund ciklin e plotë të zhvillimit të embrionit të revolucionit demokratik, por e kompromentoi edhe kryengritjen e armatosur që e solli në pushtet, për të cilën disa studiues shprehen se ishte një “puç ushtarak”, “grusht shteti”, “pronunciamento militare” etj.27)
Gabimin e tretë dhe fatal Qeveria Noli e bëri në marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike me shtetet demokratike të Europës Perëndimore dhe të Amerikës. Së pari, ajo nuk u hapi dritën jeshile as kompanisë britanike “Anglo-Persian” e as asaj amerikane “Standard Oil” për shfrytëzimin e fushave të naftes e gazit në Shqipëri, duke i mbajtur larg dy shtetet më të fuqishme demokratike të kohës. Së dyti, Qeveria Noli nuk bëri asnjë hap përpara për të siguruar ndihmën dhe miqësinë e Mbretërisë së Italisë, ndonëse vetë i kërkoi kryeministrit “popullor” në atë kohë, Benito Mussolinit, që ta mbështeste “moralisht” dhe “materialisht” për zbatimin e programit të qeverisë së tij demokratike. Aq e lëkundur u shfaq Qeveria Noli në marrëdhëniet me qeverinë italiane; sa, jo vetëm refuzoi paktin e veçantë të miqësisë që i ofroi Mussolini, por nuk ratifikoi as traktatin tregtar italo-shqiptar që ishte nënshkruar në fillim të vitit 1924.
Në kundërshtim me linjën demokratike të qeverisë së tij dhe në kundërshtim me këshillat e ish-kryeministrit Sulejman Delvina, i cili në Qeverinë Noli mbante postin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Fan Noli urdhëroi lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë Bolshevike; veprim, i cili e izoloi qeverinë e tij nga bota e jashtme liberale e demokratike. Në kushtet e anarkisë së brendshme dhe të indiferencës së jashme, kreu i çifligarëve konservatorë, Ahmet bej Zogu, nuk e pati të vështirë të merrte përsëri pushtetin me ndihmën e armatosur të monarkive fqinje ta dëbonte Qeverinë Demokratike të Fan Nolit dhe të vendoste diktaturën autoritare të tij. 28)
Dështimi i Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 në Shqipëri tregoi së pari: revolucionin demokratik e fillon populli, por vazhdimin dhe suksesin e tij e kanë në dorë udhëheqësit; së dyti: nëse një revolucion demokratik dështon, situata politike nuk kthehet më në gjendjen e mëparshme, por bie në diktaturën e një grushti njerëzish dhe së treti: asnjë qeveri liberale e demokratike nuk është e imunizuar nga kthimi në qeverisjen diktatoriale.

FUND

____________________

Shënimet:

14. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 150–51, dok. nr. 159 (Thirrja e shoqërisë “Bashkimi”, 16 qershor 1924, botuar në gazetën “Bashkimi”, 8 korrik 1924).
15. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 151–153 (Programi i qeverisë demokratike të kryesuar nga Fan Noli, botuar në gazetën “Drita”, 19 qershor 1924); Musine Kokalari “Jetëshkrimi”, botuar në rubrikën “Dossier” të gazetës “Ndryshe”, nr. 406, 11 shtator 2007, f. 18.
16. Pjesë nga intervista e korresp. të gazetës “The Times”, 4 shtator 1924, revista “Studime historike”, nr. 3–4, Tiranë, 1999, f. 234.
17. S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, vep. e përm., f. 408.
18. Po aty, f. 371.
19. F. Quku, Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, vëll. I, Tiranë: Ilar, 2006, f. 25.
20. F. Konica, Vepra 3, f. 331 (artikulli “Shtëpi të ra me qereste të vjetër”, botuar në gazetën “Shqiptari i Amerikës”, 16 gusht 1924).
21. Teki Selenica, Shqipëria më 1927, Tiranë 1928, f. III; Valentina Duka, Qytetet e Shqipërisë në vitet 1912–1924, Tiranë: Toena, 1997, f. 77, 113.
22. Iljaz Fishta, Veniamin Toçi, Gjendja ekonomike e Shqipërisë në vitet 1912–1944, prapambetja e saj, shkaqet dhe pasojat, Tiranë, 8 Nëntori, 1983, f. 66–67; Iljaz Fishta, Mihal Ziu, Historia e ekonomisë së Shqipërisë, Tiranë: Dita, 2004, f. 35; Stavro Skëndi, Albania, New York: F. Praeger, 1956, f. 152; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 55.
23. B. Fischer, Mbreti Zog…, vep. e përm., f. 61–63.
24. Fan S. Noli, Vepra 6, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë, 1990, f. 295.
25. Niko Deçka, artikull “Mbi reformën agrare të përgatitur nga Qeveria Demokratike e Fan Nolit”, në librin “Çështje të lëvizjes demokratike dhe revolucionare në Shqipëri në vitet 1921–1924”, Tiranë: 8 Nëntori, 1977, f. 149–150.
26. J. Swire, Shqipëria, ngritja e një mbretërie, f. 350; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 230.
27. Gazmend Shpuza, artikull “Viti 1924 – midis revolucionit, puçit dhe ndërhyrjes së armatosur,” në revistën “Studime historike”, nr. 1–2, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë, 2000, f. 70; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 227.
28. Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939, Tiranë: Toena, f. 365-66; S. Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), botim 2-të, f. 385–86.

__________________________
AZIZ GJERGJI: 90 VJETORI I REVOLUCIONIT DEMOKRATIK TË QERSHORIT 1924 (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2800

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura