IBRAHIM KELMENDI: KLUBI SHQIPTAR NË DYSELDORF TË GJERMANISË – FLAMURTAR I NDËRGJEGJËSIMIT TË EMIGRACIONIT EKONOMIK

Pashtriku.org, 26 janar 2018: Zgjodha për tematikë prezantimin telegrafik të Kubit Shqiptar në Dyseldorf të Gjermanisë, meqë me 26 mars 2018 është 40-vjetori i themelimit të tij. Dhe jo vetëm për shkak të këtij përvjetori. Vlerat e këtij Klubi ishin të përmasave të tilla, sepse ai kishte rrol flamurtar në emigracionin ekonomik të shqiptarëve në Europën Perëndimore, ishte baza e përhershme “operative” e Lëvizjes, dhe në vitet e 90-ta edhe e LDK-së!
Në pranverën e vitit 1978, konkretisht më 26 mars, në Dyseldorf janë tubuar rreth 180 migrantë shqiptarë dhe kanë themeluar një klub shqiptar, siç i thoshin atëherë.
Rëndom, kur bëhen këso prezantimesh, njeriut i duket interesant të gjejë nismëtarin e këtij organizimi, pra atë që i pari e ka pasur idenë dhe që, pastaj, i ka bindur dhe i ka përvetësuar edhe të tjerët ta realizojnë idenë e tij. Të gjitha hulumtimet që kam bërë në terren, gjatë përgatitjes së një libri dedikuar këtij Klubi, rezultojnë se idenë për themelimin e tij duhet ta ketë pasur shërbimi i sigurimit shtetëror jugosllav, që ka vëzhguar migracionin në Gjermaninë Perëndimore. Ai shërbim duhet ta ketë urdhëruar kuadrin e tij, zotëri Zenel Syka, për themelimin e atij klubi. Ai ishte pjesë e stafit të konsullatës jugosllave në Dyseldorf. Dhe pikërisht ai duhet t‘i ketë kontaktuar, fillimisht ca „miq“ (informatorë) të tij dhe, përmes tyre, edhe të tjerë migrantë, që ta mbanin tubimin themelues.
Arsyeja kryesore e atij shërbimi jugosllav, për themelimin e klubit në Dyseldorf, duhet të ketë qenë informata që ai duhet të ketë pas, për migrantë, të cilët, në atë ndërkohë, kishin gjetur libraritë që shpërndanin libra, gazeta e revista në gjuhë shqipe, të cilat botoheshin në Tiranë. Ato librari, por edhe stendet e vendosura në hyrje-dalje të fabrikave për t’u shpërndarë punëtorëve material propagandistik, ishin të Partisë Komuniste Gjermane / marksiste-leninste (akronimi në gjermanisht: KPD/m-l). Ajo parti furnizohej me literaturë falas nga Tirana dhe ua ofronte migrantëve shqiptarë.
Ai angazhim i komunistëve gjermanë kishte nxitur interesimin e migrantëve shqiptarë për të lexuar atë literaturë. Migrantët kishin filluar të fusnin edhe në vendlindje, fshehurazi, ndonjë libër, revistë e gazetë, për të afërmit e tyre. Pra, për t’u informuar më konkretisht dhe për t’i kontrolluar migrantët, që kishin filluar të merren me atë aktivitet të ndaluar, „diplomati“ Zenel Syka duhet të jetë urdhëruar, të organizonte themelimin e klubit në Dyseldorf.
***
Digresion:
Mbaj mend rrëfimin e Jusuf Gërvallës lidhur me veprimtarinë preventive e diversioniste të shërbimeve jugosllave, përmes themlimit simulues të organizatave patriotike, nacionaliste, çlirimtare, antikomuniste, për t’i identifikuar të intersuarit për ato veprimtari klandestine, kundër sistemit monist e pushtues.
Ato, shpjegonte Jusufi, u shkaktonin dëme atyre që i identifikonin, meqë i arrestonin, i torturonin e dënonin, nëse nuk mund t’i përvetsonin, por ato kishin edhe një dobi: mbanin gjallë frymën për organizime klandestine kundër atij pushteti monist e pushtues.
Jusufi u martirizua pa arritur të informohet, se ndoshta vetë organizata, ku ai bënte pjesë, ishte prodhim i asaj veprimtarie subverzive të Shëbimit të Sigurimit Shtetëror, të njohur me akronimin famëkeq UDB. Ende nuk janë ofruar dëshmi autentike, që atë orgaizatë, me emrin Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), e kanë themeluar shqiptarët patriotë. Ajo duhet të ketë qenë simulim, në dukje patriotik, që e menaxhonte vetëm Sabri Novosella, i cili rezulton të ketë qenë marionetë e krye-UDB-ashit të Prishtinës, famëkeqit Ibush Kllokoqi…
Edhe vetë kam një përjetim, që më pat shkatuar dyshim shqetësues. Në gusht të vitit 1978, Xhevat Ramabaja i rrethit të Dardanës (ish-Kamenicës), që atëherë prezantohej si “Xhavit”, me banim në Gytersloh të Gjermanisë, pasi ishim njohur disa muaj më herët, insistonte të themlonim një organizatë klandestine. Bashkë me të dhe me Besim Rexhën e Gjakovës (me banim në Vlebert), Idriz Bajrën e Istogut (me banim në Bochum), u takuam në konvikt të studentëve, në Bochum, ku banoja unë, dhe themeluam Frontin e Kuq Popullor (FKP). Kërkesa insistuese e Xhevatit, të anëtarësoja unë bashkatdhetarë patriotë, me një formular që e kishte përgatitur, duke plotësuar shumë të dhëna personale, të cilat i sapo anëtarësuari duhej t’i firmoste, dhe informimi im se ai nuk po punonte fare e po jetonte mirë, me njohje të mirë të gjermanishtës, veprimtar i përkushtuar në KPD/m-l, – ma nxitën dyshimin se ai mund të ishte spiun i shërbimit kompetent të Beogradit dhe i gjermanëve, për të spiunuar atë parti gjermane dhe migrantët shqiptarë. Prandaj pas dy-tre muajve, i mashtrova Xhevatin dhe Besimin, se nuk po kam kohë të merrem me FKP-në, për shkak të studimeve.
Aty e tutje, bashkë me Idriz Bajrën, vazhduam veprimtarinë me të tjerë bashkatdhetarë, por pa praktikuar organizim me evidencë byrokratike, nga frika se mund të na zihej ajo evidencë dhe do të dënoheshin të anëtarësuarit, me provë konkrete.
***
Mua edhe tani po me rezulton, se edhe themelimi i Klubit Shqiptar në Dyseldorf, pat ndodhur me vendim të strukturave të shërbimit përkatës jugosllav, edhe pse krye-UDB-ashi zyrtar i Jugosllavisë në Gjermani, Zotëri Shefqet Hashani, i kamufluar si Sekretar i parë në Ambasadën e Jugosllavisë në Bonn, këto ditë u mundua të na bindë ca ish-bashkëveprimtarëve veteranë të Klubit, se një urdhër i tillë nuk kishte kaluar nëpër ambasadë jugosllave, për t’iu përcjellë konsullatës në Dyseldorf, gjegjësisht „diplomatit“ Zenel Syka. Por, meqë ai detyrën zyrtarisht e kishte filluar në janar 1978, ka mundësi që Zenel Syka të jetë urdhëruar më herët për themelimin e klubit në Dyseldorf, ose Beogradi nuk e ka pasur të centralizuar gjithë veprimtarinë agjenturore në Gjermani, vetëm në ambasadë.
Është interesant se, qysh në mbrëmjen e ditës se themlimit të klubit, ndodhi edhe sulmi i kryetarit të sapo zgjedhur, z. Rrahman Bega (tashmë i ndjerë), nga Jezerci i Ferizajit. Ai qe plagosur me thikë nga Vëllezërit Sinani. Bashkëvendasit e tij ende vazhdojnë të dyshojnë, se vëllezërit Sinani duhet të jenë urdhëruar për atë sulm nga „diplomati“ jugosllav Zenel Syka, sepse ai kishte qenë kundër zgjedhjes se Rrahman Begës kryetar, duke insistuar ta impononte për kryetar Enver Maliqin, tani biznesmen i madh në Shkup.
Pas asaj plagosjeje, Rrahmani qe tërhequr. Në maj ishte mbajtur mbledhje për zgjedhjen e kryetarit të ri. Është zgjedhur Nebih Rekaj nga Nerodimja e Ferizajit. Në të njëjtën kohë zë fill edhe konflikti tjetër, në mes të anëtarëve patriotë dhe personelit të konsullatës, për emërtimin e Klubit. „Diplomati“ Zenel Syka, bashkë me ca argatë të tij, insistonin në emrin „klubi jugosllav Emin Duraku“, ndërsa shumica e anëtarëve këmbëngulin në emrin „klubi shqiptar Emin Duraku“.
Konflikti rreth emrit të klubit mori përmasa të mëdha. Kryetari Nebi Reka, i shoqëruar nga sekretari Qazim Shala, nga Mushtishti i Suharekës, për shkak të njohjeve familjare, shkojnë të Shefqet Hashani në amabasadën jugosllave, për ta lutur për përkrahje. Shefqeti ishte i lindur e banues në Greme të Ferizajit.
Takimi për vendimmarrje për emërtim të klubit u mbajt në ambientet e klubit dhe në të merrnin pjesë personeli i konsullatës, në krye me vetë konsullin, Hamdija Deliq, dhe krye-UDB-ashin Shefqet Hashani, Sekretar i parë i ambasadës. Ishte i pranishëm edhe Jusuf Buxhovi, i kamufluar si korrespondent i gazetës „Rilindja“. Si kompromis, propozohet emëri: Klubi i Punëtorëve Shqiptarë nga Jugosllavia “Emin Duraku”. Ky propozim përkrahet nga Shefqet Hashani, por e kundërshtoi personeli i konsullatës. Jusuf Buxhovi mundohej t’i bindte të pranishmit, se gjermanët i njihnin migrantët nga Jugosllavija vetëm si jugosllavë, prandaj ashtu edhe duhej të quheshin. Shefqet Hashani e urdhëroi Buxhovin ta bënë punën e korrespondentit, sepse shqiptarët nga Jugosllavija e kishin të drejtë kushtetuese të prezantoheshin si shqiptarë, kudo që të jetojnë. Aty e tutje përplasjet me “diplomatë” të konsullatës mbeten të përhershme.
Me organizimin e manifestimeve, dedikuar 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe festave të Nëntorit, qysh atëherë Klubi shqiptar në Dyseldorf, u afirmuar si qendër patriotike, frymëzuese, jo vetëm për mijëra migrantë që punonin në Republikën NRW, që ka rreth 19-milionë banorë, kryeqytet i së cilës është Dyseldorfi, por edhe për migrantë në gjithë Gjermaninë Perëndimore dhe në shtetet e tjera, ku kishte kurbetçarë shqiptarë.
Në fund të prillit të vitit 1981, ndodhi thyerja e madhe në mes të Klubit dhe institucioneve shtetërore të Jugosllavisë. Pas rrebelimit të madh të shqiptarëve në Kosovë, në mars e në prill të vitit 1981, me kërkesën kryesore Kosova-Republikë, institucionet jugosllave ndërmarrin turne “vizitash” të fuksionerëve kuislingë, shqipfolës, për t’i dezinformuar kurbetçarët dhe për t‘iu imponuar atyre dërgimin në institucionet shtetërore jugosllave, të “telegrameve” me përmbajtje dënimin e “kundërrevulucionit” në Kosovë.
Më 25 prill të vitit 1981, tre organizatat që ushtronin veprimtari në Perëndim, LNÇKVSHJ, OMLK-ja dhe FKP-ja, thirrën demonstratë, në Cyrih të Zvicrës. Për të njëjtën ditë, personeli i konsullatës kishte kërkuar të mbildheshin kurbetçarët shqiptarë në Klubin “Emin Duraku”, për të pritur një delgacion të lartë nga KSAK-së.
Veprimtarët e Klubit dhe kryesia e tij kishin vendosur të udhëtonin në Zvicër, për të marrë pjesë në demonstratë. Kishin përgatitur bandarollat në ambint të Klubit dhe kishin rezervuar edhe autobusët. Veprimtarët e Klubit, që ishin edhe anëtarë e simpatizantë të FKP-së, caktuan Nazmi Nuhën, të rrinte në Klub, për të kundërshtuar delegaconin nga Kosova dhe personelin e konsullatës, kur ata do të kërkonin miratimin e “telegramit” dënues ndaj demonstratave të 81-shit.
Tubimi në klub ishte mbajtur, meqë konsullata ishte mobilizuar për t‘i mbledhur kurbeçarët mjeranë, me mendësi të jugosllavizuar, që nuk ishin anëtarë të klubit. Kur ishte kërkuar miratimi i “telegramit” denues, Nazmi Nuha kishte kundërshtuar: “Këtu nuk janë të pranishëm anëtarët e klubit tonë. Këta që janë të pranishëm, shumica nuk janë anëtarë. Prandaj nuk keni të drejtë të miratoni asfarë dënimi të demonstratave në Kosovë dhe kërkesës Kosov-Republikë, në emër të klubit tonë” (parafrazim). Pas fjalës së Nazmiut, pjesëmarrësit ishin shpërndarë, meqë shumica e migrantëve të pranishëm, nuk e dinin qëllimin komplotist të atij tubimi.
Ditën pasuese jemi informuar nga Radio Prishtina, se Klubi Shqiptar në Dyseldorf i ka dënuar demonstratat, edhe pse në atë tubim nuk ishte miratuar ai telegram. Ky komplot diversant i revoltoi anëtarët e klubit. Ata mbajtën një kuvend, për t’u përcaktuar nëse do të vazhdonin të taktizonin, apo të përcaktoheshin hapur për përkrahjen e kërkesës Kosova-Republikë. Kuvendi mori vendim „pro“ kërkesës Kosova-Republikë.
Atë qast u menjanuan fotografia e Titos dhe flamuri i RSFJ-së, që ishin në ballë të sallës. Aty mbetën Flamuri Shqiptar, fotografia e Heroit Emin Duraku dhe bandarolla e madhe “Kosova-Republikë”, që u punua enkas për ta mbuluar pothuajse gjithë ballin e sallës së klubit. Pos këtyre, u vendos të mbahej demonstratë në Dyseldorf, më 5 maj 1981, në të cilën pati mijëra pjesëmarrës, meqë u përkrah edhe nga tri organizatat që po bashkorganizonin serinë e demonstratave në metropolet europiane.
Vetëkuptohet, pasojat për atë përcaktim dhe për veprimtari përkatëse, i vuajtën dhjetra bashkëveprimtarë të klubit, kur shkuan për vizitë e pushime në vendlindje. Atje ata u burgosën, u maltretuan, ua konfiskuan pasaportat, por, fatmirësisht, asnjëri nuk shfaqi pendim!
Ndaj klubit, gjatë vitit 1983, u mundua të komplotonte edhe “krahu” i Sabri Novosellës, duke shpërdoruar autoritetin e Jusuf Gërvallës dhe të Lëvizjes. Kulminacionin komploti i tyre e arriti në manifestimin e përbashkët, që organizuan Lëvizja dhe Klubi, me 7 prill 1983, dedikuar përvjetorit të demonstratave në Kosovë dhe themelimit të klubit. Kryprotogonistë komplotistë të atij manifestimi ishin Xhafer Durmishi, Xhevat Ramabaja, Milaim Zeka. Ata shpërdoruan Musa Dakën dhe Haxhi Krasniqin. Këta dy sulmuan fizikisht dhe plagosën me thikë Haxhi Begën dhe Sylë Nuhën. Rrezik ishte të ndodhte një masakër, meqë ishin të pranishëm rreth 650 veta, por, për hir të grave e fëmijëve, manifetimi qe ndërprerë, pa u marrë vesh për ato dy plagosje të dy veprimtarëve të Lëvizjes dhe Klubit, që atë natë ishin caktuar të ishin mirëmbajtës të rendit.
Të dëshpëruar që nuk realizuan komplot me përmasa shkatërruese, ai “krah” u largua nga Lëvizja, duke improvizuar organizimin e një “lëvizje të vërtetë”. Ajo zuri të botonte edhe një pamflet në Suedi, me emër “Zëri të Kosovës”, por ai angazhim u zgjati vetëm disa muaj…
Aty e tutje, klubi u bë vatër e veprimtarisë në terren të Lëvizjes, sepse anëtarësia ruante kujtimet, tashmë edhe të legjendarizuara, nga vizitat që i kishin bërë klubit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka!
***
Edhe në vitin 1990, klubi u përball me vështirësi të reja, meqë titistët, tashmë të konvertuar në rugovistë, donin gjithsesi të grabisnin Klubin, për shkak të famës se tij, për ta tjetërsuar në klub monist të rugovistëve “pacifistë”, të organizuar në LDK. Fatmirësisht, edhe kësaj radhe dha rezultat të mirë përcaktimi taktik, që Hyzri Reka, me mirëkuptim të bashkëveprimtarëve veteranë, të zgjedhej kryetar i nëndegës së LDK-së për Dyseldorf dhe, kështu, u evituan përplasjet në mes të anëtarëve të Lëvizjes dhe të LDK-së. Hyzriu kishte qenë veprimtar i FPK-së, pothuajse, qysh nga themelimi, dhe kryetar i klubit në vitet 1981-1983 dhe 1986-1987, por gjithë kohën ishte shquar si veprimtar i përkushtuar i Lëvizjes dhe i Klubit. Ai, prandaj, nuk e shpërdoroi epërsinë që kishin anëtarët e LDK-së, duke qenë aty e tutje shumicë edhe në Klub, por e ruajti frymën e pluarlizmit dhe të mirëkuptimit, deri në atë nivel, sa kur shpërtheu kryengritja çlirimtare në Kosovë, në mars 1998, në të njëjtin ambient të Klubit ishin dy palë tryeza, me të autorizuar të Fondit të 3-përqindshit, dhe me të autorizuar të Fondit Vendlindja thërret, duke iu ofruar mundësi bashkatdhetarëve të kontribuonin në cilin fond të dëshironin. Ky mirëkuptim kaq simbolik nuk mund të ketë ndodhur gjetiu, në emigracionin tonë.
Për përmasat voluminoze të kontributit të Klubit kësaj radhe ndoshta mjafton ky konkretizim: në vitin 1996 u përcaktuam, të gjitha subjektet në emigracion, bashkë me “Qeverinë Bukoshi”, për të mbledhë ndihma gjatë një muaji, për të ndihmuar financiarisht arsimin “paralel” në Kosovë. Edhe unë bëja pjesë në Këshillin Koordinues Qëndror, si përfaqësues i Lëvizjes. Rezultati ishte ky: Dyseldorfi me rrethinë pat grumbulluar më shumë ndihma financiare, se sa gjithë emigracioni shqiptar në Amerikë. Kështu ka ndodhur edhe me ndihmat për UÇK-në. Angazhimi me luftëtarë vullnetarë, me ndihma financiare, me medikamente, me pajisje tjera logjistike, etj., ishte shumëfish më i madh i migracionit që koordinohej nga ky Klub, (Lëvizja dhe LDK-ja në Dyseldorf me rrethinë), se sa i gjithë emigracionit tonë në Amerikë. Por ja që emigracioni në Amerikë është ambientuar atje dhe di të imponohet, për ta prezantuar edhe pushkallën për pushkë, ndërsa emigracioni në Dyseldorf e Gjermani e ka ruajtur modestinë…
Anëtarë-veprimtarë të klubit ishin edhe Heroi Xhemajl Fetahaj, dëshmorët Jakup Kurtishi, Harun Beka, Xhemajl Nuha.
Për ata që do të kenë intersim për informacion më të zgjeruar, konkret, paralajmëroj se është duke u përgatitur libri për Klubin Shqiptar në Dyseldorf, që parashihet të prezantohet me rastin e 40-vjetorit të themelimit, në fund të marsit të këtij viti.


Dyseldorf, 1 korrik 1978: Në Klubin Shqiptar “Emin Duraku”, veprimtari Samedin Ilazi (në këmbë) duke lexuar, ndërsa ulur përballë tij janë: Shefqet Hashani, Nazmi Rahmani, Metalip Qoqa, Vehap Shita, Jusuf Buxhovi (kokëulur me shpinë të kthyer nga publiku) e shumë të tjerë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura