BAJRAQET KTHELLA, SELITA DHE SHKRELI

BAJRAQET KTHELLA, SELITA DHE SHKRELI

KTHELLA

Kthella është një prej bajrakëve që tradicionalisht ishin pjesë e grupit të Mirditës. Bashkë me Selitën dhe Rranzën (Bushkashin), quhen edhe “tre bajrakët e Ohrit”, dhe u bashkuan me grupin e mëparshëm prej pesë bajrakësh që përbënin Mirditën në atë kohë (Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Gani, Dibrri). Vendbanimet e Kthellës përfshijnë qendrën urbane të Mirditës, Rrëshenin, si dhe fshatrat Prosek, Përlat, Shebë, Tarazh, Ujë-Shtrez, Lurth, Kodër-Rrëshen, Malaj.

Përmbajtja 

1 Hyrje

2 Rezultatet

3 Prejardhja e fiseve të Kthellës

3.1 Trungu kryesor gjenetik: E-Y84585

3.2 Vëllazëritë e Perlatit

3.3 Linja të tjera atërore

Hyrje

Tradicionalisht, disa prej fiseve të zonës ruajnë kujtesën e prejardhjës së përbashkët, mirëpo në përgjithësi, Kthella mbahet si bajrak me prejardhje heterogjene, pra me disa vëllazëri me prejardhje të ndryshme. Rezultatet e mëposhtme nga testet Y-DNA verifikojnë saktësinë e këtyre tradiatve dhe tregojnë edhe prejardhjen më të hershme të vellazërive kryesore të bajrakut.

Kthella

Rezultatet

Search:

Fshati  Rezultati

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Tarazh E-V13>CTS9320>Y84585

Tarazh E-V13>CTS9320>Y84585

Fushë-Lumth   E-V13>CTS9320>Y84585

Kodër-Rrëshen      E-V13>CTS9320>Y84585

Kodër-Rrëshen      E-V13>CTS9320>Y84585

Shebë  E-V13>CTS9320>Z17107>Z38456

Shqalsh, Malaj E-V13>CTS9320>Z17107>Z38456

Prosek E-V13>FGC11450>Y140828

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Shebë  R1a-M417

Rrëshen     J1-M267>FGC11

Showing 1 to 19 of 19 entries

Prejardhja e fiseve të Kthellës

Me 19 rezultate deri tani, Kthella është zona më e testuar në Mirditë, prandaj edhe të dhënat mbi prejardhjen e Kthellës janë relativisht më të plota. Me këto rezultate mund të nxjerrim disa përfundime të rëndësishme mbi formimin e Kthellës si një njësi etnografike.

Trungu kryesor gjenetik: E-Y84585

Nga rezultatet dallohet qartë që Kthella përfshin disa linja të ndryshme atërore, pra është një bajrak heterogjen si prejardhje. Nga ana tjetër, një numër i madh vëllazërish rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët nga i cili kanë trashëguar vijën atërore E-V13>CTS9320>Y84585. Këto vëllazëri përbëjnë rreth gjysmën e rezultateve të deritanishme, dhe vijnë nga fshatra të ndryshme të Kthellës. Ky trung gjenealogjik gjendet sot në Prosek, ku përbën pjesën dërrmuese të popullsisë, në Tarazh, në Fushë-Lumth, në Kodër-Rrëshen dhe po ashtu edhe në Kthellë të Epërme. Numri i madh i vëllazërive që rrjedhin nga ky trung si dhe shpërndarja e gjerë në fshatra të ndryshme sugjerojnë se përhapja e tyre mund të ketë lujatur rol kyç në përmbledhjen e Kthellës në një njësi të përbashkët etnografike, duke përfshirë edhe shumë vëllazëri të tjera pa lidhje gjaku me ta. Duket se kjo linjë arriti të përhapej e të mbizotëronte në luginën që përfshin zonën nga Rrësheni deri në Prosek, kurse në pjesën tjetër mbetet një prej disa linjave të ndryshme atërore.

Si pjesë e haplogrupit E-V13 dhe degës CTS9320, kjo linjë është pasardhëse e fiseve të lashta të Ballkanit, me gjasë të pjesës qendrore/perëndimore të tij (ndoshta dardanët). Nga mesjeta e hershme ishte pjesë e etnogjenezës arbërore/shqiptare diku në trevat veriore shqiptare dhe sot gjendet në Mirditë dhe në Tiranë.

Vëllazëritë e Perlatit

Fshati Përlat është një rast i veçantë në Kthellë pasi të gjitha vëllazëritë e fshatit i takojnë një vije të përbashkët atërore, pa lidhje me linjën kryesore që gjendet në disa fshatra të tjera në Kthellë. Dimë se kjo vijë atërore e Përlatit është R1b-CTS9219>Z2705, gjithashtu me prejardhje nga fiset e lashta të Ballkanit. Por ndërsa linja kryesore në Kthellë është e rrallë jashtë saj, linja atërore e Përlatit gjendet në rreth 14% të meshkujve shqiptarë nga të gjitha trojet, të gjithë pasardhës të një burri të vetëm nga Antikiteti i vonë. Vlen të përmendet se në fshatin Përlat përmenden që në 1402 vëllezërit Pal dhe Tanush Përlati të fisit Dukagjinëve, po ashtu mendohet që edhe Pjetër Duka (Përlati) mund të ketë qenë nga ky fshat. Nisur nga homogjeniteti i fisit të sotshëm, përfshirë edhe familjen e sotshme Duka, mund të hamendësohet se personazhet e lartpërmendura mund të kenë pasur të njëjtën vijë atërore. Megjithatë, asnjë nga rezultatet e deritanishme nuk ka rezolucionin maksimal, prandaj mbetet të presim rezultate më të hollësishme për të nxjerrë përfundime më të sigurta.

Linja të tjera atërore

Mes linjave të tjera atërore në Kthellë, njëra, E-V13>Z38456 gjendet në Shebë dhe në lagjen Shqalsh të fshatit Malaj (familje me prejardhje të përbashkët në vijë atërore), po ashtu edhe në zona të tjera të Mirditës si në bajrakun e Dibrrit dhe atë të Fanit dhe duhet të jetë mes linjave me praninë më të hershme të vazhdueshme në Mirditë. Tri të tjerat janë gjetur në vetëm nga një familje deri tani, por nuk përjashtohet që mund të gjendet në të tjera në të ardhmen.

Ftojmë çdo të interesuar nga Kthella, dhe më gjerë nga Mirdita dhe të gjitha trojet e tjera shqiptare që të bëjnë nga një test Y-DNA dhe të anëtarësohen në projekt.

SELITA

Selita është një trevë historike e Mirditës. Tradicionalisht, Selita ishte një prej tre bajrakëve të Ohrit, bashkë me Rrazën dhe Kthellën. Bajrakët e Ohrit u bashkuan me grupin e Mirditës pasi në këtë të fundit bënin pjesë tashmë Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Dibrri dhe Fani. Ndër qendrat kryesore të Selitës janë vendbanimet Kurbnesh, Zajs, Bardhaj, Lëkundaj, Mërkurth, Trangë, Tharr, Lufaj, Kumbull, Gjoçaj, Zall-Gjoçaj, Lam i Madh, Dajç.

Përmbajtja

1 Tradita dhe burimet historike

2 Rezultatet gjenetike

3 Përfundime mbi prejardhjen e popullsisë në Selitë

Prej shpalljes së pavarësisë, këto fshatra kanë qenë herë nën administrimin e Shkodrës ose Lezhës, e herë të Dibrës ose Matit, shpesh edhe të ndara në dy njësi administrative të ndryshme.

Tradita dhe burimet historike

Sipas traditës, Selita është bajrak heterogjen në prejardhje, pra jo të gjitha familjet vijnë nga një trung i vetëm mashkullor, dhe familje të ndryshme mund të martohen mes tyre. Mark Tirta tregon se ka gojëdhëna për ndonjë lëvizje të hershme nga zona e Ohrit apo e Hotit, por thekson se lidhja e këtyre bajrakëve me Ohrin ka të bëjë më shumë me të qenit nën varësinë adminsitrative të Ohrit se sa me ndonjë prejardhje të popullsisë nga ajo zonë. Rrok Zojzi paraqet gojëdhënën e përhapur të prejardhjes nga Murr Dedi, ashtu si gjendet edhe ndër fise të tjera të Dukagjinit. Mirëpo vetë Selita, ashtu si vendbanimet e saj, madje në disa raste edhe familjet e veçanta, dalin herët nëpër dokumente historike, duke shfaqur një vazhdimësi prej të paktën 400-500 vitesh. Për shembull, fshatrat Selitë e Madhe dhe Selitë e Vogël shfaqen në regjistrin e vitit 1467 si pjesë e zonës së Urakës, kurse në 1671 Selita del tashmë i veçantë që në 1672 në relacionin e S.Gasparit. Familja Lufi, ndër më të njohurat e zonës, shfaqet e dokumentuar të paktën nga vitet 1671 dhe 1733, kurse familja Skura edhe më herët, që në periudhën e Skënderbeut në 1467.

Rezultatet gjenetike

Deri tani, në Projektin Shqiptar të ADN-së “Rrënjët”, kemi 10 anëtarë nga Selita. Rezultatet e tyre janë: J2b-L283>PH1751 (x6), I1-M253 (x2), E-V13>CTS9320>BY20093, R1a-M458>L1029>YP263>Y18892. Nga këto rezultate mund tëdalim në disa përfundime të rëndësishme.

Fshati  Rezultati

Kthellë e Epërme  E-V13>CTS9320>BY20093

Kthëlle e Epërme  R1a-M458>L1029>YP263>Y18892

Mërkurth   I1-M253

Lekundë     I1-M253

Lam i Madh     J2b-L283>PH1751

Lam i Madh     J2b-L283>PH1751

Zajs      J2b-L283>PH1751

Bardhaj      J2b-L283>PH1751

Lufaj     J2b-L283>PH1751

Trangë e Epërme  J2b-L283>PH1751

Showing 1 to 10 of 10 entriesPreviousNext

Përfundime mbi prejardhjen e popullsisë në Selitë

– Është e vërtetë që Selita është bajrak që përmban fise me prejardhje të ndryshme, gjë që dallohet lehtësisht nga fakti që të paktën katër vija të ndryshme atërore gjenden në territorin e saj, dhe të tjera mund të zbulohen me teste te reja në të ardhmen (psh dimë nga teste në 23andme që edhe linja R1b-CTS9219 është e pranishme në Selitë). Pra tradita është e saktë në këtë pikë.

– Edhe pse përgjithësisht Selita është fis heterogjen, trungu fisnor që rrjedh nga vija atërore J2b-L283>PH1751 është pa dyshim më i përhapuri dhe përmban një pjesë të mirë, ndoshta edhe shumicën e familjeve. Një prej këtyre familjeve, pasi ka kryer testin me rezolucion maksimal, ka përcaktuar edhe nëndegën J2b-PH1751>Y67581. Nga kjo linjë atërore kanë prejardhje familjet: Buraku nga fshati Zajs, Lufi nga Tranga e Epërme, Nikolli nga Bardhaj, Kaçorri nga Lufaj, Skura dhe Gjokola nga Lami i Madh. Siç shihet qartë, kjo vijë atërore është shtrirë pak a shumë në gjithë hapërisën e Selitës. Gjithashtu, duke qenë se familjet Skura dhe Lufi përmenden në Selitë që prej 400-500 vitesh, dimë që ky trung ka prani të vjetër në këtë zonë, por tashmë kemi të qartë edhe që këto familje të vjetra kanë prejardhje të përbashkët. Gjithashtu, nën J2b-PH1751>Y67581 një familje që prej të paktën disa shekujsh gjendet në Kërçovë ka afërsi më të madhe se të tjerat me linjën e Selitës, pra me gjasë të parët tyre janë shpërngulur nga Selita në një periudhë edhe më të hershme, gjë që përsëri flet për vjetërsinë e kësaj linje në Selitë. Nisur nga këto të dhëna mund të hamendësojmë se përhapja e këtij trungu fisnor gjatë shekujve 15-17 në fshatra të ndryshme ka qenë faktor i rëndësishëm në unifikimin krahinor të tyre, deri sa dalin në 1672 si një rajon i vetëm nën emrin Selitë.

Përveç linjës J2b-PH1751, mund të ketë edhe të tjera që janë përhapur në disa fshatra e që mund të kenë pasur rol përbashkues në procesin e formimit të trevës së Selitës. Linja I1-M253 është gjetur deri tani në anëtarë nga Mërkurthi dhe Lëkunda. Po ashtu, rezultate të ngjashme ka edhe në Bushkash të bajrakut të Rrazës, ku ruhet gojëdhëna e prejardhjes nga një zonë më veriore e Mirditës. Pra, ka të dhëna që edhe kjo linjë të jetë e vjetër dhe e përhapur në Selitë, mirëpo duhen rezultate më të thelluara nga kjo dhe linja të tjera atërore në Selitë për të nxjerrë përfundime më të sigurta.

– Gojëdhënat që lidhin Selitën me prejardhje nga Hoti, Ohri apo nga Murr Dedi nuk gjejnë mbështetje në rezultate gjenetike. Në fakt rezultatet e deritanishme nuk kanë zbuluar asnjë lidhje gjenetike as me Hotin dhe fiset e tjera rreth tij, as me grupin e fiseve të tjera që besojnë se vijnë nga Murr Dedi si Berisha, Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, etj. Gjithashtu, mund të përjashtojmë lëvizje të rëndësishme të popullsisë nga zona e Ohrit, pasi rezultatet janë më të afërta me trevat e tjera veriore, se me juglindjen. Nuk mund të përjashtojmë me siguri mundësinë që me testimin më të dendur të zonës, të zbulohen lidhje të ndonje familjeje të veçantë me fiset e lartpërmendura, por nëse flasim për Selitën në përgjithësi, pjesa dërrmuese e popullsisë duhet të jetë në të njëjtën treve të tre bajrakëve të Ohrit që në Mesjetë e vonë dhe më herët.

– Lidhur me prejardhjen më të largët të banorëve të Selitës, mund të thuhet pa dyshim se gjenetikisht janë të një profili karakteristik shqiptar. Shumica e linjave atërore lidhen me fiset e lashta të Ballkanit, me shumë gjasë me ilirët, si grupi i linjës J2b-PH1751. Mbi linjën atërore J2b-PH1751 mund të lexoni më shumë këtu: https://rrenjet.com/j-y21045/#J-PH1751_J-Z38299. Po ashtu edhe rezultati E-V13>CTS9320>BY20093 ka prejardhje nga shtresa ballkanike para-romake që u zgjerua përsëri duke nisur nga Mesjeta, nga pjesa veriore e trojeve shqiptare. Rezultatet më të afërta të kësaj linje, në rreth 1200 vjet largësi, vijnë nga zona e Pezës në Tiranë, nga një grup vëllazërish mes të cilave ekziston një gojëdhënë për prejardhje nga verilindja. Kurse një pjesë më e vogël e linjave atërore, si I1-M253 dhe R1a-L1029>Y18892 kanë prejardhje nga popujt që u vendosën në Ballkan gjatë mijëvjeçarit të parë e.s. Rezultatet I1-M253, siç theksuam më lart, duhen thelluar për të kuptuar më shumë mbi vendosjen dhe përhapjen e tyre, por në pjesën dërrmuese të rasteve lidhen me lëvizje nga Europa veriore, kryesisht me fiset gjermanike; kurse degët e R1a-L1029 lidhen më shpesh me lëvizjet e fiseve sllave, por duhet theksuar se dega R1a-L1029>Y18892 përfshin edhe një rezultat nga Çekia që sipas vlerësimit arkeologjik (jo me radiokarbon) i takon Epokës së Hekurit.

Kthella, Selita dhe Rraza, ashtu si gjithë Mirdita, paraqesin një trevë tepër interesante për studime gjenetike, jo vetëm për shkak të vazhdimësisë së dokumentuar onomastike, por edhe sepse popullsia e zonës është paraqet shtresëzime të njëpasnjëshme që përmbajnë si degë fisesh të përhapura shekujt e fundit, ashtu edhe familje të vjetra (anase) që banojnë këtë zonë që nga Mesjeta. Nisur nga larmia e lartë e linjave atërore, potenticali për zbulime të reja është shumë premtues. U bëjmë thirrje gjithë të interesuarve në zonë, por edhe nga gjithë trojet shqiptare, të na kontaktojnë që t’i udhëzojmë për kryerjen e një testi gjenetik.

_________

Burime:

Zojzi, Rr. (2018) [1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

Tirta, M. Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj. Marrë me 28 shtator 2021 nga https://mirdita.com/threads/mirdita-e-mo%C3%A7me-e-migrime-t%C3%AB-popullsis%C3%AB-s%C3%AB-saj.755/.

Faqja “Mirdita: Histori dhe Aktualitet” në Facebook: https://www.facebook.com/MIRDITAHistori-dhe-aktualitet-379148285430852.

SHKRELI

Shkreli është ndër fiset kryesore të Malësisë së Madhe. Territori i Shkrelit shtrihet përgjatë luginës së Lumit të Thatë, duke u kufizuar me Kastratin, Kelmendin, Bogën, Shalën, Planin, Rrjollin, Reçin, Lohjen. Fshatrat e Shkrelit janë Vrithi, Bzhetë, Zagora, Dedaj, Ducaj, Xhaj, Makaj, Grishaj.

Shkreli në histori dhe gojëdhëna

Shkreli nis të përmendet në dokumenta historike nga shekulli i 15, kur del si vendbanim në trevën ku gjendet edhe sot, dhe mbiemër i banorëve të disa fshatrave të ndryshme në zonën mbi Shkodër (Zamputi, 1977). Sipas një gojëdhëne thuhet se Lekë Shkreli ishte i pari i fisit, dhe djemtë e tij Vrith, Dedë, Buzhetë dhe Zog formuar fshatrat kryesore të fisit: Vrith, Dedaj, Bzhetë dhe Zagore (Ukgjini). Ka hipoteza të ndryshme për vendin nga erdhi Leka me të bijtë: një version i mbledhur nga në 1858 thotë se i pari i fisit erdhi nga Peja (Hecquard, 1858), Rrok Zojzi përmend Fushën e Kosovës (1944), kurse një version tjetër më i njohur thotë se Leka mbërriti nga Bosnja (Durham, 1908; Nopsca 1912; Ukgjini), por duhet thënë se në shekujt e kaluar edhe territore të afërta që sot janë pjesë e Malit të Zi thirreshin Bosnje.

Kujtesa e trashëguar thekson se të parët e këtij trungu gjeneaologjik gjetën në Shkrel një popullsi më të vjetër, nga të cilët mbetën vetëm pak familje, kurse të tjerat u larguan. Nga këta banorë të vjetër, sipas të gjitha gojëdhënave, rrjedhin banorët e fshatit Xhaj, dhe sipas Ukgjinit edhe Vukajt, Kolajt, Kapllajt, Luizi dhe Tuçajt. Rrok Zojzi tregon:

“Kur fisi i Shkrelit u dynd prej fushës së Dardhanis (Kosovës), kaloi bjeshkët dhe i ra në shpinë Xhanit qi banojshin në tokën ku sot banon Shkreli. Xhajt luftuen sa mujten e në fund u dbuen dhe u ndoqën prej Shkrelit gjatë luginës së Prronit të That. Xhani i lodhun, nji pjesë i briti Shkrelit “në dorë t’ande, mos më çart”, e nji pjesë tjetër u kap mbi qafë të Shtogut e duel në Pult ku përtrini Xhanin edhe atje.”

Që në fillim të shekullit të 17 Shkreli del si njësi e veçantë, pasi përmendet nga Bolizza me 65 shtëpi dhe 43 burra të armatosur nën udhëheqjen e Gjon Parubës. Pas kësaj periudhe Shkreli vijon të zjgerohet deri sa mbërrin në rreth 600 shtëpi në 1900. Përveç Shkrelit në Malësi të Madhe, shumë shkrelas u zhvendosën edhe në treva të tjera, si në Sanxhak, në Rugovë e më tej në Kosovë, në Shestan, në trevat fushore bregdetare mes Shkodrës e Lezhës, etj. Ka edhe fise të tjera që kujtojnë prejardhjen e tyre nga Shkreli, edhe pse tashmë nuk e mbajnë veten pjesë të këtij fisi, si psh Bytyçi (Rrok Zojzi thotë në 1962 se Shkreli e Bytyçi ishin një Mal që u nda në dy fise), Markajt e Margegajt në Tropojë, Vrithi e Dedajt në Pukë, Shëngjini në Mirditë, etj. Kurse Boga thuhet se ka qenë pjesë e Shkrelit përpara bashkimit me Kelmendin, por nuk ka gojëdhëna konkrete për lidhje gjaku.

Rezultatet gjenetike

Në databazën e projektit kemi, deri tani, 14 anëtarë të fisit Shkrel. Prej këtyre, 10 janë nga Shkreli në Malësi të Madhe, kurse 4 nga zonat e tjera të banuara nga anëtarë të fisit.

Fshati  Vëllazëria   Rezultati

Grykë Lugje            J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Ducaj   Bzheta J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Dedaj   Dedaj   J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Dedaj   Dedaj   J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Poicë   Dedaj   J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Zagorë Zagora J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Makaj         J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Makaj         J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Fushë Kosovë, Prishtinë          J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Xhaj     Xhaj (anas)      R1b-M269>Z2705>BY105603>Y177774

Xhaj     Xhaj (anas)      R1b-M269>Z2705>BY105603>Y177774

Lezhë          E-V13>Z5018>S2979>L241>PH2180

Klinë, Pejë        I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294

Vogovë, Gjakovë          I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294

Showing 1 to 14 of 14 entries

Nga këto rezultate, disa përfundime rreth prejardhjes së shkrelasve janë tashmë të qarta.

Përfundime

– Trungu kryesor gjenealogjik në Shkrel i takon vijës atërore J2b-L283>Y23094>Y82533. Kjo linjë është gjetur në të gjithë fshatrat e Shkrelit, përveç fshatit Xhaj. Pra Shkreli është fis mjaft homogjen dhe gojëdhëna që tregon se Vrithi, Zagora, Dedajt dhe Bzheta kanë prejardhje të përbashkët është e saktë. Prejardhja e largët e kësaj linje lidhet me fiset e lashta të Ballkanit, gati me siguri me ato ilire (më shumë rreth kësaj linje mund të lexoni këtu). Lidhur me kohën e vendosjes në Shkrelin e sotshëm, vjetërsia e nëndegës sugjeron së paku periudhën e Mesjetës së vonë, ndoshta edhe më herët. Ka mundësi që në vend të zëvendësimit të një fisi të vjetër me një fis të ardhur rishtaz, gojëdhënat kujtojnë përplasjet që lindën si pasojë e fuqizimit dhe zgjerimit të njërit prej fiseve të zonës kundrejt fiseve të tjera.

– Duke parë shpërndarjen dhe larminë e linjës atërore J2b-L283>Y23094>Y82533, mund të thuhet me siguri se të parët e Shkrelit nuk kanë prejardhje nga Bosnja, por nga pjesa veriore e trojeve shqiptare, të paktën nga Antikiteti i vonë deri sot, kurse prania në Ballkan është të paktën 4200 vjeçare.

– Familjet anase të Shkrelit kanë vazhdimësi sot në fshatin Xhaj, ku familjet e testuara nuk i takojnë trungut kryesor gjenealogjik, por një linjës atërore R1b-Z2705>BY105603. Edhe kjo është linjë e vjetër në Ballkan por pa lidhje me linjën e mësipërme (më shumë rreth kësaj linje mund të lexoni këtu). Përveç gojëdhënave, edhe rezultati mbështet vjetërsinë e Xhajit në këtë zonë, pasi kjo linjë është gjetur edhe ndër fise të tjera anase të Malësisë e përreth. Kurse ndër familjet e tjera që përmenden si anase, deri tani, rezultatet thonë se kanë prejardhje të njëjtë me trungun kryesor të fisit.

– Ndër familjet shkrelase që banojnë jashtë territorit të fisit në Malësi të Madhe, vetëm disa kanë përputhje me trungun kryesor të fisit. Për familjet nga Peja dhe Fushë-Kosova, përputhja gjenetike me fisin në Malësi tregon për prejardhjen e tyre nga kjo zonë. Po ashtu, në projektin boshnjak të ADN-së ka anëtarë nga zona e Sanxhakut të cilët gjithashtu përputhen me linjën atërore të Shkrelit në Malësi. Një pjesë e këtyre kanë ende ose mbiemrin Shkreli ose ruajnë kujtimin e prejardhjes nga ky fis. Edhe një familje nga zona e Muriqanit, e cili tashmë e ka humbur lidhjen me fisin, lidhet në rreth 300 vjet (10 breza) me shkrelasit në Malësi. Në rastin e rezultatit nga Lezha me haplogrup E-V13>PH2180, nuk ka përputhje me anëtarët nga Shkreli, mirëpo rezultati është tipik për Malësinë, prandaj ka mundësi që bëhet fjalë për ndonjë familje anase të larguar. Kurse familjet nga zona e Gjakovës, të linjës atërore I1-M253>Y60985, kanë prejardhje nga Puka (Kçira dhe Komani). Nuk është e qartë nëse identifikimin si shkrelas e kanë trashëguar gjithashtu si të larguar nga Shkreli, apo e kanë përvetësuar diku mes Pukës dhe Gjakovës, por nisur nga mungesa e plotë e haplogrupit I1 në Malësi, gjasat anojnë nga mundësia e dytë.

– Fiset e tjera që tregojnë prejardhje nga Shkreli, si Bytyçi, Markajt e Margegajt në Tropojë dhe Shëngjini në Mirditë, u takojnë linjave të ndryshme atërore, pa lidhje gjaku me fisin e Shkrelit. Nga Dedajt dhe Vrithi i Pukës nuk kemi rezultate, mirëpo nisur nga rezultatet e fshatrave përreth me të cilat kanë afri, ka më shumë gjasë që edhe këto fshatra mos të lidhen me Shkrelin. Po ashtu, nëse Boga ka qenë pjesë e Shkrelit, lidhje gjaku nuk ka pasur pasi familjet e Bogës janë kryesisht të linjës atërore E-V13>CTS9320>Z16988>BY62310.

Mbeten disa familje të Shkrelit në Malësi të Madhe që ende nuk janë testuar. Po ashtu mbeten për t’u testuar shumë shkrelas nga treva të tjera, si nga Shestani, nga disa zona të Kosovës dhe nga zonat fushore rreth Lezhës. Ka mundësi që testimi i këtyre familjeve të zbulojë edhe ndonjë linjë tjetër atërore që tashmë nuk gjendet në trojet e fisit në Malësi.

———–

Burime

Durham, M. E. (1928). Some tribal origins, laws and customs of the Balkans (p. 301). London: Allen & Unwin.

Elsie, R. (2015). Fiset Shqiptare. Artini: Tiranë.

Hecquard, H. (1871). Histoire et description de la Haute-Albanie ou Guégarie, Paris 1857.

Nopcsa, F. (1912). Beiträge zur Vorgeschichte und Ethnologie Nordalbaniens. Holzhausen.

Nopcsa, F., Malaj, E., Verli, M., & Zallari, M. (2013 (1908)). Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë.

Ukgjini, N. Shkreli: Një vështrim i shkurtër historik. Marrë nga http://kulturserver-hamburg.de/home/shkodra/shkodra/shkreli.html, 23 mars 2022.

Zamputi, I. (1977). Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417. Akad. e Shkencave, Inst. i Historisë.

Zojzi, Rr. (1944). Fisi si njisi politike: Fisi-Shtet. Hylli i Dritës, 1944 (5), f. 63.

Zojzi, Rr. (2018)[1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

—————————————–

PREJARDHJA GJENETIKE E SHQIPTARËVE

***

Nr. 3-4 Studime Historike 2021

PREJARDHJA E FISEVE KRASNIQE E NIKAJ NËN DRITËN E TË DHËNAVE GJENETIKE, HISTORIKE DHE TRADITËS BURIMORE

Nga Alban Lauka, Ardian Muhaj & Gjergj Bojaxhi

***

FISI BERISHA

***

BAJRAQET KABASHI DHE QERRETI

***

FISI BYTYÇI

***

FISI GASHI

***

FISI KELMEND

***

BAJRAQET KTHELLA, SELITA DHE SHKRELI

***

PREJARDHJA GJENETIKE E FAMILJEVE FISNIKE DHE FEUDALE SHQIPTARE

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura