BAJRUSH XHEMAILI: NË BURG ME UKSHIN HOTIN

(Pashtriku.org, 15. 05. 2012) – Kisha dëgjuar e lexuar aq shumë për profesorin e nderuar Ukshin Hoti, por që asnjëherë nuk më kishte rënë ta takoja. Për herë të parë e takova në burgun “Dubrava” të Burimit (Istogut). Fillimisht shiheshim prej së largu nga shetitoret e pavijoneve. Unë isha në Pavionin C1 e ai në pavionin pranues. Edhe prej kësaj distance nuk e kishim vështirë (ne që ishim këtej), ta dallonim: shtatëlartë, shpatullgjerë, pak i kërrusur dhe pothuajse gjithëherë me një mjegull tymi përreth, nga të pirët e shumtë të duhanit. Fati deshi që kur e sollën në pavionin tonë të gjendemi në një dhomë, derisa të lirohej ndonjë krevat në dhomat e mbushura përplot.
Ukshin Hoti – Intelektual me njohuri e thellësi të rallë gjykimi
     Ky intelektual me diapazon të gjerë njohurishë për fusha të ndryshme e me thellësi të rallë gjykimi, në të parë, e linte përshtypjen e një njeriu të ngrysur e të tërhequr në vete dhe jokomunikues. Por, në të vërtetë, në diskutimet e polemikat e gjata që i bënim në burg, ishte fort aktiv, i rreptë dhe i pakompromis. Karakteristikë tjetër që dallohej lehtë ishte se e brente shumë gjendja familjare e ngarkuar me probleme të shumta, në veçanti dëshprohej për pësimin e tre fëmijëve, për shkak të ndarjes me dy gratë që i kishte pasur. Përmasat e kësaj dhembjeje zmadhoheshin edhe më shumë me rastin e vizitës që i bënte djali i tij Andini. Kur kthehej në pavion, pas çdo vizite, e komentonte gjendjen shpirtërore dhe fizike të Andinit. I dukej i padisponuar, se ngadalë po rritej dhe se çdo ditë e më shumë po bëhej më i hajthëm. Merakosej jashtëzakonisht shumë për të. Por mbi të gjitha të tërhiqte vëmendjen shpirti i tij kryengritës. Karakteri i tij nuk lejonte një soditje indiferente të të gjitha atyre padrejtësive që u bëhshin të burgosurve politikë, ashtu edhe atyre ordinerë, madje ai nuk të hezitojë që të bëjë edhe grevë urie për ta. Puna erdhi deri aty sa eprorët e burgut nuk mund ta duronin më këtë kryengritës të papërmirësueshëm. Prandaj edhe do ta transferojnë në burgun e Nishtit. Atje, pastaj, do të vazhdojë përsëri të mbajë burgun në mënyrën e tij, që s’ishte e rëndomtë shikuar nga këndi i atyre që bëjnë plane djallëzore. Letrat e shkruara nga ai, dërguar motrës së tij Myrvetes (tanimë të botuara dhe të njohura për publikun e gjerë), dhe qëndrimi i tij dinjitoz para tyre, i trazoi shpirtërat e eprorëve të burgut. Dhe, padyshim, edhe përgjegjësit e burgjeve në nivelet më të larta të shtetit serb. Për këtë arsye edhe do ta transferojnë në burgun e Mitrovicës së Sremit.

_______________________________

50 ditë nën tortura e vetmi
     Në burgun e Mitrovicës së Sremit, e priste një ndër drejtorët më mizorë që hasen nëpër burgje, kudo qofshin ato. Për torturat që u kishte bërë të burgosurve politikë kroatë, thuhej se akuzohej edhe nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës. Të njëjtat tortura shtazarake organizonte edhe për ne shqiptarët të cilëve na patën transferuar qysh më 30 prill të vitit 1998 dhe atyre që patën ardhur më vonë. Sidomos grupin në krye me Nait Hasanin, e ka torturave do t’iu nënshtrohet edhe profesor Ukshini për rreth pesëdhjetë ditë me radhë, sa edhe do ta mbajnë në vetmi. Ai më vonë, kur do takohemi në një dhomë të përbashkët, do të na rrëfejë për mizorinë që është bërë mbi të: “Nga të rënat e fuqishme e pa kontroll, fillimisht mu duk se më shkoi njëri krah, pastaj krahu tjetër, më vonë shpina, këmbët… Thjesht kisha ndjenjën, dhe isha bindur, se e kishin vendosur të më mbysnin duke më troturuar”. Dhe pas gjithë kësaj, atë nuk do ta sjellin më në dhomë të përbashkët me ne të burgosurit politikë shqiptarë, por do ta vendosin në një vend me të burgosur të tjerë për vepra të ndryshme ordinere me përkatësi të ndryshme kombëtare. Në të vërtetë, edhe pse ne ishim në një izolim të plotë, ai do ta kishte më lehtë në shoqëri me ne se sa me ata të burgosur ku dominonin kriminelët serbë, por që kishin një tretman ku ishin më të lirë.
Lajmin mbi sulmet e NATO-s, na e dha profesor Ukshini
     Ne ishim se bashku (gjithsej 44 të burgosur politikë shqiptarë) edhe dy ditë pas fillimit të bombardimeve të paktit NATO mbi caqet serbe, kur e sollën edhe profesor Ukshin në dhomën tonë, me ç’rast na e dha lajmin e gëzuar të atij sulmi aq të pritur nga shqiptarët. Aty do të na mbajnë deri më 26 prill 1999, kur na transferojnë për në burgun e Nishit, po aq famëkeq sa edhe i Mitrovicës së Sremit. Në Nish do të na presë “shpaliri” i përbërë pothuajse nga i gjithë potenciali i gardianëve të atij burgu. “Shpaliri” është ajo metodë torturimi ku gardianët janë të radhitur në dy radhë dhe i burgosuri duhet të kalojë përmes këtyre dy radhëve. Policët qëllojnë ku, si dhe sa të duan, derisa të ngopen. Ishte një rrahje tamam shtazarake ku, përpos shqelmave dhe shufrave të gomës që janë të rëndomta gjatë të rrahurit, u përdorën edhe drunj të thjeshtë, shkopa bejsbolli dhe shufra hekuri. Rrodhi shumë gjak e u thyen eshtra. Mjer ai që rrëzohej! Duhej që ndonjë i burgosur të rrezikojë veten edhe më shumë për ta nxjerrë nga situata e tillë ngaqë të rënat nuk pushonin. Shumë të burgosurve u binte të fikët. Radha i erdhi edhe profesor Ukshinit. Në atë rrëmujë, fillimisht nuk e vërejtën ata të cilët sillnin sa mundnin. Por kur njëri e dalloi se ishte profesori, i gëzuar bërtiti: “Shiko, shiko! Qenka kthyer profesori!”. Dhe yrysh në të edhe më me forcë se gjer atëherë. Profesori kur dëgjoi atë të thënë ironike, ashtu siç ishte i kërrusur në një pozicion mbrojtës, u drejtua dhe krenar e stoik eci përpara, duke i përballuar të gjithë ato të rëna! Atë natë do të na rrahin edhe disa herë me radhë dhe do të na ndajnë në dy dhoma të mëdha. Profesorin e vendosën në dhomën tjetër. Pastaj do të na torturojnë edhe nga disa herë përgjatë dy ditëve e dy netëve të tjera, deri në mëngjesin e 29 prillit, kur edhe do të na urdhërojnë të bëheshim gati për transfer të ri. I burgosuri kurrë nuk e di se kur e ku do të transferohet. Vazhdimisht e bren kurreshtja që shoqërohet me frikë se do ta ketë më keq se deri atëherë. Kjo enigmë, se ç’do të bëhet me ne në ato rrethana tejet dramatike, kur Serbia po bënte përpëlitjet e fundit kishte një peshë tepër të madhe në kokat tona. Aq më tepër na brente fakti se nuk kishte më shumë se tri netë që na kishin sjellur në Nish. Për ku, vallë, na çojnë?! Ashtu si në Mitrovicë të Sremit, edhe këtu, na lidhën me duar prapa secilin veç e veç dhe pastaj të gjithëve na lidhën me një zingjir të gjatë të cilin njëherit e përforconin për karriga të autobusit. Transferimin nuk e bënë vetëm për ne që patëm ardhur nga Mitrovica e Sremit, por për të gjithë ata të burgosur politikë të cilët kishin qenë në burgun famëkeq të Nishit. U mbushën tre autobusë me të burgosur. Profesor Ukshini ishte një karrigë para meje, por nuk arrijtëm ta ndërrojmë qoftë edhe një fjalë gjatë rrugës, ngase jo vetëm që s’lejohej të flisnim, por duhej që edhe kokën ta mbanim aq ulur sa të mos mund të shihnim asgjë, përndryshe do të pasonin rrahjet mizore. Pas dite u zgjodh enigma: arritëm në burgun “Dubrava”, tamam një ditë pa u mbushur një vit që kur na kishin hequr nga ky burg.
E dinim të gjithë: aty na kishin sjellur për të keqen tonë
     Kthimi në Dubravë të gjithëve na befasoi. Të gjithë jipnim ndonjë version të mundshëm se përse na kishin khyer aty. Një e dinim të gjithë: aty na kishin sjellur për të keqen tonë. Para një viti, prej këtu na kishin shpërndarë në burgje të ndryshme nëpër Serbi, me arsyetim se në Dubravë nuk kishte siguri për ne, e tani na kthyen e na grumbulluan aty, në pasigurinë më të madhe të mundshme, në kohën kur UÇK-ja ishte shumë më e fortë se një vit më parë, NATO-ja sulmonte pandërprerë nga ajri dhe mu atëherë kur ushtria serbe po bënte krimet më të mëdha në popullsinë shqiptare. Në fakt ne e dnim se pas transferimit tonë nga Dubrava, në vend të të burgosurve i patën sjellur paramilitarët serbë dhe konkretisht “Tigrat” e Arkanit. Ndërsa, para se të ktheheshim ne, ata i kishin hequr. Dhe, në këtë drejtim gjakatarët serbë llogaritë i kishin bërë me përpikmëri. Duke parë se edhe bazës ushtarake serbe, më të fortës në Rrafshin e Dukagjinit me qendër në drejtorinë e burgut të Dubravës, i kishte ardhur koha të bombardohej, na kishin sjellur neve që, në rast të bombardimit, të mos e pësonin paramilitäret, por të burgosurit. Këtë rrezik e ndjenim ne, por s’kishim se ç’të bënim, përpos të prisnim se ç’do të ngjajë me ne. Në këto rrethana, padyshim që ishim të tensionuar edhe pse gjendeshim në Kosovë. Profesor Ukshini kishte edhe një arsye më shumë të ndjehej keq shpirtërisht, sepse kishte një enigmë më shumë: si të arrinte që pas lirimit të kthehej te familja, apo në një vend të sigurt, pse thjesht ku do të mund të vazhdonte jetën pas burgut? Ai, si edhe ne të tjerët, nuk kishte mundësi të dinte asgjë për familjen dhe të afërmit e tij. Edhe nga ato pak informata që arrija t’i merrja nga një i burgosur ordiner i cili punonte në kuzhinë nuk arrinim të fomonim ndonjë pasqyrë sado sipërfaqësore për gjendjen e krijuar. Nga ato letra të vogla, me aq rrezik qarkullimi deri tek unë, mund të kuptonim se bëhej një luftë e rreptë, nga ajri e nga toka dhe se shumë shqiptarë ishin shpërngulur e shumë ishin të vrarë e masakruar. I tregoja profesorit dhe atyre që u besoja, po mu këto lajme e shqetësonin dhe e bënin edhe më nervoz profesorin. “Kam vendosur definitivisht për një punë: do të shkoj drejt e në Krushën time, dhe pikë! Nga dita që u kthyem, i kishin mbetur vetëm edhe 18 ditë për t’u liruar dhe çdo ditë që afrohej ishte më i shqetësuar. Si, dhe ku të shokonte?! Më në fund na tha: “Kam vendosur definitivisht për një punë: do të shkoj drejt e në Krushën time, dhe pikë!”.
     Momenti i daljes i erdhi papritmas. Ora e saktë nuk dihet në burg, ngaqë orë nuk lejohet të mbahet, por gjithsesi duhet të ketë qenë ndërmjet orës 10 dhe 11 në paraditën e ditës së dielë (!!!), të datës së 16 majit 1999, do të thotë një ditë para afatit. Fakti se lirohej ditën e dielë ishte për t’u habitur. Me asnjë normë nuk lejohet dhe as që ka ndodhur ndonjëherë që të lirohet ndokush të dielave. Nëse dikujt i bie data e lirimit ditën e dielë, atëherë ai i burgosur lirohet një ditë më parë. Një gjë e tillë më ka ndodhur edhe mua kur jam liruar herën e parë nga burgu i Pozharevcit, ku në vend se të lirohem të dielën më 14 tetor 1990, jam liruar të shtunden, më 13 tetor. Dikush hyri në dhomën tonë dhe lajmëroi se baca Ukë po shkon në shtëpi dhe për ta nxjerrur nga burgu paska ardhur mbikëqyrësi (“nadzorniku”) i pavionit tonë, Branku, me mbikëqyrësin e Pavionit C1. Kjo do të thoshte një përcjellje e një niveli të lartë dhe jo e zakonshme. Në të vërtetë, gjykuar sipas fjalëve të një gardiani, i cili pothuajse i vetmi ende sillej korrekt me disa që kishim ndejtur me vite në Dubravë, në lidhje me datën e mënyrën e lirimit të profesorit është mbajtur mbledhje e veçantë dhe është debatuar gjatë se ç’të bëhet me të. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet e thëna e tij, kur 3-4 ditë para se t’i vie dita e daljes nga burgu thotë: “E, profesor, e kemi vendosur të të lirojmë, le të dalë ku të dalë”.
“Dua t’ju përshëndes vetëm me një: Mirupafshim!”
     Sapo mora lajmin se po e lironin nga burgu, me të shpejtë vendosa të shkoj për t’u përshëndetur me të, ngaqë kur arrijnë gardianët për ta marrë të burgosurin nuk lejojnë që me të të përshëndetesh ashtu siç ta do zemra. E dija edhe atë se gjatë të përshëndeturit do të bëhet kallaballëk. Dhomat i kishim një mur ndërmjet. E ftova edhe Nait Hasanin dhe hymë në dhomën e tij. Kishte qenë në dhomë duke ecur dhe duke i dëgjuar komentimet e “cimerave” të tij. Edhe unë, sapo hyra në dhomë, më shumë për t’i dhënë kurajo, në dhomë, më shumë për t’i thënë se si duket është shenjë e mirë që kanë ardhur të dielën të ju lirojnë, pasi ky duhet të jetë insistim i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe me ta, me siguri, ka ardhur edhe motra juaj Myrvetja. Në të vërtetë unë i thashë diçka çka kishim dëshirë të bëhej e që edhe më parë e kishim thënë. Sido që të ishte, kjo ndikoi pozitivisht në disponimin e tij në ato momente ankthi, për të gjithë ne. Dhe, menjëherë u përshëndetëm. Sapo deshi edhe dikush te përshëndetet me të, tha: “Jo, nuk dua të përshëndetem më me askend, sepse nuk dua këtë ta marrë si ndarje, nga që së shpejti do të vini edhe të gjithë ju, prandaj dua t’ju përshëndes vetëm me një mirupafshim”. Këtë e kuptuam si përpjekje të tij për të na dhënë kurajo. Ne, pastaj, dolëm nga dhoma dhe deri në nisje ishte vetëm me “cimerat” e dhomës së tij. Pas pak minutash, profesori i respektuar Ukshin Hoti, i përcjellur nga dy mbikëqyrës, do të niset drejt dyerve të daljes së burgut. Dhe ne nuk e kemi parë më. Në të vërtetë të burgosurit ordinerë që punonin jashtë do të na tregojnë edhe se profesorin e kanë parë edhe kur ka kaluar jashtë mureve të brendshme të burgut. Asgjë më shumë. Pas pak ditësh u përhap fjala se gjoja Kryqi i Kuq Ndërkombëtar e paska përcjellur gjer në Itali dhe të gjithë u gëzuam pa masë se më në fund paska shpëtuar nga kthetrrat e regjimit kriminal, njeriu që aq shumë i nevoitet Kosovës. Madje aq shumë e besuam këtë të pavërtetë sa që kur më 19 maj NATO bombardoi burgun, çudtieshim se si profesori nuk paska arritur t’i infomojë qarqet e caktuara ndërkombëtare se në burg tani jemi ne të burgosurit shqiptarë, e jo paramilitarët serbë. Ne nuk mund ta dinim se me të kaluar muret e burgut profesorit do t’i humbë çdo gjurmë dhe nuk do të dijë kush ndonjë gjë për të, aq sa të kuptohet se është gjallë.
     Dhe, vërtet, ku mund të jetë Ukshin Hoti?
     Kur na transferuan në burgun e Lipjanit (pas masakrës në Dubravë), një i burgosur ordiner shqiptar, i cili pastronte korridorin dhe WC-të e pavionit tonë, një ditë, diku kah 5 qershori 1999 vjen dhe më thotë në fshehtësi prej të tjerëve: “Kam dëgjuar dy gardianë duke i thënë njëri-tjetrit: Ou, atë e ka vrarë ushtria, sapo ka dalur 300 metra larg burgut.” Pastaj, ai shton se gardianët nuk e kanë vërejtur ku ky i ka pëgjuar. Andaj nuk mund të merret si provokim ndaj tij.
Videokaseta – përgjasimet dhe hamendjet
     Pikërisht rreth 300 metra larg burgut, aty kah muaji shtator 1999 është gjetur një kufomë. Kjo edhe mund të jetë koincidencë. Por, vëllai dhe dhëndrri i Ukshinit, këtë kufomë e kishin incizuar (filmuar) me kamerë. Ata erdhën te unë, në shtëpinë time, që gjatë shikimit të videokasetës, t’iu thoja diçka se mos mbaja mend ndonjë robë që ka pasur të veshur profesori. Dhe, për çudi, shumëçka përputhej me atë veshmbathje që kishte Ukshin Hoti në burg. Përsëri mund të jetë koincidencë, por këpucët që kam parë në videokasetë ishin të ngjashme, për të mos thënë të njëjta, me të Ukshin Hotit. Gjithashtu farmerkat kanë mundur të jenë të njëjtat. Ato më kujtonin rastin, që e dija fare mirë, kur një i burgosur ia pat dhuruar profesorit një palë, pak ditë para se të dilte nga burgu. Kufoma që e shihja në videokasetë e kishte një xhemper karakteristik, ashtu siç e kishte dhe siç e mbante veshur edhe profesori. E vetmja rrobë e cila nuk më kujtohet se u ngjante rrobave të tij ishte një sako e lëkurës. Edhe gjatësia e kufomës ishte e përafërt në mos edhe e njëjtë me të profesorit. I vëllai i Ukshin Hotit, Afrimi, më tha se e ka shqetësuar edhe një çështje në lidhje me kufomën: kufoma e të vëllait tjetër Ragipit që tashmë e kishin gjetur më parë, e kishte kokën e masakruar. Kjo koincidencë e kufomës poashtu pa kokë të gjetur e të filmuar 300 metra larg burgut, e shqetësonte pa masë. Vallë mos ishte ky një sinjal e veçantë!!! Megjithkëto supozime, hamendje e koincidenca, që mbyllin shtigjet për të shpresuar, ka edhe zëra në mediumet tona informative që na japin zemër se një ditë profesori do të kthehet në Kosovën që aq shumë e deshi dhe aq shumë bëri për të. Uroj që këto, të cilat thuhen e shkruhen nëpër mediume të ndryshme infomative në favor të kthimit të tij, të bëhen realitet sa më shpejt. Kosovës i duhet Ukshin Hoti. Padyshim, i duhet shumë.
Bajrush Xhemaili
Prishtinë, më 12 maj 2000

___________________________________

…………………………..

________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura