Halil Alidema – Meteorë Lirie (15)

Halil Alidema – Meteorë Lirie (15)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 9 Korrik 2021

NJË ÇIFT BASHKËSHORTOR – JETUAN PËR NJË IDEAL TË PËRBASHKËT KOMBËTAR

“Bija e sojit, ta le djalin e fjalën”

Halil Alidema e Teuta Kryeziu – Alidema u pajtuan në jetë, jo vetëm si çift  bashkëshortorësh, por edhe si shokë shkolle, si shokë të jetës, si prind të një familje të përkryer, sepse e gjeti fati – fatin, populi ynë thotë: “martesa është o fat – o taksirat”, e për ta ishte fat që u gjetën dy të rinj, duke krijuar një familje të mrekullueshme. Pra, ishin jo vetëm një çift bashkëshortorësh ideal, por edhe një çift që jetonin, punonin e vepronin vijimisht të udhëhequr dhe të prirur nga një ideal i përbashkët. Ky ideal ata i ushqeu tërë jetën dhe ky ideal ata i bashkoi në jetë më tepër se çdo gjë tjetër. Dhe kudo që shkuan, punuan e vepruan, ata bashkë me emancipimin edukativ – arsimor, përhapën edhe idealin kombëtar. Qoftë te nxënësit e tyre, qoftë te prindërit e nxënësve, te shokët e miqtë, te fqinjt, ata zgjonin ndjenjat kombëtare, ngrenin vetëdijen atdhetare, edukonin dhe arsimonin popullin e vet në frymën e dashurisë së kulturës kombëtare, në frymën e respektit të traditave kombëtare që ta duanin popullin e atdheun dhe kur atdheu të ketë nevojë për ta, ata t’i dalin zot atij. Ata gjithnjë kishin parasysh porosinë: – Mos shiko se ç‘bën atdheu për ty, por ç‘bëre ti për atdheun.

Prandaj kurrë nuk u bazuan se ç‘interes kishin nga populli, por çfarë interesi kishte populli prej tyre.

Ky çift bashkëshortorësh ideal e ndërplotësonin njëri – tjetrin.

Rrezet e dritës së dijes dhe arsimimit e të edukimit, frymën e dashurisë për liri, për atdhe, të cilën Halili e përhapte në odat e burrave anemban Kosovës, Teuta këtë punë e bënte te bijat, motrat e nënat shqiptare amëvise e shtëpiake, vekatore e magjatore, qendistare e korrëtare, udhëtare e përbashkët në jetën bashkëshortore me burrat e tyre. E shikonin Teutën si engjëllin, që kishte zbritur nga qielli, e dëgjonin atë me vëmendje, e donin dhe respektonin si bijë, si motër, si mësuese, si shpëtimtare, si diç të shenjtë. Fjala e saj kishte peshë e vlerë, ajo kurrë nuk kundërshtohej, ndaj e donin dhe lakmonin të ishin si ajo, në mos vet së paku, nesër bijat e tyre, mbesat e stërmbesat të bëheshin si ajo. Sepse mësueset në kohën e saj ishin të rralla. Kështu ky çift bashkëshortorësh punonin e vepronin kudo që shkonin me zell të madh e me përkushtim të veçantë, jo vetëm të arsimonin nxënësit e popullin, por edhe t’i edukonin në frymën e nacionalizmit shqiptar, t’i përgatitnin e t’i aftësonin jo vetëm ta donin atdheun, por edhe të vdisnin për të kur e kërkon nevoja, kur atdheu gjendet në rrezik. Ata këtë ide e përhapnin në popull, sepse populli kishte besim në ta.

Sepse besimi vlen më shumë se jeta jonë, më shumë se tërë pasuria e botës. Kur të fitosh besimin e popullit askush nuk është më i pasur se ti. Nëse e ke besimin ju i keni të gjitha. Vlera e njeriut qëndron në besnikëri, sepse sa të keshë besën ke rrnesën – thotë populli ynë. “Zoti është i saktë dhe i do njerëzit e saktë”, ndaj njerëzit, që përpiqen t’i përmbahen ligjeve të saktësisë në natyrë e në shoqëri, ata kanë nderë e vlerë të veçantë, e cila çmohet nga shoqëria e shëndoshë, ku vlejnë normat morale e njerëzore, ku kultivohen raportet e shëndosha vëllazërore e ndërvëllazërore. Pikërisht, sepse ky çift bashkëshortorësh me sjelljen e tyre modeste, me afërsinë e dashamirësinë ndaj çdo bashkëbiseduesi, pjesëtar i populli të tyre, komunikoin në mënyrën konkrete me përzemërsi e respekt vëllazëror, ata kishin përvetësuar zemrat dhe mendjet e tyre, ndaj nuk është çudi që sot edhe pas një gjysmë shekulli njerëzit flasin me adhurim të madh për këtë çift bashkëshortorësh, jo vetëm si mësues e edukatorë të dashur, por edhe si liridashës e atdhedashës të flaktë të lirisë e pavarësisë së atdheut të tyre. Këtë e dëshmojnë shumë bashkëkohanikë të tyre, në qendra të ndryshme të Kosovës. Sepse, ndonëse njerëzit vdesin – kujtimet e mira për ta mbesin. Ato nuk vdesin kurrë. Gjurmët e tyre janë të pashlyeshme në kujtesën e popullit të tyre. Madje, me kalimin e kohës vepra e tyre bëhet edhe më madhështore, me vlerë më të lartë në historinë tonë kombëtare. Sepse rezultatet e frytet e punës së tyre reflektohen jo vetëm për të gjallë të tyre, por edhe pas vdekjes, edhe pas gjysmë shekulli apo pas një shekulli e më tepër. Idetë e tyre po bëhen realitet pas vdekjes së tyre, nga nxënësit e tyre. Halili pati shumë shokë bashkëvuajtës të burgut, që dikur kishin qenë nxënësit e tij. Fjala e mësuesit të tyre për ta ishte bërë udhërrëfim në jetë. Puna e çdo zejtari, prodhimi i çdo zejtari, vjetërohet e konsumohet, e më në fund zhduket e shkatërrohet dhe del nga përdorimi ose demodohet – thënë më shkurtë e më thjeshtë. Ndërkaq, puna e mësuesit, veprat e edukatorëve, kurrë nuk harxhohen e as nuk vjetërohen e pakësohen, por përkundrazi, ato me kalimin e kohës, duke u bartur ndër brezat në kalim, nga gjenerata në gjeneratë, shtohen e shumëfishohen edhe si sasi edhe si vlerë arsimore, ndaj nuk ka çmim në botë që mund të paguaj vlerën e punonjësve të arsimit. Punonjësve të zellshëm arsimtarëve të përkushtuar, ata që ideal jetësor, që e duan popullin e vet, e më tepër lirinë e pavarësinë e popullit të tyre, siç ishin Lili e Tina, një çift ideal, që meritojnë të respektohen për punën e tyre arsimore e atdhetare, jo vetëm për së gjalli, por edhe për së vdekuri. Ata u bënë viktimë e çështjes kombëtare. U ndoqën u përsekutuan, u arrestuan, u gjykuan dhe u dënuan, por kurrë popullin e vet nuk e mallkuan. Ata nuk e mallkuan as jetën e vështirë të tyre, nuk u hamendën në rrugën e gjatë e plot gjmba, nuk e mohuan atë që thanë, nuk e vunë në dyshim rrugën e vështirë e veprën e tyre të rëndë, por përkundrazi gjithnjë deri në momentin e fundit të jetës së tyre, jetuan ballëlartë e krenar dhe me nder e me dinjitet i shërbyen popullit e kombit të tyre. Si të këtillë i duam, i kujtojmë i nderojmë edhe ne sot, duke u mburrë dhe krenuar me ta, jo vetëm familja e farefisi, miqtë e dashamirët, por një popull i tërë. Ata bënë çdo gjë që mundën e që patën mundësi për popullin e atdheun e tyre, pa kursyer as punën, as mundimet e as jetën. E ne, çdo të bëjëm për ta?

Për t’i dalë borxhit duhet t’i nderojmë, duke emërtuar shkolla, rrugë e sheshe me emrin e tyre, duke shkruar kujtime e vlerësime për punën e tyre, duke botuar ngjarje historike e studime monografike, por mbi të gjitha, duke sjell eshtrat e tyre në vendlindjen e tyre – në Kosovën e lirë, ku do t’u ngrihet përmendore kujtimi e nderimi të përhershëm. Vetëm kështu mund të çohet në vend amaneti i tyre dhe të plotësohet dëshira e tyre e përjetshme.

QËNDRIMI STOIK E BURRËROR I TINËS

Në kohën derisa Lili qëndronte në vuajtjen e dënimit nëpër kazamatet serbo-sllave të Jugosllavisë, mbi të cilin ushtrohej presion i paparë, ky preion shtrihej edhe në familjen e tij, e veçanërisht mbi Tinën, një grua burrërore e stoike, e cila nuk pendohej për asnjë çast përse e kishte lidhur fatin me Lilin. Madje përkundrazi, ajo jo vetëm krenohej me idetë, guximin e veprimin e bashkëshortit të saj, por njëkohësisht edhe pajtohej me idetë e tij, duke mbrojtur qëndrimet dhe idetë e tij, ajo shpaloste edhe qëndrimin e saj stoik e patriotik.

UDB-eja jugosllave, sigurimi shtetëror në Prishtinë, shtëpinë e Halilit e kishte vënë nën mbikqyrje të rreptë, duke përcjell se kush po hynte e po dilte në shtëpinë e Halilit, e kishte kufizuar bukur shumë numrin e vizitorëve frikacakë, që ruanin pozitat e tyre, ata nuk donin të binin në sy të nëpërkës sllave, nuk dëshironin të rrezikonin nga sytë e padukshëm të kafshimit helmues të shlligës së UDB-së. Mirëpo, përveç familjes së ngushtë, kishte njrëz, miq e dashamirë, që edhe në këto raste vendimtare e të vështira, nuk e linin vetëm familjen e Lilit. Sepse “miku i mirë shihet në ditë të vështirë” – thotë fjala e urtë popullore.

Sigurimi shtetëror në mënyra të ndryshme ushtronte presion në Tinën (Teutën) si edukatore dhe arsimuese e nxënësve e brezave të shumtë, ku ajo me punën e saj, sjelljen njerëzore dhe edukatën në frymën kombëtare, sipas tyre prodhonte “armiq” të rinj, të tipit të Lilit, kundër sistemit monist serboçetnik.

Shi për këtë arsye, personeli i sigurimit shtetëror i SPB-ës në Prishtinë ia kishin caktuar Tinës që çdo ditë në orën 5 të mëngjesit ajo detyrohej të paraqitej në zyret e tyre në bisedë informative me qëllim për të zbuluar detaje të reja për veprimtarinë ilegale të Halil Alidemës. Ndërsa në orën 7 e lironin të shkonte në punë, me qëllim që ky presion shpirtëror që ushtrohej mbi Tinën, të mos dihej e zbulohej edhe nga të tjerët, nga rrethi ku punonte Tina. Ata i kërcënoheshin Tinës me masa të ndryshme represive. Mirëpo, kur e panë se ajo ishte e vendosur dhe e pathyeshme, sepse në Tinën ndeshën një vazhduese e trashëguese të ideve të Halilit, ngë grua besnike, burrërore e stoike, e cila për asnjë çast e nga gjithfarë lloj kërcënimesh e shantazhesh nuk mundën ta gjunjëzonin e ta theynin, hoqën dorë dhe nuk e ftuan më. Në duelin politik, ajo i mundi armiqtë e saj, armiqtë e Lilit e armiqt e popullit të vet. Vendosmëria e saj, karakteri i fortë, morali i pastër kombëtar i saj shkëlqen edhe sot me madhështinë e bashkëshortes besnike, e cila, ndonëse nuk vuajti dënimin në burg, vuajti izolimin e përbuzjen, kërcënimin e poshtërimin, por kurrë nuk hoqi dorë nga idetë e veta dhe nga besa që ia kishte dhënë Lilit njëherë e përgjithmonë, duke i thënë se neve me forcë-fizikisht mund të na ndajnë, por shpirtërisht kurrë nuk do ta arrijnë këtë. Si e këtillë qëndori deri në fund të jetës së saj –shembull i rrallë si mund t’i ndihmojë bashkëshortit të saj dhe popullit e atdheut të saj.

TUBIMI TE VERRAT E LLUKËS

Dihet historikisht se populli shqiptar, që nga periudha e Skënderbeut e këndej, sa herë i kërcënohej rreziku nga armiqtë e jashtëm, mblidheshin krerët dhe paria, mbanin kuvende, i shestonin problemet dhe ndarjet e përçarjet fisnore e hasmëritë, që kishin ndërmejteveti, dhe merrnin vendime historike për pajtim kombëtar.

Duke parë rrezikun e madh dhe të pashmangshëm për shpëtim të ndarë e të përçarë, në momente kritike edhe bishat bashkohen instinktivisht, ato hetojnë dhe nuhasin rrezikun e zhdukjes së llojit të tyre, ndaj ndërprejnë armiqësitë dhe rrezikun e zhdukjes ndaj njëra-tjetrës, e lëre më njerëzit që kanë intelegjencë dhe dinë të mendojnë e të veprojnë në favor të tyre , në favor të kolektivitetit si shoqëri, si popull e si komb i rrezikuar. Nuk ka ndodh deri më sot në botë, që ushtria e cila mbron kufijt e shtetit, mbron popullin dhe ruan paqen, të hajë ushtarët e vet. Ushtria jugosllave filloi t’i hajë, t’i vrasë e t’i zhdukk ushtarët shqiptarë, vetëm përse ishin shqiptarë, sepse në ta shihte armiqtë, kundërshtarët dhe luftëtarët e nesërm. Prandaj, kur i vriste dhe i kthente të vrarë në arkivole, u thoshte familjeve të këtyre ushtarëve se djali juaj ka bërë vetëvrasje, kurse në anën tjetër nuk lejonte të hapin arkivolet e as të bëheshin varrime e ngushëllime publike.

Këtë dukuri misterioze e shoveniste, i pari që e demaskoi duke e zhveshur nga misticizmi i Ushtrisë serbo-sllave, ishte historiani ynë i mirënjohur guximtar, prof. Zekirja Cana. Ai veproi me mjeshtri e guxim të pashoq, si kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe lirive të Njeriut, mblodhi të dhëna, argumente e fakte nga familjet e ushtarëve të vrarë në APJ, hapi arkivolet e varret dhe me ekspertizën mjekësore, konstatoi se ushtarët shqiptarë, nuk kishin bërë vetëvrasje, por ishin likuiduar fizikisht nga eprorët ushtarak të tyre. Pas këtij momenti, varrimet bëheshin masive, që më tepër i përngjanin një revolte gjithëpopullore. Bëheshin homazhe e ngushëllime në përmasa kombëtare. U vendos që të rinjt shqiptarë të mos shërbejnë më në APJ.

Nga ana tjetër, Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve nën udhëheqjen e Rinisë, të prirë nga intelektualët më të njohur shqiptarë, si prof Anton Çetta, Mark Krasniqi, Zekirja Cana, Dom Lushi, myderriz Idriz Kakrruki-Kosova, Kajtaz Rrecaj, Mehmet Halimi, Halil Alidema e me dhjetra qindra të tjerë, duke e shndërruar këtë aksion në Lëvizje Gjithëpopullore, bënë me mijëra pajtime të gjaqeve, plagëve e ngatërresave, që kishte mbjellë armiku ndërmjet nesh, dhe krijuan një unitet të paparë e të papërsëritshëm në historinë kombëtare shqiptare, në Kosovë , në Kosovën Lindore, në Mal të Zi e në Maqedoni e deri në diasporë. Ky unitet kombëtarë ishte një përgatitje paraprake për formimin e një fronti ushtarak për rezistenë kundër armikut shekullor serbosllav. Këtu e kishte zanafillën e saj edhe UÇK-ja jonë heroike, e cila gëzonte shumë Lilin, i cili deri në momentin e jetës së tij punoi për forcimin e radhëve të saj dhe për ndërtimin e strategjisë ushtarake të Ushtrisë sonë Çlirimtare.

Mbaheshin e organizoheshin tubime të mëdha. Ndër ta shquhet Pajtimi te Verrat e Llukës, ku morën pjesë rreth gjysmë milioni njerëz. Këtu mbaheshin fjalime, ku shquheshin vlerat njerëzore e vëllazërore të pajtimit, të faljes, të burrërisë, por edhe shpesh viheshin në pah detyrat dhe obligimet e popullit, ndaj atdheut të tyre, qëndrimi e përgjegjësia e tyre ndaj momentit historik, nga njëra anë, demaskoheshin armiqtë tanë shekullorë, jepeshin këshilla dhe udhëzime si të sillemi e si të veprojmë në rrethana të reja të shpërthimit të Kryengritjes Gjithëkombëtare, etj. Nga ana tjetër.

UNITETI YNË KOMBËTAR – E PENGONTE PUSHTETIN USHTARAKO – POLICOR SERB

Duke e parë unitetitn kombëtar shqiptar, pushteti ushtarako – policor  millosheviçian filloi të ushtrojë një terrorizëm të paparë shtetëror mbi masën e gjerë të popullit shqiptar. Shqiptarët nuk ishin të lirë askund. Policët i kishin zënë të gjitha shtigjet. Ata krijonin situata provokuese në rrugë, në tregje në shkolla, në tubime, në pajtime, në dasma e në vdekje. U krijua një qarkullim shumë i vështirë, një frymëmarrje e rëndë, një jetë plot helm e pezm. Nevojiteshin vetëm disa shkëndija të vogla fërkimi e kundërshtimi dhe situata të delte nga kontrolli. Janë të shumta rastet e provokimeve, të plaçkitjeve, të vrasjeve e të masakrimeve.

Të gjitha këto situata e shqetësonin pa masë Lilin, e veçanërisht ngacmonin në pikat më të ndjeshme e më neuralgjike, në pastërtinë e karakterit kombëtar shqiptar që është rajtur si gjëja më e shenjtë gjatë shekujve.

-Për kundërshtime më të vogla njerëzit u goditën me shufra gome, me kundakë pushke, me shkelma, preket morali shqiptar, ushtrohen dhunime, likuidime si Fazli Greiçevcin etj.

Personalitetin dhe aftësinë e vet për të udhëhequr e për t’u prirë popullit të vet po e tregojnë edhe gratë shqiptare si Kaçusha Jashari, Luljeta Pula – Beqiri. Madje, Kaçusha shpesh iu kundërvu satrapit Millosheviq.

Ajo udhëhoqi masën e punëtorëve dhe popullit në mitingun e madh, në nëntor të vitit 1988.

-Këto motra tona e shumë të tjera si këto, dëshmojnë se ka ardhur koha dhe është ngritur vetëdija kombëtare edhe te femrat shqiptare, ndaj një qëndrim i këtillë, i pengonte pushtetit ushtarako – policor serb. Pikërisht për të shpartalluar këtë unitet kombëtar, Serbia do të përdorë të gjitha mjetet e dhunës e të terrorit ndaj nesh. Popullit i ka ardhur thika në asht dhe nuk mund të durojë më. Durimi një ditë do të shteret, sepse edhe ai ka kufij. Mirëpo, për t’i ikur konfrontimit të parakohshëm që mund të jetë katastrofal, Adem Demaçi, përpiqej të gjente fije afrimi e mirëkuptimi me “vëllezërit serb” për zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës. Ndërsa dr. Ibrahim Rugova – lider i partisë së LDK-ës për të mos dalë populli nga kontrolli, për të mos shkaktuar ndonjë konfrontim të haptë ushtarak, i cili do të ishte fatal për popullin tonë dhe me përgjegjësi të madhe historike, porosiste popullin të ruajn durimin, maturinë deri në kufijt e tolerancës së fundit paqësore, duke qenë i vetëdijshëm se edhe durimi ka kufij.

Mirëpo, o Bit, e tërë kjo që thashë deri tani, nuk është e përkohshme. Kjo vlenë vetëm për një kohë të caktuar, në rrethana të caktuara, por konfrontimi ushtarak me këtë pushtet sipas mendimit tim është i pashmangshëm dhe i paevitueshëm. Mirëpo, për Serbinë sa më herët është aq më mirë, kurse për ne sa më vonë aq më mirë. Sepse ne me qëndrimin tonë, me atkivitetin tonë, me tolerancën tonë, fitojmë miq e përkrahje në botë, nga njëra anë, kurse në asnjë moment nuk duhet të pushojmë, por duhet të veprojmë të pajisemi edhe ushtarakisht, të formojmë Ushtrinë tonë Çlirimtare dhe në rast shpërthimi të luftës të jemi të gatshëm të bëjmë edhe rezistencë ushtarake, nga ana tjetër. Mirë e ka thënë, me mend e me vent veterani ynë i luftës – Hysen Tërpeza se “Pushka është e vogël, po zani i nihet larg”. Pa u kacafyt me armikun nuk mund të ndërhyjë të ndërmjetësojnë superfuqitë botërore. Pa i ndihmuar ne vetit, nuk të ndihmon askush. Vetëm sakrifica jonë, vetëm gjaku ynë, mund të na sjell lirinë. Sepse kur e sheh bota se ne jemi të gatshëm të vdesim për liri të atdheut edhe ajo është e gatshme të ndërhyjë e të ndihmojë me mjete të ndryshme politike e diplomatike, ekonomike e ushtarake – o Bit!

Dhe kur më kujtohen këto mendime largpamëse të Lilit, e shoh se ato u dëshmuan dhe u bënë realitet kombëtar e ndërkombëtar me luftën heroike të Adem Jasharit në Prekaz, me masakrat në Çirez e në Reçak, që tronditën botën dhe zgjuan ndjenjën e fjetur njerëzore për padrejtësitë dhe gjenocidin serb ndaj popullit të vogël e të pambrojtur shqiptar.

KOSOVA NË VIGJILJE TË LUFTËS

Pas dështimit të Kongresit të XIV të LKJ-ës, në Beograd, ku u konforntuan haptas të gjithë përfaqësuesit politik joserb të republikave tjera, qerrja komuniste e Jugosllavisë së Titos mori tatëpjetën. Këtu e kishte zanafillën shpartallimi i Jugosllavisë. Kundërshtimet e hapëta të kongresistëve sllovenë e kroatë, duke treguar rezistencë e mospajtim ndaj hegjemonizmit serbomadh, shovenist e racist të Sllobodan Millosheviçit, ata demonstrativisht lëshuan Kongresin. Ndonëse, Milloshëviqi disa herë kërkoi që Kongresi  XIV i LKJ-ës të vazhdojë punimet e filluara, duke u përpjekur që nën rogoz të punonte që Jugosllavinë avnojiste ta shndërronte në një Serbi të Mdhe, përpjekjet e tij ishtin të pasuksesshme. Lufta e konfrontimi i hapët ndërmjet këtyre republikave kishte arritur pikën e vlimit dhe po priste shkëndijat e para të fërkimit për të shpërthyer lufta e armatosur.

Dhe kur Millosheviqi me anën e organizimit të Lëvizjes populiste, pasi pezulloi kushtetutën e Kosovës dhe të Vojvodinës, nëpërmjet mitingjeve të jogurt revolucionëve synonte të rrëzonte klikat dhe kuadrat e funksionarëve politikë, jo vetëm në Kosovë, Vojvodinë, por edhe në republikat tjera. Kështu sharra ngë gozhdë i hasi më parë në Slloveni, ku u ndalua manifestimi i këtyre pseudomitingjeve. Shi, për këtë shkak APJ-ja Sulmoi Slloveninë dhe u nda keq me të. Ushtria serbo-çetnike mori shuplakë të rëndë dhe dështoi me turp. Lufta u zgjerua edhe në Kroaci për të arritur kulminacionin e vrazhdësisë së saj në Bosnjë-Hercegovinë, ku u vranë mbi 300000 vetë, u maskruan numër i madh boshnjakësh, u dhunuan gratë e tyre, u vranë pleq e fëmijë, duke u përsëritur kështu në formë edhe më të ashpër ngjarjet e skenat rrëqethëse të Luftës së Dytë Botërore nga çetnikët, fashistët, ustashët e nediqët, etj. Parulla “Bashkim vëllazërim” që në mënyrë aq demagogjike u përsërit pesëdhjet vjet rresht, u shndërrua në varr të popujve jugosllav. Ajo ishte një paqe e rrejshme, ai ishte një vëllazërim – bashkim dyftyrësh, kurse Jugosllavia ishte një krijesë artificiale. Ndaj si e këtillë herëdokurdo ajo do të shpartallohej, si një kullë prej letre. Dhe derisa dikuj kjo luftë që po zhvillohej në republika tjera jugosllave u dukej lodër, në Kosovë ajo do të jetë apokaliptike.

Prandaj, o Bit, era luftë po vjen edhe në Kosovë, sepse çka të shohësh në kojshi prite edhe në shtëpi – na kanë thënë gjithmonë edhe pleqtë tanë.

-E po ku jemi ne?

-A duhet të rrimë e të flemë në gjumë e ta presim luftën me duarkryq? Jo Bit, në asnjë moment nuk guxojmë të rrimë duarkryq, por natë e ditë duhet të punojmë dhe të jemi të gatshëm edhe për luftë, sepse luftën e kemi në derë, ajo është e pashmangshme. Asaj nuk i shpëtojmë dot – sa vdekjes.

– VIJON –  

_________

Halil Alidema – Meteorë Lirie (14)

Total
4
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura