BARDHYL MAHMUTI: A KA PASUR TRAFIKIM ORGANESH NGA ANA E UÇK-së?

Zvicër, 25. 08. 2015: Akuza që i vishet UÇK-së për «trafikimin kundërligjor me organe njerëzore në Kosovë» është akuza më e mediatizuar lidhur me luftën e Kosovës. Që nga publikimi i librit të Carla Del Pontes e deri te miratimi i projektligjit për krijimin e Gjykatës Speciale për UÇK-në kjo çështje ka zënë një vend të rëndësishëm në të gjitha debatet. Madje, nuk janë të rralla pohimet se “ka edhe dëshmitarë që konfirmojnë vërtetësinë e kësaj akuze”. Duke e parë të rëndësishme që çdo shqiptar të sqarohet se kush qëndron prapa kësaj akuze lus gazetat dhe portalet që të publikojnë pjesën e librit «Mashtrimi i Madh» që ka të bëjë me këtë temë.
Nga shkrimi janë hequr referencat bibliografike të cilat mund t’i gjeni në librin e lartpërmendur në faqet 445-446 dhe 482-497.
PROLOGU

“Dëshmitari okular i trafikimit me organet e serbëve të rrëmbyer nga UÇK-ja”
Më 7 shtator 2012, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi me 98 vota pro, 10 kundër dhe vetëm 1 abstenim amendamentet kushtetuese që shënojnë fundin e pavarësisë së mbikqyrur. Të njëjtën ditë, në Beograd, Prokurori serbe për krime lufte, Vladimir Vukčević-i, i deklaroi Agjencisë Tanjug se prokuroria që drejtohej prej tij kishte dëshminë e një dëshmitari okular për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë.

Sipas prokurorit serb, fjala është për dëshminë e një ushtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili sqaroi se kishte marrë pjesë në nxjerrjen dhe tregtinë me organe njerëzore të serbëve të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 dhe 1999.
Dëshmitari përshkruan në mënyrë rrëqethëse se si një serbi të zënë rob i ishte nxjerrë zemra në një vend afër qytetit të Kukësit, në veri të Shqipërisë, dhe organi është transportuar në Aeroportin e Rinasit, afër Tiranës për t’u shitur në tregun e zi.
Si në rastin e «Krematorit të Kleçkës, kur gjykatësja hetuese, Danica Marinković-i, improvizoi marrjen në pyetje të Bekim Mazrekut në prani të gazetarëve për të dëshmuar lidhur me gjoja vrasjen e civilëve serbë dhe djegien e tyre në «furrat e gëlqeres» dhe intervistën ekskluzive për Radio Televizionin e Serbisë që kishte zhvilluar Milovan Drecun-i me këtë “dëshmitar”, Proku¬roria serbe për krime lufte përgatiti një emision special për “trafikimin e organeve të nxjerra nga serbët e zënë rob”.
Tri ditë më vonë, Radio Televizioni i Serbisë transmetoi emisionin special të titulluar «Anatomia e krimit» në të cilin opinioni publik i Serbisë pati mundësi të shihte intervistën që kishte zhvilluar gazetari i saj me këtë “dëshmitarë të mbrojtur”. Ky emision, siç e kishin paraparë ata që e përgatitën, tronditi opinionin publik serb.
“Mysafir special” i këtij emision special ishte Zëvendës Prokurori i Prokurorisë serbe për krime lufte, Bruno Vekarić-i.
Gjatë këtij emisioni, Bruno Vekarić-i sqaroi se Prokuroria vendosi ta publikonte dëshminë e “dëshmitarit të mbrojtur”, sepse kishte frikë se rasti mund të heshtej. Ai theksoi se kjo dëshmi, para se të bëhej publike, ishte verifikuar nga ekspertë të mjekësisë dhe se ishte cilësuar si dëshmi e besueshme. Sado tronditëse që të jetë, dëshmia është e vërtetë tha Bruno Vekarić-i!
Shpresoj se në këtë kapitull lexuesi do të ketë mundësi të shohë se deri në cilat përmasa mund të shkojnë sajimet e një sistemi të “drejtësisë” së dirigjuar nga politika, që nuk është në gjendje të çlirohet nga logjika e regjimit të vjetër totalitar.
«Anatomia e krimit»
Siç e përmenda në Prologun e këtij kapitulli, Prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukčević-i, i deklaroi Agjencisë Tanjug se prokuroria që drejtohej prej tij kishte në zotërim dëshminë e një dëshmitari okular për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë. Tri ditë më vonë, Radio Televizioni i Serbisë transmetoi emisionin special të titulluar «Anatomia e krimit» në të cilin, opinioni publik i Serbisë, pati mundësi të shihte inter¬vistën që zhvilloi gazetari i saj me këtë “dëshmitar të mbrojtur”. Krahas “dëshmitarit okular”, si “mysafir special” i këtij emisioni ishte Zëvendësprokurori i Prokurorisë serbe për krime lufte, Bruno Vekarić-i. Kopje e spektaklit mediatik me Bekim Mazrekun! E njëjta logjikë, i njëjti skenar, vetëm personazhet ishin tjerë!
Megjithatë efekti u arrit. Në Serbi tërë javën vazhdoi “histeria mediatike” e provokuar nga deklaratat e dëshmitarit të Proku¬rorisë për krime lufte lidhur me tregtinë e organeve gjatë luftës në Kosovë. «Ia nxorën zemrën për së gjalli», «I kam nxjerrë zemrën serbit», «Ende i shoh në ëndërr piskamat e viktimave serbe»… janë vetëm disa nga titujt në ballinat e gazetave serbe!
Qëllimi i transmetimit të këtij “emisioni ekskluziv” nuk ishte vetëm sensibilizimi i opinionit publik të Serbisë. Prokurori për krime lufte, Vladimir Vukčević-i deklaroi tri ditë pas transmetimit televiziv të “intervistës” se “priste reagimet e ekipit për hetime që udhëhiqej nga Clint Williamson-i lidhur me tregtinë me organe njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.“ Nuk vonoi shumë dhe mediat serbe njoftuan se “Shefi i ekipit të EULEX-it, që heton tregtinë me organe të njerëzve në Kosovë, informoi se do të udhëtojë për në Beograd që të njihet me pjesët e dëshmisë së dëshmitarit të Prokurorisë serbe për krime lufte. Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe zëvendësprokurori serbe, Bruno Vekarić-i, i cili saktësoi se “gjatë vizitës së tij në Beograd, Williamson-i do të ketë mundësi të bisedojë edhe me ‘dëshmitarin e mbrojtur’.”
Në Serbi, krahas reagimeve që bëheshin për të nxitur urrejtjen dhe për të shpërndarë gënjeshtrat e sajuara nga regjimi i Beogradit, nuk munguan as reagimet kundër kësaj forme mani¬pulimi. Nga reagimet e kësaj natyre, që nuk ishin të pakta, po citoj shkrimin e gazetares Tatjana Tagirov. Kjo gazetare e të përdit¬sh¬mes serbe «Novosti», në shkrimin e titulluar “Marrëzitë e Proku¬ro¬risë për krime lufte” “fyerje të inteligjencës së qytetarëve të Serbisë” përshkrimin e “procedurave mjekësore” për të siguruar një organ njerëzor për tregun e zi të organeve. “Nuk ishte hera e parë që Prokuroria, përmes RTS-së, tallet me inteligjencën e qytetarëve” deklaroi kjo gazetare.
Fatkeqësisht, këtë tallje me inteligjencën që bënte regjimi i “ri” i Beogradit, e që nuk dallonte nga logjika e vjetër e funksio¬ni¬mit, nuk e kuptonin ata që ishin verbuar nga «antiamerikanizmi».
Gati të gjithë autorët që ishin angazhuar në kumbarinë e nocioneve të krijuara nga Shërbimi Sekret Serb për t’i stigma¬tizuar shqiptarët e shfrytëzuan maksimalisht Raportin e Dick Marty-t dhe deklaratën e “dëshmitarit të mbrojtur” të prokurorisë serbe për krime lufte për të treguar me gisht “krimet e UÇK-së” që gjoja ishin kryer nën drejtimin e Hashim Thaçit, “kumbarës më të rrezikshme nga «kumbarët e oktapodit» të Kosovës!”
Duke i marrë për të vërteta “provat” e sajuara në Beograd ata shfrytëzuan rastin që të akuzojnë “diplomacinë e SHBA-ve dhe fuqive tjera perëndimore, pa ndihmën e të cilëve Hashim Thaçi nuk do të kishte mundur të ngjitej në pozitën ku ishte.”
Denoncimi i “ndihmës politike dhe diplomatike të SHBA-ve dhe fuqive tjera perëndimore për «mafien shqiptare»” përshkon shkrimet e shumicës së autorëve, veprat e të cilëve u trajtuan për¬gjatë tërë këtij libri. Nuk do t’i citoj të gjitha, sepse, fundi i fundit, nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra. Po ndalem vetëm te pamfleti propagandistik i Pierre Péan-it, «Kosova: një luftë e “drejtë” për një shtet mafioz». Për këtë autor, lufta e Kosovës nuk është luftë e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, por është “një luftë e drejtë amerikane për krijimin e një shteti mafioz!”
U kufizova në këtë vepër sepse ky autor e fillon angazhimin e vet në kumbarinë e nocioneve të sajuara në funksion të stigma¬tizimit të shqiptarëve në mënyrën më dramatike të mundshme. Ai sjell në “preambulë” të librit të vet dëshminë e “dëshmitarit të mbrojtur” të transmetuar nga Radio Televizioni i Serbisë, gjatë të cilës “një mjek shqiptar, ish-ushtar i UÇK-së” flet se si “një serbi të zënë rob ia nxori zemrën” për të bërë business.
Jo vetëm në preambulë, por më shumë se 1/3 e librit të tij i kushtohet “tregtisë me organe të organizuar nga UÇK-ja”.
Po sjell në tërësi publikimin që ky autor i bën kësaj “dësh¬mie”, sepse kjo nxjerr në shesh në mënyrën më të mirë të mund¬shme faktin se verbimi ideologjik nga «antiamerikanizmi» e ka sjellë edhe këtë autor në pozitën e propaganduesit të nocioneve dhe interpretimeve që u sajuan në kohën e Milošević-it dhe që vazhdojnë edhe nga regjimi i “ri” i Beogradit.
Në tekstin e deklaratës së “dëshmitarit të mbrojtur” të Prokurorisë serbe për krime të luftës disa nga fjalët do t’i shënoj me ngjyrë të theksuar për t’i dalluar nga teksti tjetër, me qëllim që të tërheq vëmendjen e lexuesit për kundërthëniet logjike të pohimeve të tilla, të cilat do të trajtohen më poshtë.
Zemra rrihte ende
“Disa minuta më pas ata sollën një djalë të ri, përafërsisht 19-20 vjeçar, me duar të lidhura pas shpinës. Nuk ishte ushtar i UÇK-së dhe, kuptohet, unë nuk kisha të drejtë të bëja pyetje. Fundi i fundit, kush isha unë? Një i ri karshi eprorëve të vet. I burgosuri u zgjidh nga dy ushtarët që e sollën, pastaj e vendosën në tavolinë mjekësore ashtu siç vendosen pacientët. Pastaj i thirrën edhe dy persona të tjerë që t’i mbanin këmbët e të burgosurit që të mos lëvizte.
Mjeku që më udhëzonte si të veproj ia grisi bluzën në dy copë duke e lënë lakuriq, siç e kishte lindur nëna! Një nga mjekët e pranishëm solli një çantë të zezë, të tillë siç e mbajnë mjekët. Ishte diçka e re për mua. Nga brendia e kësaj çante nxori instrumentet kirurgjikale. Ishte hera e parë që shihja skalpel, bisturi dhe çdo gjë që është e nevojshme për të kryer një operacion kirurgjik. Atëherë ndodhi një zënkë. Mjeku më i vjetër filloi të bërtiste dhe ta shajë mjekun më të ri, të cilit i thoshte: «biri im». E kuptova se ishin të afërt. Më zgjati një skalpel. Filloi të më vinte keq dhe të ndija përbuzje. Si në një ëndërr të keqe, një ankth pa fund. Edhe sot e kësaj dite më kujtohen skenat e asaj dite dhe më vijnë të njëjtat emocione. Mjeku që më udhëzonte më tha se çka duhej të bëja. Të bëja një vijë të drejtë në trupin e të burgosurit, që nga fyti e deri te fundi i brinjëve, dhe ta prisja duke ndjekur vijën. Mjeku tjetër kishte sjellë një kuti. Në të kishte fasha dhe një shishe qelqi të bardhë prej nga dilte erë alkooli, të cilën e vërejta kur filluam ta pastrojmë lëkurën. Pasi e pastrova atë pjesë të trupit ai më tha: «Shpejto, nuk kemi shumë kohë!»
E vërejta se djali i ri në tavolinë nuk ishte shqiptar. Si e vërejta këtë gjë? Kur iu afrova me skalpelin tim ai u mundua të çlirohej dhe atyre që e mbanin iu desht ta shtrëngonin edhe më fort. Filloi të ulërinte për ndihmë, ta thërriste zotin në ndihmë, të lutej: «zot, mos më prisni fytin, mos më vrisni!» Meqë isha një ushtar i ri, i nënshtruar urdhrave të një eprori të lartë, isha i detyruar t’ia filloja. Ia nisa ashtu siç kisha mësuar ta bëja gjatë stazhit (për kirurgji): vendosa dorën e majtë mbi gjoks për ta mbajtur dhe me dorën e djathtë mora skalpelin dhe fillova ta pres. Kur skalpeli mbërriti në pjesën e poshtme të trupit, gjaku filloi të rridhte rrëke. Kur mbërrita përafërsisht në mes të prerjes djali filloi të ulërinte që të mos e vrisnim dhe u alivanos. Isha aq i tmerruar sa nuk e di nëse shtirej apo kishte vdekur. Nuk e di nëse kishte vdekur, por ai nuk mbrohej më dhe nuk lëvizte. Kur e përfundova më thanë të bëja edhe një prerje transversale në pjesën e poshtme të trupit. Pastaj u desh të bëhet edhe një prerje në pjesën e sipërme të trupit. Këtë prerje e bëri mjeku sepse e hetoi se isha i tmerruar dhe më dridhej dora. Ai më tha: «Mos u mërzit, jam unë këtu». Para se ta merrte bisturinë – nuk ndihem mirë kur e kujtoj këtë skenë – plasi një zënkë tjetër mes mjekut dhe të afërmit të tij. Ky i fundit kishte harruar instrumentet për prerjen e brinjëve. Për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë e mundimshme m’u kujtua se e kisha bajonetën e kallashnikovit që mund të kryente punë. Për ta përfunduar sa më shpejt dhe për t’i dhënë fund kësaj pune, e shndërrova bajonetën time në instrument kirurgjik.
Mjeku më tregoi se ku duhet t’ia prisja brinjët. I futi duart ndër brinjë dhe më tha:«Ndiqe shenjën që të tregon dora ime dhe preje. Të mbetet ta çosh përgjatë dorës sime». Për anën e djathtë ai tha: «do ta presim indin aty ku brinjët dhe pjesa tjetër e trupit janë një». Tërë kohën më thoshte të isha i vëmendshëm, të kujdesesha që të mos dëmtohet AJO. E «ajo» ishte zemra! Kështu veprova. Pastaj kaloi në anën tjetër të tavolinës dhe i futi duart në thellësi të kraharorit. Në atë moment erdhi një mjek tjetër i cili më tha: «duhet të përfundojmë shpejt. Nuk kemi shumë kohë.» Ky mjek solli një kuti, të cilën e vendosi pranë meje. Dhe aty për herë të parë pashë një organ njeriu. Më kaploi tmerri.
Do t’ju shpjegoj pse pati grindje në mes të mjekëve. Njëri prej tyre kishte harruar pinceta që ndërpresin rrjedhjen e gjakut nga venat dhe enët e tjera të gjakut. Për të bërë lidhjen në dy vende ne filluam të përdorim fije najloni në vend të tyre. Të najlonit që përdoret për peshkim. I bëmë tri herë nga dy lidhje dhe u ndalëm. I premë venat dhe kur e mora në duart e mia, zemra vazhdonte të rrihte. I lamë duart dhe shpejt e shpejt hapëm frigoriferin vogël që mund të mbahet në dorë. Në fund të tij kishte një vend të rregulluar apostafat për këtë gjë. Mjeku nxori një kuti plastike, të llojit të njëjtë si ato që përdoreshin gjatë stazhit tim. Pastaj e vendosëm kutinë që kishte zemrën, lëng dhe akull dhe e mbyllëm me lloj-lloj penjsh, llastika dhe lidhëse tjera, që nuk mund t’i përshkruaj me saktësi, me qëllim që të mos përmbysej kutia. Pas disa minutash më ftuan që të shkoj në një sallë ku ishin eprorët e mi. Një komandant i UÇK-së, nga më të njohurit, më tha: «Ta heq kapelën! Në Kosovë kemi nevojë për ushtarë si ti! Pikërisht kështu do të ngadhënjejmë!» Dhe më dha urdhër të merrja frigoriferin e dorës që kishte zemrën dhe ta vendosja pranë një veture. «Vendose te Volvo-ja»-më tha ai. Volvo-ja kishte ngjyrë të gjelbër të mbyllur. Shoferi e hapi gepekun dhe më tha ta vendosja frigoriferin në anën e majtë, në një skaj të izoluar afër rrotës ndihmëse. Pasi e vendosa frigoriferin, e lidha mirë që të mos lëvizte gjatë udhëtimit.
Kur më pyetët më parë sesi dhe kur e kuptova se tran¬splantimi nuk ishte i destinuar për ndonjë përgjegjës të lartë të organizatës (…)Mendoja se zemra ndoshta i është dedikuar ndonjërit me grada të larta, të cilin e kishim dërguar në spitalin ushtarak dhe i cili kishte vdekur gjatë transferimit të tij. Mendoja se zemra do të shkonte në Tiranë. Por, jo! Nuk ndodhi kështu! Vazhduam udhëtimin deri në aeroportin e Rinasit, afër Tiranës. Kur kemi mbërritur atje dhe, kur u hap porta, pamë ushtarë shqiptarë në uniforma. Aty pamë një aeroplan. Një person doli prej tij, me pamje të hijshme dhe me mjekër të mbajtur mirë. Nuk ishte shqiptar. Aeroplani privat kishte ngjyrat turke! Atëherë e kuptova se bëhej fjalë për biznes e jo për mbrojtje të atdheut. Tregti me organe. Para të mëdha. Asgjë të përbashkët me idealet që mbroja. Por, bëhej fjalë për diçka të tmerrshme.”
Pasi e përfundon dëshminë e “dëshmitarit të mbrojtur”, të këtij “mjeku shqiptar, ish-ushtar i thjeshtë i UÇK-së” i cili pohon se “ka marrë pjesë në këtë krim të urdhëruar nga eprorët e tij”, Pierre Péan-i shtron pyetjen nëse ishte kjo “dëshmi e montuar nga shërbimet sekrete serbe, ashtu siç pohojnë një numër i prota¬gonistëve të Çështjes shqiptare”?
Rreth kësaj dëshmie, Pierre Péan-i deklaron se nuk mund të gjejë fjalë që do të mund të komentonin fjalët e kësaj dëshmie që të rrëqeth. Krejt ky tmerr është bërë për biznes!
Ndërsa, sa i përket vërtetësisë së kësaj dëshmie ai është i bindur se “lexuesi do ta krijojë opinionin e vet sapo ta mbyllë librin e tij.”
Libri i Pierre Péanit mund të jetë me interes që të studiohet si shembull i kumbarisë së nocioneve të përpiluara nga shërbimet sekrete serbe e sidomos shembull i shpërndarjes së raporteve të sajuara mes nocionit «mafia shqiptare» dhe ambicieve politike të shqiptarëve të Kosovës. Por, mendoj se lexuesi nuk ka nevojë ta lexojë tërë librin e Pierre Péan-it për të vërejtur kundërthëniet e mëdha që përmban kjo dëshmi.
Nuk ka nevojë të lexohet tërë libri për të parë absurditetin e pohimeve se “një mjek” që ka bërë një “stazh në kirurgji” “sheh për herë të parë një organ njeriu!” Dhe tmerrohet!!! Është e tmerrshme se, në të njëjtën mënyrë siç “tallej prokuroria serbe për krime lufte me inteligjencën e qytetarëve” të Serbisë, në të njëjtën mënyrë, Pierre Péan-i, mundohet të tallet me inteligjencën e lexuesve frankofon.
Cili lexues do ta gëlltisë gënjeshtrën se një mjek, që ka bërë edhe stazh në kirurgji, sheh për herë të parë skalpel, bisturi dhe instrumente tjera që përdoren për operacione! Cili lexues do të besojë se një mjek, sado i tronditur që të jetë, nuk mund ta dijë nëse “pacienti shtiret apo është i vdekur”! Cili mjek do të pohonte se zemra e nxjerrë vazhdon të rrahë!
Nëse dikush nga lexuesit mund të besojë se një operacion aq i ndërlikuar mund të bëhet pa anestezi, nuk ka lexues që mund ta gëlltisë absurditetin që fillimisht pacientit i zgjidhen duart e pastaj angazhohen dy vetë për t’i mbajtur këmbët që të mos lëvizë!!! Është e qartë se një gjë e tillë i duhej skenaristit të këtij “pro¬duksioni” për të krijuar imazhet ku “pacienti përpëlitet dhe hedh shkelma për t’i shpëtuar copëtimit”!
Të mos flasim për pretendimet për harrimin e picetave dhe përdorimin e najlonit të peshkatarëve për t’i mbyllur enët e gjakut! Najlon peshkatarësh! Ndoshta mendonin të gjuanin në ujërat e turbullta mediatike që krijoi publiciteti i Raportit të Dick Marty-t! A ka më absurde se të “humbet kohë” për t’i mbyllur enët e gjakut një personi që i është nxjerrë zemra! Aq më tepër kur “dëshmitari i mbrojtur” dëshmon se eprorët e urdhërojnë disa herë të shpejtojë se nuk kishin kohë!
Prerjen e brinjëve me bajonetë kallashnikovi! Kush e beson? Këtë po e lë për fund! Çka mund të thuhet për shprehjen se pacientit “ia grisën bluzën në dy copë duke e lënë lakuriq, siç e kishte lindur nëna!” Nuk përjashtohet mundësia që këtë shprehje tipike serbe ta përdor edhe ndonjë shqiptar, por, gjatë përshkrimit të zhveshjes së pacientit, nuk u përmendën panta¬llonat dhe nga dëshmia e “dëshmitarit” del se nëna e kishte lindur këtë “pacient” me pantallona veshur!
Së paku gjatë leximit të kësaj dëshmie lexuesi mësoi se dikush mund ta njohë një aeroplan në bazë të ngjyrave, madje ta identifikojë nëse është aeroplan privat apo jo! Mësoi se ekzistonin ngjyra turke! Shpresoj se lexuesi nuk është habitur nga ky zbulim! Është e qartë se ai që ia qep me najlon peshkatarësh enët e gjakut personit të cilit i është nxjerrë zemra, është në gjendje t’i identifikojë edhe ngjyrat turke!
Çka ka pasur në mendje ai që e sajoi një shprehje aq të palogjikshme si pohimi për ngjyrat turke? Nëse ka menduar për ngjyrat e flamurit turk, i cili përbëhet nga ngjyra e kuqe dhe ajo e bardhë, ngjyra që nuk janë monopol identifikimi i asnjë kombi dhe i asnjë flamuri, atëherë shtrohet pyetja pse ky “ish-ushtar i UÇK-së” nuk deklaroi se kishte njohur “ngjyrat zvicerane” të aeroplanit “privat”! Sepse edhe flamuri i shtetit të Zvicrës, si dhe i dhjetëra shteteve tjera përbëhet vetëm nga këto dy ngjyra! T’i atribuohej ky aeroplan “privat” Zvicrës do kishte qenë edhe më koherent me propagandën serbe, sepse autoritetet e Zvicrës u akuzuan nga Shërbimi Sekret i Serbisë se gjoja i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së.”
Në këtë kontekst, përpiluesit të dëshmisë që u shfaq në emër të “dëshmitarit të mbrojtur” nuk e sheh të udhës të kalohej përtej Adriatikut, por ishte më e lehtë në drejtim të Detit të Zi! Ndoshta në kërkim të ujërave të turbullta për të peshkuar, krijuesit e këtij rrëfimi kishin nevojë për ngjyrën e Detit të Zi!
Por, nuk është koha e peshkimit në ujëra të turbullt! Ata që dëshirojnë të informohen objektivisht kanë mundësi ta bëjnë këtë. Pikërisht për shkak “të mundësive të mëdha që ofron interneti”, edhe pse Dick Marty tërhiqte vërejtjen se “asnjëherë nuk kemi qenë më të rrezikuar të shndërrohemi në viktima të helmimit nga informatat.” Ndoshta për shkak se, siç thotë një shprehje popu¬llore shqiptare, «e ka mizën nën kësulë»!
Ata që kanë dashur të informohen objektivisht kanë pasur dhe kanë mundësi të shohin se përballë kësaj propagande absurde as intelektualët serbë nuk mbetën pa reaguar. Më lart përmenda rastin e gazetares serbe Tatjana Tagirov, e cila veprimet e mësipërme i cilësoi si “marrëzi të Prokurorisë për krime lufte”. Kjo gazetare nuk ishte e vetmja që reagoi kundër manipulimit me opinionin publik. Humanistja e njohur serbe, Nataša Kandić, në intervistën që dha për Radion Evropa e Lirë, hodhi dyshime rreth tregimit të këtij “dëshmitari”. Për drejtoreshën e Fondit për të drejtën humanitare në Serbi, është e pabesueshme të ketë ndodhur ashtu. As edhe në filmat e zhanrit horror, që kanë çmimin fare të lirë, një skenar i tillë nuk mund të shihet.
Reaguan edhe avokatë si Dragoljub Todorović-i dhe Đorđe Dozet-i të cilët theksuan se kjo formë manipulimi dhe sidomos nxjerrja e « dëshmitarit të mbrojtur » para kamerave paraqet shkelje të rëndë të procedurave legale. Aq më tepër kur Prokuroria serbe për krime lufte nuk ishte e ngarkuar të zhvillonte hetime për këtë rast.”
Vërejtje të shumta u bënë lidhur me shpjegimin që “dëshmi¬tari i mbrojtur” u bëri procedurave të nxjerrjes së organit për transplantim! Operimi nga ai që kishte bërë vetëm stazh kirurgjie, përderisa mjeku me përvojë asiston operacionin, mungesa e ane¬ste¬zisë, mungesa e instrumenteve kirurgjikale dhe zëvendësimi i tyre me bajonetë, lidhja e enëve të gjakut me najlon që përdorej për peshkim ishin vetëm disa nga vërejtjet që bënin rreth besueshmërisë e këtij rasti!
Në kapitujt paraprakë lexuesi pati mundësi të njihej me angazhimin e “ekspertëve të mjekësisë ligjore”, në shërbim të regjimit të Milošević-it. Ndyshe nga praktika e regjimit të vjetër, kur patologët dhe ekspertët e forenzikës si Slaviša Dobričanin-i, Vujadin Otašević-i, Dušan Dunjić-i, Miloš Tasić-i përpiqeshin t’i fshihnin krimet, regjimi i ri i Beogradit, gjeti një ekspert mjekësie, një kirurg, për t’ia atribuuar krimin shqiptarëve.
Për t’i dhënë fuqi besueshmërisë së deklaratave të “dëshmi¬tarit të mbrojtur”, skenaristët e emisionit special “Anatomia e Krimit” intervistuan edhe kirurgun, Dragoš Stojanović-in. Në bazë të asaj që u tha para se t’ia jepnin fjalën, qëllimi i kësaj interviste ishte të merrnin mendimin e një eksperti të kirurgjisë nëse ishte e mundur të kryhej nxjerrja e organeve në mënyrën se si e kishte përshkruar “dëshmitari i mbrojtur”.
Dragoš Stojanović-i, i cili e kishte parë intervistën ende pa u transmetuar nga Radio Televizioni i Serbisë, në cilësinë e “eksper¬tit të njohur”, deklaroi se “përshkrimi i dëshmitarit të mbrojtur është i besueshëm (…) Në parim, teknikisht dhe tekno¬logjikisht është e mundur që të bëhet ashtu. ”Edhe rreth vendosjes së zemrës në frigorifer dhe transportimi i duken të besueshme dhe autentike. Parimisht të gjitha këto i përkasin disa aspekteve procedurale, që natyrisht bëhen në një mënyrë specifike. Në parim, çdo gjë që thuhet në këtë dëshmi përputhet me metodat se si bëhet një gjë e tillë, kur duhet të bëhet në bazë të metodave të sofistikuara.”
Të gjithë kirurgët e dinë se, nëqoftëse zemra e nxjerrë nga një pacient nuk transplantohet menjëherë apo nëse nuk vendoset në aparaturë speciale që do ta mbanjë në funksionim deri në mo¬mentin e transplantimit, ajo zemër, mund të bëhet e pa përdorshme!
Edhe në qarqet mjekësore serbe u shpreh habi se si ishte e mundshme që dikush nga mjekët të deklarojë si të besueshëm versionin e dëshmitarit se mund të nxirret zemra pa anestezi, nga një stazhier kirurgjie, me bajonetë … !”
Arsyet pse nuk do të vazhdoj me citimet e të gjitha reagimeve do të dalin në shesh nga përmbajtja e epilogut të këtij kapitulli. Jam i bindur se ky epilog do ta sqarojë lexuesin për shumë aspekte të “anatomisë së krimeve” që i visheshin UÇK-së.
EPILOGU

Kirurgu i njohur serb i kirurgjisë vaskulare, Goran Kronja, i cili ka qenë shef i ekipit për transplantimin e organeve në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd, në intervistën për «Svedok» reagoi lidhur me emisionin sensacional të Radio Televizionit të Serbisë, të titulluar «Anatomia e krimit».
Po sjell për lexuesin pjesë nga deklaratat e këtij kirurgu sepse është një dëshmi e mirë se logjika e moçme e regjimit “të vjetër” të Beogradit për sajimin e krimeve dhe stigmatizimin e shqiptarëve, logjikë që vazhdon edhe nga “regjimi i ri”, nuk gëlltitet me lehtësi as nga intelektualët serbë.
Marrëzia e Prokurorisë serbe për krime lufte

“Tregimet për trafikimin e organeve në Kosovë janë marrëzi. Ku janë provat materiale? Ajo për çka dyshohet se është bërë në Kosovë dhe Metohi dhe në Shqipëri, për nga lloji është trans¬plantim kadaverik. Në këtë aspekt, e vetmja gjë e logjikshme është se organi është marrë nga njeriu i gjallë dhe pastaj është lënë të vdesë. Sipas mendimit tim, nëse kjo është e vërtetë atëherë kjo veprimtari është e përbindshme dhe ky krim do të ishte krimi më i rëndë i shekullit 20. Por, nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur, atëherë është i përbindshëm edhe mendimi në atë drejtim. Truri që e ka menduar një gjë të tillë duke u bazuar në indikatorë të paverifikuar, të pabesueshëm është gjithashtu përbindshëm.
Jam i bindur se në Kosovë nuk janë nxjerrë organe. Jam i bindur se ky tregim nuk qëndron. Është e mundshme që ka pasur krime, është e mundshme që të rrëmbyerve t’ua kenë shkulur organet, është e mundshme që t’i kenë copëtuar… Por, jo për t’i përdorur si material transplantimi.
E dimë se me organe për transplantim bëhet tregti. Por kjo është një çështje tjetër. Që të shitet cilido organ qoftë duhet t’i plotësojë disa kritere mjekësore rigoroze dhe të ndërlikuara. Organi nuk mund të nxirret në çfarëdo dhome dhe prej njeriut të gjallë. Është e pakuptimtë! Pohimet e këtij dëshmitari se e ka nxjerrë zemrën nga njeriu i gjallë për ta shitur më vonë janë thjesht budallallëk dhe unë habitem pse Prokuroria për krime lufte e ka marrë një gjë të tillë si të ishte e vërtetë. Zemra e nxjerrë në atë mënyrë, siç e ka përshkruar dëshmitari, është e pavlefshme. Nuk ekziston kirurg që mund të transplantojë një organ pa origjinë, pa analiza paraprake mjekësore. O njerëz, afati i qëndrueshmërisë së zemrës nga koha e ndërprerjes së rrahjeve e deri te transplantimi është maksimumi 12 orë. Ky është një detaj logjik që lidhet me pohimet se “tregtia me organe”, “shtëpia e verdhë” e kështu me radhë kanë ndodhur në Shqipërinë Veriore. Në atë kohë, nga Kukësi dhe Burreli (“Shtëpia e Verdhë) e deri në Tiranë, ku ndodhej aeroporti më i afërt, është dashur të kesh dhjetë orë të mira në dispozicion dhe veturë të mirë terreni sepse rrugët ishin jashtëzakonisht të këqija. E të mos flasim për kushtet e sterilizimit që lypen.
Prokurori për krime lufte, Vladimir Vukčević-i thotë se para se të bëhej publike kjo dëshmi “janë konsultuar shumë ekspertë mjekësorë, me qëllim që të tregojnë nëse mund të kryhej ndërhyrja ashtu si e tregonte dëshmitari. Kjo ndërhyrje, ku e vetmja gjë e rëndësishme është të merrej organi dhe të paketohej në mënyrë të sigurt, nuk duhet të ngatërrohet me metodën e transplantimit të organit.”
Sigurisht që një veprim i tillë, që me aq lehtësi prokurori e cilësoi si “ndërhyrje kirurgjike”, mund të ndodhë, siç mund të ndodhë që njeriu i gjallë të ngulet në hunj. Megjithatë, “paketimi i sigurt” është diçka tjetër. Nga tregimi i dëshmitarit del se këtu nuk kemi të bëjmë me kurrfarë “paketimi të sigurt”. Kjo është e qartë edhe për secilin spektator të vëmendshëm të televizionit dhe lexuesit e gazetave, e lere më për “shumë ekspertë mjekësorë” që na i paska konsultuar Prokuroria për krime lufte.
Prokurori për krime lufte Vladimir Vukčević-i flet për gjoja “respektimin e procedurave mjekësore”! Për çfarë procedurash mjekësore dhe për çfarë “paketimi të sigurt” flet ai? Kush janë ata “shumë ekspertë mjekësorë që janë konsultuar” që të na tregonin se si është e mundur që dikujt t’i hapet kraharori me bajonetë Kallashnikovi. Me bajonetë, e cila është e konceptuar për të prerë telat me gjemba, më parë mund ta dëmtosh zemrën sesa ta nxjerrësh për transplantim. Madje edhe te njeriu i vdekur, e jo më te njeriu i gjallë i cili lëviz, dridhet dhe ulërin. Dëmtimi i zemrës mund të ndodhë edhe me instrumentet më të sofistikuara kirurgjike nga dora e pashkathët e lëre më nga bajoneta.
Siç shihet, Prokuroria për krime lufte sërish ka rrëshqitur. Për më tepër, nuk është hera e parë.
Organi që eksplantohet duhet të nxirret në mënyrë që të mos dëmtohet as fizikisht e as biokimikisht. Organi i nxjerrë pastrohet mirë, mbushet me konservans dhe futet në kontejner të sterilizuar dhe të mbushur me akull. Madje edhe manipulimi me kontejnerin duhet të jetë i sterilizuar. Paralelisht me këtë proces zhvillohet edhe procesi i pranimit nga recipienti, respektivisht pranuesi i organit. Veshka duhet të transplantohet brenda 24 orëve ndërsa mëlçia brenda dhjetë orësh. Sa kam punuar në Akademinë Spitalore Ushtarake veshkën e kemi “futur” brenda 45 minutave e deri në një orë.
Në rastet kur kemi të bëjmë me transplantim kadaverik procesi i konservimit të organit fillon ende pa u nxjerrë nga trupi. Fillimisht instalohen kanilat, nëpërmjet të cilave veprohet me konservues dhe organi ftohet. Në këtë rast nuk duhet të harrohen edhe problemet tjera teknike për sigurimin e sasisë së nevojshme të akullit të sterilizuar. Sigurimi i akullit të sterilizuar paraqiste problem të madh edhe për Akademinë Spitalore Ushtarake. Vetëm për një transplantim shpenzohet nga 30kg e deri në 40kg akull i sterilizuar. Pra, për nxjerrjen e organeve duhen kushte të sterilizuara, mbështetje e mirë laboratorike dhe mjete shumë të shtrenjta. Deri para pak kohësh në Serbi, që jemi shumë më mirë të pajisur se Kosova, vetëm në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd ka pasur laborator për përgatitjen e mjeteve. Mendoj se në Kosovë nuk janë nxjerrë organe. Jam i bindur se ky tregim është i paqëndrueshëm.
Pohimet e Prokurorisë serbe për krime lufte në rastin më të mirë mund të konsiderohen si mendjelehtësi, nëse jo politikisht të motivuara me qëllim që të provokohet sensacion për një lëndë gjyqësore që ende nuk ka lëvizur më larg se indikacionet.
Ajo që është e pakuptueshme lidhet me atë pse askush nga kolegët e mi kirurgë nuk e ka ndjerë nevojën që të ngrihet dhe të tregojë publikisht për mungesën e logjikës dhe për kundërthëniet e qarta mjekësore që dalin nga tërë ky tregim. Ka mjaft kirurg të mirë që do të kishin mundur ta bënin një gjë të tillë.
I kam pyetur disa prej tyre për këtë gjë. Privatisht më thanë se vërejtjet e mja janë të drejta dhe se këtu diçka nuk është në rregull. Por, nuk dëshirojnë të shprehen publikisht. Ndoshta ka ndonjë lidhje me politikën” – shprehet Goran Kronja, ish-shefi i ekipit për transplantime organesh në Akademinë Spitalore Ushta¬rake në Beograd.
Vërejtjeve të kirurgut të njohur serb të kirurgjisë vaskulare, që ka bërë mbi 200 transplantime të organeve, nuk kam çka t’i shtoj asnjë. Ndërsa, për dilemat e tij nëse heshtja e kirurgëve tjerë në Serbi ka lidhje me politikën, mendoj se Goran Kronja nuk e ka lexuar shkrimin e gazetarit serb, Miroslav Filipović-i, «Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet». Lexuesit i kujtohet se Miroslav Filipović-i përjetoi pasoja të rënda nga regjimi i Beogradit për shkak se kishte ngritur zërin kundër krimeve serbe në Kosovë. Në kontekstin e shprehjes së habisë nga ana e kirurgut serbe Goran Kronja-s pse kirurgët tjerë serbë nuk reagojnë ndaj budallallëqeve për trafikimin e organeve po sjell kritikat që kishte bërë Miroslav Filipović-i 13 vjet më parë ndaj sjelljes së intelektualëve, institucioneve kulturore, fetare dhe akademike të Serbisë që kishin hyrë në shërbim të regjimit të Milošević-it.
“Është vështirë të gjendet institucion kombëtar që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike? Çka ndodhi me Kishën e cila paralajmëroi se do t’i hapë dosjet e krimeve serbe në Kosovë? Ku mbeti paralajmërimi i Kishës se në emër të popullit serb do të pendohet dhe do të kërkojë falje nga viktimat tona?…
Në perëndim Milošević-in moti e kanë quajtur «kasap të Ballkanit» dhe e kanë krahasuar me Hitler-in. Gjermania e para Luftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve të nëntëdhjeta. Kur Hitler-i filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, e braktisën një numër i intelektualëve, i shkencëtarëve dhe i artistëve më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Milošević-it e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin se me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose së paku me dijeninë e tij, çdo ditë “nga dora serbe” pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre.”

Miroslav Filipović, “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet” f.27-28 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura