ALBIN KURTI: EKONOMIA E REPUBLIKËS

(Prishtinë, 23 Janar 2012) Republika e Kosovës është Republikë Parlamentare me Kuvendin e Republikës së Kosovës si organin e saj më të lartë politik, përfaqësues e legjislativ në Kosovë. Nëpërmjet vendimit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, Kuvendi i Kosovës praktikisht mori vendim që t’ia mbyllë derën Serbisë në Kosovë përderisa ajo e mban derën e mbyllur për Kosovën. Nuk do shumë mend për ta kuptuar që aktualisht nuk ka kurrfarë reciprociteti me Serbinë. Serbia i shtyp shqiptarët në Luginë të Preshevës kurse kërkon privilegje shtesë për serbët në Kosovë ndërkohë që dihet se, përgjithësisht, më shumë ka shqiptarë në Serbi sesa serbë në Kosovë.
Që të gjithë vijnë në Kosovë sa herë të duan e kur të duan: prej kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, e deri te zyrtarët më të ulët shtetërorë të Beogradit. Në anën tjetër, një herë të vetme një ministër i Qeverisë së Kosovës provoi të shkojë në Kosovën Lindore dhe menjëherë e kthyen mbrapsht pa kurrfarë konsiderate.
Boris Tadiq erdhi në Deçan, Ibrahim Makolli nuk shkoi dot në Preshevë. Po ashtu, në Kosovë vijnë automjetet e Serbisë me tabela të qyteteve të Kosovës nga koha e Milosheviqit ndërkaq veturat e Kosovës duhet ta heqin çdo mbishkrim të Republikës dhe ta ndërrojnë identitetin përmes tabelave të përkohshme të Serbisë nëse duan të qarkullojnë nëpër Serbi.
Në fakt, në secilën marrëdhënie me Serbinë, Republika e Kosovës, duke iu falënderuar bisedimeve të suksesshme të Qeverisë së Kosovës në Bruksel, e fsheh emrin e vet si Republikë karshi Serbisë.
Pra, Republika e Kosovës nuk vlen as për Kosovën kur ajo ndodhet përballë Serbisë, në përputhje me mosnjohjen që Serbia ia bën pavarësisë së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës tash e 42 ditë nuk e zbatoi këtë vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ajo e ka shpërfillur këtë vendim dhe ka deklaruar që atë nuk e trajton si vendim (që e obligon) por si mendim (që e këshillon). Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës e ka shpërfillur vendimin e Kuvendit të Kosovës sepse ajo e shpërfill Kuvendin si të tillë duke e konsideruar atë organ që jep mendime e jo që merr vendime.
Qeveria e Kosovës nuk e do karakterin dhe themelin parlamentar të Republikës së Kosovës. Qeveria synon ta shndërrojë Republikën Parlamentare të Kosovës në Republikë Qeveritare të kryeministrit. Por, çfarë do të ishte ajo Republikë Qeveritare?
Tri aspekte të Republikës Qeveritare tashmë janë të qarta. Së pari, për dallim nga Republika Parlamentare e Kosovës që do të ishte e mbyllur për Serbinë dhe e hapur ndaj Shqipërisë, kjo Republika Qeveritare e kryeministrit do të mbyllej me dhunë ndaj Shqipërisë (ashtu siç e mbyllën kufirin në Vërmicë më 14 janar) dhe do të hapej me dhunë ndaj Serbisë (ashtu qysh vepruan te kufiri në Merdarë më 14 janar).
Fundja, këtë gjë na e ka paralajmëruar edhe “Wikileaks” atëherë kur u zbulua që kryeministri aktual i Kosovës, në njërën anë, është takuar dy herë tinëz (bile njëherë kur ishte në opozitë) me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, kurse, në anën tjetër, zëvendësambasadorit të ShBA-ve në Kosovë, Michael McMurphy, i ka thënë që ta mbajë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, larg prej Kosovës dhe ka folur për rrezikun e panshqiptarizmit.
Së dyti, në Republikën Qeveritare, dhuna dhe shkeljet aktuale të ligjit nga ana e Qeverisë spostohen në prapaskenë për t’i ekspozuar nga Qeveria dhunën dhe shkeljet e mundshme të ligjit nga qytetarët. Thjesht, Qeveria i zhvesh qytetarët nga të drejtat karshi Qeverisë, në mënyrë që Qeveria të ketë çdo të drejtë mbi qytetarët.
Politika bëhet policore kurse policia bëhet politike. Rrahjet, arrestimet, burgosjet, persekutimet do të shpeshtohen drejt normalizimit të tyre. Kushtetuta dhe ligjet shndërrohen në tryezë suedeze ku Qeveria përzgjedh se KUR, ÇKA dhe SI do të zbatohet pa pasur nevojë asnjëherë të shpjegojë PSE. Republika Qeveritare ia trash Kosovës së pavarur pushtetin porse ia zvogëlon shtetin (si buxhet, si territor dhe si pasuri publike e kombëtare).
Së treti, Kosovën me Republikë Qeveritare e robëron ekonomia e Serbisë. Okupimi i dikurshëm ushtarako-policor nga Serbia, zëvendësohet me okupimin ekonomiko-tregtar prej saj. Të vetmin politikan e deputet të Kuvendit të Kosovës që kryeministri aktual dhe ministri i tij i Zhvillimit Ekonomik e vizituan nga dy herë vitin kaluar ishte importuesi kryesor kosovar i mallrave të Serbisë, deputeti Ramiz Kelmendi, i cili nuk është nga radhët e pozitës. Kompania e tij ETC është e katërta për nga qarkullimi vjetor pas PTK-së, KEK-ut e “ProCredit Bankës”.
Me Republikën Qeveritare Kosova humbet shansin për çfarëdo sistemi ekonomik human ku njeriu është më i rëndësishëm se mallrat. Sërish, me 14 janar, e pamë se si u bllokua liria e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës për hir të lirisë së lëvizjes së mallrave të Serbisë. Qytetarët e Kosovës blejnë mallra të Serbisë sepse janë të varfër. Mirëpo, qytetarët e Kosovës do të mbesin përherë të varfër nëse vazhdojnë të blejnë mallra të Serbisë.
Prodhuesit vendës në Kosovë nuk arrijnë të konsolidohet dhe përfundojnë në situatë të pashpresë duke u dorëzuar para tregtarëve që shërbejnë si infrastrukturë e importit enorm. Mbase nuk është e rastësishme që koha kur Mahatma Gandhi e ka nisur Marshin e Kripës kundër kolonialistëve anglezë, pra më 12 mars 1930 (vetëm gjashtë javë pas shpalljes së pavarësisë së Indisë), paraqet momentin vendimtar të Lëvizjes për Pavarësi atje. Prej aty India nis ta prodhojë vetë kripën dhe okupimi i saj fillon të bëhet i palevërdishëm për Anglinë. Në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë mbrohet e përkufizohet Republika por edhe mundësohet e realizohet çlirimi ekonomik i vendit tonë. Pa Republikën tonë s’do të kemi ekonomi të vendit. Pa ekonomi tonën, vendi mbetet pa Republikë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura