BARDHYL MAHMUTI: KËRKOJMË NJË MOBILIZIM TË GJITHANSHËM POLITIK KUNDËR REGJIMIT TERRORIST TË SHKUPIT

(Shkup, 02. 05. 2012) – Që nga 12 prilli i vitit 2012, datën kur u vranë në rrethana “misterioze” 5 qytetar joshqiptar në afërsi të fshatit Smillkovc të Shkupit, hapësira politike në Maqedoni u dominua nga qëndrimet lidhur me këtë ngjarje. Asnjë ngjarje që ka ndodhur në Maqedoni vitet e fundit nuk ka nxitur aq qëndrime politike të institucioneve vendore, të institucioneve regjionale dhe të atyre ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, hapësira mediatike “u mbulua” nga kjo ngjarje. Në këtë kontekst po veçojmë se një pjesë e madhe e mediave në gjuhën sllave në Maqedoni, Serbi dhe Rusi drejtuan gishtin, si gjithmonë, në drejtim të shqiptarëve.
Duke pritur «Festën» e 13 Majit: EDHE NJË 12 PRILL!
Në artikullin e titulluar «“Aksioni i armëve” i Rankoviqit dhe “Aksioni i armëve” i Jankullovskës janë produkte të të njëjtës kuzhinë antishqiptare!» në muajin maj të vitit 2010 u përpoqa t’u rikujtoj lexuesve shqiptar një nga teknikat e përdorura nga shërbimet sekrete sllave kundër shqiptarëve. Me qenë se ngjarjet po përsëriten gati çdo vjet, siç ishte rasti me vrasjen e 5 qytetarëve joshqiptar në Smillkovc, dhe pasojat janë të njëjta po dërgoj për ribotimin të njëjtit shkrim.
ÇEKA ruse, OZNA serbe dhe shërbimet tjera sekrete sllave: Një logjikë funksionimi!
I.
 Analistët dhe historianët e dhunës së diktaturave komuniste, një vend të rëndësishëm i kushtojnë themelimit të shërbimit sekret rus ÇEKA-s (në rusisht: Чрезвычайная Комиссия (ЧК), IPA – Komisioni i jashtëzakonshëm pan rus për shtypjen e kundërrevolucionit dhe sabotazhës). Ky aparat represiv në duart e komunistëve shkaktoi një tmerr të pa parë në historinë e njerëzimit. Jepen shifra rreth dhjetëra milion të vrarë dhe të torturuar. I diskredituar për krimet monstruoze të ushtruara që nga themelimi i këtij shërbimi më 20 dhjetor 1917 dhe me qëllim të fshehjes së gjurmëve me 13 mars 1954 ky shërbim emërtohet KGB. Emërtimi i ri i shërbimit të vjetër sekret, që do të mbetet në fuqi deri në shpartallimin e BRSS-së më 6 nëntor 1991, do të ruaj në tërësi mënyrën dhe mjetet e dhunës kundër kundërshtarëve real apo të imagjinuar të sistemit. As ndarja e këtij shërbimi në shumë sektorë të ri pas kësaj date nuk do të ndryshojë format e institucionalizuara të dhunës kundër kundërshtarëve.

TRINOMI KRIMINAL: J.B.TITO – A.RANKOVIC – K.CERVENKOVSKI!

—————————————————————–

II.
 Duke pasur si model ÇEKA’n ruse, Partia Komuniste Jugosllave themeloi, me 13 maj 1944, shërbimin sekret OZNA (Odseka za Zaštitu Naroda – Sektori për Mbrojtjen e Popullit). Që nga themelimi i tij e deri në vitin 1966 krimineli famëkeq Aleksandar Rankoviq do të jetë udhëheqës i këtij shërbimi. Më 13 maji do të shënojë datën e themelimit të këtij aparati dhune që për një kohë të shkurtër do të mbjellë zi tek të gjithë popujt që jetonin në shtetin jugosllav, e në veçanti te populli shqiptar. Që  nga shtatori i vitit 1944 e deri në fund të vitit 1945, nën akuzat e „anti-komunizmit ekstrem“ u ekzekutuan me dhjeta mijë shqiptarë. Zyrtarisht vetëm në Kosovë u ekzekutuan (pa gjyq) 17400 shqiptar. Për të dëshmuar mirënjohjen e tyre për krijimin e Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të Federatës, pjesa maqedonase e OZNA-s ekzekutoi mbi
700 shqiptar në Kumanovë,
1400 në Shkup,
1200 në Kampin e Monopolit në Tetovë,
800 në Kampin e Gostivarit,
320 në fshatin Zajaz…
Mbi 8500 shqiptar u mobilizuan për  Frontin e Sremit, nga ku nuk u kthyen as 1%. Krijimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ndarja e OZNA’s në UDB (Управа државне безбедности – Drejtoria e Sigurisë Shtetërore) dhe KOS (Shërbimi i Kundërzbulimit) nuk mund të fshihte krimet e instalimit të komunizmit. Në këtë shkrim nuk do të përmend të gjitha krimet e mëvonshme të periudhës së INFORMBYRO-së. Por do të kufizohem vetëm në një vendim që më duket se riaktualizohet në formën e vet në Maqedoni. Më 18 shkurt 1953 Jugosllavia ripërtëriu Marrëveshjen e vitit 1938 me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve. Tito ngarkoi Aleksandar Rankoviqin që të krijojë Shtabin Operativ për zbatimin me përpikëri të këtij operacioni. Në krye të këtij Shtabi Operativ ishte krye xhandari Rankoviq.
Pas tij vinin:
2. Kërste Cërvenkovski,
3. Sfetislav Stefanoviq,
4. Millan Bartosh,
5. Leo Grishkovski,
6. Vojkan Llukiq,
7. Marko Vuçkoviq,
8. Pavle Joviçeviq,
9. Petar Stamboliq,
10.Sllobodan Peneziq-Kërçun,
11.Gjoko Pajkoviq,
12.Gojko Medenica,
13.Çedo Mijoviq,
14.Sërba Saviq dhe
15.Dushan Mugosha.
Për të përshpejtuar procesin e shpërnguljes më 12 prill 1956 Ministri i Brendshëm Jugosllav, Aleksandar Rankoviq, në një intervistë dhënë gazetës BORBA (Lufta) shpalli publikisht rrezikun që i kanosej sigurisë së shtetit nga ekzistimi i armëve ilegale në Kosovë. Kjo datë do të shënojë fillimin e asaj që në memorien tonë kolektive mbetet si “tragjedia e Aksionit të Armëve”. Nën akuzën e “kontrabandistëve të armëve dhe kriminelëve që destabilizojnë vendin” brenda një muaj, deri më 12 maj 1956, me dhjetëra mijë familje shqiptare u bastisën, me mijëra shqiptarë u arrestuan dhe u torturuan barbarisht… Dita e përvjetorit të OZNA-s, 13 maji i vitit 1956, u shënua me rezultate të mëdha. Para medieve të kontrolluara nga Partia Komuniste Jugosllave dhe para Korit Diplomatik në Beograd u ekspozuan “armët e konfiskuara”! Brenda vitit 1956 nga terrori shtetëror 106 vetë u vranë dhe mbi 10 mijë të tjerë mbetën me pasoja të përjetshme. Ky terror shtetërorë kundër shqiptarëve shkaktoi një klimë të pasigurisë që pati për efekt shpërnguljet masive drejt Turqisë. Mbështetur në hulumtimin sistematik të dy shërbimeve konzulare (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, dëshmohet se në periudhën 1953-1966 prej Jugosllavisë në Turqi janë shpërngulur 415.371 shqiptarë…
Shikoni skemën:
__________________________________________________
Viti                                                                        Numri i të shpërngulurve
1953                                                                      19.300
1954                                                                      17 500
1955                                                                      51.000
1956                                                                      54.000
1957                                                                      57.710
1958                                                                      41.300
1959                                                                      32.000
1960                                                                      27.980
1961                                                                      31.600
1962                                                                      15.910
1963                                                                      25.720
1964                                                                      21.530
1965                                                                      19.821
___________________________________________________
    Në viti 1966, kur nga ky aparat represiv u rrezikua edhe vetë kreu i shtetit dhe partisë, Tito shkarkoi Aleksandar Rankoviqin dhe dënoi dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve. Përpos shkarkimit nga funksionet shtetërore dhe dënimit deklarativ përmes konkluzioneve të Plenumit të Brijoneve asnjë pasojë nuk patën organizatorët dhe ekzekutorët e këtij terrori shtetëror antishqiptar. As Aleksandar Rankoviqi, as Kërtse Cërvenkovski e as kriminelët tjerë nuk pësuan asnjë përgjegjësi penale për krimet antishqiptare. Ata vazhduan dhe sot e kësaj dite vazhdojnë përmes pasardhësve të tyre të aplikojnë të njëjtat metoda të dhunës dhe terrorit. Si në Serbi ashtu edhe në Maqedoni!

______________________________

RRUGA E DHEMBJES SHQIPTARE!

___________________________

III.
Transformimet e sistemeve politike në këtë pjesë të Ballkanit dhe imponimi i ndryshimit të emrave të shërbimeve sekrete nuk ndryshoi asgjë në natyrën antishqiptare të funksionimit të tyre. Vrasje, burgosje, procese të montuara gjyqësore, diskriminim ekonomik, politik, social dhe kulturor të shqiptarëve… Dhuna dhe terrori shtetëror në Maqedoni ka marrë përmasa dramatike, sidomos pas ardhjes së VMRO-së në pushtet në vitin 2006. Për katër vite të diktaturës së VMRO-së me dhjetëra mijë shqiptarë janë keqtrajtuar nga policia politike maqedonase; me qindra të tjerë janë burgosur dhe me dhjetëra janë vrarë. Diskriminimi ekonomik, politik dhe social i shqiptarëve dhe dhuna e terrori shtetëror permanent krijuan klimën e pasigurisë totale për një perspektivë të shqiptarëve në trojet e veta etnike. Si rezultat i kombinimit të këtyre formave të dhunës dhe diskriminimit që nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit për heqjen vizave Shengen mesatarisht 2000 banorë shqiptarë në ditë largohen në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Zvicrës. Mediatizimi kombëtar dhe ndërkombëtar i këtij fenomeni dhe sidomos vendimi për të kthyer disa mijë shqiptarë nga shtetet e perëndimit irrituan qarqet antishqiptare të Shkupit. Rrezikimi i planit shtetëror të Maqedonisë për ndryshimin e strukturës së popullsisë i hodhi në ofensivë pasardhësit e Aleksandar Rankoviqit dhe Kërste Cërvenkovskit. Bastisje, dhunë, procese të montuara gjyqësore… (brenda dy muajsh 7 dënime me burg të përjetshëm për 7 ish ushtarë të ish UÇK-së!) Më 12 prill 2010, në përvjetorin e Deklaratës famëkeqe të Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë dhe themeluesit të shërbimeve sekrete jugosllave Aleksandar Rankoviq për “Aksionin e armëve” pasardhësja e Kërste Cërvenkovskit, Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska e shënoi këtë ngjarje në mënyrën e vet. Për të qenë “në modë” ajo në vend të Gazetës BORBA (Lufta) i dha një intervistë Radio Evropës së Lirë, dhe shpalli publikisht se “së shpejti Qeveria do t’i propozojë Parlamentit të marrë vendim për organizimin e ndonjë aksioni për mbledhjen e armëve ilegale”. Nga kjo datë filluan përgatitjet e krijimit në opinion të “psikozës së luftës”, të “trafiqeve me armë”, të “kriminalitetit të organizuar”… Zyrtarisht brenda një muaji, si në kohën e Rankoviqit, “u konfiskuan sasi të mëdha armësh” u “shpartalluan grupe kriminelësh”, ”u arrestuan njerëz që synojnë destabilizimin e vendit”, … dhe më 12 Maj, një ditë para kremtimit të datës së themelimit të OZNA-s, “u vranë katër trafikant armësh”… Emri i veprimtarit të shquar të Çështjes kombëtare shqiptare, Kryetarit të Alternativës Kombëtare, u mbajt i fshehur për t’u bërë publik me 13 maj! Trofe për përvjetorin e OZNA-s! Ekspozimi i “armëve të konfiskuar” u bë si në kohën e Rankoviqit, me dallimin e vogël se nuk u ftua Kori Diplomatik. Korit Diplomatik iu servuan këto trofe përmes medieve! Ekzekutimi i katër veprimtarëve të shquar në vigjilje të këtij përvjetori dëshmon fjalën e urtë popullore shqiptare se “Ujku, qimen e ndërron por zanatin nuk e harron!” As etiketimet kriminale për të fshehur gjurmët e ekzekutimit terrorist të katër shqiptarëve, as ekspozimi pompoz i “arëve të konfiskuar” nuk mund të fsheh faktin se shqiptarët në Maqedoni përballen me një regjim terrorist! “Aksioni i armëve” i Rankoviqit i shpallur me 12 prill 1956 në Gazetën Borba (Lufta) dhe “Aksioni i armëve” i Jankullovskës, i shpallur më 12 prill 2010 në Radio Evropa Lirë janë produkte të të njëjtës kuzhinë antishqiptare! Produkte të regjimeve terroriste që synojnë krijimin e klimës së pasigurisë me qëllim të nxitjes së shpërnguljes dhe ndryshimit të strukturës së popullsisë!
IV.
Që nga 12 prilli i vitit 2012, datën kur u vranë në rrethana “misterioze” 5 qytetar joshqiptar në afërsi të fshatit Smillkovc të Shkupit, hapësira politike në Maqedoni u dominua nga qëndrimet lidhur me këtë ngjarje. Asnjë ngjarje që ka ndodhur në Maqedoni vitet e fundit nuk ka nxitur aq qëndrime politike të institucioneve vendore, të institucioneve regjionale dhe të atyre ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, hapësira mediatike “u mbulua” nga kjo ngjarje. Në këtë kontekst po veçojmë se një pjesë e madhe e mediave në gjuhën sllave në Maqedoni, Serbi dhe Rusi drejtuan gishtin, si gjithmonë, në drejtim të shqiptarëve. Në funksion të rritjes së urrejtjes ndaj shqiptarëve këto media raportonin se në rajonet e banuara me shqiptarë, sidomos në rajonin e Karadakut të Shkupit, “ka shumë armë”, se “janë të pranishme grupe të armatosura”, “se…..” Nga ana tjetër, qëndrimi i institucioneve regjionale dhe të atyre ndërkombëtare lidhur me këtë ngjarje ishte i qartë dhe pa ambiguitet: apel që të mos i jepet karakter etnik vrasjes! Pasi lanë me ditë të tëra të spekulohet në pista të ndryshme, autoritetet shtetërore të Maqedonisë, përmes gojës së Nikolla Gruevskit, më 20 prill 2012, do të kërkojnë që “këtyre akteve «monstruoze» të mos u jepet karakter etnik, sepse kësi akte «monstruoze» ndodhin në shumë shtete”. Fjalimi i Kryeministrit të Maqedonisë, para militantëve të VMRO-së, të atyre që vazhdimisht kërkojnë “dhoma gazi për shqiptarët”, nxori në pah dy orientime strategjike të momentit: cilësimin e kësaj vrasje si “akt «monstruoz» dhe analogjia e këtyre akteve me “aktet «monstruoze» që ndodhin në shumë shtete”.
Shkurt, siç thotë një fjalë popullore: «Në kofsh bektesh, e merr vesh!»

__________________________

FJALIMI I GRUEVSKIT, ME 20 PRILL 2012 – PARA MILITANTEVE TE VMRO-se.

________________________________

     V.
     Në kontekstin e “përpjekjeve” diplomatike të shtetit të Maqedonisë që nga Samitit i NATO-s (që do të mbahet në Çikago më 21 dhe 22 maj të këtij viti) të merret ndonjë sinjal pozitiv, autoritet e Shkupit propagandojnë se gjoja “kanë plotësuar të gjitha kushtet” për të qenë anëtar të Aleancës Veri Atlantike. Krahas kësaj propagande, bartësit e këtij shteti tentojnë të paraqiten “si viktima” të “grupeve radikale islamike”, në mënyrë analogjike si shumë shtete të demokracive perëndimore!´Në vigjilje të këtij samiti filloi operacioni «Monstrum» (i shpallur në fjalimin e Nikolla Gruevskit): Bastisje masive të familjeve shqiptare të regjioneve që paraprakisht ishin shenjuar nga mediat ruse, serbe dhe maqedonase; dhunë dhe poshtërim i familjarëve në prezencë të fëmijëve, arrestime dhe skenat e tmerrshme që aq shpesh i kemi parë në të kaluarën…. Shpallja “triumfale” nga Ministria e Punëve të Brendshme se gjatë këtij operacioni monstrum janë arrestuar 20 pjesëtarë të një grupi «“radikal islamik”, pjesëtarët e së cilës kanë marrë pjesë në aksione terroriste në Afganistan dhe Pakistan dhe se kanë luftuar kundër forcave të NATO-s» nxori në shesh dimensionin e dytë orientues të fjalimit të Nikolla Gruevskit.

___________________________

JANKULLOVSKA: ZBULON ‘VRASESIT’….!

__________________________

     VI
     Të vetëdijshëm se në këto momente të vështira për njerëzit që ndodhen të arrestuar dhe të bindur se ndaj tyre do të ushtrohen torturat më çnjerëzore për t’i detyruar që të pranojnë veprat të cilat nuk i kanë bërë, kërkojmë një mobilizim të gjithanshëm politik kundër regjimit terrorist të Shkupit. Si në të kaluarën e afërt kur shqiptarë të pafajshëm të akuzuar herë për “nacionalizëm”, herë për “terrorizmit” torturoheshin nga monstrumët e aparateve represive sllave që t’i detyrojnë të pranojnë veprat që nuk i kanë kryer, edhe në këto momente kur po shkruajmë këto rreshta shqiptarë të pafajshëm janë duke u torturuar nga monstrumet e VMRO-së së Nikolla Gruevskit, për t’i detyruar të pranojnë se gjoja i përkasin një grupi “islamist radikal” dhe se gjoja kanë kryer vrasjen në Smillkovc. Ne jemi të bindur se këtij regjimi, si të gjitha regjimeve terroriste, do t’i vijë fundi! Mirëpo, sa më shpejtë që partitë politike shqiptare ta kuptojnë domosdoshmërinë e bashkërenditjes së veprimtarisë politike aq më afër do të jetë fundi i këtij regjimi dhe aq më pak do të ketë procese si «SOPOTI» dhe «BRODECI»! Sa më shpejtë që të kuptojnë institucionet demokratike në botë për domosdoshmërinë e intervenimit energjik kundër mbeturinave të logjikës totalitare në Maqedoni aq më të vogla do të jenë pasojat!

_________________________________________

BRODECI SI GUANTANAMO!

______________________________

(ILUSTRIMET I PERGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura