BEDRI ISLAMI: NUK ËSHTË RASTËSI …

(Gjermani, 14. 12. 2012) – Disa ditë më parë, në përvjetorin e 100-të të shtetit shqiptar, Presidentja e Kosovës, me propozimin e një grupi deputetësh, bëri të njohur Vendimin për dhënien e titullit Hero i Kosovës, disa nga veprimtarëve më të shquar të çështjes kombëtare shqiptare, luftëtarë të jashtëzakonshëm të lirisë, të cilët dhanë jetën e tyre për mëvetsinë e Kosovës. Të gjithë ata që ishin të dekoruar, pa asnjë dyshim, e meritonin këtë titull nderi, aq më shumë e meritorin në përvjetorin shekullor të mëvetsisë së shtetit shqiptar. Shumë prej tyre i kam njohur nga afër, u kam njohur vetitë dhe virtytet, pasionin për Shqipërinë dhe për Kosovën, si një pjesë e saj, i kam ndjekur rrëfimet e tyre, se si filluan rrugëtimin e tyre drejt luftës, i kam përjetuar burgimet e gjata dhe të ashpra, kam biseduar me to dhe, kur ata kanë rënë në fushën e nderit, kam ndjerë një dhimbje të jashtëzakonshme, për secilin që u vra në këtë luftë të shenjtë.

Dy gjëra më bënë përshtypje në listën e të dekoruarve.
E para, e kjo nuk është rastësi, thujase të gjithë, me ndonjë përjashtim të vogël, në kohra të ndryshme e deri që ranë në luftë, kanë qenë antarë ose drejtues të Lëvizjes popullore të Kosovës, si Remzi Ademaj – “Petriti”, Jashar Salihu, Ahmet Kaçiku, Xhemail Fetahu e të tjerë.
– Remzi Ademaj do të ishte njëri ndër themeluesit e Organizatës, së bashku me grupin e njohur pranë Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Ibrahim Kelmendit, Bardhosh Gërvallës,
– Jashar Salihu do të jetë nënkryetar i Organizatës në një nga periudhat më të vështira të saj, i njohur si pjesë e Komitetit të Deçanit, së bashku me Smajl Haredinajn, Hasan Ukhaxhajn, Xhavit Hoxha, etj, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që në krijimin e tij, e njëkohsisht edhe drejtuesi kryesor i fondit “Vendlindja thërret”.
Nga afër e kam njohur edhe Xhemail Fetahun, njeriun e mirë, të zellshëm, nënkryetar i Fondit „Vendlindja thërret”, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së në disa Kuvende ose Mbledhje të Përgjithshme, buzagaz, gjithnjë i saktë në mendimin e tij, trim nga të jashtëzakonshmit, me prirjen e mirë për të bashkuar njerëzit.
Ahmetin e kam njohur po ashtu në ditët e luftës, para se të nisej për në luftë, po asaj dite, erdhi edhe një herë të më takonte, erdhi si të thuash për ti thënë njëri tjetrit edhe disa fjalë të tjera miqësh. Erdhi së bashku me Safet Pecin – Boletinin, komandantin e grupit Tigrat, i cili u vra po ashtu në luftë, të dy djem të përkushtuar jashtëzakonisht.

Zhur, Maj 1992: Remzi Ademaj “Petriti” duke folur në një Tryezë politike, të organizuar nga Revista “Gurra”, (afër tij kryeredaktori i revistës Sh.Berisha).

……………………………………………..

I kam njohur edhe shumë të tjerë nga herojtë më të rinj të Kosovës. Disa i kam takuar rrallë, disa më shpesh, me ndonjërin nuk jam takuar asnjëhjerë, por e di rrugën që kanë bërë.
Asnjëri prej tyre që hyri në luftë nuk e dha jetën për Lëvizjen Popullore të Kosovës, por Lëvizja, jeta e saj, misionarët e saj, themeluesit e saj, gjakimi që kishte bërë, idetë që kishte bartur, përcaktimi për një Shqipëri të përbashkët, i kishte dhënë drejtim rrugës së tyre, i kishte bërë më të ndërgjegjshëm, i kishte bashkuar. Kjo ishte merita e jashtëzakonshme e Lëvizjes, që nuk e humbi kurrë rrugën e saj, yllin e saj polar, lirinë edhe përmes luftës, edhe përmes gjakut, edhe përmes jetës.
Lëvizja Popullore e Kosovës ishte fati i bardhë i saj, ajo ishte Organizata që skuqi dheun e Kosovës, përmes gjakut të Jusufit, Bardhoshit, Kadriut, Afrimit, Rexhepit, Nuhiut, Fehmiut, ADEMIT, Xhevës, Luanit, Shkelzenit, Hasanit, Mujës, Ilazit, Fahriut, Fadilit, Ilirit etj..
VINI RE: asnjërit nuk i vendosa mbiemërin, pasi është e panevojshme, sepse të gjithë i njohin ata…
Nuk ishte rastësi që njerëzit e lëvizjes janë herojtë e Kosovës. Vetë Lëvizja ishte epiqendra e mendimit të sotëm, në jetën e saj ishte mëvetsia e sotme e Kosovës.
E dyta, në këtë lista, pa dashje, ka rrëshqitur një emër i madh, Xhavit Hoxha. Askush nuk e ka ndarë Xhavit Hoxhën dhe Jashar salihun. Nuk i ka ndarë as burgu, as sakrifica, as vuajtjet, as qendresa… ishte dhe mbetet një emër i madh që nuk do shqimet kurrë në horizontin e lirisë së Kosovës.
Por kjo, jam i bindur se do të ndreqet shpejtasi. Këtë e kërkon koha, nderi i Kosovës, e kërkojnë miqtë e tij, Bardhyli, Emrushi, Aliu, Ibrahimi, Xhaviti, Zeka, Gafuri, Hashimi, Kadriu, Bilalli, Ramadani, Ramizi, Halili, Naseri, e kërkojnë të afërmit e Zahirit dhe të Ilirit, e kërkojnë të gjithë.

Katërshi i atdhetarëve:

Xhavit Hoxha, Hasan Ukhaxhaj, Ramiz Kukleci dhe Jashar Salihu

…………………………………………..

Ky ishte shënimi im që doja ta ndaja me njerëzit, si shenjë nderimi për njerën nga vlerat më historike të Kosovës, LPK, dhe për njerëzit e saj, që vendosën rininë, dijet, sakrificat dhe jetën në themelet e saj. 
Përherë qofshi të nderuar o njerëz të mirë, që i dhatë jetën tuaj Kosovës.

===============

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura